Xhevat Lloshi: Kongresi i Manastirit, ju rrëfej të rejat e një gjuhe të vjetër

November 1, 2018 17:38

Xhevat Lloshi: Kongresi i Manastirit, ju rrëfej të rejat e një gjuhe të vjetër

Prof. Dr. Xhevat Lloshi flet për studimin: “Rreth alfabetit të shqipes”  

Nga Leonard VEIZI 

Askush nuk është në gjendje të argumentojë se përse iliret apo arbëreshët, të cilët jetonin në pjesën jug-perendimore të gadishullit ballkanik, nuk patën një alfabet të tyre edhe pse gjuha e folur na vjen, të paktën 2300 vjet më parë, nëpërmjet shkronjave të një alfabeti tjetër. Përballimi me suksesi i dy kulturave të mëdha të kohës asaj që vinte nga Athina dhe një tjetre që do të vinte më pas nga Roma, por dhe përballja me kulturën imponuese llave dhe asaj pushtuese osmane, do ta vinin gjuhën shqipe në sprovën e madhe, të asimilimit apo të mbijetesës. Dhe pasi doli e pastër nga kjo trysni e jashtëzakonshme, u pa qartë se gjuha shqipe e folur e meritonte alfabetin e saj, dhe jo vetëm kaq. Kështu vetëm 110 vjet më parë u vendos të hidheshin poshtë të gjitha alfabetet me të cilët gjuha shqipe shkruhej deri në atë kohë. Nuk kishim asnjë lidhje me gërmat arabe dhe sa me aflabetin cirilik gjithashtu. Si pjesë e gjithmonshme e Evropës, shqiptarëve me një gjuhë krejt të veçantë e pa asnjë simotër tjetër, u takonte të shkruanin vetëm me gërmat latine…

…100 vjet pasi burra të mençur e patriotë, vendosën në Kongresin e Manastirit t’i bashkohen Evropës njëherë e mirë, studjuesi i mirënjohur i gjuhës shqipe, Prof. Dr Xhevat Lloshi, erdhi me një libër të ri të titulluar; “Rreth alfabetit të shqipes”, studim i cili na njeh dhe me të rejat shkencore të cilat nuk i dinim më parë. I pyetur rreth këtij studimi, Xhevat Lloshi rrëfen:

Tanimw po bëhen 110 vjet nga Kongresi i Manastirit. Cilat janë të rejat në këtë studim, që në fakt është promovuar për lexuesin shqiptar në prag të 100 vjetorit të këtij evenimenti të madh?

Në këtë libër unë jam përpjekur, të jap fakte dhe dokumenta të reja. Natyrisht që nga këto ka plot në libër, por çështja themelore ishte, që në bazë të tyre na del një tablo tjetër e alfabetit të shqipes. Ideja e parë themelorë është kjo: Ne jetojmë në një truall në të cilin shkrimi, si një nga arritjet më të mëdha të kulturës njerëzore, njihet prej të paktën 2500 vjetësh. Po të bëj një krahasim. Shkrimi në tokat kineze gjithashtu njihet që 2500 vjet më parë. Por në të gjithë Azinë Veriore, Evropën Veriore dhe Amerikën Veriore në të njëjtën periudhë nuk njihej shkrimi. Në tokat e Ilirisë, shkrimi njihej edhe pse alfabeti që përdorej ishte i huazuar. Jam përpjekur të përfshij edhe të dhënat e fundit të shkencës botërore, si për shembull: Shumë studiues thonë se grekët e morën alfabetin nga fenikasit, kurse romakët e përshtatën alfabetin e tyre nga greqishtja. Studimet e sotme nuk e pranojnë këtë. Tani pranohet se në shekullin IX p.e.r. edhe grekët edhe etruskët e morën alfabetin nga fenikasit. Që në shekullin V p.e.r. në trevat tona ka shkrime me alfabetin grek. Kurse në shekullin III p.e.r. kemi emra ilirë të shkruar me alfabetin grek.

Cili është përfundimi në të cilin keni dalë pasi keni shqyrtuar këto fakte?

