Znj. Ademi, sill projekte!

September 22, 2016 10:15

Znj. Ademi, sill projekte!

Erion Habilaj – DITA

Brenda këtij viti do të ketë një ligj të ri për financat e qeverisjes vendore, një ligj që sipas ministrit të Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor do të forcojnë kapacitetetet menaxhuese të bashkive si edhe decentralizimin fiskal.

Në intervistën për “Dita”, ministri sqaron se drafti po përgatitet nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj dhe pritet të forcojë ndjeshëm implementimin e një prej reformave më të rëndësishme, asaj administrativo-territoriale.

Ministri Bledi Çuçi i përgjigjet në distancë edhe akuzave të ardhura nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi për mungesë të mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore. Ministri sugjeron kryebashkiaken të sjellë projekte të zhvilluara për të përfituar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, të forcojë mbledhjen e taksave, si edhe të ndjekë shembullin e Bashkisë së Tiranës për të gjeneruar të ardhura në të mirë të qyetarëve.

Ministri zbulon se në funksion të kësaj praktike, shumë shpejt do të nisë edhe një trajnim për të gjithë kryetarët e bashkive dhe adminsitratorëve për t’i orientuar ata në forma inovative të menaxhimit të bashkive dhe rritjen e të ardhurave përmes bashkëpunimit me biznesit dhe donatorët.

-Z. Ministër, që prej javës së shkuar ka pasur vëmendje të lartë ndaj nisjes së vitit të ri shkollor, por edhe problematikave që e kanë shoqëruar atë. Por ky vit akademik ka pasur edhe risi në menaxhimin e sistemit para universitar të ndikuar drejtpërdrejt nga reforma administrative territoriale që ka rezultuar në decentralizim të menaxhimit të këtij sistemi. A mund të na thoni si është bërë ky proces deri më tani?

Reforma territoriale u shoqërua dhe me reformën e decentralizimit, përkatësisht në dhjetor të vitit që shkoi, ne miratuam ligjin e ri për qeverisjen vendore, ku midis decentralizimit të shumë funksioneve dhe kompetencave, decentralizuam edhe kompetencën për administrimin e plotë të burimeve njerëzore në sistemin para shkollor (kopshtet) dhe personelin e mirëmbajtjes në sistemin parauniversitar (shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet). Së bashku me kalimin e kompetencës për të administruar burimet njerëzore, bashkive iu kaloi edhe fondi i pagave i ndarë për të 61 bashkitë e reja, në total për rreth 7000 të punësuar në këto sektor. Decentralizimi i këtyre kompetencave dhe fondeve, synon rritjen e cilësisë së shërbimeve arsimore dhe përshtatjen më të mirë të kërkesave të komunitetit me mundësitë, duke e ofruar vendimmarrjen tek bashkitë, pra më afër komuniteteve. Ky proces do të thoja ka ecur relativisht mirë në këtë vit të parë, duke marrë parasysh edhe vështirësitë që procesi i decentralizimit në vetvete, sepse na fakt kemi të bëjmë me ndryshimin e një praktikë vendimmarrjeje që prej vitesh ka funksionuar e centralizuar. Megjithatë ku proces po ndiqet ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe sigurimin e bashkëpunimit të ngushtë me 61 bashkitë.

-A kanë përfituar të gjitha bashkitë nga ky decentralizim apo ka pasur projekte pilot për vetëm disa prej tyre?

Decentralizimi i kompetencave në këtë sektor ka qenë simetrik, pra i njëjtë për të gjitha 61 bashkitë e reja, por kuptohet përmasat dhe mbështetja financiare ka qenë e ndryshme sipas madhësisë së bashkive dhe numrit të shkollave dhe kopshteve për çdo bashki.

– A është shoqëruar ky proces edhe me një reduktim të faturës financiare?

Përkundrazi, do të thoja që qeveria jo vetëm ka decentralizuar të gjitha fondet që ajo shpenzonte kur e administronte ajo këtë shërbim, por ka një perspektivë për më shumë investime në infrastrukturën arsimore.

– Çfarë parashikon qeveria apo ministria juaj konkretisht për të jetësuar edhe më tej këtë reforme? Pra a parashikohen të tjera ndryshime ligjore apo iniciativa për forcimin e qeverisjes vendore.

Reforma në qeverisjen vendore vazhdon dhe janë një sërë nismash të tjera shumë të rëndësishme, jo vetëm në sektorin e arsimit parauniveristar, por në shumë sektorë të tjerë që prekin jetën direkte të qytetarëve. Synojmë që brenda këtij viti të miratojmë ligjin e parë integral për financat e qeverisjes vendore, që do të ishte një gur themeli për forcimin e bashkive dhe decentralizimin fiskal. Drafti është hartuar me ekspertizën më të mirë të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas dhe presim që të jetë një iniciativë domethënëse për financat vendore jo vetëm për Shqipërinë, por krahasuar edhe me rajonin.

Një nismë tjetër shumë e rëndësishme është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve administrative që bashkitë ofrojnë për qytetarët. Modernizimi nëpërmjet “sporteleve unike të shërbimeve” do të thjeshtojë hallkat burokratike dhe do të ulë koston e këtyre shërbimeve. Për këtë jam i angazhuar direkt si ministër në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe donatorë të tjerë si PNUD apo dhe fondet e qeverive të Suedisë, Italisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pra kemi një dinamikë mjaft të lartë në reformën e qeverisjes vendore dhe decentralizimin, gjithmonë parë në këndvështrimin e rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

-Bashkitë e djathta ankohen për mungesë vëmendjeje nga qeveria në mbështetjen për implementimin e kësaj reforme. A keni një përgjigje për këtë?

Së pari duhet theksuar që jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende më të zhvilluara, debati midis qeverisë dhe pushtetit lokal bëhet gjithmonë më së shumti për financat dhe madhësinë e buxhetit që duhet të marrin bashkitë. Në Shqipëri në vitin 2013, ne e kemi gjetur buxhetin e pushtetit vendor në nivelin 2,1% të GDP-së dhe e kemi rritur nga viti në vit këtë buxhet në mënyrë progresive, megjithë barrën tepër të lartë të borxhit publik që trashëguam nga qeverisja e kaluar e PD-së. Megjithatë dua të theksoj se për herë të parë në vitin 2016, buxheti i pushtetit lokal në terma nominalë është buxheti më i lartë i akorduar për pushtetin lokal në Shqipëri dhe në raport me GDP shkon rreth 3,2%. Pra vetëm në 3 vjet kemi rritur me 1,1% të GDP-së ose rreth 100 milionë dollarë fondet për pushtetin vendor.

Tani le të kthehemi pak tek pyetja sesi janë ndarë fondet për bashkitë dhe sa kanë marrë bashkitë e djathta. Duhet të dini se fondet kryesore që vijnë nga buxheti i shtetit për bashkitë ndahen me një formulë shumë transparente që bazohet kryesisht tek numri i popullsisë dhe madhësia e bashkisë. Por për të qenë më sqarues po ju ilustroj me shembullin e buxhetit të bashkisë së Tiranës dhe asaj të Shkodrës. Buxheti i bashkisë së Tiranës financohet vetëm në masën rreth 12-15% nga fondet e buxhetit të shtetit ndërsa pjesa tjetër vjen nga taksat lokale të vetë bashkisë Tiranë. Ndërsa buxheti i bashkisë së Shkodrës në mbi 60% financohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër gjenerohet nga taksat lokale. Do të thotë se një menaxhim i mirë i të ardhurave lokale lejon bashkitë që të mos jenë të varura nga pushteti qendror.

Ministri per Ceshtjet Vendore, Bledi Cuci, duke hyre ne nje mbledhje te grupit parlamentar te Partise Socialiste, ku eshte diskutuar ne lidhje me Asamblene e PS, te mbajtur 2 dite me pare./r/n/r/nMinister of State for Local Government Bledi Cuci, during a meeting of the parliamentary group of Socialist Party.

Ministri per Ceshtjet Vendore, Bledi Cuci.

Dhe meqë po flasim për sektorin e arsimit, më vjen mirë në radhë të parë si banor i Tiranës, që bashkia e Tiranës në këto 2 vitet e para prioritet absolut ka pasur investimet në arsim, përkatësisht në kopshte dhe shkolla dhe është shembulli më i mirë në të gjithë vendin, sesi nga taksat lokale të vetë qytetarëve të Tiranës financohet në një pjesë të mirë infrastruktura arsimore në të gjithë bashkinë e re të Tiranës në qytet dhe në fshat, me të njëjtin standard. Dua të kujtoj këtu edhe mënyrat inovative të menaxhimit nga ana e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, siç ishte bashkëpunimi me biznesin ku falë nismës “adopto një çerdhe dhe kopsht”, sot është ndërhyrë përmes mbështetjes financiare të biznesit në 31 çerdhe dhe 23 kopshte.  Megjithatë ky është vetëm viti i parë dhe ne nuk presim që të gjithë krerët e bashkive të veprojnë si kryebashkiaku i Tiranës. Për këtë do të nisim një program trajnimi për krerët e bashkivëdhe administratorët për të përmirësuar administrimin e taksave lokale si dhe për të gjetur mënyra të reja për të gjeneruar të ardhura për bashkitë që drejtojnë. Pra qartazi decentralizimi funksionon aty ku kemi kryetarë të dedikuar dhe që vendosin prioritetet e qytetarëve të parat. Do të doja të shihja të aplikuar në më shumë bashki të tjera modelin që bashkia Tiranë po përdor jo vetëm për infrastrukturën arsimore, por edhe në shërbime të tjera.

Për t’iu rikthyer edhe një herë pyetjes që shtruat ju sikurse edhe pretendimeve të artikuluari rishtazi nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës,  për shpërndarje të padrejtë të fondeve. Fondi i Zhvillimit të rajoneve, është një fond që fitohet në bazë të konkurencës dhe nëse sillen projekte të  një cilësie të dobët, nuk do të ketë përfitim.  Për vitin 2015-2016 bashkia e Shkodrës, ka përfituar nga buxheti i qeverisë, një fond prej 5.8 miliardë lekë nga të cilat, 1.878.302.722 lekë për zonat urbane nga programi për Rilidjen Urbane dhe 3.954.562.862  lekë për investime në fshat. Ndërsa për të njëjtën periudhë, një tjetër bashki e majtë, siç është rasti i bashkisë Vlorë, është mbështetur nga qeveria me një fond prej 2,786,515,693 lekë.  Një dëshmi e qartë se akuzat e  për diskriminim të bashkive të djathta nga ana e qeverisë, nuk qëndrojnë.

– A keni pasur partnerë të huaj që u kanë ndihmuar në këtë proces?

Decentralizimi vazhdon të jetë prioritet në axhendën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, por nëse me qeverinë Berisha nuk kanë gjetur vullnet për të çuar përpara reformat e rëndësishme, me mazhorancën aktuale kanë bashkëpunimin më të plotë për reformat në qeverisjen vendore. Ky vullnet i palëkundur për të çuar përpara reformën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore ka gjetur mbështetjen e të gjithë partnerëve më të rëndësishëm të Shqipërisë si BE, SHBA, Itali, Suedi, Zvicër apo dhe organizatave si PNUD, Këshilli i Evropës, OSBE etj. Në muajin korrik 2016 nënshkrova marrëveshjen e re të bashkëpunimit për mbështetjen e reformës territoriale me vlerë 8 milionë dollarë dhe janë në vijim një sërë projektesh të tjera që pritet të ndihmojnë drejtpërdrejte 61 bashkitë e reja të krijuara pas reformës territoriale.

Mbështetja e donatorëve të huaj do të përqendrohet në tre shtylla kryesore në modernizimin e shërbimeve vendore (mbi 60 shërbime të rinxhinjeruara dhe të dixhitalizuara, së dyti nëdixhitalizimin e arkivave vendore dhe funksionimin dixhital të menaxhimit të dokumentavedhe së treti tek ngritja e kapaciteteve profesionale dhe trajnimet. Për këtë ne kemi parashikuar një kalendar pune për të gjitha bashkitë.

September 22, 2016 10:15
Komento

1 Koment

  1. Albi September 22, 11:15

    Jo or debil jo, nuk eshte qeveria OJQ qe te funksionoj me “projekte” te cilat i vendos Edi Rama nese duhet ti financoje apo jo.

    Pushtetit lokal ne Shqiperi nuk i lihet buxhet as per rrogat e administrates sepse gjithcka e kontrollon Tirana. Decentralizoni buxhetet dhe lejoini kryetaret e bashkise te marrin vendime per cfare duhet te financojne e pastaj ti votojne qytetaret.

    Nuk ka shtet tjeter demokratik ku edhe sheshi i Ures Vajgurore projektohet direkt nga kryeministri sic po ndodh ketu te ne.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin