Vrau bashkëfshatarin me çifte, Prokuroria çon për gjykim Tom Lalën

June 23, 2016 11:23

Vrau bashkëfshatarin me çifte, Prokuroria çon për gjykim Tom Lalën

Prokuroria e Kurbinit ka dërguar për gjykim 69 – vjeçarin Tom Lala, i akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me dashje”. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 2 Prill, në fshatin Gallatë të Kurbinit, ku pas një konflikti verbal Lala qëlloi për vdekje me armë gjahu, 50 – vjeçarin Mark Ndreca.

Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Kurbinit, rezulton se viktima Ndreca, dy ditë para ngjarjes, ka patur një debat verbal me bashkëshorten e autorit. Shkaku i këtij konflikti ka qenë i rëndomtë.

Dy familjet, fqinje me njëra – tjetrën, sipas Prokurorisë, kanë pasur debate të shpeshta lidhur me mbajtësen e urës që është në këtë fshat. Sipas familjes së autorit, ata e kanë sistemuar me të ardhurat e tyre urën dhe për këtë arsye e konsideronin si pronë të tyre. Ndërsa familja e viktimës pretendonte se ura është mirëmbajtur nga komuna Milot dhe për këtë arsye ajo nuk mund të përdorej si pronë private nga Tom Lala.

Ky konflikt ka pasur ulje-ngritje dhe ndërmjet dy familjeve ka pasur ftohje të raporteve fqinjësore. Në dt. 31.03.2016, pas një konflikti verbal mes viktimës, Mark Ndreca dhe bashkëshortes së autorit, ky i fundit ka njoftuar policinë e Kurbinit, e cila ka referuar në Prokurori rastin, për veprën penale të “Kanosjes” në ngarkim të Mark Ndrecës.

Ditën e ngjarjes, në datë 02.04. 2016, autori Tom Lala dhe viktima Mark Ndreca janë përballur në rrugët e fshatit, të dy në drejtimin e mjeteve në pronësi të tyre. Në momentin që makinat kanë qenë paralel, Mark Ndreca ka ndaluar makinën dhe ka nisur të ofendojë Tom Lalën, për faktin se ky i fundit kishte bërë kallëzim në Polici. Në debat e sipër, Tom Lala ka nxjerrë armën e zjarrit të gjahut, të cilën e mbante me leje, dhe ka qëlluar në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas autorit, ai ka qenë i detyruar të qëllojë, pasi ka parë se viktima është përkulur në makinë dhe ka marrë një objekt që i është dukur si pistoletë.

Menjëherë pas ngjarjes, autori ka telefonuar Shefin e Komisariatit të Policisë së Kurbinit, të cilin e ka njoftuar se ka vrarë shtetasin Mark Ndresa. Më pas autori është larguar, duke u fshehur për dy ditë. Pavarësisht kërkimeve policore, ai nuk u arrit të gjendej deri në datë 06.04.2016, kur sërish autori Tom Lala ka marrë në telefon shefin e komisariatit dhe është vetëdorëzuar.

June 23, 2016 11:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*