Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria në arkivat gjermane

March 8, 2019 14:46

Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria në arkivat gjermane

105 – vjetori: ( mars-shtator 1914)

Marenglen Kasmi

(Vijon nga dje)

Por, ndërmjet tyre kishte diferenca shumë të mëdha në pikëpamje të stërvitjes, përgatitjes dhe perceptimit të tyre ndaj shërbimit. Për këtë arsye, kjo forcë xhandarmërie nuk mund të përdorej nga Wied-i si një forcë ushtarake e unifikuar. Në sytë e Ulmansky-t edhe oficerët shqiptarë që  kishin shërbyer në ushtrinë turke nuk duhej të merreshin në konsideratë nga Wied-i për krijimin e ushtrisë shqiptare. Ndër të tjera, ai raportonte se: “Numri i ish oficerëve turq në Shqipëri (nënkupton oficerët shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë turke-M.K) duket të jetë tepër i vogël. Secili prej tyre, me të cilin unë pata rastin të bisedoj, më krijoi përshtypjen më të keqe të mundshme dhe unë besoj që përfshirja e tyre në ushtrinë e ardhshme shqiptare duhet të evitohet me çdo kusht”.

Ky konstatim, sado i ashpër në dukje, mund të konsiderohet, në një farë mase, i drejtë, nëse kemi parasysh se pjesa më e madhe e oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë turke nuk kishin kryer detyra të rëndësishme. Madje, kjo gjë bëhej jo pa qëllim nga turqit, të cilët nuk u besonin ushtarëve shqiptarë dhe nuk i përfshinin ata në programet përgatitore e stërvitore, duke i lënë ata në prapavijë si roje, punëtorë, etj.

Gjashtë muaj mbretërim

Pasi Wied-i mori nga Fuqitë e Mëdha një paradhënie prej 10 milionë frangash, më 7 mars 1914, ai zbriti në Durrës, ku u prit me nderime të mëdha. Vetëm pas mbërritjes në Durrës, ai e kuptoi seriozitetin e situatës në të cilën gjendej. Fillimisht, ai duhej të zgjidhte tre detyra të rëndësishme, të cilat ishin organizimi i administratës, problemi i financave dhe çështja epirote.

Në postin e kryeministrit, ai zgjodhi shqiptarin 75-vjeçarTurhan Pasha, një ambasador dhe diplomat në pension i Perandorisë Osmane. Kjo kandidaturë iu propozua atij prej Italisë dhe Austro-Hungarisë. Pasi Turhan Pasha u sigurua për lidhjen e pensionit të tij, ai e pranoi detyrën e ofruar. Turhan Pasha ishte një politikan me përvojë por, siç do ta tregonte edhe koha, i papërshtatshëm për këtë detyrë. Ai nuk kishte jetuar në Shqipëri dhe nuk e njihte realitetin e politikës shqiptare. Në këtë situatë të vështirë dhe me probleme të shumta, përkrah Wied-it do të kishte qenë më i vlefshëm një person energjik dhe i vendosur sesa një politikan i tillë. Madje, ai nuk fliste e shkruante shqip.

Më tej, duhet të formoheshin ministritë dhe administrata e tyre. Por edhe krijimi i xhandarmërisë, centralizimi i financave si edhe njohja e vendit qëndronin në agjendën ditore të princit. Që në ditët e para të qëndrimit në Durrës, Wied-i duhet ta ketë kuptuar që ai nuk mund të sundonte dot gjatë në këtë vend.

Kushtet dhe situata në të cilën Fuqitë e Mëdha vendosën të krijojnë Shqipërinë ishin shumë më të pafavorshme sesa në vendet e tjera të Ballkanit. Zhvillimi i vonuar social-ekonomik i vendit, niveli i lartë i analfabetizmit,heterogjeniteti fetar, prania e elitës shqiptare të brumosur me mentalitet turk, mungesa e infrastrukturës dhe prapambetja e shoqërisë shqiptare si edhe konfliktet e armatosura me vendet fqinje e bënin të pamundur krijimin e kushteve normale nga qeveria e përkohshme.

