Zbardhet skema e re për shpalljen e fituesve në universitete  

May 23, 2017 10:49

Zbardhet skema e re për shpalljen e fituesve në universitete  

Do të ketë dy raunde pranimesh, teksa është shtuar edhe mundësia e çregjistrimit të fituesve të fazës së parë, për rastet në të cilat vetë kandidatët mendojnë se mund të fitojnë një degë tjetër në raundin e dytë. 

Pranvera Kola – DITA

Ndryshon data e provimeve me zgjedhje. Si shkak i spostimit të datës së zgjedhjeve, autoritetet e arsimit kanë përcaktuar datën 23 qershor, ditën në të cilën maturantët do të kalojnë provën e fundit të testimeve, që janë dy lëndët me zgjedhje.

Udhëzimi më i fundit i miratuar nga MAS, përcakton se këto dy provime afrohen me një ditë, duke qenë se pjesa dërrmuese e ambienteve të shkollave do të jenë në funksion të zgjedhjeve të datës 25 qershor.

“Spostimi është bërë për shkak se një pjesë e madhe e shkollave janë mjedise të zgjedhjeve dhe në bazë të ligjit, 24 orë përpara këto mjedise duhet të jenë në dispozicion të këtij procesi, dhe për këtë arsye ne e kishim të pamundur që në datën 24 qershor të zhvillonim provimet me zgjedhje sikundër ishte përcaktuara më herët. Ndaj u vendos që provimet me zgjedhje të zhvillohen një ditë më herët, përkatësisht në datën 23 qershor, por pa ndryshuar asgjë në procedura”, ka deklaruara gjatë ditës së djeshme drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi.

Më tej, ajo ka zbardhur edhe ndryshimet që pëson skema e pranimeve për 2017, e cila do të zhvillohet me dy raunde, teksa konfirmon edhe shansin që u jepet fituesve për të ndërruar degën e studimit.

Shpallja e fituesve të raundit të parë

Përgjatë muajit korrik, përkatësisht në datat 20-29 korrik, maturantët do mund të aplikojnë online duke plotësuar formularin e zgjedhjes së 10 degëve ku duan të fitojnë studimet e larta për pranimet e reja të 2017-ës.

Për të shmangur mbingarkesën në sistem, është vendosur që plotësimi i formularit të bëhet në data të veçantë për secilin rreth në vend. Kalendarin e datave të plotësimit të formularit të preferencave e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit.

Më mbarimin e fazës së aplikimeve online për listimin e preferencave, si dhe në varësi të kritereve të vendosura nga vetë fakultetet, këto të fundit do të bëjnë kalkulimet përkatëse në lidhje me kandidatët që plotësojnë kushtet për të qenë fitues.

Shpallja e fituesve të fazës së parë do të bëhet me 28 gusht, teksa një ditë më pas, në datën 29 gusht do të nisë edhe procesi i regjistrimeve për të përzgjedhurit si fitues të raundit të parë.

Aplikimet për zgjedhjen e degëve do të zhvillohen në dhjetëditëshin e fundit të muajit korrik, ndërsa shpallja e fituesve do të bëhet në 28 gusht, për të nisur një ditë më pas me regjistrimet.

Ky regjistrim do të bëhet brenda një raundi, që ndryshe nga viti i kaluar do të pasohet nga 7 minifaza regjistrimesh 48-orëshe.

Që do të thotë se kur aplikanti është shpallur fitues dhe është shënuar me atë ngjyrën jeshile, ai duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore me dokumentacionin përkatës dhe të bëjë regjistrimin si fitues. Për të marrë statusin si student, ky kandidat duhet të respektojë afatin prej 48 orësh.

Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda këtij afati, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në ato programe studimi ku ishte përzgjedhur”, konfirmon drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi.

Çka do të thotë se vija e kuqe e fituesve do të spostohet 7 herë sipas numrit të vendeve që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës minifazë regjistrimesh.

Në fund të përfundimit të kësaj faze 14 ditore regjistrimesh do të bëhen edhe verifikimet përkatëse në lidhje me numrin e kandidatëve të regjistruar në secilin program studimi të universiteteve publike, duke identifikuar kështu edhe vendet e mbetura bosh, kuota të cilat do të jenë pjesë e raundit të dytë të pranimeve, aplikimet për të cilën do të zhvillohen sërish online me plotësimin e një tjetër formulari preferencash që nga data 15 shtator.

Pranimet në raundin e dytë

Në raundin e dytë që do të zhvillohet ndërmjet datave 15 deri në 22 shtator kanë të drejtë që të marrin pjesë të gjithë kandidatët që nuk arritën të shpallen fitues gjatë fazës së parë, kandidatët e çregjistruar, maturantët që për arsye të ndryshme nuk aplikuan dot në raundin e parë, si dhe maturantët e vjeshtës pasi të kenë shlyer provimet përkatëse.

Ndryshe nga sa ka ndodhur në maturën e shkuar, në pranimet e këtij viti, maturantëve fitues të raundit të parë u është krijuar mundësia për t’u çregjistruar nga një degë fituese dhe për të aplikuar në një tjetër program studimi më të preferuar gjatë raundit të dytë.

Megjithatë, drejtoresha Vrapi sqaron se këta kandidatë duhet të jenë të kujdesshëm që të shikojnë dhe vlerësojnë realisht mundësitë që kanë për të qenë fitues në një nga këto programe të raundit të dytë.

