Xha Gaqua…

August 31, 2018 17:24

Xha Gaqua…

– Shënime për librin “Me Gaqo Papanë, në Sopikun tonë”-

Ka ditë që lexuesit, në mënyrë të veçantë sopiqotët, kudo që ndodhen, janë duke shfletuar librin e ri “Udhëtim me Gaqo Papanë, në Sopikun tonë”. Që në pamjen e parë, të bie në sy një punë cilësore e botuesit, me kujdesin e veçantë për kopertinën, për letrën, madhësinë e llojin e germës, duke e ftuar lexuesin të ndjekë hap pas hapi magjinë që ndodhet brenda librit, të shprehur përmes një materiali të pasur historik, letrar e shoqëror, larg cic-miceve politike rozë-blu.

Libri i autorit Sotir G.Papa është një libër që të fton për ta lexuar, të kënaq me atë që lexon e të nxit mendimin përtej asaj, me faktin real e me gjuhën e thjeshtë, të pastër e tërheqëse. Është një libër i tëri i shkruar me respekt e dashuri për të atin. Kjo punë e paqme, që nga shkrimi, gabimet drejt-shkrimore apo kujdesi për frazën, larg sharjeve, ofendimeve, urrejtjes, të manifestuara vitet e fundit, vjen se autori i librit, Sotir G.Papa, ka punuar për 40 vjet në arsim dhe në detyra të tjera, si drejtues shtetëror, deri sa u titullua Mjeshtër i Madh, dekretuar dy vite më parë nga Presidenti i Republikës.

Larg hakmarrjeve, Sotiri di ç’të thotë, di të heshtë, madje di edhe të kërkojë falje, jo direkt, por në një mënyrë të bukur, nëpërmjet faqeve të librit, nëpërmjet problemeve që ngre.

Thjeshtësia dhe qetësia në trajtimin e problemeve, kultura e të shkruarit të tyre për lexuesin, i japin vlerë librit. Autori e ka patur të vështirë qëmtimin e fakteve dhe sidomos përpunimin e tyre, por qenia matematikan mendoj se e ka ndihmuar në këtë nevojë që ka çdo libër. Ai ka patur edhe një vështirësi më shumë, që lidhej me sipërmarrjen që të shkruante për veprimtarinë e të atit, si kuadër i mirënjohur në kooperativën e Sopikut, në atë të bashkuar Livadhja, në Tregti Delvinë, Livadhja e gjetkë, ku duhej t’i maste gjërat me një metër që të mos shihet as 99 cm e 101 cm, por fiks 100, që të largonte mburrjen, krenarinë e tepëruar apo mendjemadhësinë, që e shohim shumë tani, kohët e fundit, të lulëzojë. Ndaj ai ia doli me sukses.

Kryepersonazhi i këtij libri është Gaqo Papai, babaxhan në të gjitha dimensionet njerëzore, I njohur jo vetëm në zonën e Livadhjasë, në ish-rrethin e Sarandës, por edhe më tej. Të mëdhenj e të vegjël, e thërrisnin xha Gaqua. Ky emër i madh dhe i respektueshëm, nuk hyri në fjalorin e kohës apo të vartësve të tij kot së koti, por ai u lartësua pak nga pak, duke mbajtur anën e vegjëlisë. Dhe si i tillë, do të mbetet këshilltar i të gjitha kohërave. Është “vegjëlia” vetë populli, ai që të bën të madh, që të ngjiz në kokë e të bën të pavdekshëm. Nuk dua të përsëris ato fjalë të bukura, që i biri tregon me hollësipër të atin, por dua të theksoj se zemërgjerësia dhe komunikimi me njerëzit, janë çelësi i artë në çdo punë. Ndaj do të doja që edhe libri të kishte vështrim më të gjerë se sa një udhëtim, pasi ai është rrugëtim në kohëra. Autori, duke shoqëruar të atin, ndalon nëpër stacione të kohës, në historinë e Sopikut të luftës dhe punës, kulturës dhe jetesës, duke i përshkruar me imtësi e me një bukuri të veçantë.

Në libër gjejmë të pastër dashurinë e autorit për vendlindjen. Figura e Gaqo Papait nuk ka nevojë për veting dhe as të kalojë në sitën e dikujt. Ajo ka qenë e pastër dhe e papërlyer me prona e pasuri, në krim e korrupsion. Ai mbeti modeli i drejtuesit, që punonte me përkushtim e me të vetmin qëllim-ecjen përpara dhe përmirësimin e jetës së njerëzve, në kuhstet e situatave që jetonim.

Udhëtimi I tij I babait me të birin, nuk është vetëm simbolik, por ishte vetë ecja e shoqërisë. Ndaj ai ndalet në Molla të Sopikut, ku xha Gaqua 14-vjeçar, punoi si kamarier, në lokalet e ngritura enkas pas kapitullimit të Italisë dhe Gjermanisë. Pastaj atë e gjen si punonjës dhe administrator për ngritjen e sistemit të Tregtisë në qytetin e Delvinës, prej andej zgjidhet kryetar kooperative në Sopik të Sarandës, përgjegjës për tregtinë në Livadhja, kryetar i kooperativës së bashkuar, përgjegjës sektori në ndërmarrjen e bonifikimit të ish-rrethit e kudo ku punët nuk shkonin mirë, përkushtimi i tij bënte që të shënohej kthesa dhe të mos vononte ndryshimi i situatës. Me modelin e vet ai u rri përballë edhe mjaft njerëzve sot, që nuk i kanë këto cilësi dhe megjithatë ngrehosen se bëjnë namin në punë, kur punët janë përtokë.

Libri ndalet edhe në stacione të tjera të fshatit, që autori Sotir Papa i përshkruan me vërtetësi dhe dashuri. Historiku I fshatit Sopik, ku Revolta historike e fshatarëve kundër agallarëve është një nga majat e këtij historiku, si dhe mjaft kapitur të tjerë që I kushtohen zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë, arsimit e kulturës, plotësuar kjo me mbajtjen e qëndrimit kritik në dekadat e demokratizimit të vendit, janë nga kapitujt që lexohen me shumë kuriozitet.

Nuk ka asnjë dyshim se Gaqo Papa do të mbetet një gur i rëndë kilometrik dhe një këshilltar historik për ato që ai ka bërë e për ato që duhet të bëjë i biri, për ato që duhet të bëjnë sot njerëzit që vërtet e duan punën.  Këto mesazhe i gjejmë dhe kemi mundësi t’i marrim prej librit të Sotir G.Papait: “Udhëtim me Gaqo Papanë, në Sopikun tonë”.

Puna, ndershmëria për detyrën që të ngarkohet dhe patriotizmi që duhet të tregojmë përmes qëndrimit ndaj punës, duhet të jenë matës edhe në demokracinë që po ndërtojmë.

SOTIR GJOKA  

 

August 31, 2018 17:24
Komento

1 Koment

  1. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) September 1, 14:14

    Nder dhe lavi-Veteraneve te Luftes dhe te punes!

    Urime per kete liber qe do te doja ta lexoja po ndodhem tej oqeanit Sa lexova kete parathnie te penes nga z. Sotir Gjoka,me imponon ta gjej kete liber,per me teper historia e tij me perkon me ato bashkejetuar une ne vendlindien time; Zavalan te Dangellise Naimjane, sa nje jete i lidhur me ndertimin dhe rindertimin e vendit Pa tjeter, qe ka pse te krenohet Sopiku,per kete figure te nderuar. Na dergo disa libra ne Toronto te kanadase, ne kete vjeshte te FESTAVE te clirimit,qe pa tjeter, duhet te perkujtohet ne mbare vendin. . Dangellioteve ju uroj nje manifestim te tille ne diten e clirimit te Frasherit(11Tetor 1944) dhe gjithe asaj Zone atdhetdashese;Vendlindie e Rilindasve te mbedhen : “Vellezerit Frasheri”me pasuesit e tyre.
    Lavdi atdhetareve te Luftes e te punes,

    VO.pasuesit Veterane ne Toronto te Kanadase,keto muaj do ti kthejne ne MUAJ feste PERKUJTIMORE!
    Faleminderi artikullshkruesit Sotir Gjoka.

    1- Pasues i Kapedan Jano P.Xhoga-Zavalani- rene me 1913-te kryecetes qe komandonte ne mbrojtie te Pavaresise sapo shpalur i Madhi Ismail Qemali me shoke.Qarku i Gjirokastres nderuar ne !00vjetorin e Renies(2013-te) me titullin “Mirenjohie”.Komiteti Pergjithshem i Vateraneve te vendit propozuar me rastin e 105K vjetorin e renies tij per “Deshmor te atdheut”.Ju faleminderit te gjitheve.Brezat pasues e nderuan ate deri ne L.N.Cl.Nipat Stavri e Xhoxhi Xhaga (me 6 bashkefshatare),Partizane te oreve te para,nje jete ndertues e kuadro te vendit.Peci Xh.Xhoga.rene (1940) ne luften Italo greke.)
    Pasuesi Veteran 83 vjecari;(1)
    Dhimiter N.Xhoga.(Guri naimit D.)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*