Zhgënjimi i madh i shqiptarëve të Kosovës

Gjon Bruçi February 18, 2015 14:18

Zhgënjimi i madh i shqiptarëve të Kosovës

Pse po largohen shqiptarët e Kosovës nga vendi i tyre?

Përgjigja e autoriteteve kosovare është tepër evazive, me një thirrje të zbehtë “mos e lëshoni vatanin”. Ndërsa pushtetarët këtej kufirit artificial, këta të Republikës së Shqipërisë, as që merren me këtë problem, sepse… nuk është problemi i tyre!

Kushdo që e njeh historinë shumëshekullore të shqiptarëve të Kosovës shtron pyetjen: Si është e mundur që një popull i cili rezistoi me vite e shekuj për të mos u shkulur nga vatani i tij, duke i mbijetuar edhe dhunës së pashembullt të pushtuesit, tani në liri e demokraci, tani kur ka dhe republikën e tij, tani që pret të integrohet në Europën e Bashkuar, papritur lë vatrat, shtëpitë, pasuritë dhe me fëmijët në krah e një dorë plaçka mbi kurriz merr rrugët e emigrimit të pakthim? Probleme ekonomike?! Çështje punësimi?! Edhe këto janë disa nga arsyet, por jo të gjitha.

Arsyeja kryesore që kosovarët po lënë sot vatrat e tyre është zhgënjimi. Zhgënjimi me Europën, me Amerikën, me të gjithë, madje edhe me të tijët. Shqiptarët në përgjithësi, e veçanërisht ata të krahinës së Kosovës, zhgënjimet i kanë patur historike. Ato nisin zyrtarisht në qershor të 1878-s me Kongresin famëkeq të Berlinit, ku Bismarku, Shqipërinë e quajti shprehje gjeografike dhe shqiptarët “një tufë barinjsh të Ballkanit”. Ky zhgënjim do të përsëritej me 1913-n, kur Konferenca e Londrës (pra Europa) do ta coptonte vendin e shqiptarëve në disa shtete. Kjo padrejtësi do të vijonte edhe pas luftës së Dytë Botërore, e cila u mbyll me fitoren e Aleancës së Madhe Antifashiste, por jo me fitoren e plotë të popullit shqiptar. Por zhgënjimin më të madh shqiptarët e Kosovës e pësuan pas luftës çlirimtare të vitit 1999.

Gjenocidi serb i vitit 1999 ishte i pashembullt në historinë moderne. Mbi një milion shqiptarë të krahinës së Kosovës u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të gjenin mbrojtje në Shqipëri, Maqedoni dhe vende të tjera të Europës. Komuniteti ndërkombëtar më në fund e kuptoi se nuk mund të rrinte e të bënte sehir kasapin e Ballkanit, Millosheviçin, i cili pasi sakatoi Bosnjë-Hercegovinën, nisi shfarosjen e shqiptarëve. Kjo dorë mizore që për një shekull me radhë po sakatonte shqiptarët e Kosovës, u ndal nga UÇK-ja dhe NATO. Kjo e fundit falë dy liderëve të kohës, Klinton e Bler dhe korespondimit të interesave të ndërsjellta.

“Luftën, – u tha Klintoni kosovarëve në mitingun e pritjes në Prishtinë, – e bëmë ne. Ju tani keni detyrë të bëni Paqen”. Por paqja qenka e vështirë! Më e vështirë se lufta. Sepse në paqe lulëzojnë tradhëtitë, dredhitë, gënjeshtrat, mashtrimet.

“Pleqtë” e Europës, që u caktuan për të kollandrisur punët e shqiptarëve, na paskan ndërruar pelerinat, por jo veset e qëllimet. Pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit dhe shtatë vjet pas kartës së pavarësisë, Republika e Kosovës endet akoma nëpër kancelaritë e “Bismarkëve të rinj” duke kërkuar pa sukses njohjen e saj formale. Bismarkët e rinj, së bashku me “manarët” vendas që drejtojnë republikën fantazmë, i veshën kësaj të fundit edhe “fusnotën (më saktë fustanin) dhe nisën ta shetisnin nëpër bisedime pa fund pikërisht me atë që e pati përdhunuar për më se një shekull me radhë. Ndërkohë, nuk harrojnë ta nanurisin me “këngën” e integrimit europian, i cili pritet të realizohet në “kalendat greke”. Dhe deri në këto “kalenda”, qytetarët e Kosovës do të qëndrojnë në “arrest shtëpie”, nga ku nuk mund të dalin pa lejen e prokurorit dhe gjykatësit “Europë”.

