“Zog pse ike”, në kërkim të paraleleve historike

Zylyftar Hoxha April 5, 2015 10:30

“Zog pse ike”, në kërkim të paraleleve historike

Në librin “Zog pse ike” janë befasuese dhjetëra faqet, në të cilat rrëfehet si vepruan në rrethana të njëjta pushtimi fashist mbretërit apo regjentët në Hungari, Jugosllavi, Greqi dhe Itali. Mahnitesh me trimërinë e monarkut grek Jorgos II (Georgios II) apo me sedrën atdhetare të kryeministrit Alexandros Koryzis, i cili qe arvanitas. Ose lë mbresa të pashlyeshme mbreti jugosllav.

Në kërkim të paraleleve historike apo përqasjeve me historinë e mbretit tonë, autori i librit, Ylli Polovina na jep ngjarje interesante, të cilat në mënyrë të shkurtuar po i botojmë më poshtë:
Largimi i mbretit të Greqisë, Georgios II, dinjitoz dhe trimëror

Në 23 prill kapitulloi edhe korpusi ushtarak i Greqisë së veriut. Athina nuk kishte më asnjë mur mbrojtës. Me një anije angleze, të quajtur “Sunderland”, pak orë para këtij falimenti, familja mbretërore, me në krye Georgios II, u nis bashkë me qeverinë për në Kretë, territor ishullor i shtetit të tyre. Këtë ikje gjermanët e “përshëndetën” prej avionëve të tyre luftarakë dhe u përpoqën, si lajm, ta përhapnin në të gjithë botën. Qe shenja më e sigurt se ia kishin dalë, pas Jugosllavisë, brenda tri javëve, të merrnin dy shtete të rëndësishëm ballkanikë. Tashmë Boshti ta kishte nën sundim të plotë të gjithë gadishullin.

Por Georgios II nuk jepej, të paktën shpirtërisht. Para se t’i hipte anijes britanike pati bërë një deklaratë të ashpër kundër gjermanëve. Shpallte në të se as ai dhe as populli i tij nuk do të dorëzoheshin. Qe sfidë, të cilën Adolf Hitleri nuk ia fali dhe do t’i përgjigjej kërcënueshëm më 4 maj, dy javë e më tepër para se nazistët ta bombardonin egërsisht dhe pastaj ta sulmonin, për ta pushtuar, Kretën.

Një javë më pas nga ikja në ishull, në rrethanat e një pasigurie të dukshme, një pjesë e familjes mbretërore u zhvendos për në Aleksandri, Egjipt. Georgios II nuk pranoi të largohej, edhe pse disa ditë më parë një komando gjermane e parashutuar posaçërisht, u përpoq ta kapte rob dhe këtë operacion ai e pa prej një vile tjetër, asaj të kryeministrit Emmanouil Tzuderos, e cila ndodhej fare afër dhe ku ai rastësisht, pati shkuar. Ndërkohë në 27 prill trupat gjermane hynë në Athinë. Tek portat e kryeqytetit njësinë motoçikliste të pushtuesit i priti zyrtarisht, për t’ua dorëzuar kryeqytetin pa e lënduar më me shkatërrime, një komision ushtarak grek.

Ndërkohë anglezët qenë larguar për në Kretë nëpër natën e 24-25 prillit. Operacioni i evakuimit u quajt “Demon”. U rimbarkuan për në ishull 43.311 këmbësorë dhe 8400 aviatorë dhe marinarë. Po ashtu edhe 1300 refugjatë jugosllavë, qipriotë apo palestinezë. Edhe pse kjo zhvendosje nëpër det u mbrojt nga ajri prej aviacionit britanik, aeroplanët gjermanë mbytën 26 anije me trupa, përfshi edhe dy torpedinierë.

Në maj, kur filloi bombardimi gjerman për ta marrë Kretën, komandanti i trupave angleze në ishull vendosi zbrazjen e tij. Mbreti Georgios II bashkë me të tijtë mbahet mend në historinë e vendit të vet se si kreu një marrshim sfilitës deri në brigjet e krahut tjetër të Kretës, duke kapërcyer humnera të thella, gjersa më në fund mbërriti tek torpedinieri gjuajtës “HMS Decoy” dhe u mbart për në Egjipt. Pak ditë më vonë, pas atij bombardimi të rëndë e të papushuar, ishulli u sulmua me trupa këmbësore gjermane dhe u pushtua.

Beteja e grekëve me pushtuesit gjermanë u kushtoi këtyre të fundit 263 oficerë të vrarë dhe të plagosur. Nënoficerë dhe ushtarë jetëhumbur qenë 1160. Prej këtyre të fundit të plagosurit numëroheshin 3411. Për shpirtin e lartë të qëndresës edhe të vetë Georgios II, saktësisht “Për kurajën në mes të zjarrit armik”, ai u dekorua nga Britania e Madhe me medaljen “Distinguished Service Order” (“Urdhri për Shërbime të Shquara”).

