Zgjerohet laku në fushën anti-terror  

July 6, 2016 14:05

Zgjerohet laku në fushën anti-terror  

Të udhëtosh jashtë shtetit për qëllime terroriste, të trajnosh apo të trajnohesh, të nxisësh, të financosh, apo të justifikosh aktet e terrorit do të konsiderohet një krim, apo vepër penale në të gjithë vendet e BE-së. Legjislacioni ka kaluar fazën e procedurës në Parlamentin Evropian dhe pritet të kalojë në fazën tjetër të konsultimeve trepalëshe me Këshillin dhe Komisionin. Por, çfarë parashikon konkretisht rezoluta e miratuar ditën e hënë (04.07) nga Komisioni i Lirive Civile, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në PE ?

Pas sulmeve terroriste të Parisit, axhenda anti-terror në fushën evropiane u përshpejtua. Objektivi do të ishte plotësimi i kuadrit të BE-së, në luftën ndaj terrorizmit, me një prioritet kryesor: azhurnimin e legjislacionit penal ekzistues.

Një azhurnim i nevojshëm, duke marrë parasysh kontekstin e fenomenit shqetësues, që është shfaqur në shumë vende anëtare të Unionit, rritja e numrit të personave që udhëtojnë jashtë shtetit për qëllime terroriste dhe kërcënimi, që ata shfaqin kur kthehen në vendet e tyre. Individë që tashmë janë të kategorizuar si “luftëtarë të huaj terroristë”. Ndonëse fenomeni nuk është i ri, shkalla e tij dhe qëllimi i individëve, që udhëtojnë në zonat e konfliktit, në veçanti në Siri dhe në Irak, për të luftuar apo trajnuar me grupet terroriste, vlerësohet si e paprecedent.

Raporti i fundit i Europolit (korrik 2015) “EU Terrorism Situation and Trend Report” ka analizuar shkallën e rritjes së këtij fenomeni. Referuar shifrave nga fundi i vitit 2014, deri në momentin që është kryer raporti, numri i individëve që janë nisur nga BE drejt zonave të konfliktit vlerësohet nga 3 mijë deri në 5 mijë, ndërsa në të njëjtën kohë numri i të kthyerve është raportuar të jetë rritur në disa shtete anëtare, që i kanë konsideruar këto kthime si një kërcënim serioz për sigurinë.

Legjislacioni, që pritet të marrë formën përfundimtare shumë shpejt, ka zgjeruar kategorinë e konsiderimit të veprave penale në disa sfera.

Së pari, do të konsiderohet vepër penale, udhëtimi jashtë shtetit për qëllime terroriste, me synim pjesëmarrjen në një grup terrorist (pra udhëtimet drejt zonave të konfliktit). I tillë do të konsiderohet edhe udhëtimi me qëllim kryerjen e një akti terrorist, apo kontributi duke thjeshtëzuar, apo duke ndihmuar organizimin e një udhëtimi të tillë.

Së dyti, do të konsiderohet vepër penale, dhënia apo marrja e trajnimeve apo instruksioneve, duke përfshirë marrjen e njohurive, dokumentacionit apo kompetencave praktike, me qëllim prodhimin apo përdorimin e eksplozivëve, të armëve të zjarrit apo armëve të tjera, si edhe substancave të rrezikshme. I njëjtë do të konsiderohet edhe fakti i studimit në “vetmi” me iniciativë personale, me qëllimin e vetëm për të realizuar i vetëm një akt terrorist.

Së treti, do të konsiderohet vepër penale, nxitja publike apo justifikimi i akteve të terrorit. Nxitja publike e terrorizmit, siç është glorifikimi apo justifikimi i kamikazëve, ose shpërndarja e mesazheve dhe të imazheve në internet apo duke përdorur rrugë të tjera, si një mënyrë për të marrë mbështetje ndaj një kauze terroriste. Ndër të tjera edhe bërja e reklamës, si për shembull, duke shpërndarë videot e vrasjeve. Shtetet anëtare do të marrin masa për të siguruar eliminimin e shpejtë të përmbajtjeve të paligjshme, që kryhen në territorin e tyre, që përbëjnë një nxitje publike për kryerjen e një akti terrorist. Nëse kjo, nuk është e mundur, atëherë shtetet anëtare mund të marrin masa të nevojshme për të bllokuar hyrjen në këto përmbajtje, sipas procedurave transparente në përputhje me ligjin. Pra, nëse interneti përdoret për qëllime terroriste, kjo do të konsiderohet vepër penale, duke mundësuar trajtimin si akt-prove të këtyre përmbajteve para gjykatave.

Së katërti, do të konsiderohet krim, dhënia apo mbledhja e fondeve në çdo mënyrë me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e një akti terrorist apo kontributi në të.

 Ndër të tjera, projekt-direktiva që shumë shpejt do të shndërrohet në ligj, thekson si nevojën për transmetimin dhe shkëmbimin e informacioneve mes vendeve anëtare, që ndihmon në detektimin, parandalimin, hetimin apo ndjekjen penale të akteve terroriste, por edhe domosdoshmërinë për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave në fushën e radikalizmit dhe të parandalimit të rekrutimit të qytetarëve nga organizatat terroriste.

Lufta anti-terror, ka marrë një fokus të veçantë në nivel evropian që pas sulmeve të Parisit. Ky preokupim në fushën e sigurisë, është i lartë edhe tek qytetarët evropianë, të cilët e kanë vlerësuar si një fenomen shqetësues, në Eurobarometrin e fundit të kërkuar nga Parlamenti Evropian. Legjislacioni i ri, që do të miratohet pritet të japë efektet e tij në pikat kyçe të trajtimit të këtij fenomeni. Edhe pse sfidat sërish ngelen të shumta, për sa kohë vatrat e konfliktit, do të jenë të ndezura./imta//DITA/

 

July 6, 2016 14:05