Në pamje të parë, pasi mori këstin e parë të ndihmës nga Fuqitë e Mëdha, u krijua përshtypja se Wied-i mund të fillonte punën për organizimin e shtetit të tij. Por, nëse i referohemi shtypit italian të kohës, shikojmë se Wied-i, nga shuma që mori nga Fuqitë e Mëdha si paradhënie, rreth 800.000 i përdori menjëherë për të shlyer borxhet e tij të vjetra, rreth 1.5 milionë franga i harxhoi për ngritjen e oborrit të tij dhe me pjesën e parave që i teproi duhej të organizonte administratën e tij civile dhe ushtarake.

Krijimi i xhandarmërisë

Në këto kushte, një vështirësi të veçantë përbënte për Wied-in çështja e krijimit të xhandarmërisë dhe jo vetëm në këndvështrimin financiar. Problematik ishte gjithashtu edhe pozicioni dhe kompetencat e oficerëve holandezë. Fillimisht, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Londër ranë dakord që për krijimin e xhandarmërisë shqiptare duhej të punësoheshin oficerë suedezë, por pasi qeveria suedeze refuzoi ta merrte përsipër këtë detyrë, qeveria holandeze u shpreh e gatshme të dërgonte një mision ushtarak në Shqipëri, nën drejtimin e kolonelit e më vonë, gjeneralitDe Veer. Sipas marrëveshjes, oficerët holandezë vareshin nga komandanti i tyre holandez, i cili kishte varësi direkte nga princi.

Sapo Esat Pasha u emërua ministër i Brendshëm, ose siç i pëlqente atij të thirrej, ministër i Luftës, ai u ngatërrua në punët e oficerëve holandezë dhe filloi t’iu jepte atyre urdhra. Në rregulloren që përcaktonte marrëdhëniet ligjore dhe shpërblimin e oficerëve dhe nënoficerëve holandezë në shërbim të xhandarmerisë shqiptare thuhej se komandanti holandez i xhandarmërisë varej drejtpërdrejt nga princi dhe Kontrolli Ndërkombëtar i Komisionit (KNK). Gjithsesi, kjo nuk ishte një varësi dyfishe, sepse kryesisht ai duhej të zbatonte urdhrat e princit. KNK-ja duhej vetëm të kontrollonte mënyrën e drejtimit të tij. (Neni 2, paragrafi 2) Në nenin 4 të kësaj rregulloreje parashikohej fillimisht një kontratë dyvjeçare me të drejtë shtyrjeje për një vit. Pas kalimit të kësaj kohe, oficeri ose nënoficeri kishte të drejtë të largohej ose të qëndronte përfundimisht në shërbim të Shqipërisë.

Oficerët holandezë e kundërshtuan këtë veprim dhe kjo gjë shkaktoi edhe përplasjen e parë ndërmjet De Veer-it dhe Esat Pashës, madje në prani të Wied-it. Për të shmangur përplasjet e paevitueshme, De Veer-i e ngriti komandën e tij në Vlorë, gjë që e vështirësonte shumë punën për ngritjen e xhandarmërisë shqiptare. Po ashtu edhe në Shkodër, oficerët holandezë nuk ishin të mirëpritur. Koloneli anglez Phillipsmundohej të forconte pozitat e tij në qytet, sa më shumë të ishte e mundur dhe prania e holandezëve e bezdiste atë.

Këto kontradikta e çuan Wied-in në përfundimin që milicia duhej të ngrihej e veçuar nga xhandarmëria, madje me instruktorë të tjerë të huaj. Në këtë pikë Esat Pasha shikonte edhe shansin e tij. Ai filloi të rezervonte dhe ruante gjithçka të nevojshme për milicinë, gjë që e vinte xhandarmërinë para vështirësive të mëdha.

Pra, që në fillim të sundimit të tij,Wied -it, i duhej të ballafaqohej me probleme nga më të ndryshmet dhe më elementaret. Shqiptarët prisnin që Wied-i me anë të një shkopi magjik dhe me energji gjermane të bënte evropianizimin e vendit brenda një kohë të shkurtër. Që në javët e para ata do të kuptonin se, përveç faktit se në Durrës ishte shtuar një rezidencë Princërore, për ta nuk kishte ndryshuar ndonjë gjë e madhe.

Për të vënë në funksion të plotë makinën e tij shtetërore, Wied-i duhej të zgjidhte edhe dy probleme të tjera emergjente. Së pari ai duhej të zgjidhte sa më shpejt problemet në jug të vendit me Greqinë. Kjo gjë ishte e nevojshme, sepse sa më shpejt të zgjidhej kjo çështje, aq më shpejt mund të përqendrohej vëmendja në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Së dyti, duhej të përgatitej sa më shpejt Statuti, në mënyrë që regjimi i tij të vendosej mbi baza të shëndosha. Ky regjim duhej të mbështetej mbi një administratë të planëzuar.

Kryengritja kundër Wied-it

Nëse i referohemi burimeve arkivore dhe shtypit të huaj të kohës, në muajin maj 1914, në Shqipëri ekzistonin tre lëvizje kundër qeverisë së Wied-it. Përkrah lëvizjes antiqeveritare në Shqipërinë e Mesme u shfaqën edhe dy të tjera. Njëra nga këto lëvizje drejtohej nga njëfarë ArifHikmeti. Ky ishte një shqiptar i lindur në Kumanovë, i cili kishte bërë karrierë si nëpunës në administratën turke. Si shumë të tjerë, edhe ai u kthye në Shqipëri, me shpresë se do të arrinte të siguronte ndonjë post në qeverinë e Wied-it. ArifHikmeti, në ndryshim nga shumë kolegë të tjerë që nuk arritën të punësoheshin, nuk e kaloi kohën kot kafeneve e restoranteve të Durrësit, duke sharë qeverinë, por shkoi në brendësi të vendit për të propaganduar kundër Wied-it dhe pro ardhjes së një prej djemve të sulltan AbdylHamitit në vend të tij. Po ashtu ArifHikmeti bashkëpunoi ngushtë me Ahmet Zogun, prijësin e myslimanëve matjanë.

Lëvizja tjetër kundër Wied-it ishte një lëvizje fshatare, e cila shtrihej në zonën e Durrësit dhe Tiranës. Fshatarët e këtyre zonave u mblodhën të armatosur në Shijak. Sipas ministrit gjerman në Durrës, kur ata pyeteshin se përse ishin mbledhur, përgjigjeshin se po bënin revolucion. Për arsyet e fillimit të këtij revolucioni, fshatarët kishin mendime të ndryshme. Një pjesë mendonin se revolucioni drejtohej kundër bejlerëve dhe agallarëve si edhe kundër politikës ekonomike të qeverisë e cila, nëpërmjet masave të saj, favorizonte pashallarët dhe jo popullsinë e varfër.

Me përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, në fund të muajit maj 1914, kryengritësit kërkuan të negocionin me përfaqësuesit evropianë të atashuar në Durrës si dhe Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit. Në emër të kryengritësve foli shehu i Shijakut, HamdiRubjeka. Në emër të tyre, ai u ankua se “feja myslimane nuk respektohej ashtu si duhet, dhe si pasojë, kryengritësit duan të kthehen përsëri nën Turqinë”. Nëse kjo gjë nuk ishte e mundur, atëherë ata kërkonin që shtetet evropiane të kujdeseshin që feja myslimane të respektohej më shumë në Shqipëri.

Këto formulime të përgjithshme tregojnë se kryengritja nuk kishte thjesht një karakter fetar mysliman, por ushqehej politikisht nga prapavija e frontit. Për më tepër, nëse kemi parasysh nivelin arsimor të popullsisë shqiptare të kësaj kohe, nuk ishte e vështirë të bëje manipulimin e një shoqërie të përçarë fetare dhe analfabete. Është tepër e vështirë të besohet që fshatarët e Shqipërisë së Mesme kërkonin kthimin e tyre nën sundimin turk, për më tepër që ishin pikërisht ata që kishin vuajtur më shumë nën këtë sundim dhe që  kishin luftuar për qindra vjet kundër Turqisë.

Fillimisht, në thelbin e saj, kryengritja e Shqipërisë së Mesme nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një kryengritje apo revoltë agrare kundër kastës feudale sunduese të vendit, si pasojë e mosmbajtjes së premtimeve që i kishte bërë kjo kastë (sidomos Esat Pasha) popullsisë fshatare për kryerjen e reformës agrare. Në një hap të dytë, kjo pakënaqësi u shfrytëzua politikisht nga gjithë armiqtë e Wied-it dhe të Shqipërisë.

