Zhytja në pesimizëm dhe mesazhi qytetar

November 19, 2016 15:12

Zhytja në pesimizëm dhe mesazhi qytetar

Paqja e zgjatur shpeshherë lodh. Lodh në kuptimin e monotonisë që ajo krijon dhe perceptimit si të mirëqenë të vlerave, që ajo mbart. Por, ajo lodh edhe sistemet politike. Kjo lodhje mbi të gjitha shfaqet tek politikat tradicionale dhe mënyra se, si ato e kanë devijuar politik-bërjen, duke u distancuar nga dëgjimi i zërit qytetar. Jo rastësisht, në shumë vende të Bashkimit Evropian, kjo distancë e politikave tradicionale ka krijuar një boshllëk, që po mbushet me skajet ekstreme të politikës. Aty, ku politika e skajshme u premton dhe u garanton qytetarëve se, do të jetë në dëgjimin e tyre dhe përfaqësuese e denjë e zërit dhe arsyes popullore.

Qytetarët e BE-së, janë zhytur në pesimizëm. Anketimi i fundit, i kërkuar nga Parlamenti Evropian (Parlemètre 2016) shfaq një situatë më të përkeqësuar nga viti i kaluar. Në shumicë (54%) të anketuarit perceptojnë se, gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar në BE.

Ky perceptim pesimist mbi rrjedhën e gjërave, i shfaq shtetet të ndara në dy grupime. Në grupimin e parë figurojnë shtete, ku të anketuarit mendojnë se gjërat kanë marrë një kthesë të keqe më shumë në vendin e tyre, se sa në BE. Bëhet fjalë për 13 shtete anëtare, që sipas anketimit kanë njohur një kontekst elektoral apo zhvillim referendumi (Lituani, Bullgari, Rumani, Spanjë, Kroaci, dhe Itali) apo një situatë komplekse politike (Greqi, Francë, Poloni, Belgjikë, Letoni, Slloveni dhe Sllovaki). Ndërsa, në grupimin e dytë të anketuarit perceptojnë se, gjërat po shkojnë në drejtim të gabuar në BE, më shumë se sa në vendin e tyre. Këtu përfshihen 15 shtete: Luksemburgu, Republika Çeke, Holandë, Suedi, Irlandë, Finlandë, Britani e Madhe, Austri, Hungari, Gjermani, Maltë, Estoni, Portugali, Qipro dhe në Danimarkë.

Perceptimi pesimist që njeh rritje, mbi mënyrën se si po shkojnë gjërat në BE, nuk shoqërohet me ndryshim të perceptimit mbi rëndësinë e padiskutueshme dhe rolin që ka dhe mbart BE. Pra, vërehet se, perceptimi mbi çka i bashkon evropianët është më i rëndësishëm se, ajo çka i ndan ato. Hierarkia e elementëve përbërës të identiteti evropian, ngelet e njëjtë me kryesimin e vlerave të demokracisë dhe të lirisë, që vazhdon të jetë elementi më i cituar i të anketuarve. Studimi konstaton një tërheqje të rëndësishme nga monedha e përbashkët si element identitar, dhe pas saj renditen elementë që njohin progres si kultura, historia, suksesi i ekonomisë evropiane dhe gjeografia.

Perceptimi i të anketuarve mbi përfitimin që vendi i tyre ka nga anëtarësimi në BE, shkon kryesisht ndaj faktit se, BE ka kontribuuar në rritjen ekonomike të vendit të tyre; se BE ofron mundësi të reja punësimi; se BE kontribuon në mbajtjen e paqes dhe të përforcimit të sigurisë dhe se Unioni i jep kombeve një peshë më të rëndësishme në botë.

Por, çka tërheq më shumë vëmendjen, është perceptimi mbi elementët, që përforcojnë ndjesinë e të qenit qytetar evropian.

Janë 12 elementë, që citohen nga të anketuarit dhe ngjallin interes, pasi në thelb ato shfaqin në formën e tyre më të drejtpërdrejtë, se nga duhet të anojë projekti evropian dhe se, si duhet të rimodelohet ky projekt për t’a përputhur atë me pritshmërinë e qytetarëve evropianë.

Që ndjesia e të qenit qytetar evropian të përforcohet, të anketuarit kanë theksuar elementët e më poshtëm:

– Një sistem mbrojtje sociale evropiane i harmonizuar mes shteteve anëtare (kujdesi shëndetësor, edukimi, pensioni, etj);

– Mundësi për t’u instaluar në çfarëdolloj vendi të BE-së pas pensionit dhe pasja e së drejtës për marrjen e tij;

– Shërbime evropiane të ndërhyrjes së urgjencës për të luftuar kundër katastrofave natyrore ndërkombëtare;

– Një president i BE-së, i zgjedhur direkt nga qytetarët e të gjithë vendeve anëtare; – Pasja e një karte  identiteti evropian, përveç kartës së identiteti kombëtar;
– Një kurs edukimi qytetar evropian që në shkollën fillore;
– Pjesëmarrje në debatet kombëtare mbi të ardhmen e Evropës;

– Pasja e të drejtës për të votuar në të gjithë zgjedhjet e organizuara nga vendet anëtare, edhe pse nuk je qytetar i këtij vendi anëtar;

– Përdorimi i telefonit të lëvizshëm në të gjithë vendet e BE-së, me të njëjtin çmim;

– Një ushtri evropiane;

– Të mund të bëhen blerje në internet në të gjithë vendet e BE-së me të njëjtin çmim dhe me të njëjtin legjislacion për mbrojtjen e konsumatorëve;

-Ambasada të BE-së, në vende jashtë Unionit.

