e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Zbulimi në Romë: 1800 vjet më parë bëheshin operacione në tru

0
Redaksia Online
Postuar më: 24 Dhjetor, 2012 tek Lajme Flash
kafka

Emrin nuk ia di askush, madje nuk dihet nëse ishte femër apo mashkull. Ishte pesë apo gjashtë vjeç dhe ka jetuar në shekullin e dytë pas Krishtit në Fidena, një qytezë e vogël pak kilometra larg Romës. Ishte koha e perandorëve Traian, Adrian, Antonino Pio e Mark Aurel dhe Perandoria Romake ishte në kulmin e lulëzimit të saj. Politikat e prendorisë shiheshin me sy të mirë dhe ishin miratuar edhe ligje në favor të skllevërve. Madje mund të flitej për perandorë të mirë. Pra, ishin shekuj të artë për Perandorinë Romake. Qyteza banohej nga njerëz të pasur, por edhe fshatarë që kishin në pronësi shumë toka. Fëmija në fjalë është operuar pikërisht në atë kohë. Një ndërhyrje shumë delikate në tru. Fëmija i mbijetoi operacionit, por vdiq pas një muaji. Trupi u varros në varrezat e fshatarëve, për të parë sërish dritën e diellit dhjetëra shekuj më vonë, në fund të viteve 1990.

 

Zbulimi

Me daljen në dritë të eshtrave të fëmijës, arkeologët e kuptuan menjëherë se kishin të bënin me një dëshmi të rrallë të operacionit në tru të kohëve antike. Sot, 20 vjet pas zbulimit, fëmija i Fidenës prehet në Muzeun e Historisë dhe Mjekësisë në Universitetin “La Sapienza”, në Romë.

Sytë e vizitorëve ngelin te vrima e madhe në kafkë. Duket e pabesueshme se si pothuajse dy mijë vjet më parë, kur nuk kishte as antibiotikë dhe as anestezi, është kryer një ndërhyrje e tillë. “Kjo gjetje është unike pasi kemi të bëjmë me provën më antike të një operacioni në një farë mënyre paliativ, për të kuruar një sëmundje të rëndë cerebrale. Me shumë gjasa, fëmija kishte një tumor në kokë”, thotë drejtoresha e muzeut, Valentina Gazzaniga.

 

Sëmundja

Le të kthehemi pas në kohë për të kuptuar se çfarë mund t’i ketë ndodhur vogëlushit të Fidenës. Kafka e tij ishte më e madhe se norma, me kockën të shtyrë nga një masë e brendshme. Fëmija mund të ketë vuajtur nga dhimbje të tmerrshme koke, të vjella, konvulsione, kriza epileptike dhe mpirje totale të trupit. Ndoshta ndërhyrja është kryer për të gjetur një mundësi që do t’i lehtësonte vuajtjet, pasi vrima në kafkë dhe heqja e një pjese të kockës ngjan si një tentativë për ta çliruar nga presioni që ushtrohej nga brenda. Vrima me diametër rreth 5 cm dhe riformimi i materialit kockor në buzët e saj tregon se fëmija ka jetuar edhe të paktën një muaj pas operacionit. Po si është e mundur që një operacion i tillë ka qenë i përballueshëm për një fëmijë që vinte nga një familje e varfër. Historianwt thonë se padroni në atë kohë ishte si një baba për skllevërit dhe njerëzit e lirë që punonin për të. Ai kishte detyrime juridike dhe morale karshi tyre, mes të cilave edhe përkujdesja shëndetësore.

 

Opium dhe verë

Në Romën e periudhës perandorake, shekulli i dytë ishte një periudhë e artë për mjekësinë dhe kirurgjinë. Mjekët kryenin ndërhyrje shumë të vështira si heqja e gurëve apo trajtimi i hernieve dhe kataraktës. Kirurgët nuk kishin shumë njohuri mbi anestezinë dhe dezinfektimin e mjeteve. Megjithatë, ata u jepnin pacientëve opium apo verë dhe i lanin instrumentet me ujë dhe uthull. I njohur në atë periudhë është mjeku Galeno, i cili sipas disa historianëve mund të jetë edhe kirurgu që ka operuar fëmijën.

 

Ndërhyrja

Sipas analizave të paleopatologëve, mjeku kishte hapur kafkën në vendin ku presioni i brendshëm ishte më i madh dhe zona ku është ndërhyrë ishte më e sigurta për parandalimin e hemorragjive. Dalta e kirurgut kishte ndjekur një vijë në formë U-je dhe më pas kocka është hequr, një teknikë kjo e ndryshme nga ato të kohës, kur ndërhyrjet bëheshin në raste traumash. Plaga është fashuar dhe mjekuar sipas recetave të dr. Galenos: pluhur rrënjësh të barërave të ndryshme, vaj trëndafili, gjak i ngrohtë pëllumbash, pluhur koralesh të zeza dhe një përzierje uthulle, mjalti dhe kripe deti. Por siç tregojnë analizat, plaga është infektuar pak ditë më vonë, gjë që mund të ketë çuar edhe në vdekjen e shpejtë të fëmijës. Analizat tregojnë se sëmundja nuk kishte shkaktuar dëme në shëndetin e fëmijës deri në fund. Duke pasur parasysh se pacienti i vogël vinte nga një shtresë e ulët shoqërore, përveç kirurgut, për të mund të jetë kujdesur edhe ndonjë servus medicus, një skllav që kishte marrë njohuri mjekësore dhe mund të kuronte skllevërit e tjerë ose njerëzit e lirë.

Fëmija i Fidenës është një dëshmi e jashtëzakonshme që tregon se edhe shumë shekuj më parë, mjekët kërkonin me çdo kusht e me dhembshuri t’i merrnin vdekjes nga kthetrat të sëmurët e tyre. / Gazmira Sokoli


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)