Zef Mala, Mes lavdisë dhe persekutimit

Gjon Fierza April 19, 2015 12:19 Updated

Zef Mala, Mes lavdisë dhe persekutimit

 Janë të rrallë personalitet njëherazi të persekutuar (burgime, internime, vdekur në burg), por dhe të lavdishëm, për vlerat si intelektualë, si drejtuesë politikë e shoqërorë, në një vend të vogël si Shqipëria. Për ata që nuk e njohin, Zef Malen, ose ata që e njohin disi ndryshe, sipas të pavërtetave në Historinë e PPSH, mund të themi se është një nga figurat më të jashtëzakonshme të politikës – përfaqësues i së majtës shqiptare.

Në këto njëzet e pesë vitet e fundit, pas vendosjes demokracisë, për dhjetëra personalitete shqiptare të fushave të ndryshme, të vdekur apo që jetojnë, janë bërë me qindra shkrime e vlerësime, janë dhënë me dhjetëra tituj nderi, dekorata dhe dëmshpërblime, për persekutimin e tyre nga regjimi komunist. Sigurisht ky është një detyrim historik e ligjor i shoqërisë  edhe disa personalitete të tjerë, që ndoshta nuk ka palë të interesuara politike direkt, familjarë dhe të afërm që të nxisin apo, si thonë, të “sponsorizojnë” në njohjen dhe evidentimin e vlerave dhe kontributeve të tyre. Një nga këta është Zef Mala, të cilit historianët, mendimi politik e filozofik shqiptar dhe qeverisja e kohës vazhdojnë “t’i mbeten borxh”.

Te ky personalitet mund të themi se ishin të mishëruara: filozofi e politikani, historiani e shkrimtari, juristi e ekonomisti, esteti e gazetari; ndoshta një njeri unikal i trojeve shqipfolëse. A jemi sot në ditët e së nesërmes së Zef Males që ai besojë njohjen e meritave dhe mbrojtjen e tij?! A jemi para një amaneti të pa mbajtur, a duhet të vinë ditë të tjera dhe sa kohë duhet të kalojë që Zef Mala të ketë vlerësimin dhe vendin e nderuar që meriton. Ndonëse ai themeloi e drejtoi njërin nder grupet komuniste më të rëndësishme në vend, ai nuk u ftua në themelimin e PKSH, pra, asnjë ditë ai nuk qe anëtar i PKSH. Që në ditët e para të jetës së PKSH, do të ishte kundërshtar i hapur i veprimtarisë së sajë të drejtuar nga Enver Hoxha. Ai u dënua e u persekutua, pasi hapur me fakte dhe argumente, kritikoi Enver Hoxhën, regjimin dhe qeverisjen e tij, regresin që i solli Shqipërisë, duke larguar nga gjiri i Evropës dhe i demokracisë.

Edhe pse kaluam një çerek shekulli shtet demokratik, akoma emri dhe vepra e Zef Males nuk kanë zënë një vend të merituar në shkencën albanologjike, nuk mjaftojnë ato pak gjëra që kanë synuar në publikimin dhe njohjen e veprës dhe kontributit te tij. Ndoshta për herë të parë në vitin 2000 një gazete e ditës do botonte një dosier “Zef Mala e themeloi Partinë para Enver Hoxhës” (D. Kaloçi). Në vitin 2002, me kontributin e vajzave (Maria dhe Esmeralda) dhe të studiuesit L. Ndoja, kemi një botim të disa shkrimeve të Zef Males në titullin “Vox Populli-Zëri i Popullit”. Po në ketë botim është “Testamenti politik”- Promemorie e Zef Malës, drejtuar Mehmet Shehut. Në veprën “Rrno për me tregue” të të ndjerit at Zef Pëllumbit ka një përshkrim të njohjes Zef Malen, duke e vlerësuar si njërin nder intelektualet dhe personalitet me të rëndësishëm të kohës. Në botimin e Ndriçim Kullës (2014), “Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar nga viti 1807 deri në vitin 1957”, Zef Mala do të ishte i përzgjedhur ne këtë botim midis 25 personaliteteve të kohës, me disa shkrime publicistike të përzgjedhura nga “Vox populli”. A thua mjafton kaq për të hequr të gjithë atë “baltë të hedhur nga E. Hoxha dhe kalemxhinjtë afër tij”, të konsideruar si utopist, si tradhtar dhe përçarës i lëvizjes komuniste, me konceptet ideologjike e politike të kufizuara, etj., e shoqëruar kjo me privim të lirisë deri me dhunim të jetës për 50 vite? Sigurisht që jo.

