Zhulati me sytë e mi

Kleanth Dedi September 27, 2015 14:11

Zhulati me sytë e mi

Sa herë shkoj në Gjirokastër, pa mbërritur endé, ndalem tek Ura e Kardhiqit. Jo pa shkak, vështrimin e hedh larg. Me sytë e mendjes e rrahjet e zemrës, depërtoj në luginën e thellë. Tej, larg në horizont, është Zhulati. Këtej, nga ura, s’e shquan askush; unë e shoh dhe e shoh mirë se ruaj një barrë me kujtime mbresëlënëse për atë fshat, njerëzit e tij, burra e gra dhe fëmijët e tyre mendjekthjellët, të etur për dije dhe të aftë për përvetësimin e tyre. Mësues i këtyre fëmijëve dhe mik e shok i prindërve të tyre isha unë në vitet mësimorë 1953 – 1954, 1954 – 1955.

Sapo ishte çelur shkolla 7-vjeçare, ku do të vinin edhe fëmijët e Fushëbardhës, që nga vetitë e cilësitë ishin si “binjakë” me ata të Zhulatit. Kjo, jo vetëm se të dy fshatrat ishin shumë pranë njëri-tjetrit, por edhe për një tog të dhënash të tjera. Fushëbardhasit, në përgjithësi, me origjinë ishin nga Zhulati. Pinjollë të hershëm të tyre u larguan nga Zhulati pasi gjetën terren më të sheshtë, por, edhe për të përfituar nga resurset e tjera të zonës së Vërrisë me klimë të butë dhe kullota të bollshme.

Në të dy krahët e asaj lugine që përshkohet nga lumi Joshe dhe prurjet që vijnë nga lindja dhe verilindja janë një sërë fshatrash me popullsi të konsiderueshme. Flas për atë kohë: Në të gjitha fshatrat kishte shkollë fillore; në Koronë, Prongji dhe tani në Zhulat shkollë 7-vjeçare. Personeli mësimor ishte nga Gjirokastra dhe krahina të saj si Zagoria, Lunxhëria, Dropulli, por edhe nga rrethe si Elbasani, Shkodra etj. Ruaj bindjen se qarkullimi i kuadrit arsimor, por edhe i profesionistëve në fusha të tjera, në ato vite pritej mirë. Direktiva “ku të ketë nevojë Atdheu” ishte e drejtë dhe e dobishme, përjashtuar motivet keqdashëse politike që u përdorën për ndëshkime të ndryshme …

***

Në Zhulat u paraqita pas analizës vjetore që bënte seksioni i arsimit çdo fillim gushti. Në këtë mbledhje pune merrnin pjesë të gjithë mësuesit e rrethit. Në atë mbledhje më prezantuan edhe mua si drejtor i shkollës 7-vjeçare të Zhulatit.  Pas pak ditësh, më 15 gusht u nisa për në Zhulat. Pajtova një kafshar nga Prongjia. Majko Lluri e quanin. Në mushkën e tij ngarkova “pajën” time (disa shtresa e mbulesa). U nisëm herët. Ishte dhe mendimi i Majkos se s’i vihej besë udhës së gjatë e gropa-gropa dhe s’dihej ç’sillte koha, ndaj ta kishim ditën përpara. Udhëtimi në këmbë ishte i lodhshëm, por unë nuk e ndjeva; më shërbeu edhe për të parë e njohur mjedisin ku do të shkoja. Në mëndje se si më erdhën vargjet e asaj këngës lunxhiote: “Nuse, si erdhe në vendin tënë,/ kaluar apo në këmbë” – dhe nusja ua kthen: “Mu duk udha pëndë ..”

Te ura e Kardhiqit morëm majtas. Hymë në sinorët e krahinës. Prongjoti më tregon dhe më thotë edhe ndonjë të dhënë që di. Përpara Qafa e Zenelaj; si duket ndonjë fis që ka patur këtu pronat e tij i ka vënë edhe emrin vendit. Shtëmëngur nga udha, në një kodër është Manastiri i Cepos e fshati Plesat që të befason me pyllin e gështenjave. Nga i gjithë rrethi i Gjirokastrës e më tej, vetëm këtu rritet ky dru frutor me kokrra brumi të ëmbël. Gështenjat u bëjnë “karshillëk” lisave. Edhe ata bëjnë kokrra, pak gjatoshe që u thonë lënde; ushqim i mirë, sidomos për derrat që në këto anë nuk i kanë “gjiri”. Vazhduam ecjen, gjithmonë me vështrim nga e majta Prongjia. Bashkudhëtari im tani di më shumë, është fshati i tij. “Jemi fshat i përzier në besim. Të krishterët thuhet se kanë ardhur nga Zhulati ku do të shosh ti. Shkojmë mirë me njeri-jatrin. Punojmë në bujqësi, merremi edhe me blegtori, por jo si zhulatasit. Punojmë edhe për nxjerrjen e qymyrit të drurit, ndaj jemi edhe pak si ezmerë” – vazhdoi ai, si me humor. Si për ta “ngushëlluar” iu përgjigja me atë fjalën e urtë që dija nga Lunxhëria: “Fiku i zi në sini, fikun e bardhë krimbat e hanë”. Qeshi prongjoti…. “Ne – vazhdoi ai – ia kalojmë Zhulatit dhe Fushëbardhës se shkollën 7-vjeçare e kemi disa vjet më përpara. Tek ne vijnë dhe fëmijët e Kardhiqit. Kemi mësues të mirë, sidomos drejtor Niaziun (Ficon), por ç’e do, është beqar e mosha po i shkon.”

“Ka dy udhë që të shpien në Zhulat – më thotë prongjioti – përballë në atë të përpjetë ngjitej në Taroninë; tjetra shkon anës lumit. E para është më e shkurtër, por e vështirë për t’u qepur në majë; e dyta më e sheshtë, por e zgjatur” – e torri bisedën ai …. “Nga kjo, më e vështira” – i thashë unë …

Vazhduam ecjen. Përballë Kardhiqi, më saktë kalaja, si për të treguar ç’ka qenë dikur ky fshat. Kalasë i kanë mbetur vetëm disa fragmente muresh që e rrethojnë. Tek-tuk ndonjë si guvë me qemer, gati në të rënë. Disa dhen qëmtojnë anës ledheve dhe gurëve të mëdhenj të rrëzuar … Dikur, shumë dikur edhe kjo kala, ajo e Zhulatit që s’i gjendet shenjë dhe simotrat e tyre në mbarë trojet shqiptare, kishin “trup” e “gojë”, “flisnin”…

Vazhdojmë udhëtimin. Përpara Fusha e Kakodhiqit, zgjatim e zgjerim i Qafës së Zenelaj; rrethohet nga disa ngritje e ulje të reliefit dhe përshkohet nga lumi i Joshe që i shuan etjen. Këtu kanë arat e tyre zhulatasit. Në këtë fushë, kryesisht, mbillet misër dhe, nëpër të, fasule e pjepra. Ka edhe ngastra vetëm me pjepra, por jo si ata të Mashkullorës e sidomos të Dropullit. Peponët (kështu quhen greqisht) janë gjatoshë, jo shumë të mëdhenj, me lëkurë ngjyrë ari; aroma e tyre shumë e pëlqyer të deh. Kur shkarkohen në Llonxhë (pazarin e Gjirokastrës) krijojnë një “mikroklimë” aq të këndshme, sa blerësit i harrojnë asortimentet e tjera që kanë për të blerë…

Në Taroninë ndalemi, jo vetëm për t’u çlodhur. Këtu ka ç’të meditosh dhe të soditësh bukuritë dhe hapësirat e natyrës. Përpara një “pus” gjigant. S’di ekzakt sa i thellë e i gjerë është, as ç’kënd pjerrësie ka. Aty në fund është Zhulati. S’e rrok dot të gjithin. Duhet t’i afrohesh, t’i vish përqark, të dalësh në një tjetër pllajë me Honin djathtas dhe malin e Lucës përpara që e mbron nga krahët. Ka edhe një shteg që të nxjerr në fshatin e vogël me një “shosh” qiell, në Kapariel. Në Baltës, qendra e Zhulatit, ka shumë njerëz, burra, gra e fëmijë. U japin dorën e fundit rregullimeve e pastrimeve të shkollës së re. “Erdhi mësuesi, erdhi mësuesi” – dëgjova thirrjen e fëmijëve që në ato male tingëllonte aq ëmbël! Takohem me të gjithë, takim vënçe; përqafim e shtrëngim duarsh. Kushedi sa e lashtë është kjo përshëndetje shqiptarësh! Dhe nëse e gjen, vret mendjen për domethënien e saj. Unë e kam një shpjegim, por, për saktësinë e tij, nuk ju siguroj. Di të them se ato dy vjet që punova si drejtues i shkollës 7-vjeçare, ndjeva ngrohtësinë e sigurinë e përqafimeve të atij populli, sa syçelë, aq trim e bujar.

Pushteti i ri popullor, i dalë nga Lufta Nacionalçlirimtare, shpaloste programin e tij që, veç shumë të tjerave, për zhvillimin e arsimit e të kulturës hodhi dhe parullën epokale “Asnjë analfabet në Shqipërinë e re”. Shkolla u ndërtua me punë vullnetare nga zhulatasit. Të gjitha zërat që parasheh një ndërtim, e sidomos në zona të thella, me vështirësi të shumta, që nga themelet, gjatja e transportimi i gurit dhe lëndës drusore, nga largësi e terren të thyer, me kafshë e më shumë me krahë, gjetja e gurit për gëlqere, që zhulatasit i kishin nxjerrë një vit më parë, për të qënë sa më e stazhionuar edhe shumë e shumë kontribute të tjera që, realisht, i quaj sakrifica e mundime të zhulatasve për përparimin, dritën …

Mësimi filloi mbarë e mirë. Asnjë mungesë. Të bëhej zemra mal kur shihje ato vajza e djem të shëndetshëm, lindur e rritur midis atyre maleve, gjelbërimit e luleve shumëngjyrëshe erëmirë. Ishin të shkathët, kalitur në vështirësi të mëdha, por të ushqyer me gëzimin e punës së prindërve të tyre në mbarështimin e blegtorisë; nën tingujt e zileve e këmborëve, blegërimën e bagëtive, këngët polifonike labe, longaren dyjare e plot e plot mrekulli të botës malore ku edhe mendimet e shprehjet janë më të kthjellta, më açik e optimiste dhe fjala besë, trimëri dhe atdhedashuri kishin rrënjë të thella. Edhe bora kishte bukuri të veçantë dhe, për çudi, nuk ishte ftohtë. Këtë e shihja në faqet prush  të atyre fëmijëve. Në shkollë vinin me atë veshjen e përditshme: djemtë me poture, bluza e xhaketa të leshta; me kondo të bardha pa jakë dhe shollë me taban llastiku; vajzat me fustane e triko me ngjyra të çelura dhe këpucë nga Gjirokastra; për librat e fletoret kishin disa torba prej leshi, rrallë ndonjëra me stof dhe shumë më rrallë me lëkurë, si N.Ç. Çadrat s’njiheshin. Funksionin e tyre e kryenin llabanet si honi me lesh dhie. Vajzat nuk e qasnin llabanen … gjithçka në veshjen e tyre ishte e rregullt, e qepur me pe ose e thurur me dorë me fill leshi; shumë të pastër, paçka se sapuni ishte me krëk; finja (hi i zier) rrekej të zinte vendin e sapunit….

Kujtoj e mund të flas shumë e më shumë për vlerat e atij mjedisi shkollor, për ata fëmijë që ta merrnin fjalën nga goja, problemat i zgjidhnin sa hap e mbyll sytë, arrinin t’u jepje “çelësin” për të hyrë në “dyert” e diturisë. E kam shumë të vështirë të veçoj, se kujtesa e mësuesve ka një “mangësi”: regjistron më të zgjuarit dhe ndonjë “problemor”. Ata ishin të gjithë të mirë; kishin dhe veçori: Kalo Korua shquhej në matematikë, ishte shumë i shkathët, me atë trup gjimnasti kapërcente me lehtësi lartësinë e flakëve të togjeve me shkarpa e ferra dhe arrinte i pari në distancat që vinin në shenjë. Kështu, sipas natyrës dhe prirjeve të veta ishin Nefua, Shërbimi, Shabani, Arseniu, Zabitja e Bush Gjokës, Tomorr Hila etj., që të mrekullonin me përgjigjet e shtjellimet e sakta në histori, gjuhë, dituri natyre etj. etj.; të tjerët kishin prirje në letërsi, në hartimet e tyre përmbajtja  shprehej “me ngjyra” e figura artistike të huajtura nga mjedisi që i frymëzonte. Ishte kënaqësi bashkëbisedimi me ta, sidomos me më të rriturit. Kam bindjen se ata, jo vetëm e jetonin historinë, kulturën, trashëgiminë e vyer të të parëve të tyre, por e kishin përvetësuar e bërë të tyre, ashtu siç thithnin edhe të renë.

Zhulati, në mesin e viteve 50-të të shekullit të shkuar, ishte një fshat me rreth 150 shtëpi. Më përpara këtyre viteve ka qenë më i madh, në mos më i madhi në zonën e Kardhiqit, këtej e matanë lumit. Në vitin 1923 kishte 137 shtëpi, 409 banorë, nga të cilët 396 myslimanë dhe 13 orthodokse; Fushëbardha kishte 4 orthodoksë. I moshuari Myrto Çela më thoshte në atë kohë, se ai kishte në Zhulat orthodhoksit. Psh, Gole Ndreu ishte mullixhi, Naum Ndreu ishte kaç (endës leshi); më pas mullirin e pati Stillo Dhima, Kriston, djalin e Naumit e kishte patur shok në klasën e parë të shkollës fillore. Kur vdiq një i krishterë, u qa më këtë vaj: “Kiamet sa u tund vendi, diqi Kiço duarergjëndi”.

…Për ca kohë banova në shkollë. Bukën kulaç me miell misëri ma piqte në hi gjyshja e Shërbim Capës, një tjetër nxënës i shkëlqyer në të gjitha lëndët. Rrallë, shumë rrallë gatuaja se, të shumtan e kohës s’më linin zhuletët pa më ftuar në ato davetet e tyre të organizuara me shkak e pa shkak. Kujtoj ngjarje e bëma për Zhulatin e Fushëbardhën që nga mushka e Azizit, dasmën në Bineraj, në Hon tek Bush Gjoka. Në Fushëbardhë në shtëpinë e Çarçanaj, tek prindërit e Nefos, Hania na priste gjithmonë buzagaz e me majën e gjërit.

I mbyll këto shënime, me premtimin për të përfunduar librin “Zhulati me sytë e mi”, për të cilin po vazhdoj të kërkoj dhe të zgjoj kujtimet e mia. Në këto përpjekje, para disa ditësh isha atje dhe u takova me banorë të këtij fshati dhe me ish-nxënësit e mi që tani ishin bërë burra. Darkën e kalova te Kalo Korua, dhe në kthim, një vizitë te çifti Arseni Logli e Hanëme Pula, tani prindër me nipër e mbesa, por që unë i përfytyroj kur ishin të vegjël. I përshëndes të gjithë zhulatasit, të mëdhenj e të vegjël dhe shpreh për ta konsideratën dhe vlerësimin më të lartë, pasi ua njoh shumë mirë shpirtin e tyre të madh e të gjerë sa malet që i rrethojnë!53141507