Ndër elementët e mësipërm, një pjesë e mirë e tyre, hapin rrugën e një reflektimi të domosdoshëm politik, mbi një integrim më të thelluar, me nuanca federale. Integrim, që favorizon unitetin dhe bashkimin e popujve dhe që ka kohë që shfaqet i projektuar nëpërmjet një bashkëpunimi më
të thelluar, kryesisht me vendet e Eurozonës. Ai çka tashmë njihet si projekti i Evropës së dy shpejtësive, ku vendet që dëshirojnë të kenë një integrim më të thelluar të avancojnë nën frymën federale. I mbrojtur dhe i favorizuar edhe nga një sërë personalitetesh në fushën evropiane, si opsioni i vetëm, që do të mund të rigjallërojë dhe të forcojë projektin evropian.

Një formulë, që ka përshkruar periudha të trazuara gjatë dy luftërave botërore, përmes iniciativave për paqe. Atëherë, kur askush nuk besonte se paqja dhe pajtimi mund të realizoheshin vetëm përmes një bashkimi forcash ekonomike, politike dhe kulturore dhe jo nëpërmjet bashkimit dhe aleancave ushtarake. Dhe do të ishte pikërisht Britaninë e Madhe, vendi ku u themelua ai që konsiderohet edhe si grupi i parë federalist evropian, në nëntor të vitit 1938, Unioni Federal.

Një lëvizje pro-evropiane e krijuar për të mbrojtur idenë e një Evrope Federale, ku qeveritë do
të mblidheshin në nivele të ndryshme, duke shmangur një centralizim shumë të rëndësishëm. Më pas, gjatë luftës së Dytë Botërore, Rezistenca në Evropë, do të favorizonte idetë federaliste
në perspektivën e krijimit të një projekti konkret afatgjatë për Evropën e pasluftës. Militanti komunist Altiero Spinelli në bashkëpunim me Ernesto Rosin do të shkruanin në fshehtësi teksa ishin të burgosur nga regjimi i Musolinit, Manifestin për një Evropë të Lirë dhe të Bashkuar, ku pasqyrohej ideja e një federate të ardhshme evropiane. Sigurisht pa nënvlerësuar këtu, pikëpamjet federaliste të një sërë figurash politike, që kërkonin një bashkëpunim evropian, si përgjatë shekullit të XIX, por edhe gjatë fillimit të shekullit të XX. Atij shekulli që shënoi në kapitujt e historisë të kontinentit Evropian, ambiciet nacionaliste që fabrikuan luftërat, mungesën e tolerancës dhe spastrimet etnike.

Falë Bashkimit Evropian, kemi gjysmë shekulli paqe, prosperitet dhe stabilitet. Falë këtij bashkimi, u arrit të shkohej drejt demokracisë liberale, lirisë, tolerancës, reformave dhe të drejtave të njeriut. Në vend që të luftonin me njëri-tjetrin, kombet e Evropës mësuan gradualisht të zhvillojnë aftësinë për bashkëpunim në paqe, nëpërmjet një ndërmarrje të përbashkët, duke i ofruar qytetarëve të tyre një perspektivë më të sigurt. Askush nuk e imagjinonte në atë epokë, teksa nënshkruhej para afro gjysmë shekulli Traktati i Romës, se Evropa e kundërshtarëve dhe rivalëve të vjetër, do të bashkëpunonte në paqe në projektin e ri që bazohej mbi demokracinë, lirinë, respektin e të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha, solidaritetin. Falë këtij bashkimi, Evropa e luftërave shkroi kapitujt e paqes, duke konfirmuar se projekti i bashkëpunimit, është një projekt i pakonkurrueshëm për nga vlera që mbart. Ky projekt bashkimi, solli jo vetëm paqen dhe prosperitetin, por shërben si e vetmja platformë paqe dhe ekuilibri, për të gjitha vendet që kërkojnë anëtarësimin në të. Mbi të gjitha nuk duhet harruar, se ky projekt bëri të mundur ndërtimin e urës mes Lindjes dhe Perëndimit, aty ku Lufta e Ftohtë kishte shembur urat e komunikimit duke formësuar ndasi dhe përçarje mes kulturave dhe ideologjive të ndryshme. Projekti i Bashkimit Evropian, edhe pse me ulje ngritje, ka dëshmuar se është i vetmi projekt që pati forcën të realizojë ribashkimin e një kontinenti të përçarë prej shumë kohësh nga antagonizmat dhe luftërat, nga tensionet dhe konfliktet, nga ideologjitë dhe dogmat. Është i vetmi projekt, që pati forcën të fusë historinë e kontinentit, në kapitullin e Paqes. Kapitull, që do të vazhdojë të shkruhet për sa kohë ky projekt do të ketë forcën të ekzistojë.

Im.Ta.

DITA

November 19, 2016 15:12