Vrau 2 vëllezër për kromin, pranga ish-ortakut

January 18, 2015 10:11

Vrau 2 vëllezër për  kromin, pranga ish-ortakut

Pas gjashtë muajsh në arrati, arrestohet i dyshuari për vrasjen e 2 vëllezërve dhe plagosjen e një të mituri në rivalitetin për mineralin e kromit në minierën e Kalimashit në Kukës. Muharrem Burgjisha u lokalizua duke lëvizur mëngjesin e djeshëm në zonën e Laçit me mjetin e tij dhe menjëherë është bërë ndërhyrja nga forcat e FNSH-ve duke e prangosur. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit konfirmuan aksionin dhe izoluan 40-vjeçarin në paraburgim. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 26 korrik të vitit 2014, pas një konflikti për pronësinë e territorit të mineralit të kromit, në hyrje të galerisë në Kalimashit.

Muharrem Burgjisha akuzohet se qëlloi për vdekje vëllezërit Emri dhe Bilbil Batusha, 45 dhe 30 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti dhe Arbër Batusha, 16 vjeç, djali i Emriut. Konflikti ka nisur për pronësinë e një galerie kromi, e cila pretendohej nga të dyja palët në biznesin privat që kishin nisur. Mosmarrëveshjet e përsëritura dhe kërcënimet përfunduan në përleshje të përgjakshme me armë. Mësohet se 2 vëllezërit Batusha dhe autori i vrasjes Burgjisha kanë qenë ortakë në të kaluarën, derisa rivaliteti për dominimin në këtë biznes u bë i fortë.
Nisja e bashkëpunimit të vrasësit të dyshuar me një tjetër person, ka qenë zanafilla e konfliktit mes palëve. Fillimisht nga të shtënat Bilbil Batusha mbeti i plagosur dhe u dërgua në Tiranë në gjendje të rëndë, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë në spital. Policia arrestoi edhe nipin e Muharremit, Servet Burgjishën,19 vjeç, i akuzuar për bashkëpunim në krimin e dyfishtë. Pas krimit të ndodhur, i dyshuari Burgjisha ka mundur të arratiset nga vendi i krimit dhe u shpall në kërkim për “vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta” dhe “armëmbajtje pa leje”. Policia tha në atë kohë se autori kishte pasur bashkëpunëtor edhe nipin e tij adoleshent, por ky i fundit e mohoi krimin.

Miniera e Kalimashit është një burim i mineralit të kromit, pas asaj të Bulqizës, ku konfliktet në biznes nuk kanë munguar asnjëherë.

January 18, 2015 10:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*