Zoi Themeli: Takimet e fshehta dhe detyrat që mori Kadri Hazbiu në Pragë nga Shelepini, kreu i KGB-së ruse

Kujtim Borici January 18, 2013 13:24

Zoi Themeli: Takimet e fshehta dhe detyrat që mori Kadri Hazbiu në Pragë nga Shelepini, kreu i KGB-së ruse

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 17

 

“Takimet u bënë në Pragë në vitin 1958, në mbledhjen e ministrave të Brendshëm. Kadriu, me porosi të Shelepinit, propozoi grupimin e zbulimeve në një qendër të vetme në Moskë. Sherri i Kadriut me ministrin rumun”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në seancën e 17 të procesit gjyqësor ndaj ‘Grupit armiqësor të vënë në shërbim të agjenturave të huaja”, Kadri Hazbiu vihet përballë akuzave të Zoi Themelit. “Kadri Hazbiu, në mbledhjen e Ministrave të Brendshëm që u zhvillua në Pragë, ka bërë disa takime të fshehta me Shelepinin, kreun e KGB-së ruse, nga i cili mori detyra për veprimtarinë e grupit agjenturor në Shqipëri. Po ashtu, me porosi të Shelepinit, ai bëri propozimin që agjenturat e vendeve të demokracive popullore të kenë një qendër të vetme në Moskë… Kadri Hazbiu me njerëzit e tij të grupit armiqësor, u ka sjellë një dëm të konsiderueshëm bashkëpunëtorëve të Sigurimit Shqiptar në Kosovë, si dhe ka përgatitjen e arratisjes në Jugosllavi të Liri Gegës e Dali Ndreut”- pohoi mes të tjerave Themeli….

Kryetari(Aranit çela):- Pra, për takimet me Shelepinin, kreun e KGB-së. Dhe çfarë ndodhi në mbledhjen e Pragës në vitin 1958?

Zoi Themeli:- … Kadri Hazbiu takoi disa herë Shelepinin, kreun e  KGB-së para mbledhjes. Më pas filloi mbledhja, por ne nuk e dimë se çfarë bisedoi ai me ‘të, se ai nuk na tha asgjë. Pra, filloi mbledhja. Shelepini mbajti raportin kryesor të mbledhjes. Dhe pas tij, siç ishte caktuar dhe në program, do të flisnin ministrat e brendshëm të vendeve pjesëmarrëse. Ne të delegacionit shqiptar, përpara, u mblodhën të katër në një dhomë dhe atje Kadriu vetë, përpunoi fjalimin që do të fliste. Duke përpunuar fjalimin ai, unë i ndërhyra disa herë në disa gjëra. I thashë, të bëhet kështu, e jo ashtu siç e kemi. I pranoi.  Por në atë rast, në fund, më tha mua: Ju shkoni flini se këtë përgatitje e bëjmë ne. Mua më erdhi keq dhe u revoltova në fakt. Dhe i thashë: Pse për të fjetur kam ardhur unë këtu. Atëherë çfarë kuptimi ka që erdha unë këtu?. Nuk më foli Kadriu. E mbaroi fjalimin së përpunuari Kadriu.  E lexuam dhe ne, e shkuam në mbledhje. Në mbledhje, pasi foli dhe një tjetër, tani unë nuk e mbaj mend mirë se kush foli, i dyti ministër që foli qe Kadri Hazbiu. Kadriu, pasi e mbaroi fjalimin që kishte përgatitur, në fund doli me një propozim që na befasoi ne dhe të tjerët që ishin në takim. Kadriu doli me propozimin që e gjithë agjentura e shteteve të demokracive popullore të grumbullohet në një qendër të vetme në Moskë, dhe ajo qendër të drejtoj gjithë agjenturën. Më bie ndër mend si tani, që u ngrit ministri i Rumanisë, tepër i revoltuar dhe kundërshtoi propozimin e Kadri Hazbiut. Ai tha: -Nuk jam dakord me propozimin e Kadriut. Çdo agjenturë i takon shtetit të vet. Tjetër hesap është për informata. Por agjentura i takon shtetit të vet e kjo është konspirative vetëm për shtetin e tij. Kur dolëm jashtë, domethënë kur mbaroi kjo seancë, Kadriu më tha: E patë se çfarë qëndrimi mbajti ai rumuni, ata kanë devijuar nga marksizëm-leninizmi. Pastaj, mua më kujtohet që ai (Kadriu), kur bëri ato takimet me Shelepinin, unë u çudita. Se nuk dija se çfarë kishin biseduar dhe nuk dija pse Kadriu bëri këtë propozim. Kadriu, pas takimeve me Shelepinin, takonte ministrat e vendeve të tjera të demokracive popullore. Çfarë bisedonte, qoftë me Shelepinin, ashtu dhe me ministrat e vendeve të tjera Kadriu, unë nuk jam në gjendje të them. Asnjëherë Kadriu nuk na tha për këto takime, qoftë dhe një fjalë.  Ndërsa të nesërmen në drekë, kur ne ishim në dhomë, ku isha dhe unë, vjen rumuni (ministri i brendshëm) dhe i revoltuar i drejtohet Kadriut: Ç’ke ti që flet për mua. Çfarë pandeh ti, se do të dorëzohet agjentura?!. Mua, që isha i pranishëm aty, më bie ndërmend fjala e rumunit, ‘neokomunist’, të cilën ai e tha në gjuhën e tij. Dhe i revoltuar iku, domethënë nuk qëndroi, por krisi e iku. Përsëri, çfarë kishte biseduar Kadriu me të tjerë, ne nuk na tha asgjë.

Kryetari:– Po mirë këtë, atë natë që u mblodhët për raportin, e biseduat atë propozimin që do të bënte Kadriu?

Zoi:- Ne raportin e kemi bërë në drekë….

Kryetari:– Kur e ke bërë, kur u tha ai shkoni të flini, e biseduat ju këtë çështje?

Zoi:- Këtë çështje as e biseduam dhe as e menduam fare. Kjo ishte një çështje krejt e papritur për ne.

Kryetari:– Po ju e pyetët këtë, ti, Zoi Themeli, Kadriun: Po ti Kadri, nga e ke marr këtë propozim?

Zoi:- Jo, këtë pyetje nuk e kemi bërë.

Kryetari:– Më vonë, ti more vesh nga lindi kjo?

Zoi:- Jo.

Kryetari:– S’ke marr vesh, me kaq mbeti kjo? S’u pranua ajo, natyrisht.

Zoi:- Ajo nuk u pranua, bile nuk u diskutua pas asaj që bëri rumuni. Nuk u shtrua ky problem.

Prokurori(Rrapi Mino):- Lidhur me dorëzimin e Platformës që i është dorëzuar KGB-së, di gjë të na thuash?

Zoi:- Jo.

Prokurori:- Po lidhur me një dosje, lidhur me një tentativë  për veprim terrori ndaj Sadik Premtes, dini gjë?

Kryetari:- Çështja e Parisit, e Sadik Premtes, me kaq sa di ti, për dosjen, ç’di ti. Ku vajti dosja se nuk po e gjejmë dhe sot…?

Zoi:- Unë dosjen nuk e mora vesh. Unë e dija që dosja ekzistonte. Kur u largova nga zbulimi e dija se gjithnjë dosja është në vendin e saj.  Dhe kur mora vesh se kjo dosje nuk është, të them të drejtën, sinqerisht, kam menduar vazhdimisht. Por nuk më bie ndër mend që unë të kem kërkuar qoftë dhe një herë dosjen e tij.

Kryetari:- Po ty të ka thënë Llambi Peçini? Domethënë të ka thënë ty ai pse e kërkon dosjen, pse pyeti këshilltari për dosjen, se ka një arsye kjo? Të ka pyetur ty, është e vërtetë që të ka pyetur?

Zoi:- Mua nuk më bie ndërmend. Dhe e kam menduar vazhdimisht për një gjë të tillë, dhe nuk më bie fare ndër mend….

Kryetari:- Po ku mund të jetë kjo dosje, për shembull, sipas eksperiencës që mbanit ju në atë kohë?

Zoi:- Dosja duhet të ishte në sektorin përkatës.

Kryetari:- Si arshivë, ku mund të kërkojmë?

