Vullneti politik për drejtësi

Artan Xh. Duka April 17, 2014 17:08

Vullneti politik për drejtësi

Nëse gjykohet se fati i mazhorancës dhe i reformave të saj lidhen ngushtë me fatin e drejtësisë në vend, apeli i tanishëm për reformim të sistemit të drejtësisë është 8 muaj me vonesë! ‘Rrota’ e drejtësisë vërtet lëviz ngadalë por kur ajo vihet në ‘tako’ qëllimisht, mazhoranca duhet të bëjë të sajën dhe sfida nuk është më ‘diagnoza’ por ‘terapia’ ndaj nëpërkëmbjes së shtetit ligjor.

 

Abuzimi i vetkopsitur

Në parim, reformimi i sistemit të drejtësisë do të jetë pakthim atëhere kur politika të reformojë paralelisht edhe vetveten. Nuk mund të fajësohet ‘pasqyra’ për shëmtimin demokratik dhe sa kohë vota dhe prona mbeten të ‘kapura’ politikisht, voluntarizmi, autokratizmi dhe kulti i individit në politikë dikton sikundër në monizëm.

Ndërsa qeveria duhet inkurajuar në ambicjen për reforma, kryereforma mbetet drejtësia. ‘Topi’ duhet hedhur në fushën e drejtësisë duke kopsitur dhe depozituar me prioritet në prokurori dosjet e abuzimit elitar për të qëmtuar çdo abuzim të përfolur financiar, elektoral, krim ndaj jetës së qytetarit apo deri kundërvënie ndaj interesit kombëtar. Duke filluar nga bëmat për ditën me diell. Gërdeci, 21 janari, fatura e Rrugës së Kombit, 8 maji elektoral, kufiri detar etj, janë të ‘kopsitura’ apriori dhe nuk lënë vënd për alibi. Qeveria nuk e ka në dorë gjykatën por ka në dorë nxjerrjen para saj të abuzimit elitar. Aq sa efekt ka ndëshkimi i tij, ka dhe denoncimi në gjykatë ndërkohë që testimi i paanësisë së gjyqësorit, krijon mundësi më pas për vetë reformimin e tij.

 

Mes ligjit dhe konsensusit

Jashtë çdo kompleksi në vënd apo zërave klientelist në perëndim dhe në respekt të votës plebishitare dhe ligjit, qeveria ka detyrim për të garantuar që drejtuesit e institucioneve të rëndësishme si prokuroria, SHISH etj të jenë palë me të në zbardhjen e fakteve të abuzimit në kohë. Nëse jo, brënda rregullave, të vërë dorë mbi to. Parimi i sigurisë juridike (nëse është rasti), meritohet dhe përligjet dhe nuk ka prioritet ndaj parimit të respektimit të ligjit.

Kauza e drejtësisë ndërkohë nuk përligj interferencën e kompetencave mes qeverisë dhe institucioneve që sado të ‘pavarura’ u duhet dhënë shansi për të qënë realisht të atilla. Nga ana tjetër, aq sa arbitrariteti, rezulton bumerang edhe toleranca pakufi ndaj keqpërdorimit të tyre si ‘kontrapedal’ politik. PS vazhdimisht ka ofruar precedentë mirëkuptimi në pushtet. Pas 97 KLSH iu dha opozitës dhe vetë PS asnjëherë nuk e ka drejtuar atë pavarësisht se në pushtet apo jo sikurse i është ofruar konsensus PD në opozitë për poste si Presidenti, prokurori, reforma etj.

Konsensusi brënda ligjit dhe në kohën e duhur mbetet ideal por kur ai përdoret si sebep, ligji merr prioritet (sikurse po ndodh me reformën territoriale së fundi).  Ndërkohë PD në pushtet ka ndjekur pa kurrfarë kompleksi politikën e faktit të kryer sa herë ia ka mundësuar ligji përfshirë këtu edhe drejtuesit e institucioneve të  ‘pavarura’ (për të cilat bën avokati sot) nga Presidenti e poshtë në shpërfillje edhe të partnerëve perëndimor. Ia njihte ligji!

 

Drejtësia dhe Kushtetuta me ‘krimbin’ brënda

Kauza e drejtësisë ndërkohë ka provokuar ‘luftë të ftohtë’ mes presidencës (lexo PD) dhe qeverisë. Një ‘efekt anësor’ ky i ndryshimeve kushtetuese që paradoksalisht promovon një president militant ndërkohë që paketa e kompetencave mbetet po ajo e një presidenti konsensual apo me shumicë të cilësuar si simbol i unitetit kombëtar.

Forcimi i shtetit ligjor, pavarësia e institucioneve dhe vetë kauza e drejtësisë imponon rishikimin e Kushtetutës. Nga rikthimi i vlerës së votës (në 91 humbi në zonë vetë lideri i PPSH sepse votuesi kishte realisht në dorë), formati i institucioneve të pavarura (psh. Prokurori i Përgjithshëm) dhe vetë zgjedhja e presidentit (çmimi i zgjedhjeve të parakohëshme ia vlen barra qeranë). Për këtë të fundit, në mos me konsensus (idealja), të parashikohet shumicë e cilësuar apo referendum, me mandat pa afat (një lloj ‘monarkie’ e patrashëgueshme) apo 10 vjeçar (pavarësi të mëtejshme prej rotacionit politik) subjekt referendumi nëse dështon në misionin e tij. Si zgjidhet presidenti sot, ai zor se përfaqëson unitetin në partinë e tij, pale atë kombëtar dhe natyrshëm kompetencat duhen tkurrur në një post ceremonial.

Ndryshimet kushtetuese cënuan si parimin e përfaqësueshmërisë së elektoratit (deputetë të emëruar!) ashtu dhe integritetin e presidentit si simbol i unitetit kombëtar. I zgjedhur me 50% plus 1, Presidenti nuk promovon unitetin dhe me betejën politike në ekstrem, shoqëria nuk e ka luksin e një Presidenti të paragjykuar (me hak apo pa hak) dhe institucioneve të ‘pavarura’ që marrin anë. Fryma e Kushtetutës duhet respektuar dhe që simbolika e unitetit të kombit të mos mbetet retorik, Gjykata Kushtuese duhet të thotë fjalën e saj.

 

‘Pusetat’ e hapura të gjirizit politik

Post 97 dëshmoi se shpërfillja, arkivimi apo toleranca ndaj abuzimit me pushtetin nuk zhbën gjasat e rikthimit të protagonizmit problematik. Përkundrazi, qasja e pasjes në ‘xhep’ veç tundon abuzimin e fituesit të rradhës dhe degradimin në një rreth vicioz të shkeljes së ligjit dhe detantave për tolerim reciprok.   

Drejtësia nuk është opsion dhe nëse vonon mazhoranca humbet në kredon morale dhe politike me pasojë në reformat në vënd. Qeverisja nuk është e imunizuar nga problemet dhe me hak apo pa hak ajo rrezikon të vihet (për ironi dhe paradoksalisht) në gojë të një opozite që ka mbajtur rishtas ‘copyright’ e abuzimit dhe që mund të spekulojë duke e trajtuar kauzën për drejtësi si ‘persekutim’ politik nga ana e qeverisë për të shmangur vëmëndjen e publikut nga problemet e saj.  

Që të mos përflitet se ‘korbi korbit nuk i nxjerr sytë’, qeveria duhet të krijojë preçedentin e drejtësisë ndaj abuzimit elitar. Në mos për të tjerët për veten sepse sado e mirë, ‘fara’ e hedhur në ferra nuk mbin. ‘Pusetat’ e hapura të së kaluarës abuzive veç ‘gjiriz’ nxjerrin dhe me to nëpër këmbë, në mos qorrollepsje, puna nuk ka duk. Nëse kjo mazhorancë aspiron të bëjë histori, të zbatojë ligjin njëlloj padallim. Boll platforma dhe teza u hodhën edhe pas 97 por pasiguria dhe stresi, si për ata që kanë edhe për ata që nuk kanë, mbretëron prej çerekshekulli në këtë vënd. Kjo mazhorancë të bëjë të vetën për të bërë drejtësi. Të tjerat vijnë vetë. Merita po ashtu.

Artan Xh. Duka April 17, 2014 17:08
Komento

1 Koment

  1. P.A.B April 18, 00:10

    Nëse kjo mazhorancë aspiron të bëjë histori, të zbatojë ligjin njëlloj padallim. Boll platforma dhe teza u hodhën edhe pas 97 por pasiguria dhe stresi, si për ata që kanë edhe për ata që nuk kanë, mbretëron prej çerekshekulli në këtë vënd. Kjo mazhorancë të bëjë të vetën për të bërë drejtësi. Të tjerat vijnë vetë. Merita po ashtu. [artikulli]

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*