Qëndresa e grekëve përballë dy fuqive më të mëdha fashiste të kontinentit u kushtoi mjaft sakrifica. Vetëm në luftën e zgjatur me italianët prej tyre dhanë jetën 13.408 vetë, kurse 42.485 të tjerë morën plagë të ndryshme. Prej vetë agresorëve, përgjatë gjashtë muajve të betejës, 28 tetor 1940-23 prill 1941, humbjet qenë edhe më të mëdha: 13.755 të vdekur, 50.874 të plagosur, 12.368 të ngrirë nga të ftohtit, 25.067 të zhdukur, shumica me siguri të vrarë.

Ndërkohë pas Egjiptit familja mbretërore greke u vendos në Afrikën e Jugut dhe princi trashëgimtar Pavlos u transferua shumë shpejt në Londër. Atje tashmë kishin selinë e qeverisë në mërgim. Pas lufte, në 1 shtator 1946, një votim në Greqi i dha, me 69 përqind mbështetje, miratim dëshirës që familja mbretërore me Georgios II dhe princin trashëgimtar të kurorës të riktheheshin në atdhe. Ardhja e tyre ndodhi në 27 shtator. Por stresi i luftës e kishte drobitur shëndetin e monarkut dhe një javë më pas nga pjesëmarrja, në 25 mars 1947, në një paradë ushtarake për nder të pavarësisë, më 1 prill, ndërroi jetë. Mbreti Georgios II qe vetëm 57 vjeç.

Regjentët jugosllavë, akt të pashembullt në mbrojtje të thesarit shtetëror
Mbreti i Jugosllavisë, Pjetër IIKryeministri jugosllav Dragisha Cvetkoviç dhe regjenti Pal, edhe pse para historisë së vendit të tyre, për lëshimin që i bënë Adolf Hitlerit me pranimin e pjesëmarrjes në Boshtin Fashist, gjykohen si “klika tradhtare”, kanë kryer fshehtas edhe një veprim të kundërt, antigjerman dhe në favor të atdheut të tyre. Në 17 mars 1941 ata organizuan largimin nga Beogradi, për t’u mbartur në Londër, të të gjithë Thesarit të Shtetit. Kjo ndodhi kur regjenti, pas takimit shtrëngues që i bënë në 4 dhe 5 mars në kështjellën-rezidencë të kryenazistit, Hitler në Berghof, ende nuk e pati pranuar nënshtrimin dhe dërguar në Vjenë për ta nënshkruar, siç realisht ndodhi në 25 mars, kryeministrin dhe ministrin e jashtëm.

Për transportimin e Thesarit drejt Malit të Zi, nëpër natën e 17 marsit 1941, u përdorën 57 kamionë të mëdhenj. Ngarkesa u mor nga Banka Kombëtare e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe në të qe vendosur i gjithë fondi në ar, madje edhe një pjesë që ruhej nga koha e Perandorisë Osmane. Po ashtu ndodheshin pare në valutë: dy milion stërlina, rreth gjashtë milion dollarë, tetëqind mijë franga zvicerane, po kaq monedha e bankënota turke, italiane, hungareze, belge, holandeze. Brenda arkave gjendeshin edhe “fondet e zinj”, financime ilegale që nuk regjistrohen kurrë. Në kaseta të blinduara ruheshin depozita private, sasi e shumtë bankënotash sidomos në dinarë, të gjitha të mbledhura shpejt e shpejt, në atë mesmars 1941, nga arkat e ministrive, të zyrave qeveritare apo të bankave të tjera publike. E tërë kjo pasuri e jugosllavëve ishte sistemuar në rreth 1.300 arka druri të mbyllura mirë dhe të vulosura, mbi njërën faqe të së cilës shkruhej Banque Nationale Royaume de Jugoslavie-Caisse Centrale”. Këto qenë dy tipash dhe, ndërsa njëri lloj mbante 45 kilogram ar të derdhur në shufër, tjetri dhjetë kg më shumë. Kështu vetëm flori qenë 60 tonë. Në fund të autokolonës pasonin tetë makina që mbanin, në dyqind arka me përmasa të mëdha, tituj privatë, aksione, obligacione si edhe letrat e kreditit. Në këtë ngarkesë që nxitonte të shkonte drejt jugut gjendeshin edhe dy milion stërlina të dhëna drejtpërsëdrejti nga Foreign Office i Britanisë së Madhe dhe që ishin planifikuar, pa e ditur qeveria Cvetkoviç, për grushtin e shtetit që do të ndodhte në 27 mars, me përmbysjen e tij dhe të regjentit.

Në komandë të këtij karvani top sekret ishte një kolonel i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Grupi i armatosur shoqërues përbëhej prej një gjysmë batalioni trupash besnike. Në Malin e Zi i gjithë Thesari i Shtetit do të vendosej në zonën Nikshiç- Trebinjë, saktësisht në bazën detare të mbrojtur mirë të Katarit. Atje do të ngarkoheshin në dy nëndetëse angleze. Ndërkaq karvani udhëtoi, por duke bërë shumë qëndrime për shkak të rrethanave të pasigurisë, plot dhjetë ditë. Ishte parashikuar që para se të ngarkohej në nëndetëse, në pritje të ardhjes së tyre, e gjithë ajo pasuri kombëtare do të fshihej në vende të ndryshme. Njëri, ai që mund të mbrohej lehtë, do të ishte kryesori. Ndodhi fillimisht që një pjesë e Thesarit u depozitua në dy vendstrehime të posaçme të regjentit Pavle, por më pas u hoqën prej andej, për t’u depozituar diku tjetër. Ndërkohë arkat që mbanin titujt privatë u shkarkuan, me shpresë që nëpërmjet detit mund të largoheshin të parat, një pjesë në Raguzë, të tjerat në Trebinjë, pranë portit të Kotorit. I gjithë floriri, ndërkaq, u fsheh në një shpellë të madhe natyrale, e cila ndodhej dy kilometra nga Nikshiçi, në rrugën që të çonte për në Manastirin e Ostrogut. Komandanti i autokolonës e maskoi mirë hyrjen e shpellës, në pozicione të fshehta vuri dy mitraloza të rëndë si edhe instaloi një central telefonik që lidhej me Beogradin. Njëqind ushtarë dhe xhandarë të armatosur deri në dhembë u vendosën përreth në rojë.

Historia e thesarit jugosllav dhe e fatit të tij, që prej këtij momenti, do të plekset edhe me Shqipërinë.

Sulmi i parë i Italisë ndaj Shqipërisë i 23 qershorit 1934

Një ngjarje e krejt e panjohur dhe e patrajtuar nga historiografia shqiptare

GazmirMyteveriZogPseIkeAjo ndodhi të shtunën e 23 qershorit 1934, kur ndërsa dita po thyhej, në gjirin e Durrësit u shfaq, pa asnjë lajmërim, një flotë e madhe luftarake italiane ishte një “prove gjenerale” e agresionit të pesë viteve më pas, më 7 pill 1939. Qenë 22 anije lufte, gjashtë prej të cilëve kryqëzorë, të cilat qëndrua për tri ditë me radhë gati për të zbarkuar. Një sulm, që, sipas të dhënave, është shmangur nga diplomacia e kohës.

Kur në orën 07.10 të mëngjesit të 25 qershorit mbërriti prej Uashingtonit ai radiogram i çuditshëm i Faik Konicës, mes diplomatëve që patën bërë gjithë natën grupin e gatishmërisë, askush nuk u gjet i dëshiruar të bënte humor. Ministri i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkruante jo pa ironi: “Mora sot 24 qershor 1934 një shifër e cila nis me fjalën selim dhe mbaron me Nr.195 villa stop sekretari shifrës ose telegrafi kanë shkëmbyer këtë telegram me telegramin e një legate tjetër sepse telegrami që mora nuk zgjidhet aspak me shifrën e kësaj legate”.

Disa minuta më pas nga ky absurd u pa në prag të zyrës së tij Xhafer Vila, por asnjërit prej të pagjumëve të atyshëm nuk iu duk se shefi i tyre qe larguar ndopak atë natë. Dukej sikur e pati kaluar aty. Thuhej se edhe vetë Ahmet Zogu në pallatin mbretëror nuk i qe afruar shtratit.

Kur në paradhomën e ministrit të Jashtëm u shfaq shefi i Legatës së Greqisë, ora për fare pak sekonda do të bëhej 08.30. Kur ai doli, akrepat e kishin kapërcyer nëntën. Shkëmbeu një çast takime duarsh me Ministrin e Francës, Baronin De Grand, i cili po priste radhën. Ishte hera e dytë që në pak më shumë se një gjysmë dite, kërkonte të bisedonte me Vilën. Ky doli nga zyra e këtij të fundit vetëm kur sahati i madh i murit në paradhomë tregoi numrin dhjetë. Me ta përcjellë ministri i Jashtëm shqiptar i tha ndihmësit të tij se për një orë nuk duhej ta bezdisnin. Do të përgatiste një raport për Mbretin.

Kur mbi letrën e bardhë, pas fjalës Naltmadhni, e mbështeti majën e stilografit, nisi ta informojë Zogun për bisedën me francezin. Ky e kishte uruar edhe njëherë tjetër për taktin diplomatik të qeverisë shqiptare dhe i pati përmendur me respekt qëndrimin e Mbretit. Pastaj e kishte pyetur për natyrën e sqarimeve që pala italiane kishte dhënë mbi qëllimin e vizitës së flotës luftarake. Baron De Grand i qe përgjigjur hapët edhe këmbënguljes së Xhafer Vilës për të ditur nëse Legata Franceze, rreth kësaj pranie të papritur të skuadrës detare italiane për Mesdheun, pati marrë ndonjë informim nga Parisi. De Grand pati thënë se i kishte dërguar një komunikim telegrafik qendrës dhe, në pritje të një reagimi të tyre, i kujtonte ministrit të Jashtëm shqiptar se ai demonstrim mund të qe bërë për të sfiduar ministrin e tyre Barthou, që ende ndodhej në Beograd.

Pastaj e vuri në dijeni për një hollësi. Gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” pati botuar një lajmërim të shkurtër, në të cilin shkruante se skuadra e Adriatikut do të qëndronte në Otranto deri ditën e sotshme, pra 25 qershor. Lëvizjen e saj të ngutshme drejt Durrësit që në fundditën e 22 qershorit dhe mbërritje këtu të nesërmen, e kishte nxitur një urdhër nga lart, prej Romës, patjetër nga Musolini. Ministri francez në Tiranë qe i palëkundur se ky udhëtim me kaq shpejtësi i flotës luftarake dëshmonte se pati ndjekur dy qëllime: njërin kundër Shqipërisë dhe tjetrin më i përgjithshëm. “Këtë fjali të zotit Baron De Grand, i shkroi Xhafer Vila Ahmet Zogut, e plotësova duke i thënë “Prej kësaj merret vesh se Italia nuk rri indiferente kur zoti Barthou në Beograd bisedon relatat interballkanike. De Grand duke qeshur m’u përgjigj “Do ta marrim shënim në një qoshe të defterit tonë”.

Në raport Vila i bënte të ditur shefit të vet se në mbyllje të takimit diplomati francez i qe lutur për të siguruar një audiencë me Naltmadhninë e Tij, mundësisht para fundit të korrikut, kur do të nisej për në Paris. Më vonë biseda ishte përqendruar dashamirësisht në çështje të marrëveshjeve kulturore dhe shkëmbimeve tregtare, në shitje bagëtish dhe artikujsh ushqimorë.

Për takimin me Ministrin grek në Tiranë Xhafer Vila i shënoi Ahmet Zogut vetëm këto radhë: “Më shfaqi simpatinë dhe kënaqësinë e tij që ngjarja mbaroi me dinjitet, uroi për gjakftohtësinë”.

E kishte dhënë për daktilografim raportin kur e lajmëruan se shumica e luftanijeve italiane qenë larguar nga ujërat e Gjirit të Durrësit dhe karvani i tyre pati marrë drejtimin e Italisë. Kishin mbetur pa ikur vetëm katër. “Deri tash nuk kemi lajmërim mbi datën e largimit edhe të këtyre”, shënohej në fund.

 

“Zog pse ike”

Një libër me fakte dhe ngjarje të panjohura historike mbi mbretin e shqiptarëve i Ylli Polovinës

YlliPolovinaFotoNgaQerimVrioniNë 226 faqet e librit “Zog pse ike”, shkimtarit dhe publicistit të njohur Ylli Polovina janë në qendër veçanërisht dy ngjarje: e para dhe kryesorja, fare e panjohur. Ajo ndodhi të shtunën e 23 qershorit 1934, kur ndërsa dita po thyhej, në gjirin e Durrësit u shfaq, pa asnjë lajmërim, një flotë e madhe luftarake italiane. Qenë 22 anije lufte, gjashtë prej të cilëve kryqëzorë. Ishte një “prove gjenerale” e agresionit të pesë viteve më pas dhe në libër përfshin 53 faqet e fillimit. Janë në to edhe polemikat e pareshtura të ministrit të Jashtëm shqiptar Xhaferr Vila me shefin e Legatës Italiane, arrogantin Armando Odatino Kok.

Kryengjarja e dytë e vënë në qendër të librit është pika më e debatueshme e karrierës së Ahmet Zogut: 7 prilli 1939. Kjo ditë qe testimi, prova “në ngarkesë“, që iu bë modelit të shtetit të ngritur nga ai për pothuaj katërmbëdhjetë vite. Kjo ditë e premte 1939 nuk ka të gdhendur vetëm fytyrën fashiste musoliane të një pushtimi të pabesë, por edhe atë të qëndrimit shumë të diskutueshëm të kryetarit të shtetit shqiptar. Ja pse Ylli Polovina në librin e tij, mbështetur nga dokumente dhe dëshmi të reja, ka për qëllim shpjegimin e të gjitha rrethanave dhe arsyeve përse Ahmet Zogu e la vendin, kur pritej ta ndante fatin e tij personal me popullin e vet.

Karakteristike e librit “Zog, pse ike” është se autori këndvështron ndryshe dhe nuk i interpreton ngjarjet aspak sipas mënyrave të njohura deri tani.

 

Zogu dhe detyrimi moral ndaj pasaportës së tij

Në pasaportën personale të Zogut, si dhe të të gjithë shqiptarëve, të nxjerrë nga shteti i tij mbretëror, në faqen e parë të brendshme të saj kanë qenë shkruar pesë rregulla, të cilat duhet t’i respektonte secili shtetas, aq më tepër ai që e kish firmosur këtë pasaportë.  I pari thoshte: “Ta dijsh dhe të jesh i sigurt, se fatbardhësija dhe lumtunija jote gjendet në Shqipëri, e cila të jep nder dhe të fal emrin shqiptar”. Në të dytën komunikohej porosia: “Rueje mirë karakterin kombëtar dhe kryrnaltësinë shqiptare”. Tek i treti: “Çdo shqiptar është vëllai Yt, nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ketë nevojë”. I pesti thoshte: “Ndero flamurin e Atdheut tënd….”. Më tej…komenti është i panevojshëm.

 

Edhe fashistët e quanin Zogun fashist

Alesandro Lesona, i besuari personal i Benitto Musolinit që kishte bërë traktate të fshehta me Zogun ka thënë ato ditë se “Zogu ishte mbreti që shiti vendin e vetë”. Ndërsa Guido Krola, ambasadori italian në Londër, qe i pari që formuloi fjalën “tradhtar” për Zogun. Këtë cilësim Krola e ka bërë më 8 prill 1939 para ministrit të Jashtëm anglez, lordit Halifaks. Sipas urdhrave që kishte marrë nga shefi i tij, Duçja, ambasadori i deklaroi kryediplomatit britanik se “tradhtia e Zogut ndaj popullit shqiptar ishte provuar nga ikja e tij, edhe pse Duçja i ofroi një marrëveshje që e ruante pavarësinë e Shqipërisë.

 

Box faqe 1 Anash

Një “Benz” jashtë serie, dhuratë e Hitlerit për Zogun

Përtej korrespondencës që tregon konfidencialitet dhe dashamirësi midis Zogut dhe Rudolf Hitlerit, është mësuar nga libri i francezes Zhozefin d’Eden në librin “Mbretëresha Shqiptare” një fakt tjetër interesant. Me rastin e martesës të Zogut me mbretëreshën Xheraldinë, më 26 prill 1938, Hitleri i bëri çiftit një dhuratë të veçantë në ditën e martesës, një Mercedes–Benz “Grosser”, me një ngjyrë të kuqe të ndezur, i porsadalë nga fabrika “Benz”, prodhuar jashtë serie kastile për ta. Në fakt në atë kohë janë porositur dy “Benza” në fabrikë nga Hileri, një për vete dhe një për Zogun.

Për ironi të fatit nga tregimi i Zhozefin d’Eden, mësojmë se “Benzi” që për pesë vjet kishte bredhur botën me mbretin përsipër, që nga Follorina, në Selanik, Stamboll, Kostancë të Rumanisë, Varshavë, Kopenhagen, Belgjikë, Paris e Londër, u shkatërrua në Londër në vitin 1945 nga një bombë hitleriane, nga një bombë e atyre që e prodhuan dhe e dhuruan.

Me këtë makinë Zogu pati edhe kujtime të hidhura, por edhe të bukura që i shpëtuan kokën. Në Varshavë, duke ruajtur njerëzit kuriozë që kishin dalë për të parë makinën, ai shpëtoi nga një aksident i rëndë, ku makina u dëmtua keq. Zogu e la atë në servis, ndërsa mori makinë me qira për të vizituar Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Një herë tjetër, ndërsa kolonën me makina ku ishte edhe “Bezi” i tij e kishin vënë në shënjestër avionët nazistë, të cilët u ulën disa herë, Zogu nuk lëvizi nga makina. Ai u përpoq të qetësonte Geraldinën, duke i thënë: “Mos u frikëso, asnjë ushtar gjerman nuk do të qëllonte njerëz mbi një makinë si e Hitlerit”!

 

Ahmet Zogu, diplomat, por edhe “pakëz” fashist!…

 

Dokumente dhe letra që vërtetojnë lidhjet e Mbretit të Shqiptarëve me Adolf Hitlerin dhe Benitto Musolinin

 Luftar Galina

Domosdo si prijësi i shqiptarëve në kohë të ndryshme, si kryeministër dhe ministër  i Jashtëm dhe më pas si mbret, Ahmet Zogut i takonte të mbante lidhje dhe marrëdhënie kortezie dhe diplomatike me të gjitha vendet e huaja, aq më tepër me ato më të fuqishmet e kohës si Gjermania dhe  Italia.  Letrat që dilnin nga Oborri Mbretëror e dhe ato që vinin drejt tij e  lidhnin Shqipërinë e vogël me këto vende me marrëveshje me interesa të dyanshme ndërshtetërore, por edhe me interesa të nëndheshme gjeostrategjike.

Krahas anës diplomatike, me urimet e ngushëllimet mirësjellëse, por edhe kërkesat për marrëveshje që do të zhvillonin me shtetin shqiptar, letërkëmbimi me dy udhëheqësit fashistë, e bënë Ahmet Zogun jo vetëm një diplomat klasi, një finok që di të shfrytëzojë situatat, por edhe një njeri servil. Në këto marrëdhënie ai del edhe jo pak fashist, sidomos në jetën e tij të mëvonshme dhe mënyrën se si ai kërkonte të rikthehej në Shqipëri.

Korrespondenca me Musolinin…

Zogu, i cilësuar si një nga diplomatët shqiptarë më të mirë e më të zgjuar, shpalos në këto letra qëndrimet dhe artikulimin e diplomacisë së tij. Në  pesë letrat që ai i ka dërguar Musolinit, Musolini i ka kthyer vetëm një përgjigje. Letrat janë shkruar në gjuhën frënge, e cila në atë kohë ishte gjuhë ndërkombëtare, ashtu siç është anglishtja sot. Koka e telegramit me stemën e shqiponjës dykrerëshe, përmban datën, orën e nisjes, adresën, madje dhe numrin e fjalëve në faqet e brendëshme. Letra dërguar Benito Musolinit, ndërsa Zogu ishte kryeministër i Shqipërisë, bën fjalë për përcaktimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë si Republikë. Zogu i shpreh projektet dhe nismat që do të ndërmarrë për të krijuar stabilitet politik në vend.

Ja letra në origjinal:

“Presidenti i Këshillit të Ministrave të shtetit shqiptar A. Zogu,  Benito Musolinit, president i këshillit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Madhërisë së Tij, mbretit të Italisë, Romë

 Unë do të përmbush një nga detyrat e rëndësishme dhe me sa ju dini, Shkëlqesia Juaj, qeveria që unë kam nderin të drejtoj është e pranishme para Asamblesë Kushtetuese dhe mori unanimitetin për besimin tuaj. Nga ana tjetër, Asambleja Kushtetuese do të përshtatet për shtetin shqiptar si një regjim përfundimtar. Republika do të jetë forma përfundimtare, që do të përcaktohet më pas. Duke pasur drejtimin e punëve publike të Shqipërisë, një nga shqetësimet e mia më të mëdha, është që të vendos në këtë shtet një administratë të aftë, që të kënaqë nevojat e kohëve moderne. Të inaugurojmë një periudhë të zgjatur stabiliteti politik, për të arritur këto qëllime, që sigurisht përbëjnë elementë të fortë për paqen në Ballkan. Unë mund të kem besim në mirësinë tuaj dhe asistencën morale të qeverisë italiane që ka kontribuar në mënyrë efikase në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kam dëshirë që të njoftoj Shkëlqesinë Tuaj, se do t’i përmbush me përparësi të gjitha detyrat, marrëdhëniet e miqësisë me të gjithë superfuqitë dhe të kultivoj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet kufitare. Përfitoj nga rasti që t’iu përcjell edhe konsideratën time më të lartë”.

Ndërkohë në letrën që Musolini ia dërgon Zogut, vihet re interesi i qeverisë italiane për Shqipërinë. Duçja e siguron Zogun për marrëveshjet dhe për miqësinë e tij, për simpatinë dhe dashurinë e madhe dhe të sinqertë që ka ai për këtë vend, por midis rreshtave vihet re edhe një diktat i pafshehur, dhe kjo lidhur me borxhet e mëdha që kishte Zogu ndaj Italisë.

Ja si shkruan ai:

 “Madhërisë së tij, Zogu I, mbret i shqiptarëve

Ju jam thellësisht mirënjohës Madhërisë Suaj për letrën që më dërguat, në të cilën shprehnit shqetësimin tuaj në lidhje me rastin e firmosjes së marrëveshjeve të reja midis vendeve tona. Ndjenjat e shfaqura nga Madhëria Juaj gjejnë mbështetje të plotë nga qeveria fashiste dhe nga i gjithë populli italian kundrejt shtetit fisnor shqiptar dhe Sovranit të tij. Marrëveshjet e firmosura në Tiranë janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e raporteve mes Italisë dhe Shqipërisë, të mbështetura në miqësi, forcimi i së cilës është shenjtëruar, nga prova e fundit, të cilën shteti dhe populli italian e kanë vlerësuar me gjithë vlerën e tij. Ndaj, konkluzionet e marrëveshjeve të Tiranës, të bëra të mundura nga urtësia dhe vullneti i mirë i Madhërisë Suaj janë pritur me sadisfaksion në Itali, dhe si një ogur i gëzuar për të çuar përpara bashkëpunimin italo-shqiptar.

Madhërisë Suaj i shpreh dashamirësinë time, për vendimin e Tij personal, për këtë vepër të përbashkët, e cila ka bërë të mundur të arrihet ky rezultat i kënaqshëm, dhe siguron miqësinë time të devotshme”.

…dhe me Hitlerin

Janë tri letra të gjetura të Zogut për Adolf Hitlerin. Që të tria ato janë nisur drejt Berlinit në vitin 1937, dy vjet para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Letrat me Hitlerin janë të karakterit diplomatik, më shumë letra kortezie. E para drejtuar kancelarit të Gjermanisë për një katastrofë, ku ka humbur jetën edhe drejtuesi i Hindenburgut, shpreh dhimbjen dhe mbështetjen e mbretit Zog për ngjarjen dhe viktimat, ndërsa dy të tjerat, për 25-vjetorin e pavarësisë së Gjermanisë dhe për 1 Majin, Ditën Kombëtare të Gjermanisë.

Ndërsa letrat e Zogut të lëmuara diplomatikisht nuk paraqesin ndonjë interes kushedi, letrat e përgjigjes së Hitlerit ndaj Zogut janë disi interesante për nga tonet dhe emocionet. Që Hitleri ka shfaqur interes për Shqipërinë, nuk ka qenë vetëm arsyea se ky vend kishte lidhje të ngushta me aleaten më të madhe të tij, Italinë Fashiste, por dhe si një pikë straregjike në Ballkan, aq më tepër që Zogu ishte një njeri i sjellshëm, i gatshëm të bënte çdo gjë për t’u quajtur një udhëheqës i kohës edhe në planin ndërkombëtar.

 

 Ç’bëje zotërote, “Mbret Naltmadhni”, kur unë luftoja për Shqipëri?

 

Janë vargje të Shefqet Musarait te “Epopeja e Ballit Kombëtar”, për Ballin Kombëtr, por që i shkojnë për bukuri edhe mbretit.

Ndërsa më 7 prill 1939, pasi u ndesh me një qëndresë të shkurtër, por të rreptë, forcat italiane e pushtuan pjesën më të madhe të vendit brenda pak ditësh, Zogu dhe familja e tij, së bashku me disa nga ministrat, u larguan në mërgim. Vendi mbeti në mëshirën e të huajit. Dihet pastaj si rrodhën ngjarjet dhe se si u zhvillua lufta kundër pushtuesit të huaj fashist deri më 29 Nëntor 1944. Kur në Shqipëri derdheshin lumenj gjaku, Mbreti i shqiptarëve me një shpurë besnikësh dhe 111 arka me ar bridhte nëpër Europë për një vend ku të siguronte kokën.

Për të mos e zgjatur, po japim kalendarin e udhëtimeve të tij për katër vjet, deri më 24 maj 1944, kur qeveria Demokratike e Komunistëve me vendim të formës së prerë ndaloi kthimin e tij në Shqipëri.

 

Rruga e mërgimit                            Datat

 

Tiranë, Shqipëri                                   7 prill

Korçë, Shqipëri                                   8 prill

Follorinë, Greqi                                   8 prill

Larisë, Greqi                                       8 prill

Me tren për Turqi                                2 maj

Stamboll, Turqi                                   3 maj

Me anijen “Bazarabia”                        30 qershor

Konstancë, Rumani                              1 korrik

Bukuresht, Rumani                              2 korrik

Varshavë, Poloni                                 7 korrik

Gdinia, Poloni                                     11 korrik

Me anijen “M. S. Batory”                   12 korrik

Riga, Lituani                                    12 korrik

Me anijen “Aeolus”                          17 korrik

Stokholm, Suedi                              18 korrik

Oslo, Norvegji                                  23 korrik

Me anijen “Brabant”                         6 gusht

Antverp, Belgjikë                              7 gusht

Paris, Francë                                      8 gusht

 

Përfundimisht, në Londër, me statusin e emigrantit mbretëror

Jo vetëm për arsyen e ikjes në atë mënyrë të Zogut nga Shqipëria në ditën më të vështirë të saj, jo vetëm për mënyrën se si ai ishte bërë mbret dhe se si kishte ardhur në pushtet, por edhe për faktin tjetër se ai kishte bashkëpunuar me fashizmin, Anglia që ishte pjesë e aleancës së madhe antifashiste, nuk i dha Zogut statusin e mbretit në ekzil. Madje siç dihet ai u zhvesh e dhe nga pasuria e grabitur që kishte marrë me vete, që ishte ari shqiptar në 11 baule.

Shqiptarët u pranuan në Angli si refugjatë. Mbreti Zog u pranua si individ privat dhe iu dha strehim me kusht që të mos përfshihej në asnjë veprimtari politike.

 

Kohë që u kthye në epokë, Mbreti, jo më në Shqipëri!…

 

Ndërsa pika e parë e vendimeve historike të Kongresit të Përmetit më 24 maj 1944 ishte “Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NÇL”; e dyta kërkon “T’i ndalohet ish mbretit Zog kthimi në Shqipëri, të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohet brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit”…

 

  • Sepse Zogu nuk kish prejardhje mbretërore, i tillë u shpall pas përmbysjes me forcën e armëve të Qeverisë së Fan Nolit, më 1928.
  • Sepse në gusht të vitit 1924, duke qenë në arrati, për të përfituar ndihmën financiare dhe ushtarake të Serbisë, nënshkroi me Kryeministrin serb Pashiç marrëveshjen tradhëtare sipas së cilës angazhohej: T’i bashkohej Jugosllavisë dhe të njihte dinastinë e Karagjeorgjeviçëve. Të shkrinte Ministrinë e Luftës dhe ushtrinë kombëtare dhe të mbante vetëm një gjindarmëri nën drejtimin e oficerëve rusë të Vrangelit dhe sërbë. T’i deklaronte botërisht Konferencës së Ambasadorëve se hiqte dorë nga çdo pretendim mbi sovranitetin e Manastirit të Shën Naunit, të Vermoshit dhe Kelmendit, që vetë ua dha serbëve
  • Likuidoi fizikisht një numër patriotësh si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemin, Riza Cerovën. etj.
  • Vuri vendin nën vartësi të të huajve me huara dhe marrëveshje skllavëruese që i hapi rrugën pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Në çastet më kritike për fatet e kombit paralizoi aftësinë mbrojtëse dhe u arratis nga Shqipëria duke marrë me vete edhe thesarin e shtetit.
  • Se akti i braktisjes së Frontit për më se tre muaj, i hiqte atij të drejtën e rikthimit, sipas nenit 65 të Kushtetutës së Mbretërisë të vitit 1928. Jo më mbreti, por edhe një ushtar i thjeshtë po të dezertonte nga fronti, merrte ndëshkimin kapital.

 

 

 

Zylyftar Hoxha April 5, 2015 10:30
Komento

11 Komente

  1. fatmiri April 5, 14:45

    Zoti Polovina, i ke marre leje Bledi Fevziut, njekohesisht dhe Sali Berishes, se njeri i ka bere librin tjetri bustin. Edhe nje pyetje tjeter. Cili eshte qendrimi juaj sot per librin e shkruar po nga ju “Nano dhe Berisha”. Ju pyes se dikur, ju bashke me Spartak Brahon, me keni cikluar me firmen tuaj kete liber diku ne nje lokal, mbasi une e kisha blere. Ju uroj pune te mbare me shkrimet tuaja.

    Reply to this comment
  2. mirel April 5, 15:14

    Se ishte zog kurve prandaj

    Reply to this comment
  3. Mark uk April 5, 16:15

    Krahason mbretrit e tjer me te Shqiperis ky komunist.Ne vende te tjera nuk erdhen komunist si rregjimi i hoxhes qe ndaloj qe ne kongresin e Pertit ardhja e tij ne Shqeperi o historin komunist pa vlera.

    Reply to this comment
    • ermir April 5, 19:11

      O idjot do te behesh dhe historian ik ore brekgrisur i bythores se nuk i kap dot truri yt i vogel keto gjera..

      Reply to this comment
  4. albanopl April 5, 16:33

    Ka nje pasaktesi, jo porti i Katarit por porti i Kotorrit. Italianet i tone Kataros.Boka e Kotorrit.

    Reply to this comment
  5. DRENICA E KUQE April 5, 18:49

    Z. Ylli Polovina, ju pergezoj per librin! Ju deshiroj shendet, pune te mbare dhe te mira ne jete! Kam lexuar shume libra prej jush, si: Ndarje me te shkuaren, Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, Nje kolonel midis Tiranes dhe Prishtines etj. Me pelqeni sepse ruani vijen e qarte shqiptare!…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  6. Gjaton Toroveci April 5, 20:29

    Asnje monark i Ballkanit nuk qendroi ne vend te behej hero.Kjo ishte zgjidhja me e mire politike per kohen. Vendi yne ishte i pari qe provoi thundren pushtuese. Forca e shtetit tone qe e paperfillshme. Sulmin e Italise Konica e krahasoi me ate te nje boksieri profesionist qe ndeshet me nje femije. Nga ana tjeter Zogu nuk u lejua prej anglezeve te krijonte Qeveri ne mergim e as te qendronte ne Angli. Anglezet ishin furnizuesit kryesore te ushtrise greke kunder italianeve. Greket qe per hir te se vertetes luftuan me heroizem hodhen te gjitha forcat kunder italianeve duke lene zbuluar shpatullat.. Kjo u krijoi mundesi gjermaneve qe te nderhynin ne Greqi nepermjet kufirit bullgar. Greket qe ishin shtruar kembekryq ne Shqiperi, kishin filluar ndertimin e administrates greke me te gjitha elementet si hetuesi,gjyqe,administrate etj. Ne ate gjendje ata realizuan objektivin strategjik pushtimin e vorio epirit. Fshataret nuk lejoheshin te hynin neper qytete pervecse me leje nga zyra te posacme te drejtuara nga shqiptare pjese e agjentures greke. Me goditjen gjermane ushteria greke u shkri si debore e prillit. Terheqja e tyre prej teritorit shqiptar qe vertet coroditse. U braktisen te gjitha bazat e furnizimit duke rene pre e grabitjes te popullsise shqiptare. Italianet u rikthyen.Ne periudhen pasuese merr rendesi E. Hoxha me ushtrine e tij. Anglezet kishin deklaruar se kufijte e Shqiperise do te rishikoheshin mbas lufte. A, Zogu nuk kishte asnje mundesi objektive per te qendruar e luftuar. Pushtimin tone asnje shtet nuk e denoi, madje nderhyrja italiane ne Shqiperi nuk shihet si fillimi i Luftes se dyte boterore, por si date mbahet 1 shtatorii v.1939,hyrja e gjermaneve ne Poloni . Megjithekete autori ka kendveshtrimin e tij. Te besh nje liber sidomos per historine nuk eshte gje e lehte.

    Reply to this comment
  7. Mark uk April 5, 21:15

    Mbron vetem idet komuniste o kosovar enverist.Shko more idiot bani sikur e ke lexuar librin qe tani ka dal nga shtepia botuese.

    Reply to this comment
  8. sulo permeti April 5, 21:20

    Vetem ne Shqiperi ndodh,te tradhetosh vendin tend,ti shesesh copa toke (…edhe deti),te arratisesh ne castin me fatkeq per vendin,duke marre (vjedhur) gjithe thesarin ….dhe ne fund ti ngrene edhe monument ne vendin me te dukshem te Tiranes,mad i je vendi eshte edhe me i mire se Ismail Qemalit…….keto pune i ben vetem nje tradhetar tjeter malok SALI Berisha

    Reply to this comment
  9. skifteri April 6, 07:18

    *****…..Figura e Ahmet Zogut mbetet nje nga figurat me te urryera e zeze e nje tradhtari dhe kusari,sepse me 7prill 1939 ,u vet shpalle tradhtar dhe kusar duke lene Shqiprine ne meshire te forcave fashizmit Italian.Iku ne Greqi si burracak,si pule e lagur,pa gjak Shqiptari,ne vende qe te organizonte rezistencen e popullit shqiptar kunder pushtimit dhe te dilte ne male siç dolen Partizanet trima e Legjendare kunder fashizmit ,nazizmit dhe tradhtarve te vendit belerve agallarve dhe gjakpirsave te popullit dhe ne kete lufte historike doli fitimtar .*****.

    Reply to this comment
  10. aty April 6, 10:13

    Figura e Zogut eshte nga me te ultat qe Shqiperia ka nxjerre ne historine e saj, cfaredo lloj propagande qe mund te behet per ta ngritur figuren e tij, ai gjithmone do te mbetet tradhetari i ketij vendi dhe i popullit shqiptar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim