Zeqiri: Ta harrojmë Laçin me fitore ndaj Partizanit

February 13, 2015 23:20

Zeqiri: Ta harrojmë Laçin me fitore ndaj Partizanit

Kukësi kërkon ta harrojë sa më shpejt disfatën e Laçit sepse koha nuk premton dhe përpara ka një tjetër sfidë të rëndësishme. Partizani viziton këtë fundjavë stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe 3 pikët për skuadrën veriore në këtë 90-minutësh janë jetike. Të kuqtë janë e vetmja skuadër që ka marrë pikë të plota në dy fazat e para kundër Kukësit dhe mesfushori Hair Zeqiri karikon grupin e drejtuar nga Artim Shaqiri për të dhënë maksimumin në këtë sfidë.

“Partizani është e vetmja skuadër që na ka mundur në të dyja ndeshjet e para dhe për këtë fakt ne jemi angazhuar maksimalisht. Shpresoj që këtë herë fituesi të jemi ne. Luajmë përballë tifozëve tanë prandaj dëshirojmë të marrim 3 pikët”, tha Zeqiri në një prononcim për “Supersport”.

Mesfushori vlonjat e pranon se sfidat mes kryesuesve do të jenë vendimtare për çështjen e titullit kampion. “Synimi jonë është që të fitojmë titullin. Sfidat me rivalët direktë në këtë garë janë shumë të rëndësishme prandaj edhe objektivi i vetëm në sfidën e radhës është fitorja”, theksoi fantazisti vlonjat.

Komisioni i Disiplinës e dënoi fushën e Laçit me 5 ndeshje pa tifozë për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushën e lojës në ndeshjen kundër Kukësit edhe pse skuadra e presidentit Gjici kërkoi tre pikë në tavolinë. Gjithsesi, 26-vjeçari nuk dëshiron të përfshihet në këtë polemikë.

“Nuk jam unë ai që duhet të komentojë vendimin e Komisionit të Disiplinës. Ata i kanë shqyrtuar të gjitha faktet prandaj nuk mund të flas edhe pse më vjen keq që dolëm të humbur nga ajo ndeshje”, përfundoi Zeqiri. Takimi Kukësi-Partizani luhet të shtunën në orën 14:00.

February 13, 2015 23:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*