Është e udhës dhe si detyrim moral i historianëve, analistëve, politologëve dhe studiueseve të ndryshëm, që të ndriçojnë figurën poliedrike te Zef Malës, si mendimtari i parë politik laik i drejtimit social-demokrat shqiptar, opozitari i shekullit 20-të. Jeta dhe veprimtaria e tij shumëdimensionale është ndoshta ndër më të spikaturat në messhekullin e 20-të. Në një moshë të re ndoshta me pak se 20-vjeçare me shkrimet e tij që në vitin 1934 në revistën “Arbnia”, më vonë në revista të tjera, do të shfaqte idetë e një iluministi social-demokrate. Shoqëria shqiptare, qysh nga vitet ’30 të shekullit të kaluar e njihte Zef Malën si një nder themeluesit si drejtuesin e Grupit Komunist të Shkodrës, njëri ndër grupet kryesore me veprimtari jo vetëm në Shkodër, por në Kosovë, Tiranë, Elbasan, Korçë, etj. Veprimtaria e tij kishte një bazë teorike, kishte një angazhim aktiv politik dhe filozofik, për ndryshim dhe përparim të Shqipërisë. Me këtë qasje (ndryshe një lufte guerile), për më se një dekadë me një veprimtari të madhe politike, publicistike do të kundërshtonte hapur regjimin monarkist të Zogut. Me tej ai aspironte për një Shqipëri në tërësinë e Evropës, si vend të zhvilluar e demokratik.

Zef Mala, tek analizon veprimtarinë e tij thotë: “… Në qoftë se në rininë time të parë, sentimentalizmi e fanatizmi djaloshar më patën shtyrë me përqafue idetë luftarake të lëvizjes komuniste ndërkombëtare si udhën e vetme për të përmbushur aspiratat e popujve për liri barazi, drejtësi sociale e progres të përgjithshëm, pjekuria e mendimit në një moshë ma ta shtyme me studimet e mia në ndërkohë më patën prirë tashma drejt një socializmi demokratik e liberal, humanist e kritik, si udhë e domosdoshme për të siguruar atë liri e drejtësi sociale pas të cilën asnjë shoqni njerëzore nuk mundet të ndërtohet e të përparojë.”

Jeta në liri fizike e Zef Malës qe e pakët, ai u dënua me rreth 60 vjet burg. U burgos dhe u përndoq që nga viti 1937 e deri sa ndërroi jetë në burgun e Tiranës më 31 dhjetor 1979, nga tri qeveri (e Zogut, pushtuesit italian dhe qeveria e Enver Hoxhës). Edhe në periudhat jashtë burgu, ai ishte i izoluar, pra e gjithë jeta dhe veprimtaria e tij mbeti në një mbikëqyrje të shtetit komunist. E si të mos mjaftonin gjithë këto dënime, në rrethana të ndryshme janë zhdukur dorëshkrimet, mjaft libra, studime e botime të ndryshme, të gjitha këto për të mos u njohur në thelb Zef Mala.

Filozofia, kritika, orientimet dhe qëndrimet politike të Zef Malës janë aktuale dhe në ditët e sotme. Këto pjesë të shkëputura nga artikujt e botuar 70-80 vite më parë, në të shumtën e tyre duken sikur janë shkruar sot, si çështje që diskutohen e shtrohen aktualisht për zgjidhje në jetën dhe politikën shqiptare.

 

 

Nga testamenti politik i Zef Malës

“Meritat dhe mbrojtjen time ia kam besue Historisë së nesërme”…

 

Duke qëndruar hapur kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës (pas viteve 50 ishin të pakët ata që mendonin dhe akoma me të pakët ata që merrnin guximin të shkruanin e dilnin hapur), por me një shpresë në të ardhmen Zef Mala në testamentin politik do të shprehej :

Unë di se në Arkivat shtetërore ruhen arka me dokumente që i përkasin aktiviteteve të mia të dikurshëm, që do të dëshiroja të baheshin publike i bindur, se nuk janë të shumtë ata persona të shquem në horizontin shqiptar tash 70 vjet e këndej që posedojnë qoftë në jetën e tyre private e qoftë në atë politike një pastërti morale e politike të krahasueshme me atë që karakterizon jetën dhe veprën time, prandaj mbrojtjen time ia kam besue Historisë se nesërme, e cila do të më njohë meritat që më takojnë jo vetëm për sa kam ba, dhe nuk asht pak, dikur për vendin tim, por sidomos për atë që nuk kam ba, e nuk kam pranue t’i baj që nga kthimi im në atdhe e deri sot e në mënyrë të veçantë për mendimin tim se e ardhmja e Socializmit kalon nëpër udhën e lirive në realizimin e një shteti të themeluem mbi konsensin e lirinë të vullnetshëm e të gjithë shtetasve të ngritun në shkallë qytetarie e në kuadrin e një pluralizmi e opinionesh që janë refleks i pluralizmit politik, social, ekonomik, kulturor e moral në të cilën merr trajtë e përmbajtje çdo shoqni njerëzore e në çdo sistem qeverimi

 

 

Në Arkivin e Shtetit, si peshku në ujë!…Zef Mala e botimi  Vox POPULLI

Me urdhëresën e Kryeministrit nr. 21 datë 8.6.1949, krijohet Arkivi i Shtetit. Ky institucion e kishte vartësinë nga Kryeministria, drejtor u emërua Zef Mala, si themeluesi kryesor, si personalitet me kulturë e vizion, si njeri erudit e njohës i disa gjuhëve të huja. Në këtë detyre, ai punon me pasion dhe profesionalizëm. Grumbullon fondet arkivorë të shpërndarë e të shkatërruar në gjithë Shqipërinë, bën kodifikimin sipas sistemit austriak. Ai bashkepunoj me specialistëtë në arkiv; Injac Zamputti-latinisht, Sotir Papahristo-greqisht, Jonuz Tafilaj-turqisht. Zef Mala merrej vete me dokumentet gjermanisht-anglisht, ai krijoi fondet arkivore të Lumo Skëndos, Mirash Ivanajt, Mehdi Frashërit, Mustafa Krujës, Fishtës, Luogo Tenenza-s-‘Jakomonit’, Lef Nosit dhe të gjithë ministrave që u qenë konfiskuar arkivat. Gjithashtu arkivoi kodikët e regjistrat e kishave të Elbasanit Tiranës dhe shkresat zyrtare të Bashkisë të shkruara turqisht etj. Bashkëpunoi ngusht me Aleks Budën që aso kohe ishte shefi i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave. Zef Mala për pasurimin Arkivit te Shtetit, nisi të blejë materiale të ndryshme me vlera te mëdha nga antikuaristët privatë, si: Jashar Erebara, Teki Selenica, etj.

Në vitin 1950, përgatit një dispensë historie për Institutin Pedagogjik “Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924”, (e konfiskuar dhe e humbur).

 

Kush ishte Zef Mala, i dënuari në tre regjime

Zef Mala, ka lindur me 14 prill 1915, prindërit e tij ishin Gjoni dhe Shaqja. Gjyshi i tij (nga ka marrë dhe mbiemrin) ka qenë Mal Jaku, i njohur në krahinën e Pultit si i pari i fisit “Pepaj”, patriot e luftëtar në mbrojtje të trojeve amtare. Vendlindja e Zefit, shkruhet Shkodër, ndërkohë që sipas gojëdhënave; thuhet se ai ka lindur dhe jetuar deri në moshën 4 vjeçare në lagjen Mahallë në fshatin Plan të Dukagjinit. Gjoni i ati, në kërkim të një jete më të mirë dhe për të shkolluar fëmijët u shpërngul për në qytetin e Shkodrës ndërkohë që dhe bashkëshortja i vdiq, kështu Zefi që i vogël mbeti jetim.

Në vitin 1933, mbaron “Kolegjin saverian” të Urdhrit Jezuit në Shkodër me rezultate shkëlqyeshëm (nota10). Një vit më pas vendoset në Tiranë, publikon në gazetën “Besa” artikuj tematikë mbi shoqëritë rinore dhe shkruan në rubrikën “Jetë shkrimtarësh të mëdhenj”. Shfaq mendime letrare për shkrimtarët italo-arbëreshë e bashkëkohorë si E. Koliqi, E. Haxhiademi, etj. Po këtë vit 1934 fiton një bursë shtetërore nga qeveria e Zogut për studime në Universitetin e Vjenës në Fakultetin e Filozofisë. Aty ai, bie në kontakt me teoritë e së majtës Evropiane.

Në vitin 1935 boton revistën social-politike “Fryma e re” në Shkodër, ndalohet që në numrin e parë. Më pas punon si redaktor në gazetën “Arbënia” në Tiranë, si dhe bashkëpunon me revistat; “Minerva”, “ABC…”. Në vitin 1936, pas dy vite studimesh , kthehet në Shkodër pasi i ndërpritet bursa nga Qeveria e Zogut. Në vitin 1937 themelon grupin komunist të Shkodrës me ndihmesën e Vasil Shantos, Gjovalin Lukës, Niko Xoxit, Tuk Jakovës, Qemal Stafës, etj. Boton materiale propagandistike komuniste e analiza sociale për Shqipërinë. Kritikon sistemin monarkist dhe kërkon organizimin sindikal kundër regjimit të Zogut. Kërkon përfaqësimin e krahut të majtë në parlamentin shqiptar. Në dhjetor 1938 boton organin politik të grupit komunist të Shkodrës “Buletini jeshil”, i cili arrin në numrin 3 dhe mbyllet. Zbulohet veprimtaria kundër regjimit, arrestohet Zefi me gjithë anëtarët e grupit dhe kallëzohet në hetuesi, i sekuestrohen materialet propagandistike e mjetet e shtypit.

Me 11 Shkurt 1939 del në gjyqin e hapur që zhvillohet në Bashkinë e Tiranës. Zef Mala dënohet me 10 vjet burg, me akuzën: “krijimin e një organizate komuniste e thirrje për rrëzim me dhunë të sistemit kushtetues”. Në këtë “gjyq politik për propagandë komuniste” mbi 70 veta, kryesisht të rinj, akuzohen për lidhjet me Zef Malën. Fillon vuajtjen e dënimit në Mbrezhdan të Beratit. Çfarë thuhet në historinë e PKSH për këtë gjyq dhe për Zef Malën janë të pavërteta, të qëllimshme për denigrimin e tij.

Me 6 Prill 1939, bashkë me Vasil Shanton dhe të burgosur të tjerë shpërthejnë burgun dhe nisen që të organizojnë mbrojtjen nga pushtimi fashist në Durrës, ndërkohë mbreti Zog qe arratisur nga Shqipëria. Ishte tepër vonë, me 7 prill fashistët italianë kishin zbritur dhe tashmë kishin pushtuar Shqipërinë. Ai me shokët ndërrojnë rrugë, arratisen në Jugosllavi. Aty nuk u pranuan si azilantë politikë, ndaj u kthyen menjëherë.

Në korrik të vitit 1939 “Për meritë të Zef Malës u krijua Partia Komuniste Shqiptare”, kujton Kasëm Trebeshina. Ai, jo më shumë se 24 vjeç, me mençuri e tolerancë mundi të forcojë organizatën, por dhe bashkoi bile dhe njerëz me pikëpamje shumë të kundërta, të vendosë lidhje me partitë e majta italiane. Kjo parti nga E. Hoxha është quajtur si Partia socialdemokrate e Zef Males.

Në nëntor 1939 kapet nga fashistët si organizator i demonstratave dhe internohet për 5 vjet në ishullin famëkeq “Ventotene” në kampin e Santo Stefano-s në Itali. Vuan dënimin në shoqërinë e personaliteteve politikë të rezistencës antifashiste italiane, të majtë e demokristianë të De Gasperit, Sandro Pertini (president i Italisë), Luigi Longo, Pietro Neni, etj. Në këto vite ai thellon studimet, tashmë jo vetëm për filozofi, por dhe për letërsi e arte, për ekonomi e jurisprudencë. Ai tashmë zotëronte mjaft mirë gjuhët e huja: gjermanisht, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe latinisht. Përsëri ruan kontaktet me “Grupin e Shkodrës”, mbledh ndihma për të, me anë të P.K. Italiane në Bolonja.

Në verën e vitit 1943 e kthejnë nga internimi në Tiranë për t’u rigjykuar. Gjykata e dënon përsëri me 15 vjet burgim, ku mundi të arratiset nga burgu i Tiranës me disa komunistë të tjerë. Mundi të qëndronte i fshehur në Tiranë tek dajat e tij (Luigj, Filip e Shuk Shukaj). Pas disa ditësh ai me kërkesë të Enver Hoxhës shkon në batalionin e dytë të Grupit të Pezës ku ndodhej dhe Miladin Popoviçi . Në verën e vitit 1944 në një takim në Pezë me Enver Hoxhën dhe Miladin Popoviçin pyetet nga Miladini për qëndrimin që duhej mbajtur nga komunistët pas luftës ndaj Kosovës. Zefi shprehet në takimin se çështjen e Kosovës do ta zgjidhë populli me zhvillimin e një plebishiti pas luftës.

Më 4 prill 1944 E. Hoxha urdhëron Nako Spirun të mos lejojë Zef Malën të shkojë në Kosovë, përkundrazi “ta dekoroni me një plumb kresë, se s’është i mirë dhe duhet të zhduket”(!).

Në vitin 1945 shkon në Itali për të operuar sytë . Nga studimet, shkrimet e përkthimet e shumta shikimi ishte pakësuar mjaft. Rivendos kontakte me miqtë antifashistë, tashmë aktivë në politikën italiane. Ju krijuan dhe ju afruan mundësitë për të qëndruar në Itali, por ai nuk pranoi. Ndër kohë iu dha një mundësi për të mbajtur një fjalim në Piaca Venecia – Romë, në “Mbrojtje të çamëve që masakroheshin nga grekët”, fjalim që pati jehonë në shtypin italian.


Tirane 4 Shtator 1947.Gjyqi kunder grupit te Deputeteve.Foto:AtshNë vitin 1946, pas kthimit në Shqipëri, kur punonte në bibliotekën kombëtare, arrestohet papritur, dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit; “Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me Partinë Komuniste Jugosllave” . Kryen dy vjet dënim, lirohet më 19 janar të vitit 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Koci Xoxes.

Në vitin 1955, arrestohet e dënohet me 5 vjet burg motivacioni “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim” . Në vitin 1958, një delegacion italian dërguar nga L. Longo i kërkon Enver Hoxhës, lirimin e Zefit nga burgu, lejimin e tij për të shkuar në Itali. Kërkesa nuk u realizua.

Në vitet 196l- 1964, internohet në Zvernec të Vlorës ku gjeti dhe krijoi shoqëri me K. Trebeshinën, S. Gjokën, gazetarin F. Proko, etj. Aty shkroi një traktat filozofik prej rreth 140 faqe, të cilin e mori me vete pas dënimit, ky është zhdukur në rrethana të panjohura.

Në vitin 1965 e thërret në takim kryeministri Mehmet Shehu dhe e paralajmëron: “Po të mos na ngacmosh, as ne nuk do të ngacmojmë më”. Ndonëse jashtë burgut në këtë periudhë, Zef Mala ishte në kontroll, lëvizje të kufizuara vetëm brenda Tiranës, pra në izolim të plotë fizik e politik. Në vitin 1977, Enver Hoxha e shikon nga dritarja e KQ. Natyrisht, si xheloz që ishte, pamja e Zef Malës, që shëtiste si gjithmonë i vetmuar me një nënqeshje filozofike e sytë depërtues nën lentet me skelet të zi, i duket sfiduese. Si hakmarrës për armiqësinë e vjetër që kishte, Enver Hoxha dha urdhër dhe ai pas tri ditësh u internua për 5 vjet në Labovën e Zhapës, Gjirokastër.  Aty më 15 korrik 1978, shkruan një Promemorje Emblematike, drejtuar Kryeministrit Mehmet Shehu, pasi ai vite me parë kishte ndërprerë çdo komunikim me Enver Hoxhën. Po këtë vit Zefi nuk pranon të votojë. E arrestojnë dhe e dërgojnë në Tiranë, ku ridënohet me 10 vjet burg. E vuan këtë dënim në burgun e Ballshit, ku verbua krejtësisht. “Ecte me shkop dhe bashkëvuajtësit e ndihmonin për çdo nevojë” – kujton gazetari Foto Proko .

Më 26 dhjetor 1979, Zef Mala i sëmurë rëndë, i verbuar, ndërron jetë në në burgun-spital në Tiranë. Shuhet kështu jeta e një personaliteti të shquar me bindje social-demokrate liberale që gjithë jetën ia kushtoi pa lëkundje kësaj kauze.

 

“Vox populli”

 

Zotin e kemi te njerëzia, idealin te dashuria…

Po kërkuem Zotin e gjejmë në “Njerzinë” po kërkuem idealin e gjejmë në “Dashurinë”. Pra të kërkojmë me dashtë atdheun tonë, të bukurën Shqypni e frymëzimi i kësaj Zoje të shenjtë ka me na ba dashunorë për mbarë njerzimin e për mbarë botën. Të heqim paragjykimet, ambicjet e egoizmat që na kufizojnë…. Të përqafojmë sa ma shumë mundemi. S’ka Zot tjetër përveç dashunisë, s’ka Dashuri tjetër përveç asaj të Njerzisë e s’ka Njerëzi pa Atdhe”.

Botuar në vitin 1934

Fati ynë politik dhe Shqipëria

…Por me çlirimin politik dhe gjendja morale e popullit pati tronditje të thella, sepse përdhunimi që e mbante të lidhun deri atëhere u shkatërrue tue lëshue shoqëninë shqiptare në nji shregull që ndërronte herë pas here, simbas duerve që merrnin në dorë frenat si drejtues të shumicës. Fati ynë solli që drejtimet e ndryshme politike të jenë shpesh herë edhe në kundërshtim në mes tyne, kështu nuk qe e mundun me u konsolidue hëpërhë ajo harmoni që dikush shpresonte se do të arrihej”…

Botuar në vitin 1935

Petro Marko për familjen Malamarko

 

Në vitin 1950 Zef Mala martohet me Afërdita Shahinin, nga kjo martesë i lindin dy vajza, Maria dhe Esmeralda. Afërdita ishte shkolluar për mjeke në Francë. Ajo kishte marrë pjesë në luftën NÇL. Ja çfarë kujton për Afërditën shkrimtari i mirënjohur Petro Marko:

“Më kujtohen vitet tridhjetë: kisha vajtur në Korçë për të bërë një anketë për gazetën “Vatra”, ku punoja. Kisha njohur Viti Shahinin (Afërdita), një shoqe shumë e mirë që studionte në Francë, ku pati njohur Halim Xhelon, i cili i jepte materiale për mua. (Ajo më vonë u martua me mikun tim të dashur Zef Mala, njeri shumë i kulturuar, themelues i grupit komunist të Shkodrës që më 1937) Njoha dhe vëllanë e saj, Ilo Shahinin, të cilit i mësova të këndonte “Internacionalen”. Plaku Vangjel, i ati i Vitit dhe i Ilos, pyeti se ç’ishte kjo këngë. Ia shpjeguam dhe ai menjëherë thirri: “Aman, mos e mësoni, se kur të shkoni në Tiranë, në hotel, mund ta këndoni në gjumë e pastaj na merr lumi! Ja ç‘frikë na kishtë hyrë në palcë”.

 

Gjon Fierza April 19, 2015 12:19 Updated
Komento

2 Komente

  1. demo April 20, 00:48

    Paska qene shume i ndershem per te qene komunist.Serbet ne ne cerdhen e komunisteve hodhen zogun e qyqes,Enver Hoxhen,qe i vrau te gjithe komunistet.

    Reply to this comment
  2. Mehmet Metaj June 17, 13:26

    Urime Gjon Fierza qe na rikujton e risjelle te plote historine tragjike dhe kalvarin e Zef Males, nje nga personalitete me integritet dhe kulture te larte te rraces sone, qe s’i gjithmone i neperkembur nga mediokrit e kohes-sistemit komunist, Enver Hoxha, nje sharlatan dhe hipokrit i pashembullt qe mori n’qafe Zef Malen e shume intelektuasle dhe njerez te ditur ne kete vend…
    Latinet thoshin ´´albanus adversus albanus´´(shqiptari kunder shqiptarit) dhe këtë ves të sojit tonë qysh ne shekuj e kanë shfrytëzuar të tjerët për interesat e tyre, sidomos fqinjet ballkanas duke ´´na mësuar të behemi´´ ose kaçak ose skllav.Vetëm për hundën e bukur të Kleopatrës Mark Antoni desh i vuri flakën Romës (që ma pas e dogji Neroni). Po ne si reagojmë ndaj padrejtësive ? Prej kohësh jemi mësuar të dëgjojmë e “pëlqejmë më shumë zërin e këndezit se sa zërin e bilbilit se këndezi na zgjuan mëngjez” (siç thoshte L.Poradeci.)
    Jemi ne ata që ndonese meritonte lapidar F. S. Noli, që kur pasi e mundën dhe e ndoqën pashallarët e bajraktarët në 25-ën e percollën vetëm një grusht njerëzish, saqë ai i mërzitur dhe i indinjuar më shumë se nga humbja duke iu drejtuar tokës shqiptare, tha ´´Skllevër, bij skllevërish ju kurrë s´keni për ta merituar lirinë´´!
    Ne jemi ai vend e ai popull ku i dituri s´ka gjetur kurre preh, atij ose i është ´´prerë koka apo gjuha, ose është debuar apo detyruar të syrgjynoset´´. Edhe sot e gjithë ditën gjoja jemi në demokraci dhe aspirojmë të bashkohemi me Evropën mendja intelektuale nuk dëgjohet dhe paguhet kaq pak dhe vazhdon të vendos paganizmi ynë mesjetar që sundon në çdo qelizë dhe kjo është shumë domethënëse. Një popull me kulturë baritore. Tek ne lulëzojne ende’ pesë anarkitë e Nolit: anarkia fetare, anarkia shoqërore, anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Asnji vend në botë nuk është zhvilluar dot pa vënë në ballë intelektualët, por ata me dinjitet dhe te vertete te tille.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*