Zhulati, histori e madhe, njerëz të mëdhenj

Mbërritëm në Taroninë. Rrapi i Agait, ku Idris Sulli mblodhi në kuvend krerët e krahinave të Jugut, gjer në Çamëri, nuk është më, por jehonën e atij kuvendi, të atij tjetrit në Sinjë, sikur i ke prapa veshit. Shekuj para Idrizit, një tjetër mentar i shquar, Papa Zhuli, i cili i dha edhe emrin fshatit, hartoi kodet e mençura të jetës; zbatues në frymë e në gërmë ishte një popullsi e tërë. Ai jetoi në shekullin e 11-të, në fillimet e rënies së perandorisë bizantine. Është kënduar një këngë e hershme që bën fjalë për këtë hero popullor, e cila thotë: Trim, o trim Petro Zhulati,/ Kali yt një faqe shpati,/ Me Bizant e zu inati. Zhulatasit, edhe sot, pas shumë shekuj, krenohen me këta të mëdhenj të tyre. I kanë në tregimet e këngët e tyre. Idriz Sullin e kanë skalitur e bërë flamur në rrapin në Baltës…

Dyfekët e Labërisë dhe gërmat e Lunxhërisë

Aty nga viti 1953 vjen në Zhulat Shefqet Peçi. Erdhi edhe në shkollë, kur unë po jepja mësim. Sa hyri në derë me një grup të madh burrash që e shoqëronin, nxënësit u ngritën më këmbë. Pasi u bëra shenjë të uleshin, Shefqeti më pyeti se nga isha. I thashë se isha nga Lunxhëria. “Ç’do këtu ti, mor kauri i derrit”!? Buzëqeshi lehtë dhe dorën e mbështeti mbi supin tim. Mora guxim dhe iu përgjigja po me humor. “Epo ne këtë dimë të bëjmë, i thashë, ju kini dyfekun”! “Ë më të lumtë, tha, e kërkova vetë”! Qeshëm të gjithë. Pastaj ai u drejtua nga nxënësit, duke më treguar mua me gisht: “Kur do ta përzëmë këtë”? – u tha atyre. Të shkretët nuk e kuptuan dhe po e vështronin të hutuar njëri-tjetrin. “Ja ç’të bëni ju, të merrni vetëm pesçe, të bëheni mësues si ky e jo zabita”!… Pastaj iu drejtua atyre që kishte me vete duke u thënë: “Tunduni edhe vetë, po thuajuni dhe nga unë atyre të Komitetit Ekzekutiv t’u japin bursa edhe për këtë degë, jo t’u ngopin me ato ushtarake”.

Ndodhte edhe kështu!…

Për ata që janë sot 30-40 vjeç, që nuk e kanë jetuar atë kohë, episodi i mëposhtëm mund të duket absurd dhe i pakuptimtë, por për jo për 50-60-vjeçarët: Një ditë më vjen në shkollë korrieri i lokalitetit, bërë qull nga djersët. Me ndërprerje nga që i merrej fryma më thotë: “Mirë që të gjeta, shoku drejtor” – dhe, me dorën që i dridhej, më dha një zarf. Ishte një zarf që lart shkruante “sekret” dhe në cepin djathtas kishte tri vija të kuqe, që tregonte urgjencë. Më kërkonin në Komitetin e Rinisë të rrethit. Të nesërmen në mëngjes, pa u hapur ende zyrat, u ndodha në Gjirokastër. Më në fund, shoqja J. erdhi. Pa më dhënë dorën dhe pa u ulur, mu lëshua me breshëri fjalësh qortuese: “Ç’janë ato që bën ti? Karshillëk i bën partisë? Merr në mbrojtje fëmijët e armiqve?” Vetë pyeste dhe vetë përgjigjej; s’më la të shpjegohesha. Përfundoi me një konkluzion zbutës, “e di unë se ç’do ti, ç’të bëj se je yni!” … “Gabimi i madh” që kisha bërë e që kishte “dëmtuar” vijën e partisë ishte se në tabelën e të dalluarve në mësime e me sjellje shembullore kisha vënë dhe emrat e disa nxënësve që, sigurisht e meritonin, por prindërit e tyre shiheshin me sy jo të mirë nga partia, pasi kishin qenë me “Ballin! Pra, unë, sipas tyre, kish vlerësuar armikun e klasës. U largova. Në mëndje më mbeti: “Je yni, pa …”. Në jetën time nuk kam ndjerë fyerje më të rëndë se kjo fjalë…

