Vrau të dashurin italian të ish-gruas, gjendet kufoma

April 27, 2014 07:56

Vrau të dashurin italian të ish-gruas, gjendet kufoma

Pas rrëfimit të bukëpjekësit shqiptar Dritan Demiraj, që pranoi vrasjen e dyfishtë të ish-gruas së tij Lidia Nusdorfi, me të cilën kishte një fëmijë, dhe të të dashurit të saj Silvio Mannina, 30 vjeç, karabinierët zbuluan kufomën e këtij të fundit të varrosur në ujin e një shpelle. Mediat vendase raportonin dje se u gjet në Santarcangelo të Riminit trupi i 30-vjecarit Mannina, partneri i fundit i Lidias, milanezja e vrarë me thikë në stacionin e trenit në Mozzate në fillim të marsit, nga emigranti shqiptar. Tre ditë më parë 29-vjeçari dëshmoi se fillimisht theri ish-gruan te stacioni pasi i ngriti kurth me një mesazh të nisur nga Mannina dhe më pas thirri edhe këtë të fundit në një tjetër vend ku edhe e mbyti dhe më tej groposi pa rënë në sy të askujt. Policia dyshoi të shqiptari pas lidhjes që ky kishte pasur me Lidian dhe më tej nëpërmjet mesazheve të zbuluara. 

Trupi i pajetë i 30-vjeçarit Mannina është gjetur 30 centimetra nën ujë. Policët kanë shkuar në vendin ku Demiraj tregoi të kishte groposur të riun italian dhe e kanë gjetur pas disa orësh kërkimesh me mjete të specializuara. Demiraj ka qenë pak konfuz për vendin ku e kishte hedhur, për shkak edhe të terrenit të vështirë dhe kohës kur ka vepruar, në errësirë. I riu shqiptar ishte shoqëruar në polici si i dyshuar vetëm për vrasjen e gruas, por hetimet zbuluan se kishte lidhje edhe me zhdukjen e 30-vjeçarit Silvio Mannina. Për këtë të fundit, me origjinë nga Bolonja, ishin bërë shpallje publike për gjetje si person i humbur prej muajit mars të këtij viti.
Pasi u mor në pyetje nga hetuesit në burgun e Comos, 29-vjeçari bukëpjekës pranoi se e kishte mbytur me një kabull elektrik 30-vjeçarin italian përpara se të qëllonte për vdekje ish-të dashurën e tij, në stacionin e trenit në Mozzate. Trupin e pajetë të burrit e kishte groposur në një shpellë, aty ku u gjet nga policia italiane, kurse të gruas e ka lënë në stacion në mes të pellgut të gjakut. Gjatë pyetjeve për arsyet e krimit, Demiraj pranoi se kishte vepruar i verbuar nga xhelozia, një krim i pastër pasioni dhe se më shumë ishte tërbuar kur në telefonin e Manninas gjeti edhe videot erotike të ish gruas së tij italiane, me të cilën u ndanë për shkak të mosmarrëveshjeve dhe së bashku kishin sjellë në jetë një fëmijë.

Krimi i dyfishtë u shënua më 1 mars, por vetëm këtë javë hetuesit i dhanë zgjidhje edhe me prova. “Kur pashë videot e xhiruara në telefon me përmbajtje erotike, nuk durova dot dhe e mbyta me kabull elektrik, më pas vrava edhe Lidian duke e goditur me thikë”, ka thënë shqiptari. Kurse i pyetur për mënyrën se si i futi në kurth, Demiraj ka thënë se i ka nisur Lidias një SMS nëpërmjet të cilit i kërkonte takim te stacioni i trenit sikur ishte pikërisht i dashuri i saj italian, për të sqaruar diçka urgjente.

 

 

April 27, 2014 07:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*