Xhuveli: Si punoi babai im me Ismail Beun për shpalljen e Pavarësisë

November 7, 2012 12:52

Xhuveli: Si punoi babai im me Ismail Beun për shpalljen e Pavarësisë

ME DJALIN E  SEKRETARIT TE ISMAIL  QEMALIT

 

Intervistë me djalin e Xhaferr Xhuvelit, ish-sekretar personal i Ismail Qemalit

 

Në momentet e ndarjes nga jeta, Ismail Qemali i la sekretarit Xhuveli brengat dhe porositë e fundit

 

Duro Mustafai

Kamber Xhuvelin, nga Tragjasi, e kam njohur në vitet e rinisë sime si njeri babaxhan e gjithnjë buza –gaz. Por atë e njihnin të gjithë në Vlorë, se kish qenë mësues, drejtor shkolle e në fund edhe inspektor i seksionit të arsimit. Me gjithë atë, unë vonë do ta merrja vesh se  ishte djali i Xhafer Xhuvelit, sekretarit të Ismail Qemalit. Ishte ai që më kish  prezantuar me të atin për ti marrë një intervistë për 5O vjetorin e pavarësisë, në ato ditët e nëntorit të vitit 1962, intervistë që u botua aso kohe,  te gazeta ’Rinia‘. Tani, pas 5O viteve, ndërkohë që babai i tij, prej vitesh është ndarë nga jeta, e takova atë përsëri për ta pyetur se çfarë dinte mbi marrëdhëniet e të atit me Ismail Qemalin. Dhe do të dëgjoja për fakte e ngjarje të pa njohura më parë… Në ditarin tim, atë ditë kam shënuar:‘Ishte fillimi i nëntorit të vitit 1962. Vlora, sipas traditës, përgatitej të festonte 5O vjetorin e pavarësisë. Veteranët ishin ndër të parët në këtë eveniment. Mes tyre, ishte dhe i moshuari Xhaferr Xhuveli, njeriu i ditur e fjalëpakë. Në këtë ditë, ish-sekretari personal i Ismail Qemalit, pohoi për median njohjen dhe punë e gjatë me Plakun e Urtë të Vlorës dhe detaje të pa njohura nga jeta e tij. Këtë takim të shumë pritur, ma përgatiti miku im Axhem Gjonaj, inxhinieri nga Tragjasi”.

 

INTERVISTA

Pasi e takova jo pa mundim dhe me ndihmën e të njohurve të mi, nisa bisedën me djalin e shoqëruesit të Ismail Bej Vlorës.

-Si u njoh babai juaj me Ismail Qemalin dhe si arriti të bëhej sekretari i tij?

-Më parë do tu them, se ne  ishim ndër familjet e pasura të Tragjasit, prindërit e gjyshërit tanë e pëlqenin shkollën e diturinë.. Ja pse, babai im mbaroi gjimnazin ‘Zosimeja’ të Janinës, pastaj, aty nga viti 19O4, do të vazhdonte Akademinë Ushtarake të Stambollit… Iu përkushtova studimeve në mënyrë që të përvetësoja sa më shumë e të arrija rezultate sa më të mira. Dihet nga të gjithë që Ismail Qemali ka qenë një ndër 25 deputetët shqiptarë në parlamentin turk. Në një nga ditët  e qëndrimit të tij në Turqi,  ai bëri një vizitë në Akademinë ushtarake të Stambollit, për tu takuar me  studentet shqiptarë. Kishte dëgjuar se nga Kosova kish aty shumë djem, por u interesua nëse në këtë akademi kishte dhe djem nga Vlora. Nuk mendoja kurrë se pikërisht, falë këtij interesimi, do bëhej njohja me Ismail Qemalin e do të forconte lidhjet dhe bashkëpunimin e më tejshëm me ‘të.

Prandaj, në sallën e madhe mbushur me studentë shqiptarë, që në fillim Ismail bej Vlora do të pyeste : -“A ka këtu djem edhe nga Vlora ?”.. U dëgjuan zëra : Po, Po,!!. Midis tyre, aty  ndodhej edhe Avdurrahman Çiraku, nga Vërmiku i Vlorës, ai djali që në Luftën e Vlorës, u bë komandant artilerie e topçi i dalluar). Po Ismail Qemali do të pyeste përsëri:’Po nga Tragjasi i Vlorës ka njeri? Ka nga familja e Kamber Delo Xhuvelit…?’. Këtë emër, këtë person, Ismail Qemali e njihte mirë, e kish patur mik e se ai kish qenë Vali i Vlorës, Fierit dhe Beratit. E ndoshta dikush e kish informuar se në Akademi mund të ndodhej ndonjë nga fisi i tij. Sa u përmënd ky emër, Xhafer Xhuveli, i përlotur tha:’Unë jam nipi i tij. ‘Nipi?’-u përgjigj i befasuar Ismail Qemali. Më pas, Ismail Qemali  e përqafoi dhe i tha:’Ti djali im, do të vish me mua…’….

Diçka për babanë tuaj?

-Kamber Xhuveli, babai im, sapo kish mbaruar Akademinë Ushtarake me dhe kishte përfituar gradën e majorit.. Që nga ajo ditë, deri në frymëmarrjen e fundit të Ismail Qemalit, për afro 15  vjet,  ka qënë me të, në të gjitha udhëtimet nëpër Evropë e Shqipëri dhe në të gjitha përgatitjet për ngjarjen e madhe të ngritjes së  Flamurit në Vlorë… Ka qenë kjo pjesë e rëndësishme dhe nga më aktivet e jetës së tij..

Po pas ngritjes së Flamurit, çfarë ndodhi?

-Ndodhi ajo që tregon historia. Më 22 janar të vitit 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen, si kryetar i Qeverisë së Vlorës i detyrur nga fuqitë e mëdha, e familjarisht u vendos në Nicë të Francës. Babai ishte me ‘të. Një ditë, Ismail Vlora e kish thirruar babanë dhe i kishte thënë:’Xhafer, biri im, Franca na ka tradhëtuar, përderi sa mban Esat Pashë tradhtarin, këtu”. Nga këtu, ai  u largua dhe u vendos në Spanjë. Por edhe këtu, për mungesë kushtesh, për tu lidhur me Shqipërinë dhe Evropën u largua. Shkoi në Siçili e Kalabri, tek arbreshët e Italisë, bëri takime për gjendjen e Shqipërisë me ‘ta e me autoritete italiane në Romë e Torino. Pas kësaj, Ismail Qemali ndërmori udhëtimin për në Peruxhia, që ishte udhëtimi i fundit për të.. Këtu, në një konferencë shtypi me gazetarët vdiq pa pritur… E helmuan, a vdiq për shkak të një hemoragji celebrale, kjo mbetet enigmë e  për këtë nuk më ka folur në detaje babai. Por, më ka thënë një gjë e nuk e harroj dot. Në çastet e fundit të jetës, Ismail Qemali i kishte thënë :‘Xhafer, ky është fundi ynë!’. Po në këtë bisedë të fundit, i dha porosi babait që të mos merrej me politikë

-Pas kësaj, ish sekretari i Ismail Qemalit, babai juaj, qëndroi i vetmuar, në punën e tij?

-Jo, jo! Xhafer Xhuveli i ka qëndruar pranë Ismail Qemalit, edhe kur ai ishte gjallë, edhe kur kishte i vdekur.. Kur e sollën nga Italia e u varros në Kaninë, babai ishte atje, në ceremoninë e varrimit mes njerzëve më të shquar të kombit. Ai, Ismail bej Vlora kishte lënë amanetin dhe për varrimin e tij. Amaneti i Ismail Qemalit është përjetësuar dhe në këngë: Varrin ma bëni n’Kaninë/ Të kem Vlorën përkarshi… Po edhe kur u bë zhvarrimi, me 1932, me rastin e 2O vjetorit të pavarësisë e eshtrat e tij u vendosën, në Milet-Bacë, në lulishten afër ‘Sheshit të Flamurit‘, ku janë edhe sot, babai ishte atje, me lule ne duar…

Po me politikë është marrë babai juaj?.

-Më parë më duhet të them, se që nga koha e qeverisë së Vlorës e këtej, ne mbetëm të varfër. Ismail Qemali,  shkriu pasurinë e tij për Shqipërinë, madje ishte ai që u shkroi djemve: ‘Bijtë e mi, nuk u lashë asnjë pasuri, po u le atdheun amanet!”. Këtë rrugë ndoqi edhe sekretari i tij. Familja jonë i shiti të gjitha pronat që kishte në Tragjas e në Babicë. Ajo mbajti vetëm ato në Orikum, sa për të jetuar. Sa për pjesëmarrje në politikë, familja e fisi i Xhuvelajve në Tragjas, njihet për prirjet patriotike e atdhetare. Ndoshta ky ishte shkaku, qe edhe Qeveria e Zogut, edhe ajo e Enver Hoxhës, i lidhën babait pension patriotik e pension të privilegjuar gjerë ne fund të jetës. Gjatë luftës antifashiste babai ishte kryeplak, dhe u arrestua e burgos disa muaj nga fashistët italianë. U desh ndërhyrja e parisë së Vlorës ti shpëtonte burgimit të gjatë. Fashistët,  për ndjenjat e lirisë, siç dihet, e dogjën tre herë Tragjasin, por ai qëndoi në këmbë e dha gjakun e shumë ‘Heronjve të Popullit’ dhe të dhjetëra e dhjetëra dëshmorëve.

Ndonjë kujtim tjetër të babait, ndonjë  ndodhi që ta ka përëritur shpesh?

-Kujtimi lidhet me fshatin tonë te lindjes, me Tragjasin. Në vitet 19O8-19O9, Ismail Qemali vizitoi fshatrat e Lumit të Vlorës dhe Vranishtin, po përpara se të shkonte në Himarë, e prej andej të hidhej për në Korfuz, vizitoi edhe  Tragjasin. Ishte edhe në shtëpinë tonë. Për këto vizita, babai më  fliste i emocionuar e me lot në sy… Ismail Qemalit i kish pëlqyer shumë fshati. ‘Ju keni nje fshat, jo vetëm atdhetaresh, por edhe të bukur me ato kodrat që i rrinë lartë e me detin përkarshi’- ka pohuar Ismail Qemali.

Kur u nda nga jeta babai juaj?

-Xhafer Xhuveli, u nda nga jeta në vitin 1966, në moshën 88 vjeçare, Ai u përcoll për në banesën e fundit nga qytetarët e Vlorës dhe të rrethinave të saj, duke i shprehur mirënjohjen se i kish shërbyer me besnikëri e nder Ismail Qemalit, e me të, i kish shërbyer edhe Shqipërisë…(Përgatiti për botim:Kujtim Boriçi)

 

DURO MUSTAFAI

Ka lindur në qytetin e Vlorës.  Për më shumë se 30 vjet ka punuar si gazetar, fillimisht në gazetën ‚Zëri i Popullit“ pastaj për afro 8 vjet si kryeredaktor i gazetës „Drita“. Vitet e fundit, gjersa doli në pension, ishte kryeredaktor i gazetës „Shqipëria“ ( për diasporën ) në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për disa vjet dha mësim, si pedagog i jashtëm, në degën e gazetarisë së Universitetit të Tiranës.

 

 

DETAJ 1

XHAFERR XHUVELI

Xhafer Xhuveli, ish-sekretar i Ismail Qemalit, lindi në Tragjas të Vlorës dhe kreu gjimnazin ‘Zosimea” të Janinës. Më pas, kreu studimet Ushtarake në Akademinë e Stambollit. Këtu në Akademi, në vitin 1904, u njoh nga Ismail Qemali dhe që atë ditë ai e mori pranë. Xhaferr Xhuveli u nda nga jeta në vitin 1966, në moshën 88 vjeçare.

