ZBULIMI / Ana pozitive e ngrohjes globale, që askush nuk e përmend!

October 27, 2019 20:06

ZBULIMI / Ana pozitive e ngrohjes globale, që askush nuk e përmend!

KARAVASTA dhe vërdallë – Duke sqaruar me këmbëngulje shkencore se gjetjet e tyre të fundit konfirmojnë që ndryshimet klimatike do të kenë edhe efekte pozitive në mjedis, biologët detarë të Universitetit Ujor të Karavastasë dolën dje të gëzuar para një grupi reporterësh të lagur.

“Jemi para jush për të treguar përse ngrohja globale nuk i meriton gjithë ato të shara që dëgjojmë lart e poshtë,” foli biologu i njohur Dr. Mustak Japraku, “sipas studimeve tona, pritet që deri në vitin 2040 temperaturat globale të rriten deri në atë pikë sa pjesa më e madhe e oqeaneve të shndërrohet në një supë të shijshme, aromatike, plot me copa kallamarësh, gaforresh, karkalecash dhe oktapodësh”.

Sipas z.Japraku, nëse njerëzimi vazhdon me kurajo të ngrohë planetin me këtë ritëm, robtë e zakonshëm mund të vijnë në bregdetin më të afërt, duke marrë më vete vetëm një lugë në brez, dy kokrra hudhra dhe ndonjë copë bukë të thekur.

“Maksimumi, ndokush mund të sjellë pak uthull dhe piper për ta lezetuar supën sipas dëshirës,” sqaroi eksperti i njohur.

Kuptohet, deklaroi ai, se është shkencërisht e pamundur që supa të jetë gjithkund njësoj.

“Përbërja e supës do të variojë sipas gjeografisë,” sqaroi Mustak Japraku, “për shembull, në Karavasta supa do të ketë më shumë shije levreku dhe gaforresh. Në Atlantik do të ketë më shumë shije peshku shpatë, apo toni në varësi të sezonit; njerëzit do kënaqen me supë balene dhe fokash prapë poleve, me supë peshkaqeni në ishujt japonezë e kështu me rradhë”.

Për shkencëtarin veteran, i vetmi problem mund të vijë nëse supa del aq e mirë, saqë niveli i deteve ulet me shpejtësi për shkak të konsumit të shfrenuar.

“Prandaj si një pasuri e pazëvendësueshme e njerëzimit, supa duhet trajtuar me respekt. Për këtë duhen hartuar që tani politika serioze qeveritare,” bëri thirrje Mustak Japraku.

“Dëgjuat ju, deputetët e zonës sonë që keni marrë frenat e qeverisë?” bërtiti ai duke iu drejtuar kamerave.

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Ngrohja gobale jo.  

October 27, 2019 20:06
Komento

2 Komente

  1. Jimmy Trendelina October 28, 13:06

    Kesaj rradhe e paskeni prish doren. Edhe si humor qeka i ngrof me shume zorr. Rrofte Greta Thunberg, perfaqesuesja e debilise shkencore suedezo-boterore.

    Reply to this comment
  2. Kape October 28, 18:11

    Autore, kapni ndonje violine politike, se per ambientin se rruan kush

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*