Xhejms Xhojsi në kulturën shqiptare

Moikom Zeqo December 23, 2015 15:44

Xhejms Xhojsi në kulturën shqiptare

Le të nisemi nga një aksiomë: Emri i Xhejms Xhojsit (James Joyce) është një seancë spiritizmi e pazakontë. Duke thërritur shpirtin e tij, kemi thirrur të gjithë shpirtrat tanë, ndjesitë shumëfishohen, arketipet ideore të Platonit shpërbëhen, mijëra ëngjëj të natës vdesin, sapo agon, të vjen t’i mbledhësh të tërë trëndafilat e stuhisë për t’ia dhuruar dikujt, që s’ka emër dhe që njëkohësisht na krijon një intimitet universal. Në një poezi të tij Allen Ginsberg thotë:

“S’kam asgjë për të thënë dhe asgjë për të vuajtur

Veç shoh i tmerruar

Qëniet në Ëndërr

Kapur mat

Në zhdukjen e tyre”

Të gjithëve na torturon instikti i zanafillave. Unë, që po shkruaj këto rrjeshta tmerrohem nga ftillesat marramendëse shumere, akade, babilonase, deri te ftillesat homerike. Mbase Gilgameshi është një protoarketip i Hamletit. Kjo është një gjë e diskutuar dhe absolutisht konvencionale. Të tërë hijet e mëdha të qytetërimeve janë edhe inkadeshente, edhe të gurëzuara, në forma statujash, prej ari, argjendi, bronxi, guri dhe argjili si në përfytyrimin e profetit Daniel.

Guri i vogël që në rrokullisjen e tij përfshin gjithçka, madje tërë kozmosin është dicka krejt tjetër nga perpetum mobile e Sizifit. Hyjnitë, përgjithësisht hibride gjysëm kafshë e gjysëm shpende të Babilonisë bëhen edhe atribute të Egjiptit herioglifik. Ato nuk mund të jenë plotësisht njerëzore, se kanë frikë të profanohen. Kështu befas ne arrijmë në një purgator mitesh, ku shkelqen emri i Homerit.

Homeri është një medium universal i qytetërimit, ai ka disa kartvizita, ashtu si heteronimet e shumta të poetit Fernando Pesoa. Por Homeri mund të prezantohet në substancë vetëm si Odisea. Ky është njeriu global, i të gjithë qytetërimeve, i të gjithë etnive, i të gjithë përsiatjeve. Në një studimin tim kam përmendur faktin e një përkthimi të çuditshëm ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Në Perëndim emri i Odiseut mori formën Uliks.

Sipas Kretshmerit kjo ndërmjetësi, apo kjo ndryshueshmëri filologjike, ose më saktë fonologjike është bërë e mundur nga ilirët, ndërmjet ilirëve emri i Odiseut shtegtoi në Evropën Perendimore në formën e Uliksit. A e ka ditur Xhejms Xhojsi këtë gjë? E ç’rëndësi ka në e ka ditur? A niset nga Uliksi i Homerit per të krijuar Uliksin e tij? Për Homerin apologjia është gati e plotë dhe e padiskutuar, për Xhojsin apologjia është e mangët dhe gati e pakuptuar.

Cilin shkrimtar të vemë midis Homerit dhe Xhojsit? Po pas Xhojsit?

Në vitin 1992 guxova përvujtërisht të shkruaja një artikull të madh për Xhojsin në një të përditshme shqiptare. Kam lexuar libra e tij, por më shumë kam lexuar studimet e panumërueshme dot për të. Të gjitha këto ishin të tërthorta, të brishta, të thërrmueshme, të diskutueshme, të paqëndrueshme.

Shpesh më ka ndodhur të flas për Xhojsin siç flitet për Sokratin, që realisht ska lënë asgjë të shkruar. Sokrati është thjesht një hero i kujtesave dhe i komenteve, kurse Xhojsi është miti i të shkruarit. Shkrimi është substanca e atij magjike dhe hutuese, shkatërrimtare dhe mendé hutuese, papërmasa, e ngjashme me nocionin e infinitit dhe të parrokëshmes. Libri “Uliksi” i Xhojsit nuk është thjesht një emblemë heraldike e kulturës botërore. Xhojsi është i frikshëm dhe madhështor në nismën e tij pa një të dytë në botë. Nuk dua të zgjatem me historitë bizare apo pikareske si e shkroi Xhojsi “Uliksin”, si e botoi, duke na fshehur në mënyrë të mistershme nën një terr të padertuar laboratorin e tij prej alkimisti të madh.

