Zbulohet “Radëshi me 3 000 vjet histori”

April 22, 2018 11:10

Zbulohet “Radëshi me 3 000 vjet histori”

 

Nga Bashkim Koçi

Sa mirë ndjehet lexuesi, kur, pas shumë zhgënjimesh, i bie të lexojë një libër i cili është shkruar “me zemër në dorë”, me përgjegjësi intelektuale dhe  ai, pra autori,  në çdo radhë a faqe të shkruar ka menduar “fundin”. Fundin e emrit të tij si autor, por edhe fatin e librit i cili, kur ti ta  kesh mbaruar së lexuari, të mos bëhesh pishman për kohën e humbur. Përkundrazi, të të krijojë e sjellë ndjesi të munguara e të çmuara nga çdo këndvështrim  i trajtimit të vlerave të librit. Një i tillë, mik me “trurin plot”, është edhe “Radëshi me tre mijë vjet histori”, shkuar nga Neim Mustafaraj (botuar pas vdekjes), mësuesi “Ndre Ndue Gjokë” skraparas, i cili me një punë disa vjeçare sfilitëse, në kushte tmerrësisht të papërshtatshme,  ka mundur  të hedhë në vandaqe  letrash format, me shirit “të lodhur” shaptilografi, të gjithë historinë, të shkuarën e deri në ditët e sotme, të fshatit Radësh, por dhe të Skraparit.

Një gjë më duhet ta them si për fillim. Libri “Radëshi në tre mijë vjet histori”, ashtu si ai, mësues Neim Mustafaraj, gjatë leximit të sillet si një mik i qetë e i urtë dhe që “të jep fjalën” se do të jetë  përherë  këshilltar i gjindshëm dhe mësues i durueshëm. Nxirret ky përfundim për faktin e thjeshtë: Materiali i grumbulluar me aq këmbëngulje e fanatizëm,  me përpikmëri  të pashoqe nëse iu referohemi burimit popullor, në faqet e librit rrjedh lirshëm, pa asnjë sforcim të sajuar dhe me përgjegjësinë njerëzore se dikur ky libër do të mund të ballafaqohet  me kërkesa shkencore.  Nga ky këndshikim, pra i “frikës” për të mos mbetur peng i ndonjë gabimi të mundshëm njerëzor, autori ka sforcuar veten, i ka thënë “jo” hedhjes të shënimeve badjava, studimeve  shkollareske.  “Brumi” nga do të përgatitej “Radëshi me tre mijë vjet histori”  është marrë ashtu si është ngurosur nga koha,  i konservuar  në mijëra vite jetë njerëzore.

Njohja e së kaluarës, e historisë njerëzore, e folklorit, toponimisë, qoftë edhe të një fshati apo zone të caktuar siç Skrapari është stoli, por është edhe ushqim i mendjes për breza njerëzish. Çuditërisht  mësuesi Neim Mustafaraj nëpërmjet librit të tij, të shkruar me aq dashuri, na ka sjellë stolira të florinjta dhe, pa asnjë mëndyshje, do të shërbejnë jo për të shuajtur kuriozitetin e lexuesit  rreth “fizionomisë” të mijëravjeçarëve të shkuar, por për të shërbyer si fond i çmuar studimi për të gjithë ata që do të interesohen  për të gjetur realisht magjinë e jetës në shekuj. Ne e kemi ditur se ky autor i një libri modest ka qenë  bashkëpunëtor i denjë i institucioneve shkencorë të folklorit në shkallë vendi dhe mik me vlera të spikatura të Prof. Andokli Kostallarit, Dritero Agollit, poetit Xhevahir Spahiu e Ali Podrimnja,  Prof. Shaban Sinanit etj., por kur lexon “Radëshi ne tre mijë vjet histori” krijon bindjen se vlerat  dhe puna shkencore e këtij mësuesi kokëulur, të urtë deri tek ai, të pasionuar  e skrupuloz  i pashembullt, kanë qenë në lartësi të admirueshme.

Shkrimtari Neim Mustafaraj mbetet emblemë e njeriut punëtor, e intelektualit që sakrifikoi  për të lënë diçka pas shumë përpjekjeve shumëvjeçare në fusha të caktuara, por në veçanti në atë të folklorit. Por sado natyral që mund të jetë talenti i njeriut, akti i të shkruarit nuk mund të mësohet i gjithi menjëherë. Në këtë kuptim, nëse sjellim fakte nga puna e tij mahnitëse për të studiuar, për të mësuar të tjerët, për të nxjerrë “perla” nga e kaluara, mund të shkojë shumë bukur  krahasimi i sjellë nga redaktori i librit, historian Petrit Zeneli. Kur studion punimet e tij, thotë historian,  të duket sikur përballesh me “Lulin e vocërr” të Migjenit,  “Gavroshin” e Hygoit, apo “Coli” i Debatikasve.

Neim Mustafaraj nuk ka qenë një dhaskal fshati, një mësues i cili paska guxuar të shkruaj për një copëz vend, për një fshat apo zonë  për jetën me tre mijë vjet histori.  Fatmirësisht ai është shumë më shumë, me punë të mëdha, të vlerësuara nga institucione akademike. Ai mbante lidhje të ngushta me Institutin e Gjuhësisë, me Institutin e Folklorit, me Akademinë e Shkencave, me autoritete e personalitete shkencorë, të cilëve sapo u trokiste tek dera, ishte i mirëpritur dhe ndjehej i barabartë midis të barabartëve. Ai pritej e vlerësohej si ta kishin koleg, si të ishte pjesë e stafit kërkimor-shkencor. Kur mbaron së lexuari “Radëshi tre mijë vjet histori” nuk ka si të mos shkojë mendja për të pyetur: Ka ndonjë gradë shkencore  a vlerësim moral ky Neim Mustafaraj? Fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk ka. Sidoqoftë veprimtaria kërkimore historike, gjuhësore dhe kulturore e tij është një pasuri e pafundme, me një larmi e tematikë të gjerë, deri në krijimtari të mirëfillta letrare që në total i kalon 15 mijë faqe krijimtari.

Kurora mbetet vetëm një: “Radëshi në tre mije vjet histori”.

April 22, 2018 11:10
Komento

2 Komente

  1. Ana Mesi April 23, 22:27

    More miq, c’behet keshtu?! Tre mije vjet histori nuk ka Roma. Eshte i nderuar kush shkruan per vendlindjen qofte edhe nje fraze te vetme e jo me nje liber, por sic thote populli “Gjella me kripe kripa me karar”.

    Reply to this comment
  2. T. Voda April 24, 02:42

    —zoti Bashkim pershendetje…
    Ku LIBER , do te ishte me shume i besushem ne se ju do te kishit shkruar [ reklamuar ] dick a me konkrete , prej atij punimi qe ti ke marre per siper ta reklamosh .
    — Para 15 vjetesh, te kam ndegjuar se po studjoje shtypin e kohes per luften e pare botrore ne JUG TE SHQIPERIS. Ankoheshe se nuk jane pasqyruar te plota BARBARITE GREK ne vitet 1913 -14…., Eshte me lehte e me me interes per historine , brezat te dine fakte e shifra konkrete te asaj perudhe para 105 vjetesh se sa ate para 3000 vjetesh ..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*