Vota e Kosovës, ndëshkim ndaj qeverisjes së deritanishme

October 7, 2019 19:45

Vota e Kosovës, ndëshkim ndaj qeverisjes së deritanishme

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës edhe kësaj rradhe bën të detyrueshëm formimin e koalicioneve paszgjedhore.  Si në të kaluarën, asnjë parti deri tani nuk ka arritur të siguroj mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme. Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se nga rezultatet e zgjedhjeve të së dielës presin krijimin e shpejtë të një koalicioni në mes të dy partive të para, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Votuesi kosovar i ri, në rritje, në zhvillim po kërkon ndryshim, besoj që edhe pas pak kohë do të kërkojë edhe ndryshime të tjera. Unë mendoj që një marrëveshje parimore e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes për të formuar qeverinë duke respektuar mandatarin e të parit, fituesit të zgjedhjeve do të marrë formë shpejt, nuk pres vështirësi”, thotë Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për hartimin e politikave.

“Ajo që vihet në pah në këto zgjedhje është se ka pasur një votë ndëshkuese ndaj qeverisjes së deritanishme, sepse të dy partitë opozitare kanë treguar një performancë të mirë në zgjedhje sidomos Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë e para. Ky është një tregues që votuesi në Kosovë ka filluar që ta masë qeverisjen me performancë jo vetëm me një lloj klientelizmi që e kemi parë deri tani. Por dy partitë opozitare LDK dhe VV kanë treguar një performancë që iu mundëson atyre ta bëjnë qeverinë e ardhshme pa pasur nevojë për koalicione të tjera”, thotë analisti Ilir Ibrahimi.

Ata thonë se rezultati për koalicionin në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate ka dëshmuar se taksa dhe marrëdhëniet me Serbinë nuk janë në qendër të vëmendjes së qytetarëve aq sa janë problemet e brendshme në Kosovë.

“Fakti që zoti Haradinaj nuk e rriti përkrahjen me qëndrimin e tij ndaj taksës për Serbinë tregon që votuesi në Kosovë nuk e ka brengë kryesore këtë dhe qeveria e ardhshme e LDK-së dhe VV-së është mirë që të koncentrohet në zhvillimet e brendshme, të marrë përgjegjësi e detyra që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjithë sistemit”, thotë zoti Rashiti.

Analistët thonë se ngritja e qeverisë së re duhet të pasohet me zëvendësimin e taksës 100% ndaj mallrave serbe, me ndonjë masë tjetër siç është reciprociteti, dhe kështu të hapet rruga për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Reciprociteti është një nga opsionet, mund të ketë edhe pezullim të përkohshëm apo cilado të jetë ajo formë e mundësimit të dialogut të mëtejshëm sepse me të vërtetë nuk e shoh se klasa jonë politike ka shumë hapsirë për të manovruar këtu. Ne do të duhet ta ruajmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me cdo kusht pa marrë parasysh se kush është në pushtet”, thotë zoti Ibrahimi.

“Së paku Kosova e ka për obligim që në mënyrë serioze të futet shpejt dhe në mënyrë dinamike në proces të dialogut. Se a do të arrihet marrëveshja pastaj nuk varet vetëm prej Kosovës, por të futet shpejt pa minuar punën e qeverisë dhe pa minuar marrëdheniet me miqtë ndërkombëtarë”, thotë zoti Rashiti.

Qytetarët presin ndërkohë ndryshime dhe përmirësim të jetës së tyre nga qeveria e re e Kosovës./ VoA

e.ll./dita

October 7, 2019 19:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim