“Argita duhej të ishte gdhirë te burgu i grave”

Habjon Hasani January 17, 2013 16:28

“Argita duhej të ishte gdhirë te burgu i grave”

Mero Baze rrëfen historinë e e-maileve të vajzës së Kryeministrit. Shantazh dhe ryshfete: “Kam dokumenta kompromentuese për Argita dhe Shkëlzen Berishën. Kanë vepruar njësoj si në rastin “Ansar”. Viktimat, kompani serioze perëndimore që po investojnë në energjetikë. Janë detyruar të paguajnë deri në 3 milionë USD “taksë për Familjen”. Personazheve që kam përdorur në këtë hetim u rrezikohet jeta”

 

Sa është pasuria e Berishajve sipas Bazes, në aksione të fshehura, në pasuri të paluajtshme dhe në fonde investimi jashtë Shqipërisë, si e vlerëson PS-në e sotme dhe pse mendon që “një pjesë e  Shqipërisë së majtë e ka frikë Sali Berishën”.

 

 “Po detyrojnë njerëzit të bëhen denoncues dhe bashkepunëtorë në vepra kriminale për një vend pune. Ai nuk e di sa zemërim popullor ka ndaj tij. Do ta shikoj para 23 Qershorit, por sidomos pas tij”

 

Intervistoi

Habjon Hasani

 

Zafar Ansar biznesmen pakistanez ka dashur të ndërtojë në Shqipëri një TEC (projekt rreth 100  milionë euro investim). Ambasadori shqiptar e ka prezantuar fillimisht me vajzën e kryeministrit. Më pas kryeministri e ka pritur në zyrën e tij. I ka shprehur miratim duke e këshilluar të bashkëpunonte “me njerëz të mirë” në Shqipëri. Biznesmeni ka dalë entuziast nga zyra e kryeministrit. Por më pas i kanë ardhur disa emaile nga vajza e kryeministrit. I është bërë e ditur pagesa për shërbimet (200 euro ora) dhe më pas i është thënë që duhet të dorëzonte edhe 3 përqind të vlerës së investimit për “zyrën avokatore” të vajzës së kryeministrit si “pagesë suksesi” (!). 3 përqind e 100 milion janë 3 milionë euro. Por nuk ka mbaruar këtu. Argita i ka “ofruar” edhe tokën për ndërtimin e TEC-it (bëhet fjalë për tokë në pronësi të Damir Fazllic në Porto Romano që u është marrë banorëve të atjeshëm për dy lekë me arsyetimin se është “tokë e helmuar”. (“Më kërkuan të blija miliona euro një tokë të papërshtatshme për projektin tim, – thotë Ansar). Nuk ka pranuar të blejë atë tokë me atë cmim, ka shprehur rezerva edhe pse duhet të paguante 3 milionë euro përvec pagesave për shërbimet avokatore dhe… Eshtë njoftuar zyrtarisht që “projekti nuk miratohet”. Bukur, apo jo? Ende nuk ka mbaruar… Familja Berisha i kërkon Ansar-it të padisë Mero Bazen që kishte botuar emailet mes biznesmenit dhe Argitës (m’u qepën keq dhe më bënë edhe oferta joshëse – thotë Ansar për këtë pikë). Kur u tha “jo” i hoqën edhe titullin “konsull nderi i Shqipërisë në Pakistan” që ia kishin dhënë vetë… E gjitha, një histori shokuese për ata që duan të kuptojnë. DITA ka intervistuar sot pikërisht Mero Bazen, i cili është në zanafillë të kësja historie me botimin e disa emaileve 4 vjet më parë, mbi këtë aferë që kulmoi parmbrëmë me daljen publike me zë dhe figurë të biznesmenit të huaj.

