Video/ Zjarr brenda Spitalit Amerikan, vdesin 2 pacientë nga asfiksia

July 25, 2016 21:15

Video/ Zjarr brenda Spitalit Amerikan, vdesin 2 pacientë nga asfiksia

Spitali Amerikan nr.1 në Tiranë, pavijoni i Hemodializës, është përfshirë nga flakët paraditen e djeshme, ku si pasojë kanë humbur jetën dy paciente të cilat po merrnin trajtimin e dializës.

Viktimat janë 55 vjeçarja Sanie Sulaj nga Mamurrasi dhe një paciente tjetër nga Laçi, Hanife Mali, gjithashtu 55 vjeçe.

Ato kanë qenë të shtruara në spital, kur ka rënë zjarri. Shkak i zjarrit ka qenë një sherr mes dy pacientëve, ku njëri ka tentuar të djegë tjetrin brenda dhomës së Hemodializës.

Sipas Policisë, zjarri është vënë nga pacienti i identifikuar si Lefter Canaj, 57 vjeç, pas një konflikti me pacientin tjetër Dashamir Saraçi, 47 vjeç. Inati i krijuar për shkak të radhës së hemodializës ka qenë shkaku i sherrit të dhunshëm që përfundoi me dy të vdekur

Autori i zjarrvënies Lefter Canaj pasi ka mbaruar dializën ka shkuar në dhomën e pacientit Saraçi, ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë atë dhe më pas i ka vënë zjarrin.

Me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin. Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njëjtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë. Ndërsa më pas është gjetur poshtë krevatit nga grupi hetimor edhe 55 vjeçarja nga Laçi, Hanife Mali.

Shkak i vdekjes së dy grave paciente në Spitalin Amerikan ka qenë asfiksia nga zjarri në dhomën ku ato ndodheshin. Dashamir Saraçi më pas u shtrua në sallën e reanimacionit pranë spitalit Ushtarak, kurse autori i dyshuar në Spitalin American 2.

Të lënduar nga zjarri kanë mbetur dhe dy infermiere të pavijonit të Hemodializës, ku njëra prej tyre mësohet se është asfiksuar nga tymi dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se reparti i Hemodializës është djegur pjesërisht, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Në momentin e zjarrit, në pavijonin e Hemodializës kanë qenë rreth 25 pacientë, por nuk kanë pësuar dëmtime, përveç katër pacientëve që ndodheshin në dhomën ku nisi zjarri. Forca të shumta zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje, të cilët bënë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve.

 

****

Reagon Spitali Amerikan: Nuk mund ta parandalonim

Pas rënies së zjarrit në repartin e Hemodializës përmes një deklarate për mediat ka reaguar Spitali Amerikan nr. 1 duke deklaruar se ngjarje të tilla janë shumë vështirë që të parandalohen, pasi nuk mundet që të kontrollojnë pacientët.

sptali amerikan reagimi“Ngjarje të tilla janë të paparashikueshme, nuk mund të  parandalohen, pasi pacientët kanë sendet e tyre vetjake, ne nuk mund të shkelim të drejtat për t’i kontrolluar, bidoni i pacientit supozohej që të ishte me ujë”, deklaroi mjekja e Spitalit Amerikan. Përsa i përket ngjarjes dhe reagimit mjekja e spitalit Amerikan theksoi se ka qenë i menjëhershëm dhe kur ka ardhur policia me zjarrfikësen gjithçka ka qenë nën kontroll.
“Ajo që ka ndodhur ka qenë një ngjarje shumë e rëndë që duhet ta kuptoni. Salla ka qenë në ngarkesë të plotë me 30 pacientë që ishin duke kryer seancën e dializës dhe e kanë të pamundur të lëvizin, pasi është i lidhur me makinën.

Një pacient hyri dhe kreu një veprim për të cilin do të prononcohet policia për të mos dhënë detaje të mëtejshme. Pacienti ka hyrë dhe ka kryer veprimin, ka shpërthyer flaka, infermieri është djegur në tentativë për të shpëtuar pacientin. I gjithë stafi është dëmtuar në tentativë për të shpëtuar pacientët.
***

Policia i komunikon arrestin në spital autorit të zjarrvënies

Policia e Tiranës i ka komunikuar dje arrestimin autorit të zjarrvënies në Spitalin Amerikan, i cili gjatë paradites së djeshme i vuri zjarrin ambienteve të pavijonit të hemodializës në përpjekje për të djegur një tjetër pacient që po merrte shërbim aty.

Sipas policisë, autori i dyshuar është Lefter Cani 57-vjeç që ndodhet në  repartin e reanimacionit pas ngjarjes në Spitalin Amerikan ku humbën jetën 2 paciente dhe u plagosën katër të tjerë. Cani akuzohet për dy vepra penale: zjarrëvenje e qëllimshme dhe vrasje në rrethana cilësuese.

 

***

Zjarri në spital, Beqaj: Do nisë hetimi

Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në një spitalin Amerikan, ka sjellë reagimin e drejtuesve të shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në një deklaratë për mediat tha se do të zhvillohet një hetim administrativ për ngjarjen. “Ka një fatalitet, por do t’ia lëmë organeve të drejtësisë të hetojë shkaqet e Ilir-Beqajkësaj ngjarje. Sigurisht që ne do të zhvillojmë një hetim administrativ.

Dy pacientë ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin mjekimin përkatës. Të tjerët me dëmtime të lehta. Janë të dëmtuar edhe dy infermierë që kanë qenë duke kryer shërbimin ndaj pacientëve. Janë treguar shumë të zotë duke ndihmuar pacientët që të hiqnin pacientët për të dalë jashtë sallës”, tha Beqaj.

Drejtoresha e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor Vjollca Braho deklaroi se gjendja e pacientëve është e mirë. Ajo bëri me dije se 26 persona do të merrnin shërbimin e hemodializës./DITA

 

July 25, 2016 21:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*