Zgjedhjet, rritet paraja në qarkullim; maj-qershor u tërhoqën mbi 90 milionë dollarë nga bankat

July 16, 2015 14:10

Zgjedhjet, rritet paraja në qarkullim; maj-qershor u tërhoqën mbi 90 milionë dollarë nga bankat

Zgjedhjet lokale të mbajtura muajin e kaluar mund të kenë nxjerrë rreth 90 milionë dollarë jashtë bankave. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se paraja kesh në ekonomi shënoi dy muajt e fundit një nga rritjet më të forta historike.

Më konkretisht, paraja në qarkullim, u rrit sipas Bankës së Shqipërisë me 5.4 miliardë lekë  në maj dhe 5.1 miliardë të tjera në qershor duke e çuar rritjen totale për dy muajt e fushatës në mbi 10.5 miliardë lekë. Ky tregues përbëhet nga dy komponentë, paraja jashtë sistemit bankar dhe keshi që bankat mbajnë në arkat e tyre për veprimet e përditshme.

Meqë bankat zakonisht mbajnë të njëjtin nivel kesh në arkat e tyre, ekspertët thonë se rritja e parasë në qarkullim i dedikohet drejtëpërdrejtë keshit që qarkullon jashtë bankave.

Në kohë normale ky tregues sinjalizon gjallërimin e aktivitetit ekonomik, pasi tregon për rritjen e kërkesës për para nga individët dhe biznesi dhe rrjedhimisht edhe shtimin e transaksioneve në treg.

Por dy muajt e fundit më shumë se zgjerimin e aktivitetit ekonomik, ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se rritja e parasë jashtë bankave mund të jetë e lidhur me një tjetër fakt, atë të zgjedhjeve.

Historikisht gjatë fushatave elektorale, nga sistemi bankar dalin shuma të mëdha parash, përmes të cilave partitë financojnë shpenzimet zgjedhore.

Këtu përfshihen qoftë shpenzimet formale për postera, apo reklama, por edhe ato informale në formën e pagesave për të joshur votuesit të orientojnë votën drejt tyre, një fenomen ky gjerësisht i njohur në Shqipëri./TCH

July 16, 2015 14:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*