VOKABOLAR / Gjuha në rrezik, të shpëtojmë albanezçen

February 23, 2018 18:13

VOKABOLAR / Gjuha në rrezik, të shpëtojmë albanezçen

Duke iu përgjigjur me pathos revolucionar thirrjes së mbledhjes së fundit të disa gjuhëtarëve me peshë dhe shqetësimit të tyre mbi shpërfytyrimin e gjuhës shqipe dhe shëmtimit të kuptimit të fjalëve nga ana (edhe e) gazetarisë, Gojët e Liga kanë qëmtuar (thënë shqip, kanë procesuar dhe elaboruar) disa momente gjuhësore që po shkatërrojnë atë që kujtonim se ishte gjuha shqipe, kjo edhe për meritë të dynjallëkut që merret me axhanset. Më poshtë disa fjalë që ndryshe i dinim dhe ndryshe na i thonë.

-BIZNESMEN – Shumica dërrmuese e shqiptarëve protagonistë të kronikës së zezë të gazetave e mediave tona janë biznesmenë. Biznesmenët kapen me tonelata hashash ose kile kokainë. Biznesmenëve u sekuestrohen troje e lokale, pasi akuzohen se i kanë bërë me drogë. Nuk është pikasur as një rast i vetëm që një trafikanti t’i sekuestrohen asetet sepse dyshohet se i ka fituar me biznes. Jo, gjithnjë ndodh e kundërta. Biznesmenët vriten ose plagosen, ose u hedhin në erë makinën.

Qershia majë tortës, rëndom të dashurit, të fejuarit apo burrat misteriozë të bukurosheve të ekranit, janë “biznesmenë që nuk preferojnë të shfaqen në media”. Zakonisht, ndodh që ata shfaqen, pa dashjen e tyre, nëpër kartela policore të vendeve anëtare të BE-së.

– I RIU – Ka një spektër shumë të gjerë përdorimi ky përcaktor. I riu 43 vjeçar dhunon të dashurën, I riu 39 vjeçar aksidentohet me makinë, I riu 45 vjeç hypën majë shtyllave të tensionit ose tarracave të pallateve dhe jep ultimatume…

Përkufizimi i të riut në shtypin tonë është zgjeruar aq shumë si llastik brekushesh saqë pasojat bëhen shumë dramatike: Nuk ka më burra e gra!

Sepse kronikat kapërcejnë menjëherë në skajin tjetër: E moshuara 56 vjeçare, i moshuari 62 vjeçar…

– POTHUAJSE RRETH – …dhe të ngjashmit e tyre si ndajfolje sasie, kur i dëgjon, të shpartallojnë tërësisht vetëbesimin që ke ndërtuar me aq mund e sakrifica, mbi nocionet e tua matematikore.

“Në protestë morën pjesë pothuajse rreth 2 mijë vetë…”. Dale mor dale. Kur thua rreth, e jep sasinë me përafërsi sepse s’je i bindur, ose s’është synimi yt të japësh shifrën e saktë. Ama kur i vë dhe një “pothuajse” përsipër, nënkupton që je pak… i leshtë.

Po ka edhe më. “Në autobus ishin rreth 39 vetë”. Po mirë mor të zëntë rubeola, si ka mundësi që pasi jep numrin fiks, 39, thua rreth? S’je i sigurtë? Dmth sa ishin në autobus, 38? Hë mor fol, sa?

Perla tjetër: Atë vit ai fitoi gati mbi 3 milionë dollarë. Mbi dmth më shumë se 3 milionë; gati dmth paksa më pak se 3 milionë; atëherë i bie që gati mbi 3 milionë USD, me rregull kompensimi janë fiks 3 milionë në kokë.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Edicionet gjuhësore do vazhdojnë herë pas here, por ato s’kanë nevojë të jenë satirike, sepse e kanë dozën e qesharakes të gatshme nga terreni

February 23, 2018 18:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*