 

DETAJ 2

AKTIVITETI

“Plaku i Vlorës, Ismail Beu, në 75 vitet e jetës së tij, ka qëndruar 14 muaj në Shqipëri. Qëndrimi i tij në Shqipëri ka shënuar një nga ngjarjen më të madhe historike të Kombit Shqiptar. Më 28 nëntor të vitit 1912, Plaku i Urtë i Vlorës, së bashku me përfaqësuar nga gjithë trevat e vendit, shpallën  Pavarësinë e Shqipërisë e ngritën Flamurin në Vlorë”

 

SOM

”Xhafer Xhuveli i ka qëndruar pranë Ismail Qemalit, edhe kur ai ishte gjallë, edhe kur kishte i vdekur.. Kur e sollën nga Italia e u varros në Kaninë, babai ishte atje, në ceremoninë e varrimit mes njerëzve më të shquar të kombit. Ai, Ismail bej Vlora kishte lënë amanetin dhe për varrimin e tij. Amaneti i Ismail Qemalit është përjetësuar dhe në këngë: Varrin ma bëni n’Kaninë/ Të kem Vlorën përkarshi…“

 

SOM

”Ishte fillimi i nëntorit të vitit 1962. Vlora, sipas traditës, përgatitej të festonte 5O vjetorin e pavarësisë. Veteranët ishin ndër të parët në këtë eveniment. Mes tyre, ishte dhe i moshuari Xhaferr Xhuveli, njeriu i ditur e fjalëpakë. Në këtë ditë, ish-sekretari personal i Ismail Qemalit, pohoi për median njohjen dhe punë e gjatë me Plakun e Urtë të Vlorës dhe detaje të pa njohura nga jeta e tij”

 

Përvjetori i 100 i Pavarësisë, Ismal Bej

Qemali, trimi që ngriti Flamurin në Vlorë

 

Emri dhe vepra e Plakut të Vlorës do të përcillet me nderim e respekt ndër breza.. Teksa 28 nëntori 2012, dita e 100 vjetorit të Pavarësisë po afron, roli dhe madhështia e Ismail Qemalit, Plakut të Urtë që ngriti Flamurin, bëhen më evidente… Ismail Qemal Bej Vlora më parë Ismail Haki bej Vlora, Themeluesi i Shtetit Shqiptar, lindi më 18 prill 1844 në Vlorë në një nga familjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud Bej Vlorës dhe Hedije Hanëm Libohovës. Vdiq në Itali më 24 janar të vitit 1919. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë. Ka kryer gjimnazin “Zosimea” në Selanik. Provimet e vitit të fundit i dha më 15 korrik 1859, dhe u kthye në Vlorë. Gjatë qëndrimit në Janinë, me mësues privat, mësoi arabishten dhe persishten. Në vitin 1862 emërohet zëvendës drejtor i çështjeve politike në Vilajetin e Janinës. Më 1868 është kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë Turke. Ka punuar ca kohë Mytesarif në Afjon Karahisar (Anadoll). Bëhet më vonë  Mytesarif i klasit në Manisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonu, dhe në Bejrut. Më 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, në Misir, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, ne Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qendroi për një kohë me të gjatë. U mor shumë kohë me publicistikë duke nxjerrë dhe gazeta. Më 1908 vjen në Vlorë dhe zgjidhet deputet i Beratit, në parlamentin osman. U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve anti-osmane të viteve 1910-1912. Së bashku me Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911, megjithëse nuk ishte i pranishëm. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë.

November 7, 2012 12:52
Komento

1 Koment

  1. vio December 21, 17:49

    cfa e shtyu ismail qemalin te shpallte panvaresin e shqiperise ne vlore jam kurioze esnte vetem nje menyre sepse ai ishte nga vlora apo eshte ne mes harta e shqiperise ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*