Zhgënjimi i qytetarit kosovar është i gjithanshëm. Shqiptari i Kosovës nuk e kishte menduar se pas çlirimit, UÇK-ja, që derdhi gjakun për lirinë e shumpritur, do të urdhërohej nga Europa të dorëzonte armët, ndërsa armiku i tij shekullor do të vijonte të armatosej e militarizohej, sikur të ishte ai fituesi i luftës së 1999-tës. Shqiptari i Kosovës nuk e kishte menduar se pas luftës çlirimtare liderët e tij do të kompromentoheshin në atë shkallë sa të ktheheshin në sejmenë të bindur të të huajve dhe për një grusht eurosh të viheshin kundër interesave kombëtare. Plot një shekull kishte ëndërruar e luftuar kosovari për bashkimin me “Shqipërinë mëmë”, por kur kjo ditë e kjo mundësi erdhi, në vend të “traut të shkjaut” u ngrit “trau europian” dhe ai mbeti përsëri prapa gardhit kombëtar.

Zhgënjimi i qytetarit kosovar u dyfishua kur fill pas fitimit të lirisë, pa se harta e vendit të tij u bë laramane me enklavat serbe, ashtu siç u bë laraman edhe flamuri kombëtar me të cilin ai kishte udhëtuar e mbijetuar shekuj me radhë. Në këto “enklavat” serbe “pleqtë” e Europës po tentojnë të futin edhe Trepçen e famshme ku “strehohen” pasuritë kryesore të Kosovës dhe ku punëtori kosovar duhet të jetë pronar e jo argat.

Sikur të mos mjaftonin këto, ja dhe një lojë tjetër, tashmë me identitetin e kosovarit. Në pamundësi për të dalë nga situata ekonomike ku e çoi Lufta Çlirimtare e pa përfunduar, ose më saktë e manipuluar, kosovari tenton të dalë përkohesisht në Europë, ku edhe nën regjimin titist pati arritur të siguronte punë sezonale. Por, siç thamë më lart, sapo ai u lirua nga burgu serb, gjykatësi ndërkombëtar e dënoi me “arrest shtëpie”. E vetmja mënyrë për të lëvizur në vendet e Unionit Europian ka mbetur pasaporta serbe me shtesat në fund të mbiemrave. Dhe kosovarët po e provojnë edhe këtë “rrugë”. Ashtu si vëllezërit e tyre të Shqipërisë, të cilët për të siguruar kartonin jeshil në Greqi, ndërrojnë emrat e shkruhen si minoritarë grekë. Koiçidencë të jetë kjo punë, apo një “traktat” i fshehtë si dikur ai i Londrës? Ç’ndryshim mund të ketë qytetari kosovar, i cili me pasaportë serbe kalon në Europë, ndërsa me atë kosovare mbetet prapa doganës? A nuk ju duket se po përsëriten të njëjtat metoda si ato të fillimshekullit shtatëmbëdhjetë, kur shqiptarët për t’i shpëtuar represionit turk u konvertuan në myslimanë, çka është njëra nga arsyet që i pengon sot të futen si të barabartë në kontinentin e vjetër, ndonëse janë banorët më të parë të saj?! A ka ndonjë lidhje me këto që shtruam më lart, porosia e kryeministrit të Serbisë Akleksandër Vuçic për serbet e Kosovës, kur u tha të lindnin sa më shumë fëmijë dhe të mos i shisnin trojet që kanë zënë?!