Pasi ka bërë kalkulimet e duhura dhe kupton se ka goxha shanse për të qenë fitues në një tjetër program studimi, ky kandidat duhet të kryejë procesin e çregjistrimit (pasi nuk lejohet të bëhet regjistrim në dy programe) dhe të presë pranimet e raundit të dytë për të bërë regjistrimin përkatës, gjithmonë nëse është shpallur fitues gjatë kësaj faze të dytë”, saktëson më tej Rezana Vrapi.

Si datë për fillimin e vitit të ri akademik është përcaktuar 16 tetori, ku deri në këtë datë pritet të ketë përfunduar i gjithë procesi i pranimeve të reja për vitin akademik 2017-2018.

Kushtet e përzgjedhjes së 10 degëve të studimit

Zgjedhja e degëve të studimit do të bëhet online në portalin www.ualbania.arsimi.gov.al. Regjistrimi i preferencave do të bëhet në të njëjtën kohë, si për kandidatët që duan të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në një nga degët e universiteteve publike, ashtu edhe për strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.

Kanë të drejtë që të regjistrohen në këtë sistem online vetëm kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që mund të kenë vendosur vetë universitetet për programet që ofrojnë.

Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në një nga programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria.

Përpara aplikimit në portalin e maturës për zgjedhjen e degëve çdo kandidat duhet të shlyejë edhe tarifën prej 2000 lekësh pranë Postës, apo bankave të nivelit të dytë. Kjo faturë duhet dorëzuar në shkollën ku kandidati ka bërë plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, si kusht për hedhjen në sistem të notës mesatare të shkollës së mesme, që është edhe një ndër kriteret mbi bazën e të cilës fakultetet do të përzgjedhin fituesit e rinj të këtij viti.

Përzgjedhja online e degëve do të bëhet sipas kalendarit të datave të miratuara për secilin rreth, të cilin e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit. Kandidatët kanë të drejtë që të përzgjedhin deri në 10 preferenca me të cilat do të konkurrojnë për të fituar studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik, qofshin këto degë të universiteteve publike, apo private.

Për degët në të cilat pranimet do të bazohen edhe në rezultatet e konkurseve, siç janë programet e Universitetit të Arteve dhe atij të Sporteve, udhëzimi i MAS përcakton se testimet individuale të çdo kandidati do të zhvillohen ndërmjet datave 11 deri në 22 gusht, sipas skemës që do të zbardhin vetë këto institucione të arsimit të lartë në vend.

Për kandidatët të cilët konkurrojnë për një nga programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, në Universitetin e Arteve, pikët llogariten sipas kësaj formule: Rezultatet e Maturës Shtetërore përbëjnë 30 për qind të totalit të pikëve (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore), ndërsa rezultatet e konkurseve të pranimit do të përbëjnë 70 për qind të totalit të pikëve në shpalljen e fituesve. Po sipas rregullores së miratuar nga ky universitet, kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit në programin ku ka konkurruar, nuk fiton të drejtën e studimit.

E njëjta skemë pranimi do të zbatohet edhe për fituesit në programet e Universiteteve të Sporteve. Mbështetur në vendimin përkatës të Senatit, raporti ndërmjet konkurrimit praktik dhe notës mesatare do të jetë në kufijtë 60 për qind për pikët e siguruara gjatë testimit individual, si dhe 40 për qind për pikët e mesatares. Kanë të drejtë të konkurrojnë në këto programe vetëm kandidatët të cilët plotësojnë kushtet shëndetësore sipas Kartelës Mjekësore të miratuar nga Universiteti i Sporteve.

 Datat e provimeve të Maturës 2017

Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet me 5 qershor.

Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 10 qershor.

Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 15 qershor.

Testet e dy provimeve me zgjedhje do të zhvillohen më 23 qershor.

Struktura e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje

Në tre lëndët që jepen si provime të detyruara, testimet do të fillojnë në orën 10:00, ku maturantët do të kenë dy orë e gjysmë kohë për të plotësuar përgjigjet e pyetjeve të testit. Ndërsa kohëzgjatja e dy provimeve me zgjedhje do të jetë tre orë.

Testi për secilin nga provimet e detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Për të marrë vlerësimin maksimal nga provimet e detyruara, maturantët duhet të sigurojnë 50 pikët finale të testit.

Teza e provimit Gjuhë dhe letërsi greke”, për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke përgatitet nga drejtoria rajonale e arsimit në Gjirokastër. Sipas anuiteteve të MAS, teza provimit të gjuhës për seksionet dygjuhëshe shqip-italisht do të hartohet nga dikasteri italian i arsimit, dhe do të zhvillohet në datën 24 maj.

Po në këtë datë do të zhvillohet edhe provimi i gjuhës së huaj frëngjisht, për nxënësit që ndjekin seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze, testi i të cilës do të përgatitet nga Ambasada Franceze.

Po sipas udhëzimit të MAS, testet e dy lëndëve me zgjedhje kanë në përmbajtje 20 pyetje, 10 prej të cilave do jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila, ndërsa 10 pyetjet e tjera do jenë me shtjellim dhe vlerësohen me 30 pikë në total.

Maturantët që do të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje, pasi tjetrën e kanë kaluar gjatë sezoneve të shkuara do ta fillojnë provimin në orën 11:30.

May 23, 2017 10:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim