”Watergate” rikthehet në versionin bullgar një muaj para zgjedhjeve

April 29, 2013 09:08

”Watergate” rikthehet në versionin bullgar një muaj para zgjedhjeve

Ish-ministri bullgar i Agrikulturës, akuzoi të enjten e kaluar ish-ministrin e Brendshëm për përgjime të paligjshme ndaj të gjithë ish-anëtarëve  të kabinetit qeveritar të kryesuar nga Boiko Borisov. Një ditë më pas, në mediat bullgare publikohet një video ku Borisov shfaqet duke ofenduar disa nga figurat më të rëndësishme të vendit

 

Akuzat e ish-ministrit të Agrikulturës, Miroslav Naidenov, ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Tsvetan Tsvetanov, kanë bërë që Bullgaria të tronditet nga një skandal politik, të cilin mediat vendase e kanë emërtuar “Watergate i Bullgarisë”. Vetëm një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, Naidenov e ka akuzuar Tsvetanovin për spiunim të ish-anëtarëve të qeverisë, me synimin për të eliminuar kundërshtarët e tij politikë, që i qëndronin afër kryeministrit të asokohe Boiko Borisov. Naidenov sygjeroi që edhe Borisov ka qenë objekt përgjimesh.

Por kush përfiton nga ky skandal? Kjo është pyetja që të gjithë shtrojnë,pasi të premten u publikua në media një bisedë e zhvilluar midis Boiko Borisovit, Miroslav Naidenovit dhe kryeprokurorit të Sofies, Nikolai Kokinov, e cila qe regjistruar pa dijeninë e tyre. Dihet që Tsvetanov është një ndër rivalët më të egër brenda partisë së tij dhe po ashtu socialistët përfitojnë nga ky skandal.

Midis të tjerave, Borisov shfaqet duke ofenduar prokurorë, gazetarë dhe politikanë të caktuar. Videoja e transmetuar nga një televizion kombëtar, është postuar edhe në “Youtube”. Përveç shprehjeve vulgare e ofendimeve tronditëse në të dëgjohen  edhe disa fraza që nënkuptojnë afera të ndryshme korrupsioni. Nga ana e tij, Borisov i cili do të rikandidojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare  më 12 maj, e ka mohuar vërtetësinë e regjistrimit.

Njëri prej skandaleve politike më të mëdha në historinë amerikane është ai i quajtur “Watergate”, i cili filloi në vitin 1975 me vendosjen e disa përgjuesve në zyrat e Partisë Demokrate që ndodheshin në kompleksin “Watergate” në Uashington. Kështu presidenti Riçard Nikson përgjonte bisedat e kundërshtarëve të tij nga Shtëpia e Bardhë, me synimin që t’i përdorte dobësitë e tyre gjatë fushatës së ardhshme presidenciale.

Përmasat e skandalit kaluan çdo parashikim kur hetimet nxorën në pah implikimin e stafit të presidentit dhe faktin se Nikson kishte një sistem regjistrimi në zyrën e tij. Përgatiti: Dorina Gjuzi

 

 

April 29, 2013 09:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*