Zhgënjimet europiane për kosovarin nuk ishin të papritura. Ato, siç thamë i pati provuar disa herë në historinë e tij. Këtyre zhgënjimeve nuk u trembej, sepse kishte dy dalëzotës: Shqipërinë shtetërore dhe Amerikën. E para, Shqipëria, kishte mbajtur të ndezur shpirtin e kombit dhe dëshirën e aspiratën e tij për bashkim. E vogël ishte Shqipëria shtetërore, por gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzet, falë sistemit socialist dhe veçanërsiht falë udhëheqësit legjendar Enver Hoxha, u bë një vend e një shtet që të tjerët ishin të detyruar ta mërrnin në konsideratë. Por pas vdekjes së “Burrit të dheut” dhe në prag të çlirimit të Kosovës, Shqipëria po vraponte “lakuriq me duar në xhepa” drejt BE, vrap që edhe tani pas një çerek shekulli nuk e ka sosur. Perendimi dhe kanakarja e saj, Serbia, e kishin bërë punën që kishin ftilluar njëqind e ca vjet më parë. Kosovarët të zhgënjyer e të tradhtuar, e kthyen vështrimin dhe shpresën tek dalëzotësi i dytë, tek ai që i kishte ndihmuar në Fitoren e madhe të Çlirimit. Por dalëzotësi i dytë, ndryshe nga raca jonë pellazge, ka do terbiete të tjera. Ai në radhë të parë shikon interesat e tij, e në plan të dytë burrninë.

A ka dritë në fund të tunelit ku na kanë futur ne shqiptarëve?! Po, ka. Ajo është drita e Bashkimit Kombëtar. Të coptuar në disa shtete ne do të mbetemi gjithnjë në geton e Europës dhe në “arrest shtëpie”. E vetmja mundësi për t’i shpëtuar kësaj getoje dhe “arrestit” është realizimi i thirrjes tashmë të njohur “Një Komb, Një Shtet”. Nëse presim që këtë “Shtet” ta kemi pas hyrjes në Europën globale, atëherë nuk do të kemi as komb.

Gjon Bruçi February 18, 2015 14:18
Komento

3 Komente

  1. gashi February 18, 17:28

    Argumentet e tua, i dashur Gjon, jane bindese, por “trokasin ne deren e shurdhit”. A thua Europa nuk e di se çfare po ndodh? Natyrisht qe e di. Por, duke na konsideruar ne shqiptareve (ende me logjiken e Bismarkut, por me te moderuar), qytetare te dores se dyte në Tokat më të Lashta te saj, ndersa Serbise i “kreh bishtin”, paçka qe ajo po e leviz ate me ruset, tallet me ne, në kuptimin e plote te kesaj fjale.

    Reply to this comment
  2. Dike Mullai thote- February 18, 22:04

    Te FORTE e ke PENEN Gjon Bruci ! Cdo paragraf eshte Predhe Artilerie. Ne Mars-Prill ’99 Mema SHQIPERI hapi dyerte per afro Nje Milion vellezer Kosovare. Si shume familje shqiptare, edhe ne strehuam Dy kunata me Pese femije te familjes Krasniqi nga Komuna Malisheve (Astrazube) , nga 3 Prilli deri me 15 Qershor ’99, kur u kthyen burrat qe luftuan maleve ne strukturat e UCK. Isa me djalin dhe Nipin qendroi edhe 10 dite ketu bashke me familjen. Ne largim per vend-banimin e vete, i ndihmuam me c’na ndodhej:-Veshmbathje, Ene Guzhine… sepse shtepia e te pese vellezerve Krasniqi ishte shkaterruar Plotesisht! E ruajme ate miqesi! Ateher i perzuri Serbi. Sot i perze politika qeveritare (Serbe). Gjermania-kryesuese e BE po i rikthen me Avion ?!

    Reply to this comment
  3. Astrit February 19, 19:40

    “Arsyeja kryesore që kosovarët po lënë sot vatrat e tyre është zhgënjimi. Zhgënjimi me Europën, me Amerikën, me të gjithë”
    Ndoshta autori di dicka qe une nuk e di; por kur thote sa me siper se shqiptaret qenkan zhgenyer me Europen dhe Ameriken, te jepet pershtypja sikur po largohen per ne Azi… Nese qenkeshim kaq te zhgenjyer me Europen, perse po shkojme e po u zeme deren???

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*