ZBULIMI: Uji i detit cektohet pas konsumimit të çdo kanoçeje birrë
Nga Arkiva
SARANDE – Të ndodhur buzë bregut të detit pas festimit të një ditëlindjeje, një grup studentësh të shkëlqyer të hidro-inxhinierisë u shprehën të bindur të martën e kaluar, se thellësia e detit Jon vjen duke u ulur pas çdo kanoçe birrë që një individ konsumon, mësojnë Gojët e Liga.
“Uji i detit në përgjithësi vërtet që paraqet një rrezik real për qytetarët e esëllt, por kemi zbuluar se thellësia e ujit vjen duke rënë në mënyrë progresive, me çdo kanoçe birrë apo gllënjkë raki që konsumon subjekti i interesuar”, deklaroi solemnisht 22 vjeçari Marin Tumblla me gjuhën e trashur. “Ja, e shihni sa cekët?” ftoi ai shokët duke hyrë në breg.
Ai elaboroi më tej tezën, duke sqaruar se po ashtu edhe niveli i lumenjve dhe liqeneve, vjen në ulje drastike, sa më shumë vjen në rritje niveli i alkoolit në gjakun e subjektit; aq më shumë është e vërtetë kjo, kur subjekti studion për hidro-inxhinieri.
“Është e sigurtë të themi se siguria e ecjes drejt ujit dhe vazhdimi brenda në ujë, është në raport të drejtë me konsumimin e kanoçeve të birrës apo shisheve të ponçit”, pohoi 21 vjeçari Bujar Kopraci duke iu marrë këmbët, “dhe diçka tjetër: Me 10 kanoçe, temperatura e ujit ngrihet me 15 gradë”.
Përfundimet e eksperimentit shkencor pritet të mësohen së shpejti në lajmet e kronikës, njoftojnë burimet.
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që promovon futjen esëll në det apo në çdo sipërfaqe tjetër me ujë
Studim leshi. Pas kanoces vjen shurra. E shurren ne det e bejme te gjithe keshtu qe ska baza studimi