Nuk besoj se po të vemë syze proverbiale të Xhojsit në sytë tanë do të kuptojmë atë që kuptonte edhe ai. Xhojsi është dinosaur letrar më i cuditshëm dhe më i pabesueshëm i planetit tonë të vogël. Poliglosia e tij do ta trondiste edhe vete Zotin, Zotin i cili me nje dekret oral vendosi shpërbërjen e gjuhës së vetme parababilonike që e dinte mbreti i mbreterve Nimbroti. Zoti, Zoti mendoi se duke i shumfishuar gjuhet do ti mposhtte njerëzit, popujt, racat, kulturat. Ndoshta e kundërta ndodhi.

Të gjitha historitë e qytetërimeve janë të dyzuara, ky dyzim nuk ëhstë thjesht një paritet dmth a=b. Ky dyzim substancohet nga përkthimi. Cdo përkthim është fillimi i rruges. Të tëra letërsitë e mëdha të botës në një farë mënyrë fillojnë nga përkthimi. Kjo ka vlerë edhe sot në botën globale. Përkthimi madhështor i Gjon Buzukut në një farë mënyre universalizoi gjithë letërsinë tonë deri në ditët e sotme. Për fat të keq kjo nuk është kuptuar si duhet. Biblizmi ideor buzukian pllenoi tërë librat tanë në shqip. Por biblizimi mund të kthehet mbrapsht edhe si në dorashkë, prirjet heretike do të na çojnë deri tek Migjeni i madh. Ndoshta ai do të kishte qenë lexuesi ideal për të kuptuar më mirë nga të gjithë ne Xhojsin. Dhe ja vjen një ditë kur një djalë i ri me një zell benediktian të patjetërsueshëm, me talent dhe me guxim të papërballueshëm për një periudhe prej gati shtatë vjetësh ulet dhe përkthen në shqip Uliksin e Xhojsit. Ky djalë quhet Idlir Azizi. Me punën e tij serioze dhe unikale ky djalë e meriton të përshëndetet nga vetë Gjon Buzuku, sepse bëri diçka krejt të rrallë në letrat shqipe. Tani “Uliksi” i Xhojsit është bërë “Uliksi” i gjuhës shqipe. A është kjo një gjë e rastësishme, a është ky një trill i rastit. Nuk e besoj. Kjo kryevepër botërore ka rolin e një Bible të modernitetit në të gjitha pikëpamjet. Kjo vepër ka një ngjarje palimpsest, që i tako vetëm një dite, 16 qershorit 1904. Le ta festojmë tashmë që të gjithe ne shqiptarët çdo 16 qershor, çdo vit. A thua të jetë rastësi i gjithë ky njëqindvjeçar? Asnjëherë nuk do t’i mësojmë arsyet substanciale për këtë përkthim epokal. Këto arsye i di vetëm ai, ose më saktë nuk i di as vetë ai. Xhojsi u mbështet tek një emër: tek Uliksi. Ai të kujton fizikën kuantike, apo një kirurgji të fshehtë dhe sekrete të molekulave dhe të atomeve, të situatave dhe të ngjarjeve, duke kapërcyer nga metaforat bacile tek metaforat përbindëshe. Ky libër kërkon një kulturë totale për të ndjerë një kënaqësi totale dhe për të mësuar një kuptim total. Ndriçimi dramatik, imagjinativ i arketipeve moralë të Homerit na çojnë tek autopsia e qënieve njerëzore, tek një komedizëm dhe parodizëm kozmik, tek një besim mistik ezoterik, ekzoterik dhe metafizik, tek një satirë pesimiste, tek një abstraksion shumëdimensional i konkretes. Leopold Blumi është një kryepersonazh që shfaqet si një dioskur i Odisesë naiv. Për t’ia arritur kësaj Xhojsi shkruan me paroditë e gati 16 stileve, apo retorikave historikisht të njohura, duke parapëlqyer kontrastin, apo paradoksin e aporive të Zenonit. Xhojsi ka ndërthurrur në jetën e Dublinit tërë përvojat e njerëzimit, me kontrapunkte muzikore, që të kujtojnë muzikën dedakafonike të Shënbergut, apo shpërthimin simfonik të Georg Ligetit. Asnjë shkrimtar në botë nuk i afrohet Xhojsit në këtë pikë. Vetëm kapitulli, ku ai flet për Shekspirin është një mrekulli, që i rënqeth të tërë kritikët seriozë dhe profesionistë, të kujdesshëm dhe rutinorë si argjendarët. Xhojsi është diçka krejt tjetër. Uliksi i Xhojsit është parodia e Odisesë së Homerit. Xhojsi e ka kuptuar si askush që letërsia nuk është rrëfimësi e thjeshtë lineare. Ai synon të kapë zonat e panjohura dhe të paeksploruara të intelektit njerëzor. Dhe çuditërisht ia arrin kësaj gjëje. Ai të kujton në shkrimin e tij diçka nga ungjijtë apokrifë, apo nga traktatet gnostike, ndonëse mund të tallet me Hermesin, hyun e kabalistëve. Përsiatjet e Xhojsit për trinitetin, për teologjinë janë më shkatërrimtare dhe më të thella se sa ato të Niçes. Xhojsi e laicizon përfudimisht shkrimin, i rrëzon idhujt, i pluhurizon. Xhojsi vjen si një ndërgjegje e re për një gjenezë të re të botës dhe të njerëzimit. Ka shumë arsye që ai të keqkuptohet, madje dhe të mallkohet. Akuza e palezueshmërisë së tij është diçka e rëndomtë. Ideja e Malamesë për një libër utopik që përfshin të gjithë librat nuk u realizua. Remboi mund të quhet thjesht një parathënie për tek Xhojsi. Xhojsi synon ekuivalencën universale të gjuhëve dhe të kulturave, duke u tallur me okultizmin, por duke zbuluar se tek një emër ka shumë emra. Xhojsi është shpikësi i një letërsie shumërrafshëse të etimologjive të pafundme të metaforës.

Xhojsi nuk është shpikësi i përroit të ndërgjegjes, tekstet e tij janë filtra gjuhësorë. Si Dantja apo si Bogdani, Xhojsi beson tek katër kuptimet e mbivëna tek një fjalë. Sfida ndaj kuptimit linear është kuadratura e rrethit.

Xhojsin e kanë akuzuar për një incest të përgjithshëm të gjithëve dhe të kuptimeve. Shpesh lexuesit atje ku duhej të gjenin trëndafila shpohen nga gjembat. Është e habitshme që shumë bashkëkohës të mëdhenj nuk e kuptuan Xhojsin. Ezra Paund e ka mbiquajtur atë si Jobin biblik, por më vonë ka hungëritur ndaj tij duke thënë: “ç’më ha palla mua për metafizikën, për korespondencat, për paralelet alegorike, analogjike, anagogike dhe eskatologjike që ndeshim në veprën e tij”.

Është e kuptueshme që Erza Paund në obsesionin e poezisë konkrete kineze e do kuptimin e qartë, klasik, fallik, për te Xhojsi është teologjik, ose më saktë antiteologjik.

Për Xhojsin “historia është një kushëmar, (ëndërr e keqe) prej të cilës po provoj të zgjohem”. Xhojsi e ka këtë në një kuptim jo antihistorik por të një apokalipsi letrar “për një tokë të re dhe në qiell të ri”, siç thuhet në vegimet e shën Gjonit në ishullin Patmos. Jungu si një pseudoaristotelik shkroi një artikull shumë kritik për Uliksin duke e akuzuar Xhojsin për skizofreni. Por dhe ai u tall me “ligjin e JUNGles”. le të shpresojmë që Idlir Azizi t’i futet jo pa çmenduri krenare edhe përkthimit në shqip të “Zgjimit të Fineganit”.

Në parafjalën e botimit në shqip Fritz Senn shkruan se në veprat e Xhojsit ka dhe shumë fjalë dhe shprehje në gjuhën shqipe. Unë kam kataloguar mbi 40 shprehje dhe fjalë të tilla por nuk është vendi që në këtë shkrim t’i paraqes ato konkretisht por mund të them se burimi i tyre lidhet me miqësinë e Xhejms Xhojsit me një shqiptar i cili quhet Llambro Kazani nga Thesprotia, pra epirotas, mbas shumë gjasash çam, shqiptar. Subjekti i fjalëve dhe shprehjeve në shqip është shumë i rëndësishëm jo thjesht nga pikëpamja filologjike por dhe kulturologjike.

Mos u trembni ju lutem nga fantazma irlandeze e Uliksit e konvertuar në fantazmë shqipe! Në botën globale kjo përbën një virtualizëm të ri. A nuk është virtuale jo vetëm jeta por dhe vdekja jonë?

Moikom Zeqo December 23, 2015 15:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*