 

maxresdefault

 

Djemtë e kultivuar të Zhulatit

Megjithëse qesh dy vjet në Zhulat, shumë gjëra të tjera për Zhulatin e zhulatasit do t’i mësoja më vonë dhe, sidomos, në këto kohët e reja. Ajo shakaja e dikurshme me Shefqet Peçin, nuk ishte thjesht shaka, por një realitet, fatkeqësisht, i hidhur. Banorët e këtyre anëve merreshin me blegtori që të vegjël dhe kur rriteshin merrnin pushkën e dilnin malit. Kurse tani raportet kanë ndryshuar. Janë me qindra zhulatasit që kanë mbaruar shkollat e larta dhe janë shpërndarë në të gjitha anët e Shqipërisë, madje dhe jashtë, me një paraqitje civile dhe dinjitoze.  Falë interesimit dhe impenjimit shpirtëror të shumë zhulatasve si historiani dhe albanologu i mirënjohur Nexhip Bejo Pula (Nexhip Allpan, emigroi herët nga Zhulati për në Turqi; unë jam me fat, e takova personalisht në Ankara në vitin 1989), zhulatasit e tjerë si mbledhësi i apasionuar i folklorit Mitat Kondi; Agim Hila autor i librit “Kanuni i Idris Sullit”, libër që të të ngop e të emocionin me vërtetësinë e bukurinë si e vlerëson e nderon legjislatorin e madh Idris Sullin. Zhulatas të tjerë të malluar si Myzafer Pula, ish-nxënës në shkollën që drejtova unë, shkroi plot mall e plot mbresa me të dhëna interesante në librin “Zhulati, vendlindja ime”, që më gëzoi me kopjen që më dhuroi. E fiksova këtë moment me një foto që bëmë në Tiranë. Emin Memushi që në këngët e tij ngre lart të lartat vlera e bukuri të Zhulatit dhe zhulatasve; skulptori Murat Këraj për talentin, gjetjen dhe zgjidhjen e mrekullueshme të përjetimit të figurës së Idris Suillit; Astrit Miho si hulumtues dhe autor i parathënies në librin e Memushit, ku, veç shkrimit për Mitat Kondin, na jep edhe fakte të jetuara për Nexhip Allpan (vjelë direkt nga Nexhipi). Nuk mund të harroj Myrto Çelën dhe të shoqen e tij, Nefize Çarçani që ruajnë, veç kujtimeve, edhe disa shkrime të Allpanit, i cili kur erdhi këtu në Shqipëri në vitin 1995, qëndroi disa ditë në banesën e tyre në Tiranë. Miku im Fitim Çaushi (ky jo nga Zhulati) kërkues e studiues i apasionuar, sjell të dhëna me interes të madh për Zhulatin dhe trimat e tij shekuj të shkuar: Bir’ o biri Petro Zhulati,/ Kal’ i kuq sa gjysmë shpati,/ Me Bizant të zu inati…

Kleanth Dedi September 27, 2015 14:11
Komento

1 Koment

  1. S.PULI September 18, 22:23

    F.l.m, profesor…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*