Vulvodynia, dhimbjet që nuk duhet neglizhuar nga femrat!

November 30, 2019 12:02

Vulvodynia, dhimbjet që nuk duhet neglizhuar nga femrat!

Pranvera Kola

Ndër shqetësimet shëndetësore që shfaqen shpesh tek femrat janë edhe ato që njihen si vulvodynia, të cilat i referohen dhimbjeve në zonën vaginale dhe të hyrjes së saj. Mjekja Ilda Xhelili tregon gjithçka duhet të dinë femrat rreth kujdesit për këtë gjendje shëndetësore, duke nisur nga faktorët që janë përgjegjës për shfaqjen e këtyre dhimbjeve, simptomave dalluese, si dhe masave që duhet të merren për trajtimin dhe parandalimin e tyre. sipas saj, një rol vendimtar krahas terapisë medikamentoze të përshkruar nga mjeku luan edhe ndjekja e disa këshillave të thjeshta praktike gjatë ditës.

Çfarë i shkakton këto dhimbje?

Shkaku se përse disa gra i zhvillojnë këto dhimbje mbetet akoma i paqartë. Mund të prekë gratë e të gjitha moshave dhe racave. Mund të fillojë qysh në adoleshencë dhe mund të ndodhë si para ashtu edhe pas menopauzës. Mund të ndodhe gjatë periudhës së menstruacioneve (periodat), ose mund të jetë e pavarur nga menstruacionet. Vulvodynia nuk mendohet të lidhet me sëmundjet seksualisht të transmetueshme edhe pse, jo pak gra kanë pasur histori të shumta të këtyre sëmundjeve seksuale.

Për sa kohë mund të vijojnë këto dhimbje dhe a përbëjnë rrezik për zhvillimin e sëmundjeve kanceroze?

Vulvodynia nuk shoqërohet me kancer ose kushte serioze mjekësore por, mund të jetë një burim i shqetësimit fizik dhe emocional afatgjatë. Dhimbja vaginale mund të jetë kronike dhe mund të zgjasë me vite tek disa gra. Shkalla e ashpërsisë ndryshon midis grave. Shpesh ndodh në mungesë të shenjave fizike ose anomalive të dukshme. Mund të jetë e rëndë dhe të ndërhyjë në aktivitetin seksual dhe të shkaktojë marrëdhënie të dhimbshme (dyspareunia).

Çfarë përfshijnë konkretisht simptomat e vulvodynisë?

Janë një sërë shenjash që duhet t’ju tërheqin vëmendjen drejt kësaj gjendjeje mjekësore. Konkretisht shenjat kanë të bëjnë me dhimbje të mprehta ose djegëse përgjatë vaginës ose lokalizuar në zonën hyrëse të saj (përfshirë dhe indet përreth), kruajtje vaginale, ndonjëherë të dhimbshme. Dhimbjet mund të jenë konstante ose në formë valësh (që shkojnë e vijnë). Gjithashtu bëhet e ditur se dhimbjet mund të shfaqen gjatë aktivitetit seksual ose gjatë ushtrimeve fizike. Disa gra raportojnë dhimbje që lokalizohen në njërën anë ose në një zonë të vulvës, ndërsa të tjera kanë dhimbje më të përgjithësuar dhe më të përhapur. Zakonisht, nuk ka ndryshime fizike që ndodhin brenda dhe përreth vaginës, megjithatë, ndonjëherë lëkura ose mukoza mund të jetë e përflakur.

A ndodh që këto dhimbje të shfaqen edhe gjatë shtatzanisë?

Dhimbjet vaginale mund të ndodhin gjatë tremujorit të tretë të shtatzanisë për shkak të rritjes së presionit në qafën e mitrës. Në mënyrë të veçantë, gratë që kanë përjetuar dhimbje vaginale përpara se të mbeten shtatzënë mund të vazhdojnë t’i përjetojnë këto dhimbje edhe gjatë shtatzanisë.

Çfarë i shkakton dhimbjet vaginale?

