ZEMRA MAL!!!

June 20, 2016 00:58

ZEMRA MAL!!!

Të gjithë tifozët e një moshe të caktuar, jemi dëshmitarë se sa herë kemi ndjekur europianët apo botërorët e futbollit, kemi bërë kryesisht dy lloje “tifozllëqesh”: I pari për ekipin e madh të zemrës nga gjigandët e futbollit, i dyti për një ekip nga Ballkani.

Po po, kemi tejkaluar edhe cic-micet tona tipike dhe kemi thënë: Të paktën të ecë përpara një ekip nga “zona jonë”. Të kualifikohet Kroacia, Rumania, Turqia, qoftë dhe Greqia… Kemi respektuar edhe Serbinë kur ka patur ekip të mirë.

Nga dje në mbrëmje e tutje, do jetë ndryshe. Djemtë e Kombëtares na e bënë vërtet Zemrën Mal”. Disa hesape që po bëhen dhe janë në varësi të ndeshjeve të tjera, po na mbajnë në ankth nëse do kualifikohemi për më tej apo jo. Ta marrë e mira, sikur Lenjani ta kishte bërë atë golin dje… Sikur të barazonim me Zvicrën… Të paktën një gol të kishim bërë me Francën…

Në këtë pikë ku jemi, nuk kemi nevojë për asnjë nga këto “ah sikur-e” të vogla. Fituam denjësisht me Rumaninë, (Bukureshti që hesht, mund t’ja shkrepte në kokë Migjenit?!), dalim nga grupi me 3 pikë dhe jo vetëm kaq: Të tria ndeshjet tona ishin të bukura, dinjitoze, me nivel. Prandaj le ta themi edhe një herë, nëse dy ndeshjet e para na bënë me… zemër, kjo e djeshmja na e bëri Zemrën Mal. Sepse, dhe këtu vijmë tek më e rëndësishmja:

Treguam jo vetëm nivel surprizues loje sportive për shumëkënd, por fituam respektin dhe admirimin e mbarë Europës (dhe botës, pse jo) si komb, si qytetarë të këtij kontinenti. Në sjellje, në festime, në dëshpërim, në qytetari, në dinjitet.

Duket se “shqiptaria” qenka ngjitëse si dukuri: Nëse respektojmë dhe pëlqejmë veten, do na respektojnë dhe pëlqejnë edhe të tjerët. Deri aty sa media të rëndësishme ndërkombëtare të shkruajnë: Shqiptarët duhet të rrinë ende në këtë kompeticion! Nuk është çudi kur personazhe prej nga nuk ta merr mendja, i sheh befasisht të bëjnë shqiponjën me duar në cepin tjetër të globit.

Ne do presim llogaritë, siç thamë. Por nëse marrim diçka më shumë, kjo do jetë thelë mbi bisht. Deri këtu ku mbërritëm, nuk është pak, ndaj: BRAVO De Biazi, të lumtë Lorik si në lojë, edhe në stol, ju lumtë Sadiku, Abrashi, Ajeti, Mavraj, Roshi… të gjithëve.

Nuk harrova. Padyshim, të lumtë Etrit. Duhej të vije ti nga bota e futbollit, që t’u jepje një shans shqiptarëve t’u bëhej zemra mal me mbiemrin tënd.

June 20, 2016 00:58
Komento

3 Komente

  1. Anila June 20, 01:06

    Wonderful, Z.Koçiku!

    Reply to this comment
  2. antonio June 20, 13:31

    E dhjeve Kociko ne fund me ate mbiemrin me te urryer te shqiptareve :”Berisha”!

    Reply to this comment
  3. Andoni June 20, 17:31

    hahaha, o Antonio, po ky djali a burri, nuk e permendi kastile mbiemrin. Je ti qe dhjeve jo ai, hahaha

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*