Xhafaj monitoron situatën në Novoselë: Në terren janë 2200 policë (VIDEO)

December 3, 2017 10:38

Xhafaj monitoron situatën në Novoselë: Në terren janë 2200 policë (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shkuar paraditen e sotme në komunën e Novoselës në Vlorë për të monitoruar situatën e përmbytjeve tek Ura e Mifolit.

Kreu i Ministrisë së Brendshme takoi banorët e zonës dhe autoritetet që ndodhen në terren për të ndihmuar qytetarët në përballimin e kësaj situate.

Duke folur për gazetarët, Xhafaj bëri me dije se janë 2200 forca policie në terren në të gjithë vendin të angazhuar për të përballuar përmbytjet.

Ministri theksoi se fokusi i uniformave blu është të shpëtojnë jetë njerëzish, dhe për këtë ka përgëzuar punonjësit e Policisë së Shtetit për punën e tyre.

“Kam ardhur që të përgëzoj forcat operacionale dhe të Policisë së Vlorës. Ne kemi sot në terren 2200 forca policie në të gjithë territorin me rreth 400 mjete. Forcat e FNSH, Forcat e Deltës, forcat e policisë këtu në Vlorë kanë një meritë të veçantë. Kjo është realisht fytyra e vërtetë e policisë. Detyra numër një e forcave speciale është të shpëtojnë jetë njerëzore, të ketë sa më pak dëme materiale”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Fatmir Xhafaj shprehu vlerësimet edhe për gazetarët dhe mediat në rolin që kanë pasur në këto ditë të vështira.

Sipas ministrit, kësaj radhe mediat kanë raportuar me korrektësi ngjarjet dhe punën e policisë në ndihmë të banorëve.

December 3, 2017 10:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*