Edhe pse është ende e paqartë se, përse disa gra zhvillojnë vulvodyni, disa studime sygjerojnë se kjo gjë mund të ketë lidhje me prezencën e faktorëve të tillë si: dëmtimin ose acarimin e nervave, përgjigjet anormale ndaj inflamacionit (infeksionit), reaksione alergjike. Po ashtu ndikim në shfaqjen e dhimbjeve mendohet te kenë edhe spazmat (tkurrje) muskulore, historitë e abuzimit seksual, përdorimet e shpeshta të antibiotikëve, si dhe faktorët familjarë, ose gjenetikë mendohet se luajnë rol në dhimbjet vaginale

Si diagnostikohen këto dhimbje?

Zakonisht diagnostikimi i dhimbjes vaginale bazohet në simptomat klinike duke pasur parasysh diagnozën diferenciale me infeksionet vaginale (bakteriale, virale ose mykotike ) që shoqërohen me djegie, kruarje. Në këtë rast vijnë në ndihmë testet diagnostikuese.

Si trajtohen dhimbjet vaginale ?

Tek disa gra vulvodynia është një gjendje kronike që mund të zgjasë me muaj, ose vite, ndërsa në disa të tjera mund të vijë e të shkojë. Dhimbjet vaginale mund të menaxhohen me medikamente, por edhe me vetëkujdesje. Por jo të gjitha trajtimet rezultojnë efektive. Mjaft efektivë rezultojnë kremërat lokalë me përmbajtje estrogjene ose anestetike (që bllokojnë dhimbjet). Gjejnë gjithashtu përdorim edhe antidepresivët ose antikonvulsivët (për relaksimin e muskulaturës). Përveç trajtimeve medikamentoze që do të përcaktohen nga mjeku, në lehtësimin e dhimbjeve vaginale ndihmojnë disa masa të vetë-kujdesit që duhet të ndiqen nga çdo grua në jetën e përditshme. Këto masa kanë të bëjnë me ndjekjen e këshillave të tilla si: shpëlarjen me ujë pas aktivitetit seksual, bërjen e banjave me ujë të ftohtë ose të ngrohtë, përdorimin e sapunëve me pehash neutral, përdorimi i veshjeve të brendshme prej pambuku dhe veshjeve të lirshme në përgjithësi, kremrave të rekomanduar nga mjeku, shmangia e frekuentimit të pishinave me ujë të mbingarkuar nga klori, apo edhe heqja dorë nga konsumi i ushqimeve të caktuara që mund të jenë irrituese për urinën. Këshillat praktike që duhet të ndiqni në këto raste i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Masat që duhet të merrni:

  • Këto dhimbje mund të menaxhohen me medikamente, por edhe me vetëkujdesje.
  • Mjaft efektivë rezultojnë kremërat lokalë me përmbajtje estrogjene ose anestetike.
  • Gjithashtu përdorim gjejnë edhe antidepresivët ose antikonvulsivët (për relaksimin e muskulaturës.
  • Shpëlarja me ujë pas urinimit dhe aktivitetit seksual.
  • Banjot me ujë të ftohtë ose të ngrohtë (kjo është individuale).
  • Përdorimi i paketave të akullit të mbështjella me një peshqir në zonën e dhimbjes.
  • Disa gra mund ti ndihmojë efekti ngrohës i një jastëku me korent.
  • Përdorimi i sapunëve me Ph neutral.
  • Përdorimi i veshjeve të lirshme duke shmangur pantallonat.
  • Të brendshme pambuku.
  • Shmangia e pishinave me ujë të kloruar.
  • Shmangia e aktiviteteve të tilla si biçikleta që ushtrojnë presion në zonën e vulvës.
  • Shmangia e ushqimeve që mund ta bëjnë urinën irrituese për lëkurën e zonës gjenitale (fasule, manaferra, arra, çokollatë).
  • Preparatet antihistaminikë që lejohen pa recetë mund të qetësojnë simptomat e kruajtjes , veçanërisht gjatë natës (psh Loratadina).

 

November 30, 2019 12:02
Komento

1 Koment

  1. pap December 2, 18:02

    O faqe e zeze, cfare jane keto budalliqe?! Nuk keni ndonje teme tjeter per te trajtuar ne faqet e gazetes keto dite, por merreni me vulvodinine. Fshati digjet, k…. krihet. Thirrini fiqirit……nga nje mjek.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*