“Vreshtin” politik e ruan frika e ligjit dhe gardhi zgjedhor

February 13, 2018 03:43

“Vreshtin” politik e ruan frika e ligjit dhe gardhi zgjedhor

Artan Xh. Duka

Dorëheqja ditët e fundit e deputetit demokrat për të ndjekur karrierë gjetiu, rikthen sërisht çështjen e raportit deputet-votues dhe nevojës për reformë zgjedhore. Deputeti ka një “kontratë” morale me votuesin për t’a përfaqësuar për katër vjet përveçse, për arsye objektive personale apo familjare nuk e përmbush dot këtë mision, dorëhiqet për standarte morale ose etike apo shkarkohet se shkel ligjin e vëndit. Ndërkohë, dorëheqja e motivuar nga interesi personal, ndonse jo shkelje (politika i “qep” këto gjëra), është shpërfillje e votuesit me faturë politike edhe për partinë që e propozoi.

Deputeti nuk është një punë dosido nga ku jepet dorëheqje si pa gjë të keq nga fjala e dhënë. Edhe me ligjin zgjedhor aktual ku zgjidhesh si “paketë”, sërisht me “letra” je i përzgjedhur nga populli e ke fituar besimin e tij me zotimin për të zgjidhur hallet e tij e nëse dorëhiqesh jo për arsye objektive e mandati katandiset në “pedanë” për gjetiu, është shpërdorim i besimit të tij.

E bënë politikën “fe” por nuk janë misionarë

Vëndi ka nevojë për drejtësi dhe politikë me integritet dhe shtytja për t’u marrë me politikë duhet të jetë idealizmi dhe besimi tek kauza publike, interesi i votuesit dhe bashkëpunimi me palën tjetër përtej interesit partiak dhe kurrsesi përfitimi materialist – “statusi” i deputetit, vegjetimi me komoditetin e shpërblimet ekstra, rrjeta e influencës etj, për të cilat ka plot mundësira të tjera në jetë.

Një politikë që nuk ofron shanse për pasurim vetjak, pastron vetveten sepse nuk tundon e mban larg një takëm që si fillim abuzon në emër të politikës dhe më pas e keqpërdor atë për të mbuluar këtë zullum.

Zhveshja e politikës nga privilegjet e tepruara dhe statusi elit duke zvenitur faktorin “pull” apo tundues materialist, ndërsa filtron apriori prurjet në politikë prej syresh që duan të abuzojnë me të, nuk e dekurajon aspak qytetarin dinjitoz që sikurse mjeku i vërtetë beson tek Hipokrati, zgjedh të merret me politikë për të dhënë e jo për të marrë e tunduar nga trajtimi elit apo “deriçka” e pasme për karrierë gjetiu duke lënë edhe mandatin në mes.

Deputeti nuk është punë vullnetare (ndonse ashtu do të ishte apriori e besueshme dhe dinjitoze) por statusi i tij dhe vet-rregullimet ligjore të “vështirësive” të punës nuk duhet të stonojnë me nivelin e jetesës së votuesit dhe pretendimi se deputeti duhet të imunizohet nga tundimi dhe korrupsioni nga grupet e interesit nuk pi ujë nëse drejtësia vihet në vënd.

“Thjeshtëzimi” i statusit të deputetit pa cënuar kushtet bazë për mision publik efektiv dhe vetingu më pas, kontribuojnë në integritetin e politikës në vënd. Kushdo që i futet politikës, i futet se e ndjen dhe dëshiron të lërë emër për mirë, reputacion ky që për të vlen më shumë se komoditeti i një llogarie të majme në bankë.

A duhet “shpluhurosur” mazhoritari me korrektim kombëtar?

Ligji zgjedhor është tjetër premisë për integritet në politikë. Ai “spanjoll” është më jetëgjati por jo se funksionon, përkundrazi, por se politika ka gjetur rehat me të! Pas asaj në drejtësi, duhet dhe reformë zgjedhore por jo si “arnim” por rikonceptim ku parësor mbetet mazhoritari me korrektim kombëtar. Votuesi duhet të “prekë” deputetin e tij dhe jo të votojë një “thes” me emra të zgjedhur nga lart që i detyrohen jo votuesit por liderit që i përzgjedh!

Me normalizimin e drejtësisë bien edhe pretendimet për shpërdorim të ligjit mazhoritar nga syresh. Me ligjin që nuk të bën të “fortë”, vota mazhoritare, e gërshetuar me korrektim proporcional, është alternativë që në kushtet kur statusi i deputetit nuk tundon materialisht, mundëson një parlament ku dominon merita dhe jo klientelizmi, idealizmi politik dhe jo interesi klientelist, kauza publike dhe jo ajo partiake etj.

Ky ligj do të nxiste garë reale për një deputet fuqiplotë të çliruar nga varësia totale prej partisë e që motivohet nga interesi i votuesit si garanci për katër vite më pas, ofron qeverisje efektive bazuar në shumicë solide etj. Aq sa parlamenti ka nevojë për larminë e zërave në politikë, po aq ka nevojë për parti të qënësishme dhe jo parti-kauzash të veçanta që kur gjejnë shesh ndonjëherë bëjnë përshesh dhe kjo përmes një pragu efektiv proporcional kombëtar.

Me rëndësi për ligjin zgjedhor mbetet barazia para votuesit ndaj privilegjimit të partive të mëdha në kurriz të alternativave të reja apo modeste (koha në media, shpenzimet për reklamë etj). Ndarja e buxhetit në fushatë nuk ka pse diktohet nga ecuria e katër viteve të kaluara për të cilat partitë e mëdha gjithsesi gëzuan privilegje në parlament apo qeverisje.

Ky ligj redukton “inflacionin” e partive parlamentare duke mundësuar përfshirjen e kauzave të partive që nuk kalojnë pragun zgjedhor në programet gjithëpërfshirëse të partive parlamentare (deri shkrirjen e partive në një) duke rritur efektivitetin e jetës parlamentare, ndarjen efektive të parasë publike ndaj mizërisë së partive etj. Asnjë parti nuk e ka me tapi parlamentin por shansi për këdo duhet të bazohet vetëm në meritë dhe fushatë elektorale të barabartë.

Aq sa rëndësi ka “kurimi” i abuzimit politik përmes drejtësisë, po aq ka dhe “profilaksia” ndaj tij. Papërgjegjshmëria politike e cila sot tenton të riciklojë vetveten me prurjet e reja pa integritet, e ka lënë vëndin 28 vjet larg BE, krijoi kriza e anarki pafund me koste epike njerëzore e materiale dhe as vetingu i “CV” së politikanëve apo testi “IQ” së tyre nuk mjaftojnë për të pastruar politikën nga uzurpimi.

Të paktën të mos tundohen më me politikën si “biletë” për vegjetim a pasurim e pastaj të kenë dhe luksin ta lënë në mes atë kur u del më mirë gjetiu duke kërkuar lejen jo të votuesit por të liderit lart! Ta dinë që nuk fitojnë gjë në politikë, përkundrazi, do monitorohen për gjithshka. E po thanë një ditë “nuk ia vlen se nuk ka lekë”, ky është lajm i mirë. Nuk ke pse i heq kur nuk futen vetë.

February 13, 2018 03:43
Komento

3 Komente

  1. Epo kjo pune! February 13, 21:12

    Halimi qe gjerbte supen e burgut kur ishte minister duhet ti kerkonte ndjese dhe leje votuesve te zones nga doli dhe jo leje dhe mirenjohje lapidarit Sali por kur hyjne ne parlament pa merita cfare pret… mire mire ligji dhe denojini maskarenjte por duhet bere dhe ligji zgjedhor qe te futen me merita dhe jo me servilizma se pastaj cfare nuk degjojme per keta plehrat, pastaj dhe privilegjet e shumta qe kane deputetet jane magnet qe thith pisat se ata te bejne palle pa bere pune duan, hiqini privilegjet se ai qe do te beje per kombin, e ben edhe pa leke.

    Reply to this comment
  2. dashamires February 14, 11:55

    Pse nuk botohen komentet ketu, apo nuk ju vijne pas midese?

    Reply to this comment
  3. MH February 14, 23:06

    dashamires !!!
    Mos i jep rendesi komenteve se nuk cojne kandar.Cfare nuk shkruajn komentatoret dhe asnji ndryshim nuk ekziston.Komentet jane vetem e vetem per te ngacmuar trunin e gjithesecilit dhe mos me lane gja prej gjajet pa shkrue te zezat mbi te bardhe.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*