Ziçishti: Si sakrifikuam bashkëpunëtorin Teme Sejko për të evituar zbulimin e grupit tonë armiqësor

Kujtim Boriçi December 15, 2012 15:05

Ziçishti: Si sakrifikuam bashkëpunëtorin Teme Sejko për të evituar zbulimin e grupit tonë armiqësor

Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut

 

Dëshmia:’Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, agjentura sovjetike i tërhoqi vëmendjen për pa aftësinë për evitimin e dënimit të Liri Gegës, Dali Ndreut Teme Sejkos e Hetem Çakos’

 

Në vazhdim të deponimeve në seancën e 23 gushtit 1983, Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, pasi ka pranuar se është armik e puçist, që së bashku me Kadriun, Feçorrin, Ballukun etj…, zbatonin detyrat e dhëna nga kreu i organizatës Mehmet Shehu, ka dhënë detaje lidhur me eleminim e disa anëtarëve të grupit, me qëllim zbulimin e veprimtarisë së tyre. “Teme Sejko, ishte bashkëpunëtor i grupit tonë armiqësor. Për shkak se aktiviteti i tij kishte ngjallur dyshim tek Partia e Punës e udhëheqja, me qëllim që të mos diktohej aktiviteti i grupit, u detyruam të sakrifikojmë dhe anëtarët tanë me peshë. Kurban, ishte dhe Teme Sejko. Mehmet Shehu, Kadriu dhe unë, e takuam pas arrestimit dhe para gjykimit dhe e porositëm të mos tregonte grupin, duke e garantuar që do të ndërhynim për ti falur jetën e lirim sa më të shpejtë. Por kjo nuk ndodhi”- pohoi Ziçishti në gjyq….

 

Vazhdim i seancës, 23 gusht 1983

Mihallaq Ziçishti:- Si përfundim, përpara grupit tonë shtrohej çështja që të mos e prishnim me sovjetikët dhe të dilnim para Partisë si anti hrushovianë. Kështu, u hodh poshtë varianti i arratisjes së  Teme Sejkos në Greqi, se kjo nuk u leverdiste as vetë sovjetikëve. Një variant tjetër që diskutuam, duke hedhur poshtë organizimin e arratisjes së Teme Sejkos në Greqi, hodhëm variantin që të rregullohej puna që ai të dërgohej për studime në Bashkimin Sovjetik. Dhe këtshtu, ai të mos kthehej më. Edhe këtë variant, pasi e kemi diskutuar gjerë e gjatë, me personat që thashë më sipër, e hodhëm poshtë, se edhe kjo na vinte përpara përgjegjësisë së Partisë pas tërë atyre ngjarjeve që kishin ndodhur. Prandaj duke diskutuar problemin, së pari, vendosëm që të merrej çdo masë që ai të arratisej. Domethënë, duhej zgjidhje, por që Teme Sejko të mos arratisej në Jugosllavi. Teme Sejko punonte atëherë në Flotën Ushtarake Detare dhe ishte aktivizuar si agjent i sovjetikëve duke punuar në këtë Flotë. Për problemin e Teme Sejkos, edhe para, edhe pas daljes së të dhënave, kanë qenë në dijeni të plotë edhe këshilltarët sovjetikë. Kadri Hazbiu, këtë çështje e kishte biseduar gjatë me kryekëshilltarin Voronin. Një ditë, pasi e kishin arrestuar Teme Sejkon, më vjen Voronin në zyrë dhe më thotë,: Pse nuk e mbajtët fjalën me Teme Sejkon!?.  I them ku e ke fjalën. Na keni premtuar -tha- që të mos e arrestoni, na keni premtuar që do na e dërgoni.  I thashë se nuk di gjë për këtë që më thua. Pasi këmbyem fjalë, menjëherë ai shkoi njoftoi Kadri Hazbiun për bisedën që kishim bërë. Ai, Kadiu, e pohoi që kishte bërë një bisedë të tillë. Më vonë më thirri së bashku me ‘të edhe Mehmet Shehu dhe e ribiseduam përsëri këtë çështje. Në vijim të deponimeve të mia; ne rrahëm mendime, pasi u vendos arrestimi i Teme Sejkos, me Mehmet Shehu, me Kadri Hazbiun, Beqir Ballukun. Çështja ishte:

E para, që ai të mos nxirrte sovjetikët.

E dyta, të mos nxirrte pozicionin armiqësor të Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Kadri Hazbiut, Hito Çakos, që ai i njihte.

Si u veprua më tej me Teme Sejkon? Hazbiu atëherë, kur e H

Në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit kishte të dhëna për një grup armiqësor në Konispol me të cilin Teme Sejko kishte lidhje. Ai(grupi) përbëhej nga Tahir Demi, Taho Sejko, etj… Kështu në kuadër të veprimit dhe mënyrës së veprimit që menduam për Teme Sejkon, vendosëm që çështjen e tij ta lidhnim me këtë grup, domethënë, me grupin e Konispolit. Edhe kështu e bëmë.  Gjatë këtij veprimi u manovrua në hetuesi nga Beqir Balluku, Kadri Hazbiu dhe unë që të rakordonim deponimet e bëra nga grupi me Teme Sejkon.

 

Domethënë që Teme Sejko të konfirmonte atë që kishin thënë Tahir Demi dhe të tjerët. Insistuam që të mos nxirrte sovjetikët. Nga ana tjetër gjithashtu manovruam edhe me Tahir Demin në hetuesi që ai të depononte lidhjet e tij me Teme Sejkon dhe synimet që kishin duke qenë në shërbim të amerikanëve. Siç thash këtu, çështja ishte që të evitoheshin sovjetikët. Në këtë manovrim që bëmë, futëm dhe Kosta Filin, i cili ishte një diversant i arrestuar, ishte në burg.  Me ‘të kam biseduar unë, ka biseduar dhe Kadri Hazbiu. Rekomanduam çështjen të lidhur me grupin e Konispolit. Kosta Filin, të cilit Kadri Hazbiu e njihte, ja ka thënë hapur. Kadriu ja ka thënë dhe ja ka shpjeguar hapur  dhe e  ka instruktuar se çfarë të deponoj në hetuesi. Kështu që në këtë çështje, siç thash, u inkuadrua edhe ai.  Të gjithë këtë punë e kemi bërë me qëllim për të bërë presion ndaj PPSH duke nxjerrë në këtë proces rrezikun amerikan. Këto kombinacione e intriga janë bërë nga ana jonë në sajë të presionit të agjenturës sovjetike.  Që pas arrestimit të Liri Belishovës dhe goditjes së saj, nxjerrja e Teme Sejkos si agjent në shërbim të sovjetikëve, do ti shërbente Partisë për të goditur e demaskuar edhe më tej, ashtu siç po e bën me sukses luftën kundër revizionizmit hrushovian…

 

Pasi Teme Sejko është arrestuar, ai është shpënë në fillim në një vilë afër Maminasit. Atje u çua edhe para, edhe pas marrjes së dënimit. Këtu, takim i veçantë me Teme Sejkon është bërë nga unë, nga Kadri Hazbiu, nga Beqir Balluku dhe nga Mehmet Shehu. Unë e di që në fund Teme Sejko është pushkatuar. Nuk kam marr pjesë në pushkatimin e tij, por siç më ka thënë Kadri Hazbiu, ky ishte pushkatuar, domethënë, rrëzoj versionin që ai mund t’u ishte dorëzuar sovjetikëve. Në të gjithë këtë problem, domethënë  në çështjen e Teme Sejkos një rol të madh, siç thashë, kanë luajtur Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, unë, gjithashtu edhe Halim Xhelo.

 

Si përfundim, i të gjithave sa thashë më sipër, çështjen e  Konferencës së Tiranës, arratisjen e  Dali Ndreut e Liri Gegës, arratisjen e Panajot Plakut dhe arratisjen e  Xhelo Koçiut,  e kemi bërë në bashkëpunim të ngushtë unë me Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun etj… Çështjen e kombinacioneve, na ka ardhur në ndihmë, siç e shpjegova dhe më sipër, agjentura amerikane dhe ajo sovjetike. Për të rritur prestigjin e grupit tonë, siç është çështja e Hetem Çakos, çështja e diversantëve Zenel Shehu e Halil Branica, janë bërë në marrëveshje me zbulimet e huaja… Hollësitë më të sakta i dimë unë dhe Kadri Hazbiu. Unë, nëpërmjet trupit gjykues themë që ai, Kadriu, të ndërroj këtë qëndrim që mbanë para gjyqit dhe të japë hollësira mbi këto probleme. Gjithashtu i bëj thirrje dhe Feçor Shehut që të ndërroj qëndrim dhe të deponoj veprimtarinë e tij dhe veprimtarinë e gjithë grupit, të gjitha ato veprime që kemi bërë bashkë dhe të gjithë veprimtarinë që ka kryer ai nën udhëheqjen e Mehmet Shehut, në kuadrin e organizatës puçiste kundër revolucionare që kishte për qëllim përmbysjen e  diktaturës së proletariatit në Shqipëri dhe të vendoste rendin kapitalisto-revizionist…

 

Kryetari:- Për herë të parë, ti për Mehmet Shehun the se e ka marrë vesh në shtëpinë nga ky Llazar Papapostoli. Ti e ke njohur më parë Llazar Papapostolin?

Mihallaqi:- Llazar Papapostolin unë e kam njohur më përpara, e kam njohur si fshatar, por ai ka ikur kur kam qenë unë i vogël dhe nuk e mbaj mend….

Kryetari:- Domethënë, për herë të parë ti je takuar aty në atë shtëpinë, ti me këtë Llazarin?

Mihallaqi:- Për herë të parë atje jam takuar në atë shtëpinë, por, kisha marrë vesh më parë për të dhënat që kishin dalë për Mehmet Shehun gjatë proceseve që ishin zhvilluar atëherë me agjentët e zbulimit anglo-amerikan.

Kryetari:- Llazar Papapostoli është ky Lariposti?

Mihallaqi:- Lariposti….

Kryetari:- Lidhur me këtë Laripostin, pa dëgjo një dokument që flet këtu, ju jeni njohur me këtë dokument si dhe të pandehurit e tjerë…?

Mihallaqi:- Jam njohur.

Kryetari:- Është në faqen 14 ky dokumenti. Këtu thuhet pikërisht, kështu thotë ky, në një letër që është si dokument, këtu thuhet:-Do ta mbani mend se ua përsëris disa herë që ne duam fakte, fakte dhe fakte, rreth çdo situate dhe gjëje. Vetëm në fakte mund të bëhet… ‘Mjekrës’, Mehmet Shehut, i thoni shumë të fala nga mua, a është e mundur të më çojë ndonjë raport mbi gjendjen dhe aktivitetin e tij. Nuk shkruan më nëse e takoj. Me sinqeritet, Post. PS: Këtë letër mund ta shohë dhe ‘Mjekra’.”. Je njohur me këtë letër ti?

Mihallaqi:- Jam njohur. Bile, ai në atë takim, Llazar Papapostoli, kërkoi nga unë që t’ia rregulloja takimin me Mehmet Shehun. Unë e refuzova se nuk e njihja atëherë Mehmet Shehun, siç e kam deponuar…

Kryetari:- Ky është Llariposti. Po kështu, për atë Llaripostin janë edhe thëniet e tij të bëra në hetuesi. Në faqen 16 të dosjes nr 16, janë një serë dokumentesh. Këtu është një dokument i tillë që thuhet për Mehmet Shehun: – Urgjent. C.X.G 983, 15 gusht 1100/15-A. Sapo kemi siguruar material të freskët që bën fjalë për kontakte personale të veçanta midis BAB-008 dhe rusëve. Fatkeqësisht, tani është  krejt i pamundur përdorimi i këtij materiali për BAB-008. Megjithatë, shpresojmë se në të ardhmen do të ketë përmirësime. Dokumentet tregojnë qartë se BAB-008(Mehmet Shehu) është shumë ambicioz, i etur për pushtet dhe ka besim tek rusët. Në këtë aspekt ai është i përgatitur që të sakrifikojë çdo njeri nga kolegët e tij të Partisë, në thonjëza. D. Lutemi, analizoni raportet tuaja të më parëshme duke pasur para syve tonin 871 datë 20 shkurt dhe në këtë drejtim vazhdoni përpjekjet tuaja T.F. Shqipëria. Në qoftë se vjen ndonjë gjë për babë, ne do tju kërkojmë atyre të mbajnë para syve kërkesat tona. R.S.O.O, nr 5 D.K. 1.P.1. Prap një dokument tjetër që flet për këtë BAB sipas ekspertizës. Je njohur dhe me këto dokumente?

Mihallaqi- Jam njohur. Dua të them këtë që fill pas ardhjes së Mehmet Shehut si Ministër i Brendshëm, ai u vu në shërbim agjenturor të Gllaskovit…

Kryetari:- Pikërisht, për këtë flasin faktet që kanë bërë lidhjen me rusët BAB-008…

Mihallaqi:- Mundet të ky, njëkohësisht siç kam deponuar me Gllaskovin është vënë në lidhje agjenturore dhe Kadri Hazbiu, dhe mbanim lidhje që të dy me këtë dhe me një tjetër Sokolov, por ai ishte për drejtimin e ushtrisë. Unë thashë që jam njohur vetëm në atë darkë, mund të bëjë fjalë dhe për këtë….

Kryetari:- Lidhur me shoqërinë në kohën që fole ti, marrëdhënie ka pasur Kadri Hazbiu me këta, Nesti Kerenxhin, Myftar Taren, Vaskë Kolecin, etj…

Mihallaqi:- Po tani ne kemi qenë në shoqëri, një rreth, si të thuash shoqëror. Kadri Hazbiu ishte me Vaskë Kolecin dhe ishte në elitën e kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me Nesti Kerenxhin e Vaskë Kolecin. Nesti ka qenë drejtor, Vaska nëndrejtor. Me Panajot Plakun dhe Maqo Çomon…..

Kryetari:- Në hetuesi te ke folur rreth një bisedimi që ke bërë  në sallën e  Kuvendit me Kadri Hazbiun, pas asaj të Mehmet Shehut të Mbledhjes së Byrosë Politike. Çfarë të ka thënë ty lidhur me qëndrimin ndaj Mehmet Shehut që është mbajtur në Byronë Politike, që ka mbajtur ai…?

Mihallaqi:- Siç e kam marr vesh, Mehmeti pasi bëri fejesën e djalit , i thirr nga Udhëheqësi i Partisë dhe u detyrua që të bëj autokritikë dhe që vazhdoi ajo që vazhdoi. Në sallën e Kuvendit Popullor, duke e ditur këtë, e pyes Kadri Hazbiun: Ti ke qenë në këtë thirrje?. Më tha që kam qenë. Ç’qëndrim mbajte atje?- e pyes. Më tha mbajta si të gjithë të tjerët, nuk mund të bëja ndryshe.

Së fundi, dua të sqaroj një çështje, se unë në Peshkopi kur ndodhën arratisjet e Kllobçishtit, nuk kam vajtur me cilësinë e të deleguarit, të anëtarit të Komitetit Qendror, por si zakonisht, kur ndodhin gjëra, bëhet dhe analizë.  Edhe unë, i dërguar nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, vajta për të mbuluar çështjen, sepse, siç e analizova, ai ishte provokacion i organizuar nga agjentura që kishte në lidhje Kadri Hazbiu, nga agjentura dopiorol, Demir Leka, Njazi Agolli, etj… Për sa i përket çështjes së Lleshëve, ajo prapë është një veprim i Feçor Shehut, i cili i mbrojti ashtu siç kishte detyrën… Kaq kisha unë…

Kryetari:- Në lidhje me këtë, i pandehur, lidhur me çështjen e një materiali në atë kohë, që Mehmet Shehu, pas Plenumit të 11, janë hequr një sërë njerëzish në atë kohë. Ti ke pranuar në hetuesi që në zbatim të këtij orientimi që ishte armiqësor, të liroheshin dhe njerëz të agjenturave të huaja.. Janë liruar, edhe ke thënë aty, sipas detyrës, unë realizova lirimin nga burgu të disa, ato që keni biseduar me Mehmet Shehun. Të kujtohet?

Mihallaqi:- Më kujtohet

Kryetari:- Në atë kohë janë liruar Llazar Papapostoli, Isan Qereshniku, etj….

Kryetari:- Ç’ishte ky Isan Qereshniku?

Mihallaqi:- Isan Qereshniku ishte agjent i shërbimit anglo-amerikan. Pastaj, dora-dorës janë liruar dhe ai kontigjent që u arrestuan pas dënimit të Koçi Xoxes, si Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci dhe Thoma Karamelo.

Kryetari:- Këtij Voroninit, kryekëshilltarit, në atë kohë i janë dhënë informacion për ndjekjen e këtyre pjesëtarëve të grupit të Teme Sejkos…

Mihallaqi:- I janë dhënë, i thashë…

Kryetari:- Lidhur me Panajotin, si do të mbaheshin lidhjet?

Mihallaqi:- Panajot Plaku do i mbante lidhjet nëpërmjet meje me anë të ndërlidhësit ‘Zana”.

Kryetari:- Si e quani atë?

Mihallaqi:- Zana

Kryetari:- Sanda?

Mihallaqi:- Emrin doni?

Kryetari:- Emri dihet, Sandra Popaj, s’ka rëndësi. Ajo të ka ardhur ty në shtëpi.

Mihallaqi:- Më ka ardhur.

Kryetari:- Çfarë të ka dhënë?

Mihallaqi:- Pas arratisjes së Panajot Plakut më ka dhënë një letër të cilën ia dërgova Mehmet Shehut.(Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Deponimet në gjyq të Mihallaq Ziçishtit: Cili ishte misioni sekret i Mehmet Shehut kur shkoi në OKB, udhëtimi me ‘Kuin Elisabet’ dhe takimi me përpunuesin e tij të parë, Hari Fulc.

-Ndërhyrja në gjyq e Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino për sqarime nga të pandehurit lidhur me deponimet e Ziçishtit.

-Feçor Shehu s’pranon akuzat e kundërshton Ziçishtin. Debatet mes Feçor Shehut, prokurorit Mino e kryesuesit të seancës Aranit Çela.

 

SOM 1

“Sabotimin në Konferencën e Tiranës më 1956, arratisjen e Dali Ndreut e Liri Gegës, arratisjen e Panajot Plakut dhe arratisjen e  Xhelo Koçiut,  e kemi bërë në bashkëpunim të ngushtë, unë, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj… Në çështjen e kombinacioneve, na ka ardhur në ndihmë agjentura amerikane dhe ajo sovjetike. Për të rritur prestigjin e grupit tonë, siç është çështja e Hetem Çakos, e diversantëve Zenel Shehu e Halil Branica, janë bërë në marrëveshje me zbulimet e huaja…”

SOM 2

“Pasi Teme Sejko është arrestuar, është shpënë në fillim në një vilë afër Maminasit. Atje u çua edhe para, edhe pas marrjes së dënimit. Këtu, takim i veçantë me Teme Sejkon është bërë nga unë, nga Kadri Hazbiu, nga Beqir Balluku dhe nga Mehmet Shehu. Nuk kam marrë pjesë në pushkatimin e tij, por detajet mi ka thënë Kadri Hazbiu. Në të gjithë këtë problem, domethënë, në çështjen e  Teme Sejkos një rol të madh, siç thashë, kanë luajtur Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, unë edhe Halim Xhelo”

 

SOM  3

“Për të rritur prestigjin e grupit tonë, siç është çështja e Hetem Çakos, çështja e diversantëve Zenel Shehu e Halil Branica, janë bërë në marrëveshje me zbulimet e huaja… Hollësitë më të sakta i dimë unë dhe Kadri Hazbiu. Unë dhe Kadri Hazbiu i kemi takuar, instruktuar, para dhe pas gjyqit, në mënyrë që të ruanin konspiracionin, të mos nxirrnin aktivitetin e grupit tonë, dhe se ne, do i ndihmonin në të ardhmen”

Kujtim Boriçi December 15, 2012 15:05
Komento

9 Komente

  1. Agim Hamiti December 15, 17:30

    Letër e Hapur drejtuar:
    – Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës.
    – Ambasadorit amerikan në Tiranë.
    – Gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

    Jam azilant politik në Bruksel, për shkak të një libri me personazhe realë e ngjarje të jetuara: Odiseja e një Detektivi (dy vëllime). Krerët e dy klaneve politike, blu e rozë, e njohin mirë këtë libër, mbasi policia civile e Tiranës ka paguar 100 $ për çdo kopje që u dorëzohej, kur ai u shpërnda në disa fakultete të UT. Nga ana tjetër, eksperti belg, që shqyrtoi imtësisht dosjen time për një kohë të gjatë, ka shkuar dy herë në Tiranë për të verifikuar identitetet e personazheve realë të librit dhe saktësinë e disa ngjarjeve të veçanta, të jetuara. Meqenëse unë këmbëngulja gjatë seancave të intervistës, që të egzaminoheshin patjetër skeletet e dy heronjve që prehen në varrezat e Tiranës – Fatmir Merdari e Afrim Pahia (personazhe të librit) –, eksperti belg u detyrua të pohonte:
    «Nuk është nevoja për asnjë lloj ekspertize. Për vdekjen e atyre të dyve ekzistojnë dosjet përkatëse në Tiranë, ku unë kam parë edhe fotografitë e tyre kur ishin të plagosur rëndë dhe në çastin e vdekjes. Gjithashtu kam verifikuar edhe identitetet e protagonistëve të tjerë të ngjarjeve që trajton libri juaj.»

    Natyrisht, pa autorizimin e qeverisë shqiptare nuk kryhen dot veprime të tilla. Ndërsa në mars të vitit 2009 gazeta SOT botoi në tre pjesë artikullin tim të gjatë me titull: Një zë nga shkretëtira shqiptare, ku trajtohen peripecitë e mia të azilit, të cilat përbëjnë një odisé më vete. Artikulli në fjalë gjendet endé në sajtin e gazetës SOT ; kushdo mund ta lexojë në internet. Me kërkesën e shumë bashkatdhetarëve, të cilët me kohë kishin rënë në gjurmët e vëllimit të parë të librit dhe të artikullit në fjalë, prej një muaji kam publikuar nëpërmjet internetit të dy vëllimet e librit Odiseja e një Detektivi. Vëllimi i dytë i ka bërë edhe më tepër përshtypje opinionit publik me ngjarjet dhe provat që sjell.
    Në mesazhet elektronike që po marr, shumë bashkatdhetarë më bëjnë një vërejtje që më ka preokupuar:
    «Një sekret i rëndësishëm, që lidhet me fatet e kombit e të popullit shqiptar, nuk duhet lënë që ta mbulojë pluhuri i kohës në asnjë rrethanë e për asnjë arsye. Përndryshe edhe ju, si autor i librit, bëheni bashkëfajtor me keqbërësit, në një kohë që edhe Afrika po rilind, ndërsa ne po rrëzohemi gjithmonë e më poshtë.»
    Në fakt të gjithë jemi dëshmitarë se Hosni Mubarak, lideri i një populli 80 milionësh në Afrikë, u detyrua të braktiste postin prej qëndrimit unanim kundër tij të diplomacisë amerikano-evropiane, për shkak të vrasjes së 300 demonstruesve.
    Gjithashtu të gjithë e dimë se në një vend të injoruar evropian me emrin Shqipëri, në vitet 1997-1998 politika vrau mbi 3500 shqiptarë (12-fishin e vrasjeve që kreu regjimi i Mubarakut në një popullsi njëzet herë më të madhe!), plagosi mbi 11 mijë të tjerë, shkatërroi institucionet e brishta shtetërore, hapi depot e municionit për të nxitur tërthorazi një luftë të verbër civile, dogji vendin, dhe po e njëjta diplomaci amerikano-evropiane i la të njëjtët politikanë ish-komunistë në pushtet.

    Rastësi?
    Politika e të mëdhenjve e përjashton kryekëput rastësinë; madjé, ajo vepron me plane afatgjata e të kalkuluara mirë. Politikanët mëkatarë të Tiranës u lanë qëllimisht në pushtet, për tu përdorur prej diplomacisë amerikano-evropiane për punë të mbrapshta antikombëtare, të cilat po i jetojmë përditë. Është utopi e naivitet i skajshëm politik t’iu kërkosh autorëve të tragjedisë së vitit 1997-1998 të gjykojnë me drejtësi dramën e Gërdecit, apo vrasjet e 21 janarit 2011. Edhe sikur krerët e politikës së sotme shqiptare (pozitë-opozitë) të tentonin të gjykonin me drejtësi tragjedinë e Gërdecit, ustallarët e prapaskenave të politikës – ambasadori amerikan në Tiranë dhe të dërguarit e Brukselit atje – do t’iu thoshnin me buzëqeshje diplomatike:
    «Dakord, por më parë duhen gjykuar vrasjet e vitit ’97-’98, mbasi krimet nuk parashkruhen. Pastaj u vjen radha tragjedisë së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit 2011.»
    E ç’mund të bëjnë ata atëherë, ndërkohë që dihet mirë se për megakrimin ‘97– ‘98 përgjigjen njësoj të dy klanet blu e rozë? Mëkati i vërtetë i politikanëve të Tiranës (pozitë-opozitë) është pranimi i misionit antikombëtar për hir të karrierës së pameritur; më tej krimi automatizohet. Pasojat merren lehtë me mend dhe janë prezente çdo ditë në faqet e shtypit, i cili gjithashtu është dyngjyrësh në shërbim të dy klaneve politike. Në këto kushte unë i bëj thirrje kryeministrit shqiptar, i cili aktualisht nuk është veçse një skllav rrethanash, të kontribuojë për denoncimin mbi baza dokumentare të aktit antishqiptar e prodiktatorial të CIAs që sabotoi në maj të vitit 1984 komplotin kundër diktaturës, të organizuar prej 22 trimave shqiptarë të Sigurimit të Jashtëm të asaj kohe. Nëpërmjet një veprimi të tillë, kryeministri shqiptar do të shpëtonte në radhë të parë vetveten dhe bashkëfajtorët e tij prej situatës pa rrugëdalje ku gjenden, pastaj gjithë kombin e popullin shqiptar, që janë në zgrip për shkak të politikës së tij regresive. E vërteta e kësaj çështjeje është thjeshtësisht e verifikueshme, mbasi në arkivat e shërbimit sekret gjenden dosjet përkatëse të atyre 22 trimave, disa prej emrave të të cilëve i kam cituar shpesh. Ndërkohë po ju jap edhe adresën dhe numrin e telefonit të njërit prej tyre në Amerikë:

    Dari Meli
    3609 BROADWAY, Apt. 4L,
    NEW YORK, N.Y. 10031
    U. S. A.
    Tel. 00 12 12 – 491 – 12 12

    Numri i cituar i përket një linje telefonike speciale, e cila i filtron telefonatat. Mënyrën sesi komunikohet nëpërmjet një linje të tillë ua shpjegon ish-Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Jashtëm (DSJ) në atë kohë, Ilir E. Hoxha, të cilin mund ta gjeni në selinë e Partisë së Punës të Riorganizuar në adresën:

    Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar
    Rr. «Hafiz I. Dalliu», Pallati 17/2, kati i parë,
    Tiranë.

    Megjithëse kryeministri shqiptar për njëzet vjet me radhë ka harruar t’ia heqë titujt Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste diktatorit Hoxha, besoj se ai nuk do të ngurrojë t’i kërkojë sqarimet e duhura Ilir Hoxhës lidhur me problemin madhor në fjalë.
    Ato ngjarje janë një fragment lavdie i historisë së popullit shqiptar, realizuar nga 22 burra guximtarë të prejardhur prej 22 familjeve të nderuara ish-komuniste nga më të afirmuarat e kohës, siç zgjidheshin detektivët prej diktaturës. Prejardhja ime është nacionaliste e antikomuniste, por kjo nuk më pengoi të lidhja miqësi në burg me ish-detektivin më të shquar të DSJ-së, Hamit Meli, idetë dhe vlera njerëzore e të cilit qëndronin ndjeshëm mbi ideologjitë. Asnjë i burgosur nuk e njihte të kaluarën e tij, mbasi ajo ishte fshehur qëllimisht prej përpiluesve të dosjes penale të ish-detektivit. Ky u hap në mirëbesim tek unë. Miqësia me Hamit Melin u bë shkak që unë të lidhesha më vonë tërthorazi me grupin komplotist të Guri Stretos. Ilir Hoxha i njeh në detaje këto të vërteta të dokumentuara. Ai duhet të tregojë sot se ku gjendet ish-zëvendësi i tij në detyrë, Guri Streto, i cili ishte përkohësisht edhe baxhanak i tij (i martuar ditën e enjte më 26 janar 1984). Ilir Hoxha duhet të tregojë gjithashtu ku gjenden aktualisht dy vëllezërit Hamit e Dari Meli, si edhe të pohojë rrethanat e vërteta të vdekjes së dy heronjve të rënë në prill-maj 1984, të cilët prehen në varrezat e Tiranës. Ata u varrosën me madhështi e të dekoruar si të rënë në krye të detyrës, por e vërteta është krejt tjetër. Përndryshe unë, i burgosur politik në vitin 1984 (qysh prej vitit 1978), nuk kisha nga ta dija se Fatmir Merdari është goditur natën me dy plumba pas shpine prej një distance të afërt, ndërsa Afrim Pahia ka kryer tentativë vetëvrasjeje, duke përplasur fort kokën pas murit në çastin e arrestimit me urdhër të Ilir Hoxhës. Ka vdekur në spital. Nëse u bëhet ekspertiza skeleteve të këtyre dy heronjve (mbasi t’iu jetë bërë më parë analiza e ADNsë), gjithçka bëhet e qartë edhe për më naivin e shqiptarëve. Por, normalisht, nuk lind nevoja të ndjekësh gjurmët, kur ujkun e ke përpara syve. Ilir E. Hoxha di gjithçka dhe e di shumë mirë ku i ka arkivuar dosjet e kësaj ngjarjeje, një substrakt i së cilës i është treguar edhe ekspertit belg që shqyrtoi dosjen time. Është në të mirën e krerëve të korruptuar të politikës shqiptare dhe të vetë Ilir Hoxhës që gjithçka t’i bëhet e ditur sot popullit shqiptar, para se ky t’i detyrojë ata të shprehen kundër dëshirës së tyre për një gjë të tillë. Tekefundit shqiptarët në këtë rast nuk do të kërkojnë asgjë më tepër se hapjen e dosjeve të një ngjarjeje të para 27 vjetësh. Të tjerat vijnë vetë pastaj… Institucionet, dokumentet, historia janë pronë e popullit shqiptar, jo e qiraxhinjve politikanë. Ashtu siç janë edhe heronjtë e atyre ngjarjeve bij të popullit e jo të politikanëve. Ndërkohë normat e demokracisë amerikane, opinioni i shëndetshëm publik amerikan, media e fuqishme amerikane si një pushtet i katërt real, ia bëjnë të pamundur diplomacisë amerikane dhe CIAs fshehjen e mëtutjeshme të një skandali që ndriçohet sadopak. Populli shqiptar është proamerikan nga natyra dhe ky është një virtyt, ndërkohë që po jetojmë epokën e qytetërimit amerikan. Por miqësitë në politikë nuk mbahen symbyllas: ky është një ves fatal, i cili jo vetëm që kushton tepër shtrenjtë, por bëhet shkak të fitosh edhe përbuzjen e mikut të pasinqertë, duke të quajtur të padenjë për miqësinë e tij. Një ndër presidentët më të respektuar amerikanë, Ronald Regan, pas pushtimit të Grenadës së vogël më 1983, deklaroi: «Nuk mund të jemi të pafajshëm në një botë që nuk është e tillë.» Ne duhet t’ua bëjmë të qartë sot me argumente miqve tanë amerikanë fajin që ka bërë CIA dhe dipolmacia e fshehtë amerikane ndaj Shqipërisë në maj 1984, ashtu si dyzetë vjet para kësaj date.

    Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jemi miq të amerikanëve, por nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë që trojet tona në jug të Shqipërisë dhe në veri të Kosovës e ndofta më gjerë, t’iu shërbejnë atyre për ujdi politike me Rusinë në Afganistan, Iran, apo në hartën e re gjeopolitike të Afrikës. Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që, për hir të një miqësie fiktive, kombi ynë, tejet i dobësuar e aktualisht në një proces shpërbërjeje të dukshëm, të tretet me kalimin e kohës si kripa në ujë në Unionin Ballkanik – ide kjo e hedhur rishtas prej diplomacisë amerikane në marrëveshje me BE. Të gjitha shenjat janë të qarta se kush do ta dominojë Unionin Ballkanik, ndërkohë që, siç shprehej dikur patrioti i shquar Sali Nivica, Serbia është Rusia prapa kodrës dhe Greqia, Rusia prapa malit. Ende pa u formuar ky Union, Greqia po avancon lirshëm në Shqipërinë e Jugut dhe Serbia është ulur këmbëkryq në veri të Kosovës dhe në enklavat e saj brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë Serbia, me ndihmën e Ilir Metës e të kryeministrit, pretendon për minoritet edhe në Shqipëri.

    Politikanët e Tiranës, të cilët janë të gjithë me origjinë komuniste, kanë sot një shanc historik, për të shpëtuar veten e tyre dhe kombin nga baltovina e pështirë ku po fundosen çdo ditë. Njëzet ish-kuadrot e rëndësishëm të DSJ-së, për të cilët bëhet fjalë, rrjedhin nga familje të mirëfillta komuniste; kjo imagjinohet lehtë, gjersa dihet se biografia politike ishte busulla e diktaturës. Më të moshuarit e atyre burrave sypatrembur janë sot 62 vjeç dhe gëzojnë shëndet të shkëlqyer. Shumë prej politikanëve të sotëm të Tiranës ka të ngjarë të kenë miqësi apo njohje të afërta me ata të njëzetë ose me familjarët e tyre, mbasi të dy palët i përkisnin pjesës më të privilegjuar të shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Në këto rrethana tejet të favorshme për ta, politikanët e sotëm shqiptarë nuk duhet të ngurrojnë për t’iu mundësuar atyre trimave rikthimin zyrtarisht në atdhe. Ata të njëzetë do të shërbenin si një kontigjent i shkëlqyer për zgjidhjen e situatës kritike shqiptare, mbasi gëzojnë mirëbesimin e plotë të autoriteteve amerikane dhe janë të mbrujtur tashmë me kulturën politike e qytetare të Amerikës demokratike. Si rrjedhojë, ata janë shumë të besueshëm prej autoriteteve të SHBA, mbasi kanë dhënë prova aftësie e guximi në kuota të tilla, ku politikanëve të rëndomtë shqiptarë nuk u shkon dot as fantazia. Ata trima atdhetarë do të mundësonin një fazë të re e të shëndetshme të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe një klimë të favorshme mbarëshqiptare për një Lidhje të Tretë.

    Në kasafortat e diplomacive të mëdha ekziston gjithmonë edhe një plan B për çështjet në proces. Politikanë të Prishtinës, Gjithë duke e vlerësuar kontributin amerikan për bombardimin e Serbisë nga NATO, ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se politika nuk udhëhiqet kurrë prej bamirësisë, por nga kalkulimet e interesit perspektiv. Dhe kjo është e natyrshme; e kundërta do të ishte utopi. Po nuk kuptuam kaq gjë, Ndërkombëtarët kanë të drejtë të na trajtojnë si një popull naiv, i sapozbritur prej pemëve. Dymbëdhjetë vjet pas bombardimeve të NATOs, realiteti po tregon se SHBA nuk e çliruan Kosovën me qëllim që ta bënin një shtet të fortë e të qëndrueshëm (kur u intereson, ata dinë më mirë se kushdo tjetër në botë ta realizojnë diçka), por për ta pasur si resto hesapesh politike në sirtarët e diplomacisë së tyre të fshehtë. Ndonëse Millosheviçi vdiq në burg, Serbia sot jo vetëm nuk trajtohet si shtet agresor, por dalëngadalë asaj po i krijohen koniuktura të tilla politike që e bëjnë optimiste për rifitimin gradual të Kosovës. Ndërkohë që Veriu i Kosovës është realisht nën zotërimin serb dhe enklavat e manastireve shënojnë plasdarmet e ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës së rraskapitur, Greqia po anekson në mes të ditës Jugun e Shqipërisë. 354,3 km² të detit Jon iu falën Athinës nga kryeministri shqiptar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi atë, por kryeministri filogrek, i cili është shqiptar vetëm nga pasaporta, ka autorizuar sërish bisedime të kundërligjshme në heshtje, për ta rivlerësuar paktin antikombëtar të detit. Nuk duhet harruar për asnjë çast se ai det nuk u përket vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës e më gjerë. Mirëpo sipas të gjitha gjasave, kryeministri shqiptar ka ndërmend t’ia bëjë këtë dhuratë Athinës në vjeshtë, me rastin e festës së tyre. Së bashku me regjistrimin e popullsisë sipas besimit fetar.

    Natyrisht, gjersa grekët po u ndërrojnë kombësinë eshtrave të të vdekurve shqiptarë, për t’i përdorur pastaj si sinorë të Vorioepirit në Korçë e gjetkë, pse të mos bëjnë të njëjtën gjë edhe me të gjallët e një populli të braktisur prej kreut të tij?

    Ndërsa para autoriteteve të Athinës kryeministri ynë qëndron kokulur si ndonjë vajzë e ndrojtur, qytetarët paqësorë shqiptarë ai i vret pa gjë të keq në mes të bulevardit, pastaj hedh valle me eunukët e partisë së tij, disa metra matanë pllakave të përgjakura. Dhe për të gjitha këto akte antishqiptare e antinjerëzore, pa llogaritur korrupsionin më të madh në Evropë dhe ngujimet e gjakmarrjes mesjetare të mijëra familjeve, ambasadori amerikan në Tiranë i akordoi titullin burrë shteti. Dihet se për të kryer punë të pisëta në vendet pa zot, nevojiten instrumente të pisët, me etiketë të ndryshuar. Ky është një mësim i lashtë i historisë.

    Natyrshëm lind pyetja: Nëse SHBA do të ishin miq të sinqertë të shqiptarëve (në Kosovë e Shqipëri), a do t’i stimulonin vallë këto veprime kaq të dëmshme në vendet tona respektive? A do të akuzohej aq rëndë kryeministri i Kosovës në prag të dialogut me Serbinë dhe mandej gojët akuzuese të heshtnin si me magji, mbasi të merrte rrugë ky dialog me leverdi të njëanshme?

    Nuk është e nevojshme të jesh politikan, për të kuptuar se gjashtë milionë izraelitë bëjnë ligjin në mes të qindra milionë arabëve, duke mos zbatuar as rezolutat e OKBsë, vetëm pse janë aleatë strategjikë, pra, miq të amerikanëve. Atëherë, si mund të mendojmë ne se amerikanët na vlerësojnë vërtet si miq, ndërkohë që kombi ynë po shkon qartazi në shpërbërje graduale, populli shqiptar në Kosovë e Shqipëri po vuan të zitë e ullirit i nëpërkëmbur prej serbëve e grekëve, dhe amerikanët u thonë kryeministrave tanë “kështu vazhdoni, se e keni mirë” ? «Miqësi» të tilla kanë kosto më të lartë se armiqësitë e shpallura. Jo, angloamerikanët kanë qenë miq të Enver Hoxhës dhe të bëmave të tij antishqiptare qysh prej Luftës së Dytë Botërore, për hir të objektivave të politikës së tyre në rajonin e Ballkanit. Këtë mbështetje të hapur ndaj diktaturës së Enver Hoxhës ata e përsëritën edhe në maj të vitit 1984. CIA vazhdon t’i mbajë edhe sot në Amerikë njëzet komplotistët që rrezikuan jetën në luftë kundër diktaturës (dy prej atyre ranë në atë luftë), ndërsa i biri i diktatorit, Ilir Hoxha, është beniamin i tyre edhe sot. Populli shqiptar duhet ta bëjë të flasë ish-Drejtorin e DSJsë, i cili di shumë për veprimtarinë agjenturore të babait dhe të tijën. Dalja në dritë e të vërtetës së ngjarjeve të majit 1984 është domosdoshmëri jetike për popullin e për kombin shqiptar, nëse duam të kemi vërtet të ardhme të denjë. Ne duhet të bëjmë çmos që autoritetet amerikane ta njohin zyrtarisht padrejtësinë që i kanë bërë popullit e kombit tonë, t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara konform ligjeve përkatëse dhe ta korrigjojnë në të ardhmen shënjestrën e diplomacisë së tyre ndaj kombit shqiptar. Në arkivin e shërbimit sekret shqiptar ekzistojnë të gjitha dosjet përkatëse, që mundësojnë zbardhjen e kësaj çështjeje jetike brenda një gjysmë ore. Nuk ka forcë që ta mposhtë të vërtetën. Politikanët e opozitës kosovare janë në pozicion të përshtatshëm për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim, pa u ndikuar as prej pushtetit të Tiranës e as prej atij të Prishtinës. Popullarizimi i këtij problemi madhor do të vinte në lëvizje median e fuqishme amerikane, zëri i së cilës dëgjohet me vëmendje prej institucioneve autoritare të Washingtonit, si Kongresi apo qeveria federale. Është e sigurtë se zbardhja e kësaj çështjeje jetike do të shënonte një erë të re si në marrëdhëniet amerikano-shqiptare edhe për të ardhmen e popullit dhe të kombit shqiptar.

    Zoti Ambasador Arvizu

    Dosja ime si azilant politik në Bruksel ka trajtën e një aktakuze ndaj CIAs. Vetëkuptohet që bëhet fjalë për një aktakuzë të mbështetur në prova të pakundërshtueshme, përndryshe ajo nuk do të pranohej kurrë prej aleatëve tuaj të Brukselit. Depozitimi, pas shumë përpjekjesh, i asaj aktakuze më ka kushtuar shtrenjtë. Jo vetëm që autoritetet belge më lanë shtatë vjet e gjysmë pa dokumentet përkatëse, por gjatë gjithë kohës, edhe tani, jam i privuar nga e drejta e komunikimit me median belge, si edhe nga e drejta për të pasur një avokat. Kam shkuar edhe në Luksemburg, Francë e gjetkë, për të siguruar një avokat. Nuk ka vonuar shumë dhe ata janë tërhequr, të sinjalizuar prej dikujt. Kjo këmbëngulje për të fshehur një të vërtetë dramatike, që po çon drejt një perspektive të zymtë kombin dhe popullin shqiptar, më bënte më të vendosur për të hedhur me çdo kusht dritë mbi të, megjithëse kisha dy fëmijë të vegjël dhe po ballafaqohesha me disa vështirësi të paparashikuara, të organizuara prej atyre që teorikisht i ngrejnë në qiell të drejtat e njeriut. Ju jeni diplomat karriere i një superfuqie dhe i kuptoni më lehtë se kushdo tjetër edhe ato që unë nuk i them dot në këtë shkrim. «Diplomacia është një polici me kostum madhështor», ka thënë Napoleoni. Këto fjalë të gjeniut korsikan m’u kujtuan atë ditë kur ju i akorduat titullin burrë shteti vrasësit gjakftohtë të katër bashkatdhetarëve të mi paqësorë. Ju mund të thoni me të drejtë: «Para se të vriste ata të katër, ai dhe bashkëfajtorët e tij kanë vrarë disa mijëra shqiptarë më 1997–’98, vranë fukarenjtë e Gërdecit e po tallen prej vitesh me dosjen e tyre gjyqësore, po lënë të vriten përditë familjet e ngujuara nga gjakmarrja, pastaj vranë ata të katër më 21 janar 2011. Natyrisht, ekspertët amerikanë, pas një sorollatjeje të gjatë, do të shpallin fajtorë dy-tri koka turku. Ra shi, e piu dheu. Tekefundit gjaku shqiptar dëm ka shkuar përherë.» Po, kjo nuk do të jetë një risi, z. Ambasador. Kështu veprohet në kolonitë e pashpallura, ku ambasadorët amerikanë luajnë rolin e diplomatëve–guvernatorë. Shpresoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë më në trojet shqiptare, mbasi të ndriçohet e vërteta që po mbahet e kyçur në arkivat e shërbimit sekret shqiptar, si edhe në Langley. Do të ishte në të mirë të prestigjit të superfuqisë që përfaqësoni ndërhyrja juaj për ta bindur burrin e shtetit, që të urdhërojë zbardhjen e asaj të vërtete të madhe me hapjen e dosjeve përkatëse. Gjithashtu ju mund t’i sugjeroni edhe mikut të preferuar të CIAs, Ilir Hoxhës, të japë kontributin e tij për zgjidhjen e shpejtë të një çështjeje të qartë si drita e diellit. Ndihmesë mund të japin edhe katër kriminelët e afirmuar të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, të cilët punojnë në ambasadën tuaj prej dy dekadash, së bashku me shumë kolegë të tjerë të sojit të tyre. Në një libër të botuar para një viti në Tiranë me titull Heronjtë e Kotësisë, unë kam publikuar një listë me emrat e 26 Sigurimsave shqiptarë të inkriminuar, të cilët punojnë në ambasadën tuaj kundër rregullave të parashikuara në pikën 35 të formularit të aplikimit për punësim të miratuar nga DASH, i cili ndalon punësimin në atë ambasadë të ish-komunistëve, ish-fashistëve dhe ish-dëshmitarëve në hetuesi ose gjyq të të burgosurve politikë në kohën e diktaturës. Shumica dërrmuese e të punësuarve shqiptarë në ambasadën tuaj i përkasin pikërisht kategorisë të tre «ishave » të lartpërmendur, ndërsa ata të 26 kanë të kaluar kriminale. Për ilustrim po ju citoj vetëm emrin e njërit prej atyre 26 keqbërësve të popullit shqiptar, që ju vazhdoni t’i strehoni e t’i ushqeni në ambasadë. E quajnë Rrapo Hazizi, nga Skrapari. Ka qenë shef i kufirit të Jugut në Shqipëri deri më 1991. Prej datës 3 shkurt 1990 deri në 23 gusht 1990 (pak më shumë se 6 muaj) me urdhër të mysafirit tuaj të nderuar, Rrapo Hazizi, janë vrarë në pika të ndryshme të kufirit të Jugut 23 djem shqiptarë me moshën mesatare 27 vjeç, në një kohë që me ligj arratisja në këtë periudhë nuk cilësohej më “tradhti ndaj atdheut” dhe neni përkatës i Kodit Penal parashikonte si dënim maksimal pesë vjet burg. Në faqen 269 të librit “Heronjtë e Kotësisë” është botuar lista e plotë e 23 viktimave të pafajshme të kryemikut tuaj, Rrapo Hazizi, me emër, mbiemër, rrethi ku ka lindur secili prej tyre, mosha, posta kufitare ku është vrarë dhe data e saktë e vrasjes. Biznesmeni i sukseshëm amerikano-shqiptar, Geri Kokalari, i ka shkruar dy herë DASH-it për 26 kriminelët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që ambasada amerikane në Tiranë po strehon prej dy dekadash, duke abuzuar me nenin 35 të formularit të aplikimit për tu punësuar atje. Mirëpo gjithçka bie në vesh të shurdhër… I citova këto detaje për të treguar se, kur ua kërkojnë interesat e kamufluara, amerikanët i shkelin pa teklif rregullat dhe ligjet e tyre. Ashtu siç kanë shkelur edhe parimet bazë të demokracisë, duke mbështur për gjysmë shekulli një diktator mizor si Enver Hoxha, për hir të synimeve të fshehta në rajonin problematik të Ballkanit. Natyrisht, ju zbatoni udhëzimet që ju jepen dhe kjo është normale. Mirëpo do të jetë diçka krejt anormale, sikur ju të porositni nën zë burrin e shtetit, që të mos lejojë zbardhjen e çështjes për të cilën po ju shqetësoj, ndërkohë që ajo është e vetëzbardhur, veçse duhet pranuar zyrtarisht nga Tirana dhe nga Washingtoni.

    Motra e Vëllezër shqiptarë, kudo që gjendeni

    Në historinë e dhimbshme të popujve të nëpërkëmbur, por mjaft rezistentë ndaj së keqes, ka një çast të papërsëritshëm kur Zoti i shpërblen ata, duke u ofruar mundësinë e shpëtimit të përhershëm me një çmim modest. Ky është sahati i bekuar i historisë së tyre, që vjen si kompensim i gjakut të derdhur pa hesap, i djersës së shkuar lumë në dobi të keqbërësve, i vuajtjeve shekullore të një populli që ka mbijetuar gjithmonë me shpirt ndër dhëmbë, por që nuk ka mundur kurrë të jetojë në mënyrë të denjë. Ky shanc historik nuk u paraqitet të gjithë popujve të vuajtur, por vetëm atyre që kanë vuajtur më shumë se të tjerët dhe kanë rezistuar më shumë se të tjerët. Cili popull i Evropës ka vuajtur më shumë se shqiptarët dhe cili komb evropian është masakruar sa kombi ynë? Sot shqiptarët kanë në duart e tyre mundësinë e zgjidhjes rrënjësore të problemit shoqëror e kombëtar në mënyrë të qytetëruar. Ne jemi në gjendje t’i argumentojmë në mënyrë bindëse shtetit më të fuqishëm të botës – superfuqisë amerikane – se na ka borxh lirinë e sabotuar në favor të diktatorit Hoxha dhe, si rrjedhojë e paevitueshme e këtij veprimi, shkrehjen e kombit, që po shkon gradualisht drejt shpërbërjes përfundimtare. Provat për këtë janë të shumta e të shumëllojshme. Të njëzet e dy komplotistët kanë dosjet e tyre në arkivin e shërbimit sekret shqiptar, si edhe nga një album fotografish, që ilustron misionet e tyre më të rëndësishme të kryera jashtë atdheut. Dosja ime në Bruksel është një akuzë e mirëfilltë ndaj CIAs për ngjarjet e atij komploti të sabotuar. Gjithë përmbajtja e dosjes është verifikuar një për një prej ekspertit belg, që ka shkuar posaçërisht në Tiranë. Si përfundim, asnjë detaj i saj nuk është hedhur dot poshtë. Ajo është vulosur e kyçosur në kasafortë. Përballë provave dokumentare, me protagonistë ngjarjesh të gjallë e të vdekur, me dosje e me albume në arkivat sekrete të Tiranës e në Langley, ato ngjarje nuk mund të mohohen dot më prej kurrkujt. Veçse duhen hedhur hapat e nevojshëm që Tirana vasale dhe Washingtoni padron t’i pranojnë ato zyrtarisht. Nuk është në stilin qeverisës dhe në natyrën e shtetarëve amerikanë që të heshtin e të fshihen si struci, kur një popull u kërkon me zë të lartë që të prononcohen rreth një akuze që bie mbi ta. Veçse vendosmëria në veprim është gjithmonë e domosdoshme për zgjidhjen e problemeve madhore. Ne jemi dëshmitarë të luftës heroike që po bëjnë popujt e Afrikës për lirinë e tyre. Ndërsa shqiptarëve nuk u kërkohet sot një sakrificë e tillë për të fituar lirine dhe dinjitetin kombëtar të nëpërkëmbur. Në këto kushte, le të tregohemi të paktën një herë popull i ndërgjegjësuar e jo turma të çoroditura, të cilave nuk iu bën më përshtypje përçarja e sundimi. Ata të njëzetë duhet t’i çlirojmë ne prej CIAs, mandej është radha e atyre të na çlirojnë prej skllavërisë së dyfishtë. Për të arritur këtë objektiv madhor, duhet të luftojmë të gjithë së bashku, shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, pa dallim bindjeje politike e ngjyrash partiake – thjesht si SHQIPTARË. Ne duhet t’i detyrojmë patjetër politikanët tanë t’i japin rrugë pa vonesë zgjidhjes së kësaj çështjeje vendimtare, për të cilën disponohet një dokumentacion i pasur, që hedh dritë të plotë mbi të gjitha detajet. Po hoqëm dorë nga zgjidhja e këtij problemi lehtësisht të zgjidhshëm, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi hequr dorë përfundimisht nga liria dhe dinjiteti ynë si popull e si komb. Në këtë mënyrë ne do t’i nënshtrohemi vullnetarisht një skllavërie pa fund në shekullin XXI, duke mbajtur përgjegjësi për të ardhmen e zymtë të fëmijve tanë, të brezave që vijnë, si edhe për kombin e kërcënuar nga shpërbërja graduale.

    Agim Hamiti
    P.S. Kush është i interesuar për të lexuar dy vëllimet e librit “Odiseja e një Detektivi”, për të cilin bëhet fjalë në artikullin e mësipërm, mjafton të dërgojë një kërkesë të thjeshtë në e-mailin tim: [email protected] dhe unë do t’i a nis atë falas në pdf.

    Reply to this comment
    • Daja December 16, 17:57

      hahaaaaa…Agimi ka mbet keq per para e nuk po shet dot librin.

      Reply to this comment
    • Daja December 16, 18:06

      Gjithcka ka qene loje e agjenturave ruse e serbe per te trembur E.Hoxhen nga kursi i pavarur qe kishte marre Shqiperia. Thjesht ruset donin ta rrezonin se e donin Shqiperine ne perandorine e tyre dhe keshtu te kishin dalje ne Adriatik. Asnjeri deri me sot nuk i ka pergenjeshtruar keto deponime te Mihalaq Zicishtit. Sic kane dashur te dyshojne per deponimet e Fiqiret Shehut, Gjasme ajo ishte e droguar kur doli ne gjyq a ku di une. Dhe Mihallaqi nuk ishte njeri dosido, Ishte njeriu i dyte ne sigurim. Dhe ne gjyq ishte i kthjellet, i qarte, i sakte. E pa qe loja mori fund dhe tha nuk po iki kot si puna e Beqir Ballukut qe e hengri M.Shehu mbas shpine.

      Reply to this comment
  2. " nje vlonjat " December 15, 22:08

    O Agim, boll me kete histori ; edhe sikur te jete e vertete , ti bere ate qe gjykove me vend , po them , e bere “veper letrare “. Une ate qe rekomandon ti fillova ta lexoj para nje viti… dhe e lash pergjysem … ishte shume e hallakatur , plus qe ishte e ndertuar mbi disa kollona te gabuara antiamerikane … Megjithate , po e them edhe nje here , mjaftohu me librin tend, por bej thirrje politike te hallakatuara !

    Reply to this comment
  3. Gezim Roshi December 15, 23:34

    Ketu po na del qart qe Amerika paska mbajtur komunizmin ne shqiperi.

    Reply to this comment
  4. mitati January 6, 20:20

    O Agim , leri pallavrat.Nuk i ha njeri keto qe ti do te shesesh.Ti bej shyqyr qe dole mire nga burgu,se aty do ishe kalbur per shkelje te ligjeve komuniste.Mos na u hiq si hero.

    Reply to this comment
  5. VLONJATI vlore January 7, 15:02

    Mitat , bej shyqyr zotit qe vdiq komunizmi yt nostsligjik se ne burg do te kishte ardhur radha te vdisje se shpejti edhe ti

    Reply to this comment
  6. VLONJATI vlore January 7, 15:07

    Mitat bej. Lutju zotit qe vdiq komunizmi yt me gjithe ligjet e tij se ne birucat e atij burgu te qelbur do te kishe ardhur radha te ngordhje edhe ti.

    Reply to this comment
  7. shpetim Shehu November 18, 10:58

    Historine e bene ai qe fiton! i lini komentet mos ja fusni kot!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*