Ziçishti: Mbledhjet sekrete në shtëpinë e Mehmetit për sabotimin e Konferencës së Partisë për Tiranën më 1956

Kujtim Borici December 13, 2012 12:12

Ziçishti: Mbledhjet sekrete në shtëpinë e Mehmetit për sabotimin e Konferencës së Partisë për Tiranën më 1956

Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut

 

Dëshmia:’Skenari u dhanë nga zbulimi sovjetik e ai jugosllav. Mehmet Shehu përcaktoi detyrat konkrete për Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun, mua, Feçor Shehun e pjesëtarët e tjerë të grupit’

 

Publikimi i plotë i dosjes gjyqësore të Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, përkatësisht dëshmitë e ish-zëvendësministrit Mihallaq Ziçishti, që jepen në vazhdim, hedhin dritë mbi shumë të panjohura rreth prapaskenës së Konferencës së Partisë për Tiranën, zhvilluar në vitin 1956. Sipas këtyre dëshmive, situata e rëndë e krijuar në këtë Konferencë, kundërvënia hapur e shumë delegatëve ndaj vijës së Partisë së Punës së Shqipërisë, kultit të individit e Enver Hoxhës, erdhën pas një skenari të përgatitur e realizuar nga zbulimet e huaja, në bashkëpunim me agjentët potencial të tyre në strukturat e larta të shtetit shqiptar, të përfshirë në një grup që kryesohej nga Mehmet Shehu. “Ne ishim rekrutuar nga agjentura jugosllave e ajo sovjetike veçmas, por me përkujdesjen e tyre, u bashkuam, u konsoliduam, zumë pozicione kyçe në Parti e strukturat shtetërore  dhe nisëm aktivitetin konkret për dobësimin e punës së Partisë, me synim, rrëzimin e pushtetit komunist. Grupin tonë e kryesonte Mehmet Shehu, ndërsa përveç meje, në këtë grup, ndër emrat kryesorë ishin Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Panajot Plaku, Beqir Balluki, Liri Gega, Llambi Ziçishti, Panajot Plaku, Dali Ndreu, etj… Sabotimi në Konferencën e Partisë për Tiranën, pasuar me një situatë të rënduar në vend, ishte një nga sukseset e grupit tonë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja. Njëkohësisht, pas Konferencës së Partisë për Tiranën, ne organizuam disa arratisje të bujshme të kuadrove të larta, duke hedhur hapa të tjerë të sigurt në rrugën drejt objektivit që kishim..”- pohon mes të tjerave Mihallaq Ziçishti në seancën gjyqësore të 22 gushtit të vitit 1993…

 

Mihallaq Ziçishti:- Para fillimit të punimeve të Konferencës së Partisë të Tiranës,  unë jam takuar dhe me Fiqret Shehun. Me Fiqret Shehun biseduam, shkëmbyem mendime për gjendjen e atëhershme… Gjithashtu, po para zhvillimit të punimeve të Konferencës së Partisë për Tiranën, Mehmet Shehu na mblodhi përsëri në shtëpinë e tij, ku veç meje e Fiqret Shehut, ka qenë edhe Kadri Hazbiu. Këtu ai na tha që ishte vendosur, që si i deleguar i Komitetit Qendror do të vinte Beqir Balluku.  Gjithashtu, ai i dha porosi Beqir Ballukut që të ishte në këtë mbledhje dhe Fiqret Shehu, që nga njëra anë të lejonin që të bëheshin pyetje e diskutime nga elementët antiparti që godisnin vijën e Partisë dhe udhëheqjen e saj, e nga ana tjetër i porositi të tregonin kujdes që në Konferencë të mos dilej hapur për të kërkuar revizionimin e vijës së përgjithshme të ndjekur nga Partia jonë në atë kohë. Mehmet Shehu, pasi na dha porositë e mësipërme, tha gjithashtu, na e theksoi, se në Konferencën e Partisë për Tiranën, për goditjen e vijës së Partisë, do të njihej Platforma e  Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke kërkuar që të ndryshohej qëndrimi që mbante PPSH ndaj Jugosllavisë dhe titizmit. Të konsideroheshin si gabime të Stalinit Letra e Byrosë Informative dhe të veprohej ashtu siç po veprohej dhe në vendet e ish-demokracive popullore atëherë. Sipas Mehmet Shehut, këto arritje në Konferencën e Tiranës, do të përcaktonin edhe vijën që do të përpunonte Partia në Kongresin e  Tretë të sajë. Në këtë takim, Kadri Hazbiu dhe unë i raportuam Mehmet shehut për punën që kishim bërë. Si para dhe gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës, një rol të rëndësishëm ka luajtur Panajot Plaku. Në vazhdim të deponimeve të mia që kam dhënë në hetuesi, për ti prerë rrugën e informacionit Komitetit Qendror mbi diskutimet armiqësore që zhvilloheshin nga elementët antiparti, në linjën e organeve të punëve të brendshme ishim ngarkuar unë, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Ndërsa në linjën e Komitetit të Partisë të Tiranës, ku Fiqreti ishte sekretare e parë, u ngarkua Fiqret Shehu. Dhe meqë ishte i deleguar Beqir Balluku, ju dha dhe atij kjo detyrë. Të gjithë këtë veprimtari e kemi bërë pra, në lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin, në lidhje të vazhdueshme me Mehmet Shehun, pra unë, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, e ja arritëm qëllimit. Komiteti Qendror nuk u informua mbi gjendjen reale, dhe kështu, siç dihet, pikëpamjet antiparti që qarkullonin, për të cilat grupi ynë ishte plotësisht në dijeni, u shfaqën në Konferencën e Tiranës….

 

Së dyti, sipas porosisë së Mehmet Shehut, në konferencë, një rol të rëndësishëm luajti Kadri Hazbiu. Beqir Balluku, sipas detyrave që mori, do të lejonte që në Konferencë të bëheshin pyetje e diskutime në rrugë antiparti, por kurdoherë, ashtu siç kam thënë edhe më lart, të mos shkonim deri atje sa të dilej hapur për revizionimin e përgjithshëm të vijës së Partisë dhe të goditjes së Udhëheqjes së saj.  Mirëpo, në Konferencë, pyetjet dhe diskutimet po i kalonin caqet e caktuara nga ne, kështu që Mehmet Shehu e Beqir Balluku, u detyruan të njoftonin Udhëheqësin e Partisë(Enver Hoxhën), i cili erdhi në Konferencë dhe e shpartalloi këtë veprimtari armiqësore…. Pas Konferencës së Tiranës të vitit 1956, me gjithë që ndodhi tërë kjo veprimtari e rëndësishme armiqësore, në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, asnjë analizë nuk u bë. Prandaj e them që një rol të rëndësishëm ka luajtur Kadri hazbiu, se Kadri Hazbiu u ka dhënë dhe porosi të deleguarve çfarë qëndrimi të mbanin në Konferencë.

 

Prandaj, fill pas Konferencës së Partisë të Tiranës, Mehmet Shehu më thirri mua e Kadri Hazbiun dhe bëmë planin si të mbulonim këtë veprimtari, duke na porositur që tani të zhvillonim veprimtarinë, por të ishim më të kujdesshëm, në mënyrë që të mos zbuloheshin gjurmët e veprimtarisë sonë. Në këtë rast, dua të theksoj edhe një moment tjetër. Ndërsa nga një anë, siç shpjegova më lart, pjesëmarrësit e organizatës kundër revolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu bënë të gjithë këtë punë antiparti dhe në shërbim të agjenturës jugosllave, në Plenumin e Komitetit Qendror që u bë për miratimin e raportit të plenumit, sipas porosisë së Mehmet Shehut, jemi ngritur unë, Kadri Hazbiu e Petrit Dume dhe kemi kërkuar, në kundërshtim me taktikën që kishte punuar Partia, jemi ngritur e kemi kërkuar që të dënoheshin hapur jugosllavët, duke thënë se ata vepronin kundër Partisë. Kështu, që ndërsa atje bëmë të gjithë atë punë pro jugosllavëve, në plenum bëmë të kundërtën. Në këtë rast, Udhëheqësi i Partisë, duke shpjeguar taktikën që kishte përpunuar udhëheqja e Partisë, e dënoi qëndrimin tonë. Kështu, në pushim, Mehmet Shehu, e thirri Kadri Hazbiun dhe i thotë që bëtë gafë, prandaj tërhiquni, megjithëse ai vetë i kishte dhënë porosi atij dhe mua që ta bënim këtë në Plenum. Me kritikat që na bëri Udhëheqësi i partisë, ne u tërhoqëm në situatën e krijuar.

 

Në vazhdim të deponimeve të mia, do të shpjegoj, pas Konferencës së Partisë të Tiranës, të ndodhur para presionit të fakteve, u detyruam të bëjmë një mbledhje me kuadrot kryesore të ministrisë. Në këtë raport që e përgatita unë, vumë të detyruar, siç thashë nga presioni i fakteve që ishin, sepse duhej thënë diçka, edhe në kuadrin e mbulimit të gjurmëve, të ve për veprimtarinë armiqësore kundër Partisë që zhvillonte agjentura jugosllave. Dhe konkretisht njerëzit e ambasadës jugosllave. Këtë raport ja dhashë Kadriut, e pa, e me porosi të tij ja dhashë kryekëshilltarit Dimitrijev. Dimitrijev, pasi e pa raportin dhe u këshillua me këshilltarët e tij, më vjen i nevrikosur në zyrë dhe më thotë se ‘kjo nuk qëndron’ dhe më vuri para faktit:’Është vendimi yt personal apo është i gjithë aparatit!’. Ai i nxehur, dhe unë i nxehur, u ndamë. I raportoj Kadri Hazbiut për gjendjen dhe vendosëm që të bëjmë një mbledhje. Mua më porositi, ndonëse kisha bërë raportin, që të mos diskutoj. Kështu që i lamë kuadrot vetë që të debatojnë me këshilltarët sovjetikë. Ndërsa Kadri Hazbiu nuk foli as në fillim, as gjatë, as në fund të mbledhjes. Si përfundim, kjo mbledhje, megjithëse përfundoi ashtu, domethënë me të gjithë mendimin unanim nga kuadrot e organeve të Sigurimit të Shtetit, natyrisht, ajo la mbresa negative në mendjen e tyre. Dua të theksoj se Kadri Hazbiu nuk i dha tonin që duhej dhe nuk foli fare.

 

Si përfundim, qëllimi që synonin të arrinin këshilltarët sovjetikë ishte përpunimi i kuadrove të ushtrisë për të tërhequr vëmendjen nga jugosllavët dhe veprimtaria e tyre kundër PPSH, në favor të zbatimit të Platformës së Kongresit të 20-të. Pas disa ditësh Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu e thërrasin kryekëshilltarin Dimitrijev në kryeministri. Seç biseduan, nuk e di, por pas dy a tre ditësh, ai u largua nga Shqipëria dhe në vend të tij erdhi një tjetër, me emrin Voronin. Në këtë rast u ndërruan edhe shumë këshilltarë, në mos gabohem, pothuajse u ndërruan të gjithë këshilltarët sovjetikë…

 

Si konkluzion i përgjithshëm, në të gjithë këtë veprimtari armiqësore që bëri grupi ynë puçist i kryesuar nga krye agjenti Mehmet Shehu, për realizimin e prapaskenës se Konferencës së Tiranës, ne pjesëtarët e grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu, vepruam në kundërshtim me mësimet e Udhëheqësit të partisë, i cili, si mua, ashtu edhe Kadri Hazbiut, na ka ndenjur si çekan, si të thuash mbi kokë, e na ka porositur për kujdesin që duhet të kishim ne, për kujdesin që duhet të kishin kuadrot e Ministrisë së Brendshme, që ata të kuptonin mirë taktikën e Partisë dhe jo të dobësohej puna, por të gjendeshin forma të tjera më të stërholluara për ta vazhduar këtë punë akoma më me kujdes. Në këtë situatë delikate, duke vlerësuar lart rolin që duhet të kryenin organet e punëve të brendshme, Udhëheqësi i Partisë bëri dhe një mbledhje me kuadrot kryesore të ministrisë ku na shpjegoi situatën e përgjithshme, na shpjegoi situatën që ndodhte në Bashkimin Sovjetik e në vendet e demokracisë popullore dhe na dha detyrat. Jo ta dobësonim, por përkundrazi, në forma të tjera të stërholluara të rrisnim këtë punë në drejtim të agjenturës jugosllave dhe elementëve antiparti. Mirëpo ne, me gjithë këto porosi, nën udhëheqjen e  poliagjentit Mehmet Shehu, në kundërshtim të hapur me këtë preokupacion që kishte Udhëheqësi i Partisë, me këto udhëzime e detyra që na dha, dalë nga dalë, e dobësuam vëmendjen ndaj veprimtarisë së agjenturës jugosllave, pastaj dhe të asaj sovjetike, deri në vitin 1956, në mos gabohem, e zbehëm fare  ndjekjen e  agjenturës jugosllave dhe ndjekjen e  zbuluesve përkatës duke riorganizuar ose më mirë, duke e thënë troç, duke shkrirë fare sektorin përkatës. Në të gjithë këtë veprimtari puçiste, përveç drejtimeve që grupi ynë puçist zhvilloi para, gjatë dhe pas Konferencës së Tiranës, një drejtim tjetër armiqësor që përpunuan Mehmet Shehu, unë, Kadri hazbiu, Fiqret Shehu dhe Feçor Shehu, për ti shpëtuar veprimtarisë sonë armiqësore, ishte dhe organizimi i arratisjes së Lili Gegës Dali Ndreut si dhe organizimin e arratisjes së Panajot Plakut. Dali Ndreu ka qenë bashkëpunëtorë i vjetër i Mahmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, ndërsa Liri Gega ka qenë bashkëpunëtore e vjetër në rrugë armiqësore me Fiqret Shehun. Dali Ndreu dhe Liri Gega ishin në dijeni të veprimtarisë sonë armiqësore, prandaj nga një anë për të shpëtuar lëkurën tonë, nga ana tjetër, për atë konjukturë që ishte krijuar atëherë në botë dhe në demokracitë popullore, organizimi i arratisjes së Dali Ndreut e Liri Gegës do u shërbente agjenturave të huaja për thellimin e veprimtarisë së tyre kundër Partisë së Punës të Shqipërisë. Vendimin për organizimin e arratisjes së tyre e kemi diskutuar gjatë e gjerë me Mehmet Shehun, me Kadri Hazbiun, me Fiqret Shehun e me mua… Pastaj në këtë veprimtari u inkuadrua dhe Feçor Shehu. (Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Mihallaq Ziçishtit në gjyqin e Kadri Hazbiut: Si dështoi arratisja e Liri Gegës dhe Dali Ndreut. Takimi i Kadri Hazbiut në burg me ‘ta dhe porositë që u dhanë për të mbajtur sekret veprimtarinë e grupit tonë armiqësor që kryesohej nga Mehmet Shehu.

-Si bashkëpunuam me zbulimin jugosllav për arratisjen e Panajot Plakut. Takimi sekret që bëmë unë e Feçor Shehu me të arratisurin Plaku dhe pliko e jugosllavëve për Mehmet Shehun.

-Fati i Teme Sejkos dhe kërcënimi i kryekëshilltarit sovjetik Voronin për Kadri Hazbiun:’Nuk vepruat sipas porosive tona, jini më të kujdesëshëm!’

 

SOM 1

“Në këtë veprimtari armiqësore që bëri grupi ynë puçist i kryesuar nga krye agjenti Mehmet Shehu, për realizimin e prapaskenës se Konferencës së Tiranës, ne pjesëtarët e grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu, vepruam në kundërshtim me mësimet e Udhëheqësit të partisë, i cili, si mua, ashtu edhe Kadri Hazbiut, na ka ndenjur si çekan mbi kokë dhe na ka porositur për kujdesin që duhet të kishim ne për zbulimin e goditjen e punës armiqësore. Por detyra jonë si agjentë të zbulimeve të huaja, ishte e kundërta”

 

SOM 2

“Pas Konferencës së Partisë të Tiranës, Mehmet Shehu më thirri mua e Kadri Hazbiun dhe bëmë planin si të mbulonim këtë veprimtari, duke na porositur që tani të zhvillonim veprimtarinë, por të ishim më të kujdesshëm, në mënyrë që të mos zbuloheshin gjurmët e aktivitetit sonë… Në Plenumin e Komitetit Qendror që u bë për miratimin  e raportit, sipas porosisë së Mehmet Shehut, për të mbuluar gjurmët, jemi ngritur unë, Kadri Hazbiu e Petrit Dume dhe kemi kërkuar të dënoheshin hapur jugosllavët.. Kështu, që ndërsa atje bëmë të gjithë atë punë pro jugosllavëve, në plenum, bëmë të kundërtën”

 

SOM 3

“Një drejtim tjetër armiqësor që përpunuam Mehmet Shehu, unë, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu dhe Feçor Shehu, për të shpëtuar veprimtarinë tonë armiqësore, ishte dhe organizimi i arratisjes së Lili Gegës, Dali Ndreut si dhe Panajot Plakut. Dali Ndreu ka qenë bashkëpunëtorë i vjetër i Mahmet Shehut e Kadri Hazbiut, ndërsa Liri Gega ka qenë bashkëpunëtore e vjetër në rrugë armiqësore me Fiqret Shehun. Dali Ndreu dhe Liri Gega ishin në dijeni të veprimtarisë sonë armiqësore”

Kujtim Borici December 13, 2012 12:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*