Zhvatja e të dërrmuarve

January 23, 2016 12:08

Zhvatja e të dërrmuarve

Nëse kanë një unazë të thjeshtë, me vlerë normale nuk do t’iu sekuestrohet. Por, nëse kanë një unazë me gur diamanti, atëherë po, ajo do të sekuestrohet. Në ç’formë dhe me ç’mjete, do të kryhet sekuestrimi, nuk është shumë e qartë?! A kanë të drejtë të refuzojnë apo ta ankimojnë këtë masë për vendosje sekuestro, as ky element nuk është shumë i qartë?! Por, sendet me vlerë që iu sekuestrohen si edhe shumat e caktuara financiare, sipas autoriteteve shtetërore do të shërbejnë për të financuar qëndrimin e tyre në territoret e vendeve përkatëse, aty ku kërkojnë azil. Çfarë po ndodh me të drejtat e njeriut, në disa vende të Bashkimit Evropian dhe pse ka një shqetësim në rritje si të Këshillit të Evropës, por edhe të organizmave të të drejtave të njeriut ?

Vetëm pak kohë më parë, një sërë  raportesh të të drejtave të njeriut do të denonconin dhunën dhe grabitjet, që forcat policore kryenin ndaj flukseve të refugjatëve. Greqia, Serbia, Hungaria, apo edhe Maqedonia do të ishin vendet e para, që do të demonstronin një shkelje dhe dhunim të hapur të të drejtave të njeriut, në momente delikate kur historia shënon dhe dokumenton sjelljen, reagimin, ndërgjegjësimin, përgjegjësinë shtetërore dhe qytetare, nivelin e humanizmit dhe të solidaritetit ndaj flukseve të larta të refugjatëve, që i iknin zonave të konflikteve dhe të luftës. Sekuestrim policor i të gjithë sendeve me vlerë, pa përjashtuar edhe shumat financiare, që refugjatët zotëronin. Grabitje, që as nuk shpjegohej pse kryhej, por edhe nëse kërkohej arsyeja, përgjigja shpjegohej teknikisht nëpërmjet dhunës.

Por, teksa kriza e refugjatëve thellohet, vërehet një tendencë me elementë të përngjashëm edhe nga disa vende me demokraci të zhvilluar të Evropës Perëndimore, si Danimarka, apo Gjermania. Aplikim de facto i sekuestrimit të sendeve me vlerë të caktuar si edhe të shumave financiare, që kalojnë një nivel të konsideruar si të pranueshëm. Ndryshimi me vendet e tjera, që aplikuan të parët këtë lloj fenomeni, qëndron tek inkuadrimi apo përpjekja për të inkuadruar këtë fenomen në një kuadër ligjor.

Gjermania tashmë e ka nisur aplikimin e kësaj mase, kryesisht në zonat e Bavarisë. Shpjegimet që ofron shtypi gjerman, orientohen drejt faktit se ky kuadër masash është tërësisht brenda kornizave të brendshme ligjore. Ndërsa Danimarka, pritet të miratojë në parlament në ditët e ardhshme këtë kuadër masash, ndonëse palët kanë shprehur paraprakisht miratimin e tyre dhe aplikimi duket se ka nisur në terren. Masat konkrete janë kontroll i të gjithë bagazheve të azilkërkuesve dhe sendeve të tyre personale, vlerësim dhe sekuestrim i mallrave apo sendeve me vlerë (bizhuteri, unaza, etj) si edhe shumave financiare, që konsiderohen se kalojnë një nivel të caktuar. Sekuestrime, që do të shërbejnë për të financuar mbajtjen dhe qëndrimin e tyre në territor, duke ofruar si logjikë shpjeguese në ndërmarrjen e këtyre masave faktin se, nuk mund të pranohet që teksa këto shtete strehojnë azilkërkuesit, ato të zotërojnë sende personale dhe mallra me vlerë apo shuma të larta financiare.

Por, përtej populizmit që duket se ushqejnë këto iniciativa dhe masa ligjore, a bien ndesh duke dhunuar haptazi të drejtat e njeriut ? Absolutisht, po. Këto masa dhunojnë të drejtat e njeriut, të drejtat e azilkërkuesve, duke shkelur haptazi konventat dhe ligjet ndërkombëtare.

Teksa pritet të shkohet në ditët në vijim, drejt miratimit të kuadrit ligjor të këtyre masave në Danimarkë, Këshilli i Evropës nëpërmjet Komisionerit të të Drejtave të Njeriut i bën thirrje autoriteteve daneze, që në këtë situatë sfidash të “shmangin minimin e standardeve ekzistuese”, dhe se këto masa nëse miratohen, duhet të jenë në përputhje të plotë me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kuadrin e të drejtave ndërkombëtare dhe standardin e mbrojtjes së refugjatëve. Kjo, pasi sekuestrimi i sendeve me vlerë të azilkërkuesve që mbërrijnë në Danimarkë, për të mbuluar nevojat e tyre jetike, përbën shkelje të dinjitetit njerëzor dhe dhunim të të drejtës së pronës, sanksionuar në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përveç shqetësimit të Këshillit të Evropës, thirrjet ndaj Danimarkës po kryhen edhe nga organizmat e të drejtave të njeriut. UNHCR  kërkon që Danimarka të tërhiqet nga aprovimi i këtyre masave duke i kujtuar se, ajo është nënshkruese e një sërë instrumentesh ndërkombëtarë, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, si edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive Themelore, që sanksionojnë dhe mbrojnë të drejtën për dinjitet, të drejtën për privatësi dhe jetë private, nderin dhe reputacionin.

UNHCR i kujton gjithashtu Danimarkës se, sekuestrimi i sendeve me vlerë apo shumave financiare nga autoritetet policore, duke lejuar kontrollin e çdo azilkërkuesi, për të bërë të mundur financimin e qëndrimit të tyre, nëpërmjet gjendjes financiare që ato zotërojnë, është një fyerje ndaj dinjitetit të tyre dhe ndërhyrje arbitrare ndaj të drejtës, që ato zotërojnë për privatësi.

Për më tepër UNHCR shpjegon se çdo gjë me vlerë që një azilkërkues mund të sjellë me vete në vendin që kërkon azil,  shpesh paraqet të vetme asete, që ato kanë arritur të shpëtojnë përpara se të ikin nga persekutimi apo lufta. Është e panevojshme të shpjegohet se një refugjat nuk do të jetë kurrë në gjendje të marrë me vete të gjithë shtëpinë e tij dhe shpesh është i detyruar të lerë pas, si pronën dhe asetet e tjera që zotëron, kur detyrohet të arratiset për të shpëtuar jetën e tij. Gjërat me vlerë, që zotëron dhe i ka sjellë me vete në vendin, që po kërkon azil, nuk përbëjnë veçse një shumë simbolike, që do të ndihmojnë refugjatin, kur ai të fillojë një jetë të re në vendin, që po kërkon azil. Për më tepër kjo gjë është e parashikuar edhe nga neni 30 i Konventës së vitit 1951, në lidhje me të drejtën për të transferuar asetet në vendin e kërkimit të azilit. Nëpërmjet të cilit garantohet se, asetet që refugjati zotëron përpara ikjes dhe/apo gjatë qëndrimit në vendin e azilit, do të jenë në dispozicion të tij kur ai të fillojë një jetë të re në vendin e ri. Në mënyrë që kjo të ndihmojë, në afrimin e një zgjidhje të qëndrueshme dhe brenda kornizave humane.

Kriza e refugjatëve, po e përball në vazhdimësi Evropën dhe vende të caktuara të saj me sfida ndoshta të paparashikueshme deri më tani. Sfida, që nuk po arrijnë të menaxhohen në nivelin e duhur nga politika të caktuara shtetërore, duke shkaktuar një erozion të të drejtave të njeriut dhe kryesisht të të drejtave të refugjatëve. Por, kjo krizë, si rrallëherë ka tronditur për shkak të një fenomeni zinxhir, që problemet e njëpasnjëshme filluan të shfaqin. Mungesa e kompromisit në lidhje me gjetjen e një zgjidhje të përbashkët për sa i përket pranimit, shpërndarjes dhe menaxhimit të flukseve të refugjatëve, shkaktoi një frakturë me vendet e Evropës Lindore, por edhe Qendrore. Frakturë, që ekspozoi forcën e konceptimeve krejtësisht të ndryshme kulturore, ku diferencat fetare e bëjnë thuajse të pamundur bashkëjetesën me “të ndryshmit” dhe shprehjen e tolerancës ndaj tyre, duke u vetëmbyllur në një qark hermetik, vetëm ndaj vlerave, kulturës dhe logjikës së pastër nacionale. Barriera të forta kulturore, që u shoqëruan me ngritjen e mureve, gardheve dhe futjen e kontrolleve të brendshme kufitare, duke shkaktuar një efekt zinxhir, vend pas vendi dhe duke gjeneruar për herë të parë në historikun e funksionimit të BE-së edhe krizën më të fortë të Sistemit Shengen.

Jo rastësisht, një sërë paralajmërimesh të vazhdueshme po vijnë nga krerët e institucioneve më të larta të Unionit, për rrezikshmërinë e shkatërrimit të Shengenit, pasi rënia e tij nuk është thjesht rënie e një sistemi, apo e një lëvizjeje të lirë, por dëmet e tij janë të pariparueshme, duke i dhënë fund gradualisht projektit të Evropës politike. Jo më larg se dje, kryeministri francez do të deklaronte se “Është Evropa që mund të vdesë, jo Shengeni”, çka nënkupton se shembja e një prej arritjeve më të rëndësishme të Unionit Evropian, e vlerësuar si e tillë sistematikisht edhe nga vetë qytetarët e Unionit, do të shkaktojë rrëzimin e të gjithë shtyllave të tjera, nëpërmjet një efekti domino. Nga ku kemi edhe skenarët rezervë për rimodelimin e Evropës politike dhe rikthim në bërthamën kyçe të vendeve themeluese të saj, me ekzistencën e një mini-Shengeni. Skenar, që po theksohet gjithnjë e më tepër, duke marrë vlerat e një presioni real, për të avancuar detyrimisht me logjikën e një kompromisi të domosdoshëm evropian, që imponon daljen nga kuadrati hermetik i shfaqjeve dhe ambicieve kombëtare./im.ta/

 

 

 

 

 

 

 

January 23, 2016 12:08