Zbardhen debatet mbledhjes së 21 korrikut për reformën në drejtësi

Herion Mesi August 4, 2016 20:54

Zbardhen debatet mbledhjes së 21 korrikut për reformën në drejtësi

Pavarësisht se konsensusi ishte arritur mes palëve për miratimin e draftit të nbdryshimeve kushtetuese që i hap rrugë realizimit të reformës në sistemin e drejtësisë shqiptare, orët e fundit të ditës së 21 korrikut kanë qenë tejet të tensionuara. Kjo vërtetohet edhe në procesverbalin e mbledhjes me dyer të mbyllura të mbrëmjes së 21 korrikut, ku pak orë para kalimit të draftit përfundimtar në Kuvend, përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së në komision janë përplasur me kryetarin socialiste të komisionit, Fatmir Xhafajn. Shkak janë bërë propozimet e demokratit Oerd Bylykbashi, në lidhje me procedurën e emërimit të anëtarëve në institucionet e drejtësisë. Propozime këto që janë refuzuar me forcë nga Fatmir Xhafaj, i cili është shprehur se tashmë nuk ka kohë për të bërë ndryshime në draftin kushtetues, port ë gjitha propozimet dhe detajet e tjera, do të implementohen në ligjet që do shoqërojnë Kushtetutën e re. Por një klimë e tillë tensioni, do të demonstrohej më pas edhe mes Fatmir Xhafajt dhe anëtarit të LSI-së në komision, Petrit Vasili.

Debati i plotë i mbledhjes

Fatmir Xhafaj – Mirëmbrëma! Hapim mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Siç është bërë e njohur publikisht, gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, ne, palët politike në proces së bashku me partnerët ndërkombëtarë kemi pasur një debat të gjatë, një diskutim të gjatë, një negocim për katër nenet e këtij projektligji, të cilat do të ndryshohen nga projekti që është paraqitur në Kuvend për votim, kështu që do të jemi të detyruar të bëjmë një votim vetëm për këto katër nene, që janë përfshirë si pjesë e paketës integrale. Kemi rëndë dakord për arsye, sepse është bërë një diskutim dhe negocim i gjatë, palët kanë rënë dakord në nivel politik me konsensus të plotë, kështu që ngelet çështja e votimit nen për nen. Shpresoj se nuk ka nevojë për fjalime të gjata, besoj se duhet të kalojmë në votim. Neni 23. Kush është dakord?

Oerd Bylykbashi – Te neni 23 janë bërë ndryshime në lidhje me procedurën e emërimit. Këtu është parashikuar që anëtarët të vijnë nga fusha si avokatia, profesorati i të drejtës dhe nga shoqëria civile. Sugjeroj se do të ishte më mirë që secila fushë të përfaqësohet me jo më shumë se 2 veta, por t’i japim fleksibilitet përzgjedhjes…

Fatmir Xhafaj – Ju lutem, po ju them diçka. Të bëjmë një diskutim kot, ne nuk jemi të prirur të bëjmë asnjë ndryshim në tekst në të katër nenet, po e them paraprakisht, asnjë. Mund të mos jemi dakord edhe vetë, kemi gjëra, ndërsa detajet në qoftë se ka vend për to do t’I zbërthejmë në ligj.

Oerd Bylykbashi – Fatmir, po të më dëgjosh edhe një herë…

Fatmir Xhafaj – Jo, absolutisht asnjë gjë.

Oerd Bylykbashi – Fatmir, në negociata është diskutuar kjo…

Fatmir Xhafaj – Mos e votoni në qoftë se nuk je dakord, por unë kam marrë këtë mandat.

(Diskutim pa mikrofon)

Oerd Bylykbashi – Nuk mund të hysh në këtë lloj diskutimi. Po flasim, ju vetëm më dëgjoni se ndoshta jemi dakord. A mundet ta them dhe pastaj ta vendosim? Kemi tri kategori dhe formulimi të ishte i tillë, sepse nuk është reflektuar plotësisht, megjithatë edhe të biem dakord eventualisht. Pra, kemi tri kategori dhe secila prej tyre në princip

përfaqësohet me jo më shumë se 2 anëtarë, për t’i dhënë fleksibilitet vetes që të lëvizim brenda për brenda kategorive me ata që mendojmë se janë më të mirët dhe në numrin më të mirë të mundshëm. Pra, mund të jetë 1 avokat, 3 profesorë dhe 1 i shoqërisë civile, ose tjetra i japim mundësinë çdo kategorie që të përfaqësohet këtu, por japim edhe fleksibilitet për të përzgjedhur. Unë nuk besoj se kjo është një gjë që na krijon probleme.

(Diskutime pa mikrofon)

Fatmir Xhafaj – Unë dëshiroj t’ju mirëkuptoj, por e kam të pamundur të veproj me këtë mirëkuptim, sepse çdo lëvizje në tekst mund të krijonte probleme dhe ju e kuptoni shumë mirë se çfarë do të thotë kjo gjë. Jam i hapur dhe besoj se kur të vijë çështja që këto të përkthehen në ligj dhe nëse ka hapësira mund të detajohen në ligj… Ju lutem, a mund të votojmë? Kush është dakord?

Oerd Bylykbashi – 1 sekondë ta lexojmë, sepse tani na erdhi.

Fatmir Xhafaj – Po edhe neve tani na erdhi. Zoti Vasili.

Petrit Vasili – Unë do të thosha diçka shumë miqësisht. Ne jemi këtu në fund të një procesi shumë të gjatë, pasi edhe negocimi ka qenë më shumë politik sesa profesional. Tani, themeli i gjësë, ajo që ka qenë thelbi për të cilin është bërë debati në të gjitha këto nene, është reflektuar me besnikëri, prandaj për këtë gjë që është arritur me kaq mundim dhe është reflektuar përfundimisht aty, ju bëj thirrje miqësisht që të mos shpenzojmë as kohë, as elemente të tjera. Pra, favori i zbërthimit të tyre në ligj është një mundësi më shumë ku akoma ka hapësirë për përmirësime të mëtejshme dhe nuk është as vendi, as momenti për të shkuar më tej me këtë lloj minimum serioziteti. Jam plotësisht dakord që ne edhe po ta miratojmë me të gjitha vërejtjet dhe ta rishikojmë nga fillimi prapë, ne përsëri do ta krihnim, por nuk jemi në momentin e duhur për ta bërë këtë gjë.

(Diskutime pa mikrofon)

Unë u përpoqa të them atë që mendoj dhe nuk i imponohem njeriu, sepse nuk jam për t’u imponuar, por them që edhe në këtë nen themeli i gjësë ka qenë formula e organizimit, e cila është reflektuar në mënyrë shumë besnike. Edhe unë vetë duke qenë anëtar i komisionit e kam parë, prandaj ju them të ecim përpara, sepse vetëm e komplikojmë pa asnjë vlerë procesin.

Fatmir Xhafaj – Në rregull. Faleminderit, zoti Vasili! Kush është dakord me nenin 23? Kundër? Ju lutem, edhe një herë, a ka mundësi të votoni? Kush është dakord me nenin 23? Kundër? Abstenim? Miratohet neni 23. Kalojmë te neni 39.

(Mungesë incizimi)

Petrit Vasili – Ta bëjmë këtë punë seriozisht. Një dispozitë, e cila ka ndryshuar dhe për të cilën ka dy muaj që bëhet sherr nuk kërkon më shumë se 1 minutë për ta lexuar. E mësova këtë gjë edhe unë që nuk jam jurist, ta lexoj janë apo nuk janë. Themeli i kësaj gjëje, ja po ua them unë përmendësh, po e kthej fletën dhe po ua them se çfarë është. E gjitha formula është këtu.. Më falni, a mund t’ju them një gjë?

(Diskutime pa mikrofon)

Jo, nuk jam i qetë fare, jua them sinqerisht, sepse për shkak të shqetësimit jemi këtu të gjithë. Por ne e kemi prodhuar këtë gjë tani dhe ta kthejmë mbrapsht…

(Mungesë incizimi)

Herion Mesi August 4, 2016 20:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*