ZBULIMI / “Gjetëm kurën e depresionit”, bërtasin frenetikisht shkencëtarët e paqëndrueshëm

August 3, 2018 18:50

ZBULIMI / “Gjetëm kurën e depresionit”, bërtasin frenetikisht shkencëtarët e paqëndrueshëm

 

TIRANË – Duke folur me zë të lartë, me gjeste frenetike dhe duke ndërprerë njëri-tjetrin, një grup studiuesish emocionalisht të paqëndrueshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Baba Myfiti” në Tiranë, shpallën para mediave se aktualisht ndodhen vetëm disa orë larg gjetjes së një kure përfundimtare kundër depresionit.

Mjekët me bebet e zgjeruara të syve, që lëviznin frenetikisht lart e poshtë podiumit të konferencës për shtyp teksa tundnin kokën në mënyrë spazmodike, u thanë gazetarëve se pas studimit të qindra subjekteve dhe kryerjes së shumë testeve klinike, pritet që brenda kësaj mbrëmjeje të gjendet trajtimi i plotë mjekësor për këtë çrregullim mendor të epokës modern që po përhapet me shpejtësi.

“Depresioni është një sëmundje komplekse dhe serioze mendore, por nuk ka asnjë arsye që mos ta shërojmë brenda kësaj nate”, deklaroi dr. Menduh Kacafiu, udhëheqës i ekipit studimor, duke u dridhur nga euforia pasi kishte punuar non stop për 57 orë dhe kishte konsumuar 4.5 litra kafe.

“Edhe pak eksperimente na kanë mbetur, dhe gjithçka merr fund!”, shtoi ai me entuziazëm.

Duke tundur fletët e shumta A4 që mbanin në duar, shkencëtarët shpjeguan se ishte çudi e madhe sesi nuk e kishin menduar këtë gjë më parë.

Të bindur se me forca të përqendruara, ata tani po kryenin 20-25 zbulime shkencore në orë dhe kishin shkruar 450 fletë me shënime akademike, mjekët deklaruan se brenda gjysmë ore kishin ndërmend ta publikonin zbulimin e tyre për gjithë botën.

“Ishte shumë e thjeshtë. Mund të themi se zbulimi më i madh mjekësor i këtyre dekadave, faktikisht zbuloi veten. Deri nesër në mëngjes, depresioni klinik do të jetë zhdukur nga faqja e dheut”, pohoi neurologia Psikika Pati duke qeshur me të madhe.

“Jemi shumë afër. Asgjë nuk na ndalon dot tani”, shtoi ajo duke qarë me dënesë pak më vonë.

Grupi i shkencëtarëve filloi të bëjë gjestikulacione secili për hesap të vet, dhe të gjithë morën nga një shkumës dhe nisën të shkruajnë në një dërrasë të zezë, duke e mbushur me formula, ekuacione dhe shënime.

“Ja, e shihni sa e thjeshtë? Do bëjmë një thes me para”, thanë ata, duke e siguruar audiencën se nuk kishin fare nevojë për gjumë, as për qetësim.

Në vijim të kësaj ideje, mësohet se profesionistët me bluza të bardha heshtën papritur, u plasën nëpër karrige dhe pohuan se kishin bërë një vërë në ujë, pasi depresioni klinik është i pamundur për t’u kuruar.

Shënim: Gojët e liga është rubrikë antidepresive. Shoqërohet me bozë meli

August 3, 2018 18:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*