Xhejms del në stërvitje, qetësohet Cungu

June 18, 2015 12:16

Xhejms del në stërvitje, qetësohet Cungu

Laçi vijon përgatitjet për Kupat e Europës. Trajneri Armando Cungu po “konsumon” programin e përpiluar stërvitor për këtë periudhë hap pas hapi, ndërkohë që një pjesë e përgatitores së verës do të zhvillohet jashtë vendit. Fituesit e Kupës së Shqipërisë e kanë ruajtur grupin e lojtarëve, me përjashtim të largimit të argjentinasit Soza dhe tiranasit Teqja. Ky i fundit ka gjetur akordin me Tiranën dhe do të vishet bardheblu për sezonin e ardhshëm.

Për Ligën e Europës, Cungu ka vendosur t’i shtojë radhët me dy bashkëqytetarë të vetët. Erjon Vucaj rikthehet te bardhezinjtë, ku bëri emër dhe spikati në kampionatin shqiptar. Ai është nën kontratë me Flamurtarin, ku u transferua verën e vitit që shkoi, por duhet pritur se çfarë qëndrimi do të mbajë trajneri Stanislav Levi. Xhevahir Sukaj, po ashtu, është shkodrani tjetër që e dërgon në tre këtë “pasaportë” te Laçi, ku aktivizohet edhe Valdano Nimani.

Sulmuesi i shpallur kampion në Iran, ku luajti disa vite, do t’u japë një dorë bardhezinjve në përfaqësimin europian, ndërsa më pas flitet se mund të kalojë te Flamurtari. Gjithsesi, presidenti Pashk Laska do të shqyrtojë çdo mundësi të mundshme për t’i bindur të mbeten pjesë e Laçit për gjithë sezonin e ri.

Trajneri Cungu është qetësuar, sepse në stërvitje ka parë të dalë sulmuesi nigerian, Xhejms. Interesimi i Bokumit të Bundesliga 2 duket se nuk ka shkuar në përpjestim të drejtë me kërkesën e kurbinasve për kartonin e lojtarit në fjalë. 500 mijë euro janë dukur shumë për gjermanët, që kanë ndërprerë kontaktet me lojtarin.

Xhejms është kthyer dy ditë para se pritej në Laç, duke sfumuar shijen e keqe që la në janar, kur u “zhduk” disa ditë dhe mungoi në stërvitje. Nigeriani tregoi një formë të shkëlqyer sportive në dy fazat e fundit të kampionatit të shkuar, shënoi edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë me Kukësin, ndaj pritet shumë prej tij në vazhdim. Bashkë me Sukajn, ai do të përbëjë sulmin bardhezi në Ligën e Europës.

June 18, 2015 12:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*