Zgjerimi, Komisioneri Hahn dhe të vërtetat e “pathëna”

October 3, 2014 06:35

Zgjerimi, Komisioneri Hahn dhe të vërtetat e “pathëna”

Ndonëse Austria dhe konkretisht opinioni i saj publik, njihet për kundërshtimin e fortë ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së (79% EB2013), Komisioneri Johannes Hahn do të mbulojë si politikat e fqinjësisë, por edhe negociatat e zgjerimit. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të PE-së, deputetët e vendeve anëtare të BE-së, prekën një sërë çështjesh të ndjeshme, si konflikti në Ukrainë, fqinjësia me vendet e Lindjes dhe të Jugut, aderimi i Turqisë, por edhe zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor. Nën një reagim tejet praktik, i qartë, i prerë dhe ndonjëherë me ndonjë shmangie nga thelbi i pyetjeve, Komisioneri Hahn shfaqi një axhendë konkrete, me problematika specifikisht të identifikuara.

Por, si do të ruhet dinamika e zgjerimit dhe si do të qëndrojnë të përqendruara vendet që janë në proces integrimi, teksa Presidenti i KE-së Junker ka konfirmuar, se BE nuk do të ketë zgjerim në 5 vitet në vijim. Ky ishte edhe një nga shqetësimet e ngritura përgjatë seancës dëgjimore. Një shqetësim, që do të merrte konfirmimin pozitiv nga Komisioneri Hahn, se intensifikimi i dialogut politik, kontaktet e nivelit të lartë me vendet e ndryshme, si edhe shfrytëzimi i mundësive që krijon kuadri i IAP II për inkurajimin e reformave, do të përfaqësonin shtyllat kryesore të mbështetjes së politikës së zgjerimit, gjatë këtij mandati. Por, gjithsesi, nuk është ende e qartë, nëse në rast të një mandati të dytë dhe një Komisioni të mundshëm Junker II, do të ndiqet e njëjta linjë politikë, apo BE do të jetë ndërkohë e relaksuar nga lodhja dhe opinioni publik do të jetë tashmë i bindur, se zgjerimi i BE-së është më se i rëndësishëm për sigurimin e paqes dhe të stabilitetit të mëtejshëm ?!

Vetë Komisioneri Hahn e pranoi faktin, se duhet bërë një punë bindëse me opinionin publik të vendeve anëtare. Por, është ky opinion i cili voton për mandatin e radhës të klasës politike europiane, e cila reflekton duke përkthyer interesat e tij, në politika orientuese 5-vjeçare. Lodhja nga zgjerimi është një çështje serioze tek qytetarët e BE-së. Eurobarometri i fundit 2013, shfaq në shumicë vendet e BE-së (15) në një kundërshtim të fortë ndaj zgjerimit (52%). Dhe ky kundërshtim është tejet i lartë në shtetet e vjetra anëtare dhe pjesë e Eurozonës si Austria (76%) Franca (70%), Gjermania (69%), Finlanda (65%), Holanda (64%), Luksemburgu (64%) dhe Italia (59%). Një problematikë, e cila u reflektua dhe tek pyetja e një eurodeputeti, teksa theksoi në reagimin e tij se “si ka mundësi që vende të pasura si Norvegjia apo Zvicra nuk kërkojnë t’i bashkohen BE-së dhe të gjithë vendet e varfra kërkojnë t’i bashkëngjiten trenit të BE-së, duke u shndërruar në një barrë të rëndë taksative për qytetarët evropianë”.

Nën këtë kuadër u paraqitën edhe interesime të tjera mbi masat konkrete, që mund të ndërmerren nga Komisioneri Hahn, për të bërë të mundur në këto vende, inkurajimin e transformimit socio-ekonomik, përforcimin e shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës ndaj korrupsionit. Ndonëse Komisioneri do të theksonte se prioritet e Komisionit do të fokusoheshin pikërisht mbi këto problematika, dhe përmirësimit të mënyrës se, si BE ndihmon vendet për t’iu përgjigjur kritereve ekonomike, sfida reale në përballje me këto fenomene  sigurisht që ngelet tek vendet, të cilat aspirojnë anëtarësimin në BE dhe vullneti real i tyre për kryerjen e reformave. Vëmendje përgjatë seancës tërhoqi edhe interesimi mbi kuadrin pezullues të procesit të anëtarësimit, në rast se në këto vende që shpresojnë të anëtarësohen, do të konstatohet dhunim i principeve dhe i normave themelore të BE-së. Ndonëse mekanizmi i pezullimit është tashmë funksionues si për vendet në proces negociatash, por edhe ndaj vendeve në proces asocim- stabilizimi, Komisioneri Hahn i siguroi eurodeputetët se, nëse konstatohen politika të tilla, mekanizmi do të jetë tërësisht funksionues për të inkurajuar vazhdimin në rrugën e duhur.

Sfida e zgjerimit Ballkanik 

Por, një tjetër element i rëndësishëm u konstatua në reagimin e Komisionerit Hahn, përballë sfidave dhe problematikave të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Kurajo për të konfirmuar se problemet ndodhen aty, mes BE-së dhe këtyre vendeve. Thirrja drejtuar BE-së, për të tejkaluar “logjikën e Dejtonit dhe për të shkuar drejt logjikës së Brukselit” sigurisht që mund të lexohet edhe si konfirmim i një të vërtete të “pathënë”, se bllokimi i Bosnjës ka në thelb përdorimin e një standardi të dyfishtë, i cili po kërkohet me insistim ndaj saj, ndërkohë që në vetë vendet anëtare të BE-së nuk respektohet, zbatimi i vendimeve të GJEDNJ-së. Ngecja në proces e Bosnjës lidhet me detyrimin e shndërruar në kusht nga BE, për të aplikuar vendimin e GJEDNJ-së, mbi çështjen “Sejdic-Finci”. Një kriter i konsideruar i padrejtë dhe që ka shkaktuar edhe një dekurajim politik, përballë ritmit të reformave, përtej problemeve të vështira funksionuese që njeh Bosnja. Edhe deklarimi i Komisionerit Hahn mbi interesimin konkret mbi ngecjen e Bosnjës dhe vajtjes së tij në vend për të konstatuar nga afër problematikat, duhet parë si një element pozitiv, që pavarësisht frymës bllokuese politike ndaj zgjerimit të këtij mandati 5-vjeçar, duhet vlerësuar.

Në të njëjtën logjikë, u parashtrua edhe ngecja e Maqedonisë, e bllokuar në procesin e negociatave nga Greqia, për shkak të problematikës së emrit. Ndonëse retorika e Brukselit ka qenë e fokusuar kryesisht tek përpjekjet që duhet të bëjë Maqedonia, për të gjetur një kompromis me fqinjin e saj grek, bllokada prej gati 10 vitesh, tejkalon çdo logjikë operimi. Ky sugjerim i cili u shndërrua gradualisht nën presionin e diplomacisë greke, në një kriter për integrimin e Maqedonisë në BE, duket se ka marrë trajtat e “skenarit turk” të një zvarritje pa fund. BE zotëron të gjithë mjetet, për të gjetur hapësirën zhbllokuese mbi këtë situatë ngecje. Nëse vullneti i BE-së do të ishte për avancim në zgjerim, diplomacia greke nuk do ta kishte të lehtë t’i rezistonte presionit të brendshëm të elitës politike të BE-së. Por, gjithsesi duhet të konsiderohet si element i rëndësishëm, fakti që Komisioneri Hahn konfirmoi nevojshmërinë e hapjes së negociatave të aderimit me Maqedoninë nëpërmjet marrjes së një mandati nga të gjithë vendet anëtare.

Edhe ndaj Kosovës, vlerësimi se “diçka ka lëvizur” përballë 5 vendeve anëtare, që nuk e njohin pavarësinë e saj, shfaq të njëjtën tendencë orientimi, konfirmim mbi problemet reale, që ekzistojnë brenda BE-së. Nën të njëjtën logjikë operimi, u vlerësua prej tij edhe puna e qeverisë serbe ndaj reformave angazhuese. Por, teksa inkurajonte punën qeveritare, ai do t’i kujtonte Serbisë edhe vlerën që mbart filozofia e njehsimit të politikës së jashtme të një vendi aderues për në BE me politikën e jashtme të BE-së, duke i bërë thirrje për konsiderim të pozicionit mospërkrahës të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, nëse shpreson që të anëtarësohet një ditë.

Ndonëse Komisioni Europian ka konfirmuar tashmë, se BE nuk do të njohë zgjerim për 5 vitet në vijim, është për tu vlerësuar fakti se, një sërë mekanizmash janë vënë në lëvizje, për të mos dekurajuar perspektivën evropiane të vendeve, që aspirojnë anëtarësimin në të. Angazhimi i diplomacisë gjermane me një fokus të lartë mbi Ballkanin Perëndimor, por edhe konfirmimi, që vjen nga Komisioneri Hahn, për një vëmendje të veçantë ndaj Ballkanit dhe zgjidhjes së ngërçit problematik, që ekziston mes BE-së dhe disa prej këtyre vendeve, është një faktor që tregon qartë interesimin e lartë politik, për mos lënien në izolim të vendeve të Ballkanit. Një element tejet pozitiv, që duhet të shërbejë si motivuesi kryesor për të avancuar më tej në axhendën e reformave të nevojshme, të cilat përpara se t’i shërbejnë BE-së, i nevojiten më shumë vetë qytetarëve dhe të ardhmes së këtyre vendeve./im.ta/

October 3, 2014 06:35