Zaev në Prishtinë: “Kumanova” nuk duhet të mbetet pengesë mes Kosovës e Maqedonisë

December 12, 2017 11:42

Zaev në Prishtinë: “Kumanova” nuk duhet të mbetet pengesë mes Kosovës e Maqedonisë

 

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka deklarua se rasti i grupit “Kumanova” është çështje e ndjeshme dhe se është në interes të Kosovës e Maqedonisë që të mësohen përgjigjet e vërteta.

Zaev tha që kjo çështje nuk mund të ngelet pengesë për bashkëpunimin në mes të të dyja vendeve.

Ai tha se do të ketë hetim ndërkombëtar në mënyrë që t’u jepen qytetarëve përgjigje të vërteta rreth asaj çka ndodhi në Kumanovë në vitin 2015.

Këto komente Zaev i bëri pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj

“Jemi pajtuar që të ketë qoftë edhe një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe provat. E gjithë kjo, me qëllim që t’iu jepen qytetarëve përgjigjet e vërteta. Kjo është edhe në interes të bashkëpunimit tonë. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme, sepse aty u vranë edhe disa policë. Pra, do të ketë një hetim ndërkombëtar, gjithmonë me qëllim që të arrihet deri tek e vërteta”, ka thënë kryeministri Zaev.

Në incidentin e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, në të cilin ishin të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova.

Zaev gjithashtu ka theksuar se me kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, kanë biseduar për projektet e përbashkëta, për avancimin e komunikimit ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosovën dhe Maqedoninë i lidh orientimi euroatlantik i të dyja vendeve.

“Në këtë vizitë të sotme kemi mundur të ndihmojmë që marrëdhëniet tona, pra, ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Sot kemi marrë plot obligime që besoj se do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive, pra, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

December 12, 2017 11:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*