Të parët që shpresonin të përfitonin nga kjo lëvizje ishin përkrahësit e xhonturqve. Duke shfrytëzuar besimin e thellë të fshatarësisë myslimane dhe duke propaganduar rrezikun që i kanosej fesë myslimane nga princi katolik, ata premtonin që Perandoria Osmane jo vetëm që do t’u dërgonte atyre një sundimtar mysliman, por do të plotësonte edhe të gjitha kërkesat e tyre.

Së dyti, Serbia, e cila nëpërmjet mbështetjes që i jepte lëvizjes kryengritëse të ArifHikmetit[1] në Dibër, arriti me forcën e parave të ndikonte edhe në revoltën e Shqipërisë së Mesme, duke i bashkuar këto dy rryma. Sipas Eqrem Bej Vlorës,ArifHikmetiishte përfaqësues i politikës së Turqve të Rinj në Shqipëri. Ai vinte nga radhët e Institutit gjuhësor «AksarayMahfili», i cili kishte dashur të fuste alfabetin turk për shkrimin e gjuhës shqipe.

Së treti,edhe Italia ishte e interesuar në këtë kryengritje dhe shumë shpejt bëri për vete kokat drejtuese të revoltës, duke i shfrytëzuar ata për qëllimet e saj. Synimi kryesor i Italisë ishte krijimi i një protektorati italian në Shqipëri. Duke qenë se shumica e popullsisë shqiptare ishte myslimane, Italia synonte që, nëpërmjet krijimit të protektoratit, fillimisht në viset myslimane shqiptare, jo vetëm të balanconte ndikimin austriak te katolikët e veriut por, me kalimin e kohës, të zgjeronte kufijtë e këtij protektorati në gjithë territorin shqiptar. Esat Pasha konsiderohej nga Italia njeriu kyç që do të mundësonte arritjen e këtij synimi. Diplomati austriak CarlBuchberger, konstaton, me të drejtë, se zhvillimet në Shqipëri ishin pritur me një farë lehtësimi nga qeveria italiane. Pra, Fuqitë e Mëdha e kishin “shitur” tashmë Wied-in dhe përkeqësimi i situatës e përshpejtonte procesin e ndërkombëtarizimit të aparatit qeverisës shqiptar.

Së katërti, nëse marrim në konsideratë raportet sekrete të përfaqësuesit gjerman në Durrës, Lucius, arrijmë në përfundimin se edhe Greqia kishte dorë në organizimin e kësaj kryengritjeje. Ndër të tjera, ai raportonte në Berlin: “Nuk përbën më asnjë dyshim që kryengritja stimulohet dhe mbështetet, në plan të parë, nga Greqia. Pavarësisht faktit se tashmë grekët bashkëpunojnë hapur me epirotët, edhe këtu unë kam zbuluar fakte të pakundërshtueshme që ministri dhe peshkopi grek punojnë pa pushim që ky vend (Shqipëria-M.K.) të mos bjerë asnjëherë në qetësi. Për të arritur këtë qëllim, ata kanë hedhur në qarkullim shuma të mëdha parash (…).”

Në qendër të përplasjes së gjithë këtyre interesave qëndronte Wied-i. Ngjarjet e ndodhura, së fundmi, e kishin dëmtuar imazhin e tij, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Atij i mungonin trupa ushtarake për të luftuar kryengritjen brenda vendit si dhe në jug të Shqipërisë kundër andartëve grekë. Pavarësisht ndërhyrjes energjike të KNK-së,u arrit vetëm një armëpushim dyjavor, kohë në të cilën nuk mund të shpresohej në asgjë më shumë sesa që Wied-i të përgatitej për mbrojtjen e Durrësit. Ndërkohë, qeveria mori vendimin për të shtypur vendimin me forcën e armëve.

Planin për shtypjen e kryengritjes e hartoi nënkoloneli holandez Thomson. Sipas këtij plani, kryengritësit do të sulmoheshin, në të njëjtën kohë, nga tre drejtime. Në Durrës qeveria kishte rreth 1100 burra nën armë, PrengBibDoda ndodhej në Lezhë me rreth 4000 burra dhe Azis Bej Vrioni kishte mobilizuar në jug të vendit rreth 1000 toskë. Edhe Ahmet Zogu kishte premtuar të ndihmonte me 2000 matjanët e tij.