 

DITA: Zoti Baze, parmbrëmë një biznesmen i huaj dha një intervistë-denoncuese tronditëse për opinionin publik për mënyrën si funksionon familja Berisha me investitorët. Ju keni publikuar në TemA në vitin 2009, email-et e këmbyera ndërmjet biznesmenit Zafar Ansar dhe studios konsulente “Malltezi”.  Kohët e fundit mësuam edhe për  implikimin e një ish-ambasadori në këtë histori, fakt të cilin ju jeni shprehur se e keni redaktuar 4 vite më parë. Do ishte me interes të dinim se çfarë ka ndodhur mes jush, zotit Ansar dhe ish-ambasadorit Banaj? Mund të na ofroni një retrospektivë të detajuar të kësaj situate mes jush?

 

BAZE: Nuk ka ndodhur asgjë. Unë nuk jam takuar me zotin Ansar, por kam patur miqësi me ambasadorin tonë Admirim Banaj. Gjatë verës së vitit 2007 kur ai ishte në Shqipëri thjesht jam njohur me interesin që ai kishte për të çuar tek kryeministri këtë biznesmen. Në qendër të skandalit është e bija e kryeministrit dhe modeli i shtetit të babait të saj. Të tjerët janë viktima përshi dhe ambasadorin. Kjo ka qenë arsyeja që pjesën e tij nuk e kam botuar.

 

Është zoti Ansar që i ofroi vetë ato email-e për publikim?

Nuk është zoti Ansar ai që m’i ka dhënë emalet, por unë u sigurova se mora aksesin origjinal të tyre. Nuk kam dëshirë të bëj publike burimin, pasi do ta rrezikoja pa shkak.

 

Jua ka shprehur ambasadori Banaj “pakënaqësinë” e tij në lidhje me botimin e vitit 2009 të email-eve?

Mua nuk më ka shprehur kurë pakënaqësi, pasi unë e kam redaktuar pjesën e tij. E kuptoja qartë hallin e tij. Në një shtet ku e bija e kryeministrit sillet në këtë mënyrë me pushtetin e babait, ambasadori është thjesht një i punësuar i saj, që paguhet nga shteti. Kam pas komunikim të rrallë më pas me të dhe nuk më është dukur se ka qenë i shqetësuar nga ajo që ka ndodhur. Ndoshta nuk e ka ditur që unë e kam ruajtur në  publikimin  e bërë dhe natyrisht nuk ka pas si të jetë mirënjohës” për këtë. Pse s’ka qenë as mirënjohës pastaj është problem i tij.

 

Çfarë mendove kur Zafar Ansar deklaroi se familja Berisha i kishte kërkuar me këmbëngulje që të të hidhte ty në gjyq për botimin e këtyre emaile-ve?

Nuk më dilte para syve fytyra timide e Admirimit, por fytyra e egërsuar e Argitës që me siguri ja ka kërkuar këtë gjë orë e çast duke ja nxirë jetën. Turpi është që ne jetojmë në një shtet që gjunjëzon personalitetin e  një njeriu dhe i thyen njerëzit, i detyrojnë të bëhen denoncues dhe bashkepunëtorë në vepra kriminale për një vend pune. Portreti i tërbuar e kësaj femre, që nuk njeh pengesa dhe kode morale, për para dhe pushtet,  është fytyra reale e pushtetit në Shqipëri.

 

Në email-et mes Argita Berishës dhe biznesmenit të huaj është shkruar e zezë mbi të bardhë premtimi i Argita Berishës për të miratuar projektin energjitik, madje duke e specifikuar edhe me termin “sukses i garantuar i investimit”. Shqipëria ka një ligj për parandalimin e konfliktit të interesit, si mundet që një studio legale e drejtuar nga e bija e Kryeministrit të japë garanci të plota suksesi për një projekt që do e miratojë babai Kryeministër?

 

Ky është rasti më ilustrues ndoshta në botë se si veprojnë regjimet e korruptuara. Skema është klasike. Një investitor troket në zyrën e kryeministrit, ai e përcjell tek studioja e vajzës, ajo pastaj i ofron në rrugë “ligjore” pazarin për shërbimin. Ansar me siguri ka besuar parrullën “Shqipëria 1 euro” dhe lehtësitë fiskale, por pastaj ka parë se asgjë nuk ishte 1 euro, por një 1 me shumë zero pas dhe në vend të lehtësive fiskale ka pas përballë “taksën e Familjes” që është më e rëndë se çdo taksë në botë. Ky është rast tipik ku në një vend perëndimor kryeministri sot duhet të ishte në shtëpi në pritje të hekurave, ndërsa e bija duhet të ishte gdhirë tek burgu i grave.

Unë e kam ndjekur këtë rast qysh në zanafillë, për të verifikuar mekanizmin që përdor e bija për të shitur pushtetin e babait. Më vjen keq ta them, por ja kam bërë këtë dhe në disa raste të tjera. Asaj dhe të birit. Dhe ata janë sjellë gjithmonë njësoj. Si në këtë rast.

 

Pse nuk i bëni publike?

Është çështja e rrezikut që kanë për jetën personazhet që kam përdor në këtë histori. Ndryshe do t’i bëja publike. Ajo familje vepron sikur Shqipëria është pronë e saj dhe çdo kush që të trokas në këtë vend duhet të takoj pronarin.

 

Në editorialin e shkruar dje nga ju, keni shprehur hapur zero pritshmëri nga prokuroria apo institucionet e tjera ligjzbatuese si reagim ndaj intervistës-denoncuese të biznesmenit Ansar. Nga niseni për këtë pritshmëri negative?

Nuk pres të bëj asgjë kryepokrurori, jo vetëm nga performanca e tij por dhe sistemi në të cilin funksionon. Ai do të shkarkohej qysh të nesërmen, dhe ndoshta Bujar Nishani do të dëgjonte që ka firmosur pasi të kish’ dalë nga ndonjë seancë hidromasazhi për hallet e tij shëndetësore. Tashmë nuk jemi në një sistem demokratik. Gjithçka është në dorë të Argita Berishës. Edhe Gjykata Administrative që po e kërkon kaq me ngulm dhe SHBA-ja po lind dhe ndërtohet si gjykatë e Argitës. Partnerja e saj është emëruar të përzgjedh gjyqtarët.

 

Ju keni shkruar gjithashtu që “Ansar nuk ka përballuar dot paturpësinë për ta parë jo si investitor, por si gjah i rënë në pritën e pushtetit të Familjes. Investitorë të tjerë, biles disa dhe shumë të mëdhenj dhe të respektuar në Perëndim, janë në këtë grackë dhe ndonjë nuk ka dalë ende”. Cilët janë këta, mund të thoni diçka më shumë?

Janë disa kompani serioze perëndimore që po investojnë në energjetikë . Kam depërtuar në historinë e licencimit të tyre dhe është e frikshme. Nuk do të përmend emra pasi kuptohen lehtësisht kush janë, por mund tu bëj vizatimin e disa skemave. Njëra prej tyre, që është bashkim kompanish perëndimore shumë serioze, për të paguar “Fee sukses-in” e Familjes, u detyrua që brenda projektit t’i jepte një kompanie në Shqipëri një nënkontratë për mardheniet me publikun dhe institucionet me një shumë rreth 3 milion dollarë dhe nga kjo kompani “studioja” merrte pagesën mujore, gjoja për shërbime ndaj saj sipas “tarifave te mija”, siç thotë “zonja 3 milionëshe”. Po ashtu studimi i mjedisit ju besua fillimisht pa shumë turp dhëndërrit, dhe pastaj pas disa vërejtjeve nga stafi u bë dhe ai me link.  E njëjta gjë ndodhi dhe me studimin e hidrocentraleve mbi Vjosë, kur një kompani shqiptare bëri studimin dhe ja dorëzoi kryeministrit, dhe pas një muaji ai bëri sikur nuk kish ndodhur gjë dhe thuajse ky studim pa asnjë ndryshim u paraqit si studim për llogari të kësaj kompanie perëndimore.

 

Por askush nuk flet…

Tani natyrisht që askush nuk flet siç pati guximin zoti Ansar, pasi ata janë duke punuar këtu. Por një ditë e vërteta do të ballafaqohet me publikun dhe drejtësinë dhe nuk do ketë shans që këta njerëz t’i gëzojnë këto para të vëna nga kapja e shtetit.

 

Sa është pasuria e Berishajve sipas jush? Si dhe sa do ndikojë kjo pasuri në të ardhmen e tyre politike? Në konceptin e Bazes a mjaftojnë paratë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë përgjithmonë në një vend si Shqipëria? Shumë njerëz kështu mendojnë dëshpërimisht

Asnjë institut kontabël nuk mund të llogarisë pasurinë e tyre. E kanë në monedhë, në aksione të fshehura, në pasuri të paluajtshme, në fonde investimi jashtë Shqipërisë, pra në të gjitha format. E sigurt është se me vete do të marrin 2 metra katror vend dhe turpin si njerëz që plaçkitën këtë vend.

 

I keni keni kërkuar Rektorit Dhori Kule që të paktën “të ngrijë” Argitën si pedagoge, njësoj siç u veprua dhe me rastin Barjaba. Po dje mësuam se zoti Kule është në krye të një tjetër liste peticionesh drejtuar kreut të PS- Edi Rama. Mos vallë nuk ka më kujt ti kërkojmë diçka, qoftë dhe simbolike në lidhje me këtë histori?

Janë ca njerëz që e kanë profesion tu lëpihen gjithë regjimeve dhe nuk kam shpresë që këta reagojnë ndaj parimeve, por u bëj thirrje thjesht që nesër të mos thonë, nuk e dinim. Vazhdimi i punës së Argita Berishës si pedagoge është një krim ndaj shoqërisë shqiptare. Pedagogu përveçse mësimdhënës, u imponohet studentëve dhe me figurën e tij morale dhe shembullin e tij. Argita mund t’i japë mëmim mafies siciliane por jo fëmijëve tanë. Ajo duhet ndalur dhe me forcë të hyj në auditorë. Unë do t’ua kërkoj këtë përditë gjithë forumeve rinore politike në Shqipëri, gjithë partive politike, gjithë shoqërisë civile. Është një ndëshkim që e kemi ne në dorë dhe jo drejtësia. Dhe këtë së paku duhet ta bëjmë. T’i mbajmë larg nga edukimi i fëmijëve tanë si hajdutë dhe sekserë.

 

Në shtypin e djeshëm ishin një numër shumë i vogël gazetash që kishin pasqyruar intervistën-denoncuese për Berishajt të biznesmenit Asnar. Ato që konsiderohen si gazetat më të mëdha nuk e kishin fare as si lajm qoftë në faqen e parë qoftë në brendësi. Si e shikoni ju këtë?

Aq sa mund të mbaj inat ambasadorin Banaj pse ju nënshtrua Argitës, aq mund të mbaj inat dhe shtypin shqiptar pse ju nështrua asaj. Është çështje e njerëzve të lirë dhe medies së lirë. Një fat i madh është që në këtë histori ka hyrë media më e madhe në vend, Top Channel dhe gazetarët kurajozë. Kjo mjafton për ta mbajtur gjallë këtë histori të ndyrë të kapjes së shtetit. Media tjetër është pjesë e regjimit dhe partnere e tij. Është një ndryshim i madh nga viti 2009. Atëherë e dhanë shumë më pak se sot. Nuk është për t’u ankuar.

 

Z.Baze, mbeten dhe pak muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare. Si e shikoni situatën aktuale dhe si i parashikoni këto muaj të fushatës?

Shqiptarët janë në shumicë absolute kundër pushtetit. Berisha po përpiqet të deformojë këtë vullnet me shkatërimin e institucionit të zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Një bashkim i madh antirregjim, do ti bënte pluhur e hi, këto marifete mafioze. Kush është kundër regjimit duhet të bashkohet në një koalicion. Berisha nuk ka turp të kërkojë dhe votat e komunistëve për të ndenjur në pushtet dhe mendon e komplekson forcat e reja politike ti bashkohen opozitës. E gënjen mendja. Ai nuk e di sa zemërim popullor ka ndaj tij. Do ta shikoj para 23 Qershorit, por sidomos pas tij. Siç e kanë zakon shqiptarët kur bie nga pushteti.

 

Ju jeni oponent i fortë i Berishës, njëherazi njohës i mirë i asaj që ju vetë e keni etiketuar si Familja. Çfarë qëndrimi duhet të mbajë sipas jush PS-ja në këtë fushatë përballë një individi si Berisha? Është OK mënyra si kundërvepron deri tani? Duhet korrigjuar ndonjë gjë?

Mendoj se kemi një opozitë të ndryshme nga pushteti në konceptet perëndimore që ka, gjuhën civile dhe vizionin për qeverisje. Meqë pushteti është i pacipë, arrogant, vrasës, i pameshirshëm për qëllimet e veta, shpesh njerëzit kërkojnë një opozitë analoge dhe mendojnë që ajo nuk është në lartësinë e duhur. Unë mendoj se na duhet një Shqipëri normale dhe një vizion i tillë si ky i opozitës. I vetmi ngërç është si ta heqim një të çmendur nga pushteti për të qenë nesër njerëz normalë? Kjo do bashkim të fortë dhe energji të harxhuara kundër pushtetit dhe jo kundër opozitës.

E vërtetë është që jam më i ashpër dhe i egër ndaj Berishës, por unë jam individ, nuk kam përgjegjësi për vizionin e nesërm të qeverisjes së vendit. Unë jam gazetar kritik dhe ngre zërin për t’i vrarë frikën shoqërisë. Por Shqipëria nuk mund të qeveriset me kriterin e ngritjes së zërit, por mbi vizione të qarta dhe reforma serioze. Unë ngre zërin se një pjesë e  Shqipërisë së majtë e ka frikë Sali Berishën. E dinë të fort, të mençur, vizionar, dhe trim, thjesht se ai u vjedh votat. Është thjesht një plak i rrjedhur, frikacak, pa asnjë ide dhe pa asnjeri nga pas. E patë kë dërgoi për të prishur shtëpinë e xhaxhait te gruas së kundërshtarit? Kushërirën e vet dhe të gruas së tij, dushiste: aty ku është fshehur në vitin 1997.

 

Shqipëria është në një krizë serioze të rritjes së borxheve të jashtme dhe të brendshme. Madje kemi “spostuar” dhe pragun ligjor me vendim politik. Mendoni se opozita mund të gjejë “tokë të djegur” pas zgjedhjeve të qershorit?

 

Situata është dramatike, por ndryshimi jep shpresë. Opozita do gjej një tokë më shumë se të djegur, por ajo duhet të jetë realiste dhe duhet t’u shpjegojë qytetarëve gropën e zezë ku ka zhytur Shqipërinë ky plak i rrjedhur. Vendi mund të ringrihet me një besim të ri tek ndryshimi politik, dhe sidomos tek ndëshkueshmëria e fortë ndaj përgjegjësve të kësaj situate. Kjo gropë e zezë e Sali Berishës kërkon doemos të çohen para drejtësisë disa fajtorë që njerëzit të kenë besim tek ndryshimi. Unë mendoj se një vendimmarrje e fortë, një zhdukje e pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe një komunikim i sinqertë me njerëzit, do ta ndryshojnë historinë pesimiste të këtij vendi.

Botuar sot ne DITA

Habjon Hasani January 17, 2013 16:28
Komento

2 Komente

  1. asper January 16, 10:34

    DOSJEN SALI, DOSJEN. NE PAKISTAN DO TA KETE BERE NDONJEHERE SHUREN SHTREMBER

    Reply to this comment
  2. andi January 16, 13:51

    dhe te mendosh se kjo eshte vetem maja e majes te majes……te ajsbergut ……. te Sali Ram Berishes & Co

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*