Përfundimi kryesor është se shkrimi i emrave ilirë edhe më pas mund të bëhej nga njerëz dy gjuhësh. Por të themi se shqipja ka filluar të shkruhet me alfabete të huaja, por në kushtet e dygjuhësisë. Nga shekulli II p.e.r. trevat ilire u pushtuan nga romakët. Që nga ajo kohë vazhdoi prania e dy alfabeteve, me ndërhyrje shumë të ndërlikuara. Pas shekullit X u krijua alfabeti sllav dhe më pas dhe kisha sllave. Për këtë arsye, është përdorur edhe alfabeti sllav në pjesët lindore të vendit. Së fundi në shekullin XV ishin osmanët ata që pushtuan Arbërinë, dhe puna e parë që bënë ishte regjistrimi i banorëve dhe i pasurive për të marrë taksat. D.m.th nisi shkrimi i emrave të arbërve në alfaberin arabo-osman. Prandaj ka nëj përfundim tjetër të rëndësishëm: Prandaj ne na duhet të studjojmë shkrimin në trojet tona që nga zanafilla, për të treguar se kemi qënë gjithmonë pjesë e kulturës së shkruar evropiane. Por duhet të studiojmë edhe shkrimet me alfabetin arab-osman, sepse ka një pafundësi dokumentesh me këtë alfabet. Historianët tanë kanë bërë një punë të lavdërueshme por ndeshen në vështirësi të mëdha për shkak të alfabetit. Është detyra e gjuhëtarëve të ndihmojnë shkencërisht historianët.

Si do të evluonte përdorimi i alfabeteve në një vend ku gjuha ishte vetëm e folur?

Në shekullin XVII janë të pranishëm disa alfabete më të cilët shkruhet shqipja. Por ndodhi një ndryshim i madh. Kemi fjalorin e Frang Bardhit i cili ka dhe elementë të gramatikës shqip. Me këtë libër dëshmohet se, nuk është puna në se shkruhet shqipja, por që gjuha shqipe del si një vlerë më vete që meriton të ketë fjalor, gramatikë, mbledhje folklori etj. Dëshmi e fuqishme këtu është dhe interesimi i Lajbnicit, që ishte një dijetar i shquar në kohën e vet. Ai u interesua duke parë shqipen si një anëtar të familjen indo-evropiane. Duke u bërë kështu shqipja një vlerë në histori do të fillonte dhe lufta për alfabetin e shqipes. Tani shqipja do të shkruhej sipas orjentimeve të mëdha kulturore dhe politike, fetare dhe shkencore. Por çështja do të jetë edhe nën trysninë e pushtuesve osmanë dhe të fqinjëve e fuqive të tjera që ishin të interesuar për këtë pjesë të Ballkanit.

Kur filloi kristalizimi për të pasur një alfabet të vetëm?

Përfundimisht në shekullin XIX në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, alfabeti nuk ishtë më punë gërmash e shtypshkronjash, teknike dhe gjuhësie. Për fuqitë e tjera ishte një armë sundimi dhe asimilimi. Kurse për shqiptarët çështja e ABC-së u lidh ngushtësisht me identitetin kombëtar, në orjentimin kulturor të shtetit të ardhshëm e sidomos për problemin e madh të bashkimit kombëtar. Shumë alfabete e cënonin identitetin dhe e pengonin bashkimin dhe prandaj shekulli XIX përshohet nga ideja e nëj alfavbeti, Prandaj dhe lindi nocioni “Alfabet Kombëtar”. Nga kjo histori një fakt është shumë interesant. Alfabeti i Stambollit. Në kuptimin e sotëm alfabetin e Stambollit do ta quanim një kompromis dhe hartuesit e tij shpresonin se ky do të bëhej alfabet kombëtar.

Atëhere lindi pyejta: përse u mblodh Kongresi i Manastirit?

Sepse nuk u pranua si kompromis Alfabeti i Stambollit. Kështu vazhduan të përdoreshin alfabete të ndryshme, si një pengesë e madhe kulturore, politike dhe kombëtare. Ideja për këtë Kongres, sipas dokumentave del se lindi në mesin e fitit 1901. Nga Kongresi i Manastirit të gjithë shqiptarët prisnin një alfabet. Kjo ishte kërkesa e fuqishme e kohës. Prandaj sigurisht janë interesante të gjitha ndodhitë e Kongresit: kush e përfaqësoi, kush e kryesoi, cilët hartuan hartoi vendimet, çfarë pikpamjesh u shfaqën, cilët kundërshtuan. Por mbi të gjitha sundonte kërkesa; Një alfabet. Kjo është një nga arësyet pse pas kongresit nuk ka lulëzuar, gazetaria e zakonshme, e cila merret me grindjet e anët e zeza, sepse pas Kongresit ata që do të bënin grindje të tilla nuk do t’i duronte dot njeri.

Si do të vepronin shqiptarët në kushtet e pushtimit për të krijuar alfabetin e tyre?

Në fakt, nga ana tjetër pushtuesit osmanë por edhe qarqet e tjera antishqiptare u përpoqën të shkatërronin rezultatin e kongresit. Megjithatë përballë kësaj fuqie të re agresive shqiptarët i mbrojtën vendimet e Kongresit. Çështja e alfabetit u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Edhe sot do të ketë përpjekje për t’i kushtuar më shumë vëmendje faqes së mosmarrveshjeve. Do të ketë përpjekje për të ngritur lart njërin dhe për të ulur tjetrin, por Kongresi i Manastirit mbetet një ngjarje jo vetëm e Gjuhës Shqipe, por e Historisë Shqiptare.

Çfarë tjetër keni sjellë në librin: “Rreth alfabetit të shqipes”

Jam përpjekur që në libër të tregoj se zgjidhja e 110 viteve më parë ka dalë e vlefshme edhe e patundur edhe sot në kohën e kompjuterit e të telefonit celular. Sepse është pikërisht ky alfabet i vendosur të Kongresin e Manastirit që e bën të mundur përdorimin e tyre ashtu si dhe pjesa tjetër e perëndimit. Nesë do të kishim një alfabet tjetër, problemet do të ishin shumë të mëdha për të konvertuar këto programe elektronike. Gjithashtu kjo zgjidhje qëndron edhe sot kur u bëmë dy shtete shqiptare në Ballkan dhe kur shqipen e shkruajnë shqiptarët kudo në botë.

  

GJUHA E FOLUR

Ilirishtja, asnjë lidhje me pellazgjishten

Për një farë kohe, studjues shqiptarë hodhën tezat se ilirët kishin prejardhje nga një popullsi edhe më e hershme; pellazgët. I pyetur se a mund të kishte lidhje të ilirishtesh me pellazgjishten, Prof, Dr Xhevat Lloshi i përgjigjet: Pellazgjishtja është një madhësi që ende nuk njihet. Madje dhe për ilirishten nuk ka dokumenta por gjithsesi kemi emra të përveçëm. Ka dy argumenta që e mbështesin ilirishten e folur

E para: Ne jemi pasardhës të një grupi fisesh ilir të Ballkanit jug-perendimor. Ky është një nocion i përcaktuar tashmë. Në këtë zonë që përmendëm, ka një vazhdimësi e cila nuk mund të mohoet.

E dyta: Kemi një numër të mjaftueshëm emrash të përveçëm, për të cilët jemi të sigurtë që janë ilirë dhe që kanë vazhdimësi edhe më pas. Pra kanë ardhur deri në ditët tona si; Genti, Teuta, Bato, Bardhyl etj.

 

 

PAK HISTORI

Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsisë shqipe dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar. Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lënë mënjanë alfabetin e Stanbollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja dhe që përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatë vepër t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e panvarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

 

PËRBËRJA

Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë, Amerikës etj.

 

DELEGATËT

Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.

 

November 1, 2018 17:38
Komento

7 Komente

  1. pitu November 1, 20:14

    e morem alfabetin latin se bota latine ne ate kohe ishte me e zhvilluar se edhe shqipja ka ndikim te math gjuha latine dhe meqenese kishte dale shtypshkronja dhe alfabeti latin mund te perdorej me lehte ne tipografi

    Reply to this comment
  2. Alban Hamzai November 1, 22:18

    Z.Xhevat ! Ju nderoj dhe ju respektoj per ato qe shkruani e per ato qe thoni .Por ne rastin e alfabetit grek gjithe bota shkencore perendimore e di,sepse eshte provuar ,qe alfabetin e tyre greket nuk e morren nga finikasit ,por alfabeti grek eshte krijim e grekeve .Dhe latinet e me vone sllavet morren alfabetin grek dhe e pershteten duke krijuar alfabetet e tyre perkatese . Si gjuhetar ju e dini se ajo qe dikur quhej “alfabeti finikas ” nuk I permbush kushtet qe te quhet alphabet ,por nuk zgjatem me teper se nuk eshte ky problem .Por pyetja qe me vjen eshte :Si ka mundesi qe iliret ,fqinje shekullore e shekullore me greket ,te mos marrin alfabetin grek (sic bene romaket e shume shekuj me pas sllavet )per te krijuar alfabetin e tyre (ose te krijonin vete te tyren pa marre gje )? Z.Xhevat! Ju e dini ,pavaresisht se nuk e shkruani ,se iliret ishin ne nje nivel shume te ulet zhvillimi ,kryesisht ata merreshin me kusari ne toke e pirateri ne det (edhe Teuta njihet si nje nga drate pirate)… .Shume drejt shkruani se ilirishtja nuk ka asnje lidhje me pellasgjishten .E si mund te kete lidhje kur iliret u cfaqen ne Ballkan 1.000 vjet pas zhdukjes se pellasgeve .Ne Kongresin e Manastirit kane marre pjese edhe perfaqesues te Austro-Hungarise te cilet kane luajtur rol te rendesishem .Austro-Hungaria donte te krijonte ne teritorin shqiptar qe kishte nen ndikim nje administrate te bindur ndaj saj ,prandaj donte qe gjuha shqipe te shkruhej per tu larguar nga ndikimi ottoman … Edhe nje here ju urroj shendet e pune te mbare ! Ju lutem botoni komentin tim!

    Reply to this comment
  3. Guri Naimit D(Dh Xhoga) November 1, 23:23

    Kongresi Manastirit;
    Kryekongres Shqiptar.

    Faleminderit ;(“Trinitrinat” na sillni), i nderuar Pr.Dr. Xhevat Lloshi,sa penes suaj,i miri Leonard Veizi, zgjedhur “melhemin per palget” e lexuesve edhe per mua, gjysh tej oqeanit,kujtuar ate plejade atdhetaresh, sjelle vertet ‘balsamin.e gjuhes sone kombetare-Alfabetin shqiptar.
    Mirenjohie atyre”madhoreve mendimtare atdhetare”, realizuar nje”gurthemeli”,te gjuhes sone amtare,sic eshte Alfabeti kombetar i1908-tes.plot 110 vjet me pare.
    Lavdi vepres sa emrit te realizuasve.

    “Pasuesi veteran”

    Toronto01-11-2018 Guri Naimit D(Dh.Xhoga)

    Reply to this comment
  4. Petro Luarasi November 2, 09:11

    Me keqardhje vërej se vazhdon mistifikimi dhe tjetërsimi i të vërtetës historike, kur tashmë dihet se jane zhvilluar dy kongrese ne Manastir, i pari më 1908 ku u aprovua përdorimi i dy alfabetese dhe i dyti më 1910 ku ne mbledhje te fshehte u vendos perdorimi i vetem nje alfabeti, atij qe perdoret sot. Pyesim se perse mbahet e fshehte kjo e vertete, meqe ishte kongres me shumice kosovarë, meqe qe kryetar Bedri Pejani, meqe keni fshehur faktet prej nje shekulli apo se u prishet qejfi klaneve te ndryshme. Ju ftoj zoteri te pergjigjeni publikisht!

