ZBULIMI / Befasuese, gjenden specie të reja Darvinësh në ishujt Galapagos

November 20, 2018 21:43

ZBULIMI / Befasuese, gjenden specie të reja Darvinësh në ishujt Galapagos

Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Belshit në Shijak kanë zbuluar një shumëllojshmëri befasuese natyralistësh deri më tani të panjohur nga shkenca në ishujt Galapagos!

Njoftimi i orëve të fundit bën me dije ekzistencën e mbi 400 llojeve të Darvinëve që jetojnë në ishujt e izoluar të Paqësorit.

Darvinët, të cilët sipas studiuesve kanë evoluar në mungesë të kontakteve me specie të tjera nga kontinenti, duket se kanë mbushur të gjitha degëzimet biologjike të munguara, duke zhvilluar gjatësi mjekrash që variojnë nga mjekra e shkurtër spic, tek ajo e gjata deri në gju.

“Analizat tona mbi gjetjet fosile sugjerojnë se Darvinët e zbuluar rishtaz, e kanë origjinën nga një paraardhës i përbashkët që ka mbërritur në arkipelag gati dy shekuj më parë,” tha biologu Safa Ymeri.

Sipas tij, diversiteti i hatashëm i Darvinëve buron nga fakti që këtyre specieve u është dashur të përshtaten për të mbijetuar në mjedise të ndryshme.

“Kështu, kemi Darvinë 6 cm të gjatë që futen nëpër të çarat e shkëmbinjve vullkanikë, por kemi edhe Darvinë 60-70 cm të gjatë me një mjekër të dukshme, që me kalimin e kohës kanë marrë ngjyrë rozë për shkak të ushqimit me karkaleca deti dhe peshk barbun, që këtu gjendet me bollëk”.            

Si një tjetër mrekulli të përshtatjes dhe evolucionit, shkencëtarët pohojnë faktin që disa prej Darvinëve më të mëdhenj kanë zhvilluar aftësinë e përdorimit të çibukut me duhan Taraboshi dhe gjyslykëve me numër.

“Natyra bën mrekullira,” theksoi dr. Safa Ymeri. “Mendoni se sa specie në gjithë botën do kishin përvetësuar instiktin e ndërrimit të kravatave, të organizmit të ekspozitave të pikturës ndërsa janë kryeministra, të qenies de fakto në pushtet edhe pse janë në opozitë etj, sikur ta kishim lënë natyrën të bënte punën e saj”.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike evolucionare

November 20, 2018 21:43
Komento

3 Komente

  1. Niko November 21, 18:10

    Mor po kta qenkan specie te reja kadri roshash, jo darvinash

    Reply to this comment
  2. S November 24, 13:38

    #Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Belshit në Shijak kanë zbuluar një shumëllojshmëri befasuese natyralistësh deri më tani të panjohur nga shkenca në ishujt Galapagos!#
    Ku eshte ky universiteti ne Belsh apo Shijak??

    Reply to this comment
  3. Ladi November 25, 17:32

    Zoti S. Besoj se kta te rubrikes analogjine e kane te qarte. Si psh universiteti Nju Jorkut ne Tirane, universiteti Shefildit ne Selanik…. etj etj, ashtu dhe universiteti Belshit ne Shijak. Dmth eshte hap ne Belsh,por ka pas aq shume sukses saqe ka hap dege edhe ne Shijak, ku konkurrenca sic dihet, eshte vrastare….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*