Xhevdet Pulaha, në 100-vjetorin e lindjes

April 28, 2016 16:06

Xhevdet Pulaha, në 100-vjetorin e lindjes

Nga Eriketi Kumuria

Është krejtësisht e padyshimtë se kur një njeri kujtohet më nderim edhe shumë vite pas vdekjes, tregon se ka lënë një emër të respektuar tek pasardhësit dhe gjurmë të pashlyera në jetë. I tillë ka qenë intelektuali Xhevdet Abedin Pulaha, një zë i fuqishëm e shkencave zooveterinare të shekullit të kaluar, 100 vjetori i lindjes së të cilit u përkujtua para pak kohësh në një tubim mjaft mbresëlënës nga të afërmit e tij, miq e specialistë të bujqësisë dhe zooveterinarisë shqiptare.

Po cili është Xhevdet Abedini?

Ai u lind në qytetin e Korçës më tradita të shquara, rrethuar nga dashuria dhe përkujdesjet e prindërve të tij të cilët e mbështetën gjithmonë në rrugën e gjatë të formimit e shkollimit.

Ka qenë një nga nxënësit elitarë të Liceut francez të Korçës të cilin e kreu me rezultate të shkëlqyera. Përveç aftësive në shkenca të ndryshme, tek Xhevdeti në atë periudhë filluan të spikasin talentet e tjera si piktura e aftësia për të shkruar. Në këto kohë e në vazhdim, në formimin e tij ndikuan jo vetëm pedagogët e shquar shqiptarë e francezë, por edhe idetë përparimtare e patriotike të dajës së tij Shaqir Hoxha, gjykatës i studiuar në Stamboll.

Vetëm me një formim të tillë e përparim të lartë ai përballoi lehtësisht studimet e larta që i kreu në Universitetin e Napolit, Itali, në degën e zooveterinarisë. Studimet e larta, kultura perëndimore, aftësitë e tij intelektuale si dhe talentet e shumta, i krijuan mundësi për të jetuar e punuar në Itali, por mendja e zemra e djaloshit të ri ishin tek vatra e ngrohtë familjare në Korçë, në Shqipëri.

Kështu pra, viti 1940 e gjeti në Shqipëri ku u emërua si zooteknik në Korçë e më pas dha kontributin e tij për ngritjen e fermave bujqësore në Bilisht, Xhafzotaj, Durrës, Golem, Llakatund, Kamëz, Sukth dhe Levan te Fierit e së fundmi në Ndërmarrjen Bujqësore “Çlirimi”, Fier.

Duke qenë nga specialistët e parë me përvojë në drejtim të sektorëve të prodhimit blegtoral, tashmë dhe i lidhur fort me problemet e blegtorisë, ai gjithnjë ishte në krye të punëve për rritje me ritme të shpejta të prodhimit bujqësor e blegtoral.

I vlerësuar për aftësitë dhe profesionalizmin e tij u aktivizua në grupin e specialistëve që realizuan studimin në shkallë Republike për përcaktimin e territoreve për krijimin e ndërmarrjeve bujqësore (fermave) të reja. Në këtë studim u përcaktuan territoret, numri i sektorëve si dhe degët e prodhimit.

Intelektual i formuar me cilësi e norma të larta njerëzore, u bë gjithnjë e më shumë një shembull i shkëlqyer i njeriut të punës në fushën e shkencave veterinare. Ai ishte anëtar i shkencave veterinare me titullin Kandidat Shkencash.

Gjatë 40 viteve punë të palodhur në drejtim të prodhimit blegtoral, ka bashkëpunuar me specialistë të shumtë të cilët kanë shkëlqyer në punën e tyre dhe kanë dhënë kontribute të shumta në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare. Të tillë kanë qenë: Gaqo Tashko (profesor doktor), Vasfi Samimi (pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor), Myslym Selenica (docent dhe pedagog), Dhimitër Vavako (profesor doktor), Dhimitër Bogdani, Lazër Mirdita (docent), Miti Bozo, Çerçem Çelo, Iliaz Reka (Ministër i Bujqësisë), Medar Shtylla (zv. Ministër), etj.

Të gjithë këta intelektualë me peshë kanë qenë të njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit për punën e tyre të palodhur shkencore.

Vitet kalonin e puna gjithnjë e më shumë intensifikohej. Pas vitit 1956, kalon nga ferma e Sukthit në Ekonominë Didaktike Eksperimentale të Teknikumit Bujqësor të Golemit, ku punoi si kryespecialist i kësaj ekonomie që mbarështronte shpendët, lepujt, delet dhitë, derrin dhe gjedhin. Në vazhdimësi u punua prej tij që të gjitha këto të ishin të një cilësie të lartë racore.

Në teknikumin bujqësor të Golemit ai dha mësim lëndë të specialitetit të tij. Edhe në fushën e mësimdhënies pati sukses, duke qenë gjithnjë kërkues ndaj vetes, serioz në atë çka u përcillte studentëve; korrekt, krijues me fantazi e me aftësi të veçanta komunikuese. Në këtë mënyrë ai ishte një nga pedagogët me arritje të larta. Brezat e studentëve të tij u bënë drejtues të kërkimeve shkencore në shkallë vendi si Xhevat Shima, drejtor i Institutit të Kërkimeve Shkencore Bujqësore, apo Abdulla Kapedani, pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor.

Asnjëherë nuk la pas dore edhe fushën e krijimtarisë e cila e ka shoqëruar gjithnjë. Të shumta kanë qenë shkrimet e artikujt shkencor, punimet, broshurat që botoi në revistat shkencore të kohës. Në këto punime shkencore ishte i prirur që përvojën e metodat e reja t’ua kalonte specialistëve të rinj. Në vitin 1960 botoi librin “Rritja e lepurit”, e më pas rreth viteve 70 botoi librin “Inkubatori i zogjve”, si dhe libra të tjerë për derrin dhe gjedhin. Ne vitin 1962 transferohet nga Golemi në fermën e Levanit, Fier, ku punoi gjithnjë në terren të vështirë për tetë vjet. Këto vite ishin të rënda për shëndetin e tij. Edhe këtu dha kontributin e tij të pamatë për rritjen e prodhimit blegtoral duke plotësuar nevojat ushqimore për bagëtinë dhe duke përmirësuar racat e kafshëve dhe higjienën e tyre. Në vitet 70 transferohet në fermën “Çlirimi”, Fier, ku drejtoi inkubatorin e zogjve për 6 vjet.

Aftësitë dhe potenciali i tij nuk u vlerësuan sa duhet. Formimi dhe shkollimi i tij perëndimor, gjuhët e huaja që zotëronte, nuk shiheshin mirë në kuadrin e luftës së klasave në kohën kur jetoi e punoi. Pati përndjekje, mundime, persekutime, por edhe qëndresë të fortë nga ai për të ecur para. Gëzimin e jetës e gjente tek profesioni i tij që e dashuronte aq shumë, tek familja e tij, fëmijët e tij, që i jepte aq shumë nga vetja, tek miqtë e të afërmit që i ndenjën pranë dhe e vlerësonin.

I dha shumë shkencës zooveterinare e zhvillimit ekonomik të vendit gjatë gjithë jetës duke u larguar nga jeta më 24 shtator 1980.

E gjithë kjo jetë e mbushur me punë këmbëngulëse e pasionante u bë për ne, pasardhësit e tij, orientimi ynë, pika e referimit. Ai ishte dhe është shembulli i gjallë i të mirës, të bukurës dhe të ardhmes vizionare. Prandaj ai është me ne te gjallët ashtu mendjendritur e zemërmadh.

April 28, 2016 16:06
Komento

3 Komente

  1. Bardhi Tolabi April 28, 21:17

    Me vjen mire qe shkruhet per figura te shquara te shkences sone ne sektorin e zooveterinarise dhe posacerisht edhe per zoterine e nderuar,Xhevdet Abedin Pulaha.Duke lexuar mesoj se ai paska punuar edhe ne fermen e Xhavzotajt,ku drejtor ka qene i nderuari dhe respektuari,Dr.Medar Shtylla.Nje verejtje te vogel por te rendesishme do te beja per artikullshkruesin,Dr.Medar Shtylla e ka mbrojtur kete titull ne Itali,mbasi kishte kryer me medalje studimet e larta ne Toulouse te Frances dhe ne vitet e mbas clirimit ka qene minister dhe jo zevendes minister deri edhe kryetar i Kuvendit Popullor,ne seancen e te cilit i ra infarke dhe mbas tre ditesh u nda nga jeta…

    Reply to this comment
  2. falenderim April 29, 00:52

    falenderojme gazeten Dita per kete artikull pozitiv se na mbyti berlloku i berishajve.

    E lexova me interes dhe krahesoj potencjalin e ekonomise se asaj kohe me te sotmen..eshte 1 me nje mije raporti.

    Nderime per kete njeri te nderuar.

    vetme nje verejtje te vogel:

    Paragrafi i trete nga fundi eshte i sforcuar..se paska patur perndjekje ..persekutime…e keni bere si lopa qe godet koven me qumesht..

    sidoqofte qofte i nderuar kujtimi i tij dhe sugjerojme gazeten Dita te jape me shume per keto njerez qe lane peng jeten neper kantjere..miniera dhe ferma bujqesore..

    Reply to this comment
  3. Veterineri April 29, 09:06

    Une jam veteriner prej 30 vitesh dhe kam mbaruar fak.e veterinarise.Kete emer nuk e kam degjuar ndonjehere por kjo nuk dmth se zoteria ne fjale te mos kete kontribut
    ne kete fushe.I lutem autores te me shpjegoje:cdo me thene zooveteriner ? apo as mish as peshk ?! Ka profesion veterineri (mjeku u kafsheve) dhe profesion zootekniku (racioni ushqimor) dhe nuk mund te jene te dyja bashke,
    apo jo ?!

    Reply to this comment
    • G January 1, 21:33

      Zotëria i nderuar ishte edhe zooteknik edhe veteriner. Ndoshta emrin nuk e ka shumë të dëgjuar pasi ka qënë i persekutuar dhe sistemi donte tja fshinte fare, megjithë punën dhe djersën e hedhur si kontribut për këtë vend.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*