    Reply to this comment
  5. butrinti November 2, 09:31

    ME GJITH RESPEKTIN QE KAM PER PUNEN TUAJ I NDERUAR PROFESOR , MENDOJ SE PERSA I PERKET LIDHJES PELLAZGISHTE — ILIRE — SHQIPE ESHTE ENDE HERET TE FLITET PRERAZI . GJATE LEXIME3VE VURA RE SE PERQARK BOTES SE HADESIT DHE PER TE CUAR SHPIRTERAT ATJE LUNDERTARIT TE TYRE KERONTIT DO TI DUHEJ TE KALONTE NEPER KATER LUMEJ DUKE FILLLUAR NGA PAVLO I SOTEM EDERI TEK STIKSI I LASHTE . BESOJ SE NUK KENI AS JU DHE ASKUSH DYSHIMIN QE PANTEONI ZEUSIAN I DODONES ESHTE KRIJIM I PELLAZGEVE NDAJ DHE EMERTIMET ISHIN DHE MBETEN EDHE PREJ KOPJAXHIJVE HELEN NE GJUHEN E TYRE . lUMEJT QE DO KALONTE KERONTI ISHIN AKERONTI, KOKYTAAS LETHA DHE FLAGETHONI . TRE NGA KETA EMRA I ZBERTHEN QARTAS DHE PA ASNJE VESHTIRESI GJUHA SHQIPE .SI DUHET TAN SPJEGOJME KETE GREKET NUK JANE KRIJUESIT E ALFABETIT TE TYRE ATA KOPJUAN ALABETIN FENIKAS ? DUKE I SHTUAR DISA ZANORE THONE DIJETARET HELENE , MADJE THEMELUSI I GJUHES NJEHSUAR HELENE NE MOS GAABOFSHAA ESHTE GREKO SICILIAN RRETH VITIT 423 – 403 P.E.S.

    Reply to this comment
  6. Thanas L. Gjika November 3, 00:58

    Shqetesimi i zotit Petro Skender Luarasi eshte i drejte Kongresi i pare i Manastirit vendosi qe gjuha shqipe te mbante ne perdorim dy alfabete deri ne nje kohe sa te shikohej ne praktike se cili alfabet do te vendosej perfundimisht:
    1. Alfabetin e krijuar prej Shoqerise se Stambollit (alfabet latin me disa germa greke per tingujt qe nuk i shprehte dot alfabeti latin). Kete alfabet e mbrojti Mit’hat Frasheri me atdhetaret toske si Mihal Grameno, etj duke u shprehur se nuk mund te hidhej poshte tradita e krijuar qe nga koha e Lidhjes se Prizrenit.
    2. Alfabetin e Shoqerise Bashkimi te Shkodres, alfabet me germa krejt latine. Kete variant e mbonin Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Sotir Peci, etj.
    Pra u be nje kompromis i panevojshem. Gjergj Fishta me shoket qe mbronin alfabetin krejt latin u terhoqen per hir “te unitetit” dhe pranuan qe te lihej ca kohe per t’u pare ne praktike se cili alfabet do te fitonte perhapje me te madhe.
    Ky kompromis nuk ishte i nevojshem dhe nuk do te ishte pranuar nese do te ishte ftuar Faik Konica, i cili ne revisten e tij “Albania” kishte mbi 10 vjet qe perdorte nje alfabet krejt latin te krijuar ne bashkepunim me albanologun Holger Pedersen. Por Mit’hat Frasheri nuk e ftoi Faikun (ose ia dergoi me vonese ftesen) sepse synonte te mbronte alfabetin e Stambollit. Ky kompromis na kushtoi dy vjet kohe deri me 1910 kur Kongresi i dyte i Manastirit vendosi perdorimin e nje alfabeti te vetem, te atij me germa krejt latine, ate qe kemi dhe sot.
    Mendoj se dhe kembengulja per te moslejuar, ose per te mosperkrahur perdorimin e gjuhes letrare shqipe mbi bazen e toskerishtes eshte nje kompromis i panevojshem. Duhet sa me pare gjuhetaret tane te perpunojne normat e gjuhes letrare mbi bazen e gegnishtes dhe shqipshkruesit te perdorin cilin variant te duan. Gjate viteve te ardheshme do te shihet se cili nga keto dy variante letrare do te jete me i pasur, do t’ i shprehe me mire e me bukur emocionet, mendimet, analizat, etj. Nuk duhet te harrojme se gegnishtja eshte me tingelluiese dhe me e pershtatshme per hartim poezish dhe se ajo ka nje tradite shumeshekullore qe nga Gjon Buzuku.
    Ne te njejten kohe duhet pasur parasysh se kete variant do ta pervetesojne shume shpejt 3/4 e popullit tone qe flasin dialekte gege, kurse perdoruesit e dialektiteve toske nuk kane veshtiresi per ta pervetesuar gjuhen letrare mbi bazen e gegnishtes…

    Reply to this comment
  7. Vjosani December 10, 02:32

    PO, mor Thanas, po, ashtu do bejme! Rrofte Partia Demokratike me Sali Berishen ne krye! Gati sa nuk e shkruan dhe kete fraze dhe te te zere gjumi rehat!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*