Me siguri që plani i hartuar nga qeveria mori dhénë dhe në mënyrë të papritur, rreth 3000 forca kryengritëse të mirëorganizuara dhe të drejtuara nga oficerë turq,sulmuan Durrësin nga tre drejtime të ndryshme. Që në fillim të luftimeve, mbeti i vrarë nënkoloneli Thomson i cili luftonte në këmbë për t’u dhënë zemër trupave të tij.

Pas vdekjes së Thomson-it, vendin e tij e zuri majori Kroon i cili, deri në këtë kohë, ishte në Shkodër. Kroon mori menjëherë masa për organizimin e një kundërsulmi ndaj kryengritësve. Ashtu si kolegu i tij, edhe Kroon e drejtoi vetë kundërsulmin. Në krye të forcave qeveritare ai arriti deri në gjysmën e lartësisë së kodrave që mbaheshin nga kryengritësit. Si pasojë e zjarrit të dendur të kryengritësve, forcat qeveritare e ndërprenë kundërsulmin dhe duke mos iu bindur urdhrit të tij u tërhoqën.

Gjithsesi ky dështim nuk mund të konsiderohet si një mungesë karakteri dhe trimërie e malësorëve shqiptarë që luftonin për Wied-in. Gabimi ishte i oficerëve holandezë. Thuajse që të gjithë ata nuk arritën të njihnin mentalitetin shqiptar. Në vija të përgjithshme, holandezët notonin mes dy rrymash mendimi, përsa i përket perceptimit të tyre ndaj shqiptarëve. Njëra palë mendonte se në rastin e shqiptarëve, ata kishin të bënin me një popullsi të egër dhe të pacivilizuar, njësoj si në kolonitë holandeze. Ndërsa, pala tjetër shikonte te shqiptarët një popull të disiplinuar, ushtarak dhe të gatshëm për të luftuar. Në këtë grup bënin pjesë edhe Thomson-i dhe Kroon-i. Duke pasur këtë perceptim të gabuar, ata u ngarkuan malësorëve detyra, të cilat mund të realizoheshin nga një trupë ushtarake e mirëfilltë dhe e stërvitur dhe jo nga një grup malësorësh, të cilët njihnin si mënyrë luftimi vetëm organizimin e një prite në male dhe jo në fushë të hapur luftimi. Pra, ideja fillestare e Thomson-it për organizimin e një sulmi të përqendruar ishte po aq e gabuar ushtarakisht, sa edhe ajo e pasardhësit të tij majorit Kroon.

Pas shpërthimit të kryengritjes në Shqipërinë e Mesme, humbi ndjeshmëria e Evropës Perëndimore ndaj çështjes së Epirit. Në Gjirokastër vazhdonte të qeveriste Zografi. Ndërmjet krahinës autonome të vetëshpallur dhe territoreve që zotëroheshin prej xhandarmërisë ishte krijuar një zonë neutrale dhe priteshin vendimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Në zonën e Korçës, u shtuan sulmet e bandave greke. Në Shkodër, vazhdonte përplasja e myslimanëve dhe katolikëve, e italofilëve me filo-austriakët, e kundërshtarëvetë kolonelit Philipps me përkrahësit e tij e kështu me radhë.

Përpjekjet e Wied-it për t’u rikthyer në Shqipëri

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, Wied-i, të cilit kjo ngjarje i erdhi për shtat dhe në një farë mënyre, e shpëtoi nga telashet, vendosi më 3 shtator 1914 të largohej nga Shqipëria. Ai nuk hoqi dorë nga froni, por deklaroi se do të largohej vetëm përkohësisht nga vendi.

Pas kthimit të tij në Gjermani, ai i kërkoi kajzerit që të rimerrej si oficer aktiv në ushtrinë perandorake gjermane.“Një princ gjerman që është i aftë për të luftuar, duhet të jetë pjesë e ushtrisë gjermane” do të shprehej Wilhelm II kur i paraqitën kërkesën e Wied-it.

Majori à la suite Wied, u dërgua si oficer shtabi në front, por pa marrë ndonjë post të caktuar, sepse me largimin nga ushtria ai ia kishte hequr vetes këtë të drejtë. Kajzeri e pranoi kërkesën e Wied-it për t’u rikthyer në ushtri, meqë me fillimin e luftës ishte shpallur mobilizimi i përgjithshëm, por nuk e riktheu atë si pjesë organike të ushtrisë. Për këtë arsye,Wied-i nuk përparoi më në gradë dhe në fund të luftës mbante përsëri të njëjtën gradë të majorit à la suite.

Ndoshta, ky ishte një dënim nga kajzeri për dështimin në Shqipëri dhe që nuk i dëgjoi këshillat e tij për të mos e pranuar fronin shqiptar. Edhe dërgimi i tij në front dhe jo diku tjetër, ku ishte i përshtatshëm shërbimi për një aristokrat të këtij niveli, do të thoshte që Gjermania nuk e njihte atë më si mbret të Shqipërisë.

Më 7 mars 1918, Wied-i iu drejtua me shkrim kajzerit, ku i lutej që ta lironte nga ushtria me qëllim që t’i përkushtohej plotësisht kthimit të tij në Shqipëri. Për ta bërë sa më bindëse kërkesën, ndër të tjera ai shkruante: “Unë i kam propozuar si Madhërisë suaj ashtu edhe qeverisë austro-hungareze që, nëpërmjet një thirrjeje drejtuar shqiptarëve për të rrokur armët kundër italianëve, jam në gjendje të ndihmoj frontin austro-hungarez në Shqipëri me një ushtri prej afro 50.000 burrash. (…) Bazuar në lajme, të sigurta për vërtetësinë e tyre, që vijnë nga Shqipëria, pjesa më e madhe e shqiptarëve vazhdon të jetë besnike ndaj meje dhe pret me padurim kthimin tim”.

Duke marrë shkas nga ngjarjet e brendshme në Shqipëri, qysh pas largimit të tij nga Shqipëria, Wied-i kishte filluar prej vitit 1915 të mendonte për një kthim të mundshëm në Shqipëri.Ndër të tjera, në veprën e tij përkujtimore kushtuar Shqipërisë, Wied-i shkruan: “[…] Udhëheqësit e dikurshëm të rebelëve më dërguan një telegram të përbashkët, në të cilin shkruanin se ishin të zhgënjyer nga Esati dhe duke më kërkuar falje kërkuan që të kthehem. […] Diku nga mesi i muajit shkurt 1915, qeveria provizore thirri një Kongres në Elbasan, me qëllim këshillimin dhe marrjen e masave për situatën aktuale që po kalonte vendi. Aty u mor ky vendim: “Duke pasur parasysh vështirësitë e mëdha që paraqiten për emërimin e një Princi nga familja perandorake otomane si Princ i Shqipërisë, Asambleja Kombëtare, duke marrë edhe miratimin e qeverisë otomane vendosi që të pranojë një Princ jo mysliman me kushtin që, Princi duhet të jetë pa diskutim gjerman. Ajo vendosi që, nëse Gjermania është dakord, ti lutet Princit Wilhelm (Wied-it –M.K) të pranojë edhe njëherë kurorën shqiptare”.

Më 24 shkurt 1915, pasi ishte ndërmarrë ofensiva e parë austro-hungareze ndaj Serbisë dhe me ndihmën e Gjermanisë po planëzohej një operacion i dytë, Wied-i i kishte kërkuar kajzerit që t’i jepte komandën e këtij operacioni. Fillimisht, ministria e Jashtme austro-hungareze e përshëndeti një nisëm të tillë. Qeveria gjermane njoftoi Wied-in se, në këtë rast, ajo do të miratonte çdo vendim që do të merrte qeveria austriake. Por, në fillim të marsit të vitit 1915, marrëdhëniet ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë u përkeqësuan së tepërmi, duke kaluar në konflikt të hapur. Si pasojë, nuk mund të ndërmerrej një ofensivë e dytë nga ushtria austro-hungareze kundër ushtrisë serbe. Kështuqë kajzeri nuk e pa të arsyeshme ta komandonte Wied-in pranë ushtrisë austro-hungareze. Gjithsesi, pasi në një kohë më të vonë u planëzua një ofensivë e përbashkët gjermane dhe austro-hungareze, qeveria e Monarkisë së Danubit nuk e shikonte më të arsyeshme praninë e Wied-it në këtë operacion. Ajo tashmë zotëronte pjesën më të madhe të territorit shqiptar dhe nuk i duhej më Wied-i për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e saj në Shqipëri.

Duke mos hequr dorë nga kthimi i tij, në vitin 1920, Wied-i hyri në bisedime dhe me Serbinë. Ai arriti të merrte miratimin e saj për t’u kthyer në Shqipëri. Gjithsesi, në planin e tij të rikthimit,paraqiste një problem serioz mungesa e financave. Madje, ai u shpreh i gatshëm që të jepte hua (me konçension) pasuritë e nëntokës shqiptare, mjafton që të siguronte paratë që i nevojiteshin.

Përfundime

Periudha e qeverisjes së Wied-it në Shqipëri, nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914, është një periudhë e ngjeshur me kontradikta politike dhe ushtarake, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike dhe zgjedhja që iu diktua Shqipërisë, nëpërmjet vendosjes së një pushteti ksenokrat. Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kthyen Shqipërinë në një “kukull loje”. Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja e një figure të panjohur gjermane, siç ishte Wied-i. Në këto gjashtë muaj mbretërim, dolën në pah rivalitetet ndërmjet Austrisë dhe Italisë. Për të dyja palët, kontrolli i bregdetit shqiptar kishte një rëndësi strategjike. Edhe veprimtaria që ushtronte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) mund të konsiderohet si një pushtet paralel i Fuqive të Mëdha, përkrah sundimit të Wied-it.

Që në fillim të ardhjes së Wied-it, ra në sy mungesa e përvojës së tij shtet drejtuese dhe që edhe kabineti i tij ishte pa përvojë. Por arsyet e dështimit të Wied-it në Shqipëri janë më komplekse. Në vija të përgjithshme, këto arsye bazoheshin në neglizhencën dhe qëndrim e tij pasiv si edhe në paaftësinë e zyrtarëve shqiptarë për të drejtuar në pozicione kryesore dhe në rivalitetet e shumta. Siç u theksua më sipër, përsa i përket Wied-it, duhet të merret në konsideratë se ai ishte i pamësuar me një ambient të tillë dhe po ashtu ishte i përgatitur pak për këtë detyrë. Atij i mungonte edhe aftësia vendimmarrëse dhe guximi për të urdhëruar si edhe aftësia për të kontrolluar zbatimin e urdhrave të tij. Kjo është pak e çuditshme, sepse si oficer karriere prusian, të paktën procesi i vendimmarrjes dhe i kontrollit duhet të zotërohej prej tij, pavarësisht cilësisë së vendimeve. Si pasojë, vendimet që duheshin marrë në mënyrë të shpejtë zvarriteshin për ditë me radhë dhe shpesh ishte pikërisht vonesa kohore që bëhej shkak për dështimin e radhës. Paaftësia e administratës bazohej në mentalitetin turk të kryerjes së punës. Largimi i Esat Pashës nga kabineti i hapi rrugë edhe shqiptarëve të tjerë të përgatitur, si p.sh. FilipNogës, nga i cili mund të priteshin punë cilësore dhe serioze. Pavarësisht aftësive dhe seriozitetit, shumica e kolegëve të tyre i përkisnin shkollës turke dhe me ta nuk mund të ngrihej një administratë e fortë perëndimore. Si pasojë, mbledhja i linte vendin mbledhjes, secili ministër bënte çdo gjë dhe asnjëri prej tyre nuk bënte diçka për të qenë.

Paaftësia e theksuar e ministrave dhe kontradiktat ndërmjet atyre myslimanë dhe katolikë mund të shmangeshin, duke krijuar një kabinet të vogël dhe të përbërë nga njerëz të aftë. Qendrën e rëndesës së këtyre ministrive duhej ta formonin departamentet, të cilat mundësisht duhej të drejtoheshin nga evropianë. Në fakt, kjo gjë ishte e parashikuar edhe në Statut, i cili duhej të hynte në fuqi sa më shpejt, në mënyrë që të fitohej më së fundmi një bazë e shkruar për të drejtuar shtetin. Rivaliteti ndërmjet Esat Pashës dhe holandezëve mori fund me dëbimin e Esat Pashë Toptanit nga Shqipëria. Edhe mosmarrëveshjet ndërmjet gjeneralit De Veer dhe kolonelit Thomsonu shuan. Pra, tashmë holandezët nuk kishin më asnjë justifikim për të mbuluar dështimin e tyre.

Së fundmi, jo me më pak ndikim në këtë dështim ishte edhe rivalitetindërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë, apo kontradiktat e shfaqura ndërmjet shteteve anëtare të Aleancës Trefishe dhe atyre të Antantës. Mosmarrëveshjet e tyre shfaqeshin dukshëm dhe në mënyrë të pajustifikueshme në punën e KNK-së. Anëtarët e këtij komisioni nuk ndiheshin si përfaqësues të një komisioni ndërkombëtar, me një mandat nga Konferenca e Londrës, në të cilën gjithë shtetet pjesëmarrëse kishin rënë në konsensus për të ardhmen e Shqipërisë. Sidomos përfaqësuesi rus dhe ai francez ndiqnin një politikë speciale të qeverive të tyre.

Gabimi më i madh që bëri Wied-i ishte largësia që ai mbajti nga populli, i cili që në fillim shpresoi aq shumë prej tij. Rregullat, veset, mënyra e sjelljes së tij dhe organizimi i jetës në pallat ishte i përsosursi për ndonjë oborr të vjetër aristokrat në Evropë. Por, kjo mënyrë sjelljeje, tepër ceremoniale ndaj një populli analfabet dhe me një nivel të ulët kulturor, bëri që simpatia ndaj të tij të bjerë shumë shpejt. Me përjashtim të disa udhëtimeve të tij të shkurtra në Tiranë, Vlorë dhe Kavajë, ai thuajse nuk doli asnjëherë para popullit të tij. Shqiptarët si edhe osmanët ishin një popull që u bënte përshtypje shumë pamja e jashtme dhe kjo gjë iu mungoi atyre.

Pavarësisht përpjekjeve të Wied-it për t’u rikthyer, interesat e Fuqive të Mëdha kishin ndryshuar. Edhe përvoja gjashtëmujore e Wied-it në Shqipëri kishte treguar se problemi shqiptar nuk mund të zgjidhej në këtë mënyrë. Princ Wied-i ishte monarku i parë që humbi fronin, si pasojë e ndryshimeve që solli Lufta e Parë Botërore. Pas luftës,Wied-i jetoi fillimisht në Bavari dhe Shlesien, në Gjermani e më pas në një pronë të tij në Moldavinë rumune. Në vitin 1944, kur Ushtria e Kuqe hyri në Rumani, Wied-i, ndërkohë i mbetur i ve, së bashku me vajzën e tij, u strehua në pallatin veror të mbretit të Rumanisë në Karpate, ku edhe vdiq, tre javë para se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore. Varri i tij u zbulua në vitin 1991 në kishën luteriane të Bukureshtit, pas rënies së pushtetit komunist. Gjatë diktaturës komuniste, arkivoli i tij ishte fshehur nën një mbulesë prej druri.

March 8, 2019 14:46
Komento

1 Koment

  1. demo March 8, 21:46

    Paska pasur faj Wiedi dhe misioni hollandez qe deshtoi!!!!
    Po hajduti,qe vodhi lopen nuk kishte faj?
    Populli halldup,turkoshak,Islamik,antishqiptar i Shijakut,Tiranes,Kavajes,Peqinit,fushe krujes,nuk kishte faj?Keta demokratet e Mamurrasit te Haxhi Vucidolit,nga vijne keta,nga Marsi?
    Ushtria serbe ui prit me pushke ne Lume,Kukes,Mirdite.
    12 mije serbe lane kockat ne malet e Lumes.
    Populli ISLAMIK i Shijakut,Tiranes,Kavajes,Mamurrasit nuk shtiu nje plumb kunder serbeve.
    Edhe Haxhi Qamilin jua dorzuan serbeve te gjalle.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin