Zhvillohet në Tiranë takimi i 7-të i Grupit të Posaçëm BE-Shqipëri për Reformën e Administratës Publike

September 27, 2017 19:50

Zhvillohet në Tiranë takimi i 7-të i Grupit të Posaçëm BE-Shqipëri për Reformën e Administratës Publike

Takimi i 7-të i Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike në Shqipëri u zhvillua më 27 shtator 2017 në Tiranë. Takimi u drejtua bashkërisht nga Znj. Senida Mesi, Zëvendës Kryeministre dhe Znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Komisionin Evropian.

Autoritetet shqiptare dhanë një përditësim të zhvillimeve kryesore duke u përqendruar te zbatimi i reformës së shërbimit civil, planifikimi dhe koordinimi i politikave, ofrimi i shërbimeve dhe llogaridhënia, si dhe decentralizimi dhe qeverisja vendore. Ata paraqitën gjithashtu planin e ristrukturimit ministror dhe riorganizimin e administratës publike me synim rritjen e efektivitetit të ofrimit të shërbimeve.

Komisioni Evropian mirëpriti progresin e mëtejshëm në zbatimin e reformave të Administratës Publike dhe Menaxhimit të Financave Publike, mbështetur me 11 milion € fonde të BE-së të miratuara për disbursim në korrik 2017. Komisioni nxiti më tej qeverinë që të ruajë ritmin e mirë të zbatimit të reformave. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e garantimit që riorganizimi i parashikuar të kryhet në përputhje me ligjin për shërbimin civil. Komisioni theksoi gjithashtu nevojën për të përmirësuar mekanizmat për planifikimin e politikave dhe përshtatjen e buxhetimit me planifikimin strategjik.

Reforma e administratës publike është një nga pesë përparësitë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike është forumi kryesor i dialogut politik ku Komisioni, së bashku me institucionet e qeverisë shqiptare dhe institucionet e pavarura, diskutojnë progresin në zbatimin e reformave të administratës publike, decentralizimit dhe menaxhimit të financave publike.

September 27, 2017 19:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*