Zoi:- Si arshivë, ne kishim të gjithë sektorët.

Kryetari:– Ne duam të na thoni se ku mund të kërkohet. Ne nuk duam të dimë as organizimin, as si mbahet e si i keni ndarë ju sektorët. Po vetëm kaq, ku mund të kërkohet?

Zoi:- Kjo mund të kërkohet në sektorin që punonte në drejtim të Francës.

Kryetari:- I pandehuri Mihallaq Ziçishti, ke ndonëj pyetje? Jo. Xhevit Ismailaga s’ke, Ali Çeno, Gani Kodra, s’keni…. LLambi Peçini, ke? Hajde këtu….

Llambi Peçini:- Dëshmitari Zoi Themeli ka dëshmuar në dëshminë e tij që ka dhënë, përveç këtyre dy problemeve që ka dëshmuar, dhe se  Koçi Xoxe, Nesti Kerenxhi, Kadri Hazbiu e Llambi Peçini, kanë organizuar Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit sipas UDB-së jugosllave. Dua ti, bëj një pyetje se kur është organizuar Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, se unë s’di..?

Kryetari:– Ti e ke thënë këtë, ai të bën pyetje….

Zoi:- Jo, ku e ka marrë Llambi Peçini këtë?

Llambi Peçini:- Unë kam parë procesverbalin e pyetjes së dëshmitarit që më është treguar nga hetuesia…

Kryetari:- Domethënë, kjo që thotë, nuk është kështu, ë?

Zoi:- Nuk është kështu. E unë nuk kam thënë ndonjë gjë të tillë. Procesi është dhe mund të shikohet.

Llambi Peçini:- Unë në shpjegimet e mia që dhashë, që unë në atë kohë kam qenë oficer i Mbrojtjes së Popullit në Divizionin e 8-të dhe varesha nga Zoi Themeli, sekretar i Krahinës së III-të. Nga fundi, është i proces-kallëzimit. Është në fund të proces-dëshmisë tek unë.

Kryetari:- Ja proces-dëshminë e Zoi Themelit, ja e kam nënvizuar. Ja çfarë thotë: Këtë propozim, si e mendoj unë, Kadri Hazbiu e bëri sipas kërkesës sovjetike, të cilëve u intereson kjo gjë.

Kryetari:– I pandehur Feçor Shehu, ke gjë? Hajde…

Feçor Shehu:- Zoi themeli, në vitet 1949-1950 ka qenë drejtor i zbulimit. Unë do ti lutem, si dëshmitar që ishte dhe në atë kohë, në se di ky që Stafë Lleshi dhe Aqif Lleshi kanë qenë bashkëpunëtorë të zbulimit, apo jo?

Kryetari:- Di ndonjë gjë të tillë ti Zoi Themeli, të kujtohet?

Zoi Themeli:- Nuk di asnjë gjë për ata. Unë për ata dija disa gjëra. Dija që Stafë lleshi ishte oficer i UDB-së dhe punonte në mënyrë aktive kundër vendit tonë. Ne, me burimet tona, mësonim se si punonte dhe në ç’drejtim punonte Stafë Lleshi për të zbuluar drejtimet e punës…

Kryetari:– I ke të sigurta këto që thua ti?

Zoi Themeli:- Si urdhëron. Gjatë vitit 1950, erdhi Mustafa Lleshi  këtu në Shqipëri që të na takonte ne. Se ne kishim qendrën e filtrimit. Nga ai do të merrnim të dhëna mbi punën e UDB-së dhe të dhëna të tjera mbi emigracionin reaksionar, grupet që përbënte UDB-ja, etj…?

Feçor Shehu:- Nëse i kujtohet dëshmitarit Zoi Themeli që nga zbulimi në ato vite, vitet ’50, dhe më përpara, është punuar me plan për të dobësuar pozitën e Stafë lleshit dhe Aqif Lleshit, për të rritur dyshimet ndaj UDB-së… Domethënë, që këta njerëz që punonin kundër popullit shqiptar atje, t’u dobësohej, t’u hynte dyshim jugosllavëve?

Kryetari:- Mbanë mend gjë ti?

Zoi Themeli:- Jo, s’mbaj.

Kryetari:- I pandehur Kadri Hazbiu, ke ndonjë pyetje?

Kadri Hazbiu:- Zoi Themeli thotë që në pranverën e vitit 1954, i kam dhënë urdhër unë! S’është e saktë kjo. Në pranverën e vitit 1954, ministër ka qenë Mehmet Shehu. Në qoftë se unë si zëvendësministër i kisha dhënë këtë urdhër, ky shkonte tek ministri dhe i thoshte çfarë po bën ky zëvendësministër?

Kryetari:- Ke pyetur ministrin ti për këtë punë?

Zoi Themeli:- Shokë të gjykatës. Ministrinë e Brendshme, që nga viti 1949, e drejtonte Kadri Hazbiu. Mehmet Shehu, edhe pse kishte këtë titull, s’vinte, asnjë punë nuk kryente në Ministrinë e Brendshme.

Kadri Hazbiu:- Thotë që në vitin 1958, është bërë mbledhja e Pragës. Pse e ngatërron ti Zoi Themeli 1958-tën me 1960-tën, pasi ajo është bërë në vitin 1960? E fundit që kam unë, si për sa i përket vitit 1954 dhe më vonë, Zoi Themeli ishte anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror, ka qenë në Plenumin e Komitetit Qendror?

Zoi Themeli:- … Në Kongresin e vitit 1956 jam pranuar…

Kadri Hazbiu:- E treta që kam unë, është përgatitja për mbledhjen e Pragës. Ky thotë se nuk dinte gjë. Mos i kujtohet se a nuk i kemi bërë bashkë materialet ne, se në dokumente figurojnë dy teza, dy lloj tezash… Tani i kujtohet, se ne i kemi përgatitur këtu në Shqipëri këto teza.

Kryetari:– Të kujtohet ty që i keni përgatitur?

Zoi:- Ne s’kemi përgatitur në Shqipëri teza, dhe këtë mundet ta dëshmoj.

Kryetari:- Mund të largohesh.

Zoi Themeli:- Në vitin 1958, këtu në Tiranë erdhi një bashkëpunëtor i Dibrës nga fisi Ndreu. Ky bashkëpunëtor u dërgua nga Banushi me qëllim që të takonte ministrin për të dorëzuar një bazë kriminale, një bandë kriminelësh që erdhi këtu. Pasi erdhi këtu, mua më thërret Kadriu dhe më tha se ka ardhur filani… Më tha, e di Banush Goxhaj kush është, ai mund ta njohë mirë. Merreni, më tha, dhe dërgojeni në një nga bazat tona… E morëm, unë me Arif Selenicën dhe e çuam në një nga bazat tona. Të nesërmen në orën 8-9 të mëngjesit erdhi në Ministri Esat Ndreu dhe kërkoi takim me mua. Esati më informoi se ky njeri i kishte vajtur në mbrëmje në shtëpi dhe i kishte propozuar, ose do të vihej në shërbim të UDB-së, ose të arratisej Esati. Këtë ja dha me një letër të shkruar nga UDB-ja… Pasi Esati e lexoi këtë letër, ky person e mbështeti letrën tek maja e cigares dhe kjo letër u bë pluhur e hi menjëherë. Dhe i tha Esati: E shikon si mbrohet sekreti? Këtë njoftim që më bëri Esati, unë, menjëherë, shkova ia raportova Kadriut. E vura në dijeni që kështu, kështu filani, domethënë është agjent i dërguar nga UDB-ja. Kadriu në mbrëmje më urdhëroi mua ‘shko merr atë personin dhe sille këtu.  Unë shkova në Shkoë, dhe kam shkuar me shofer Llambi Stojanin… Por kur vajta unë në bazë, nuk e gjeta personin. Baza ishte afër në të dalë të Tiranës. Muri i bazës ishte prishur e komunikonte me arat, tokat afër bazës sonë. Ky kishte dalë jashtë dhe përgjonte a do ta arrestonin apo jo. Pasi pa se nuk kishte njerëz të tjerë përveç meje, kapërceu murin dhe erdhi në bazë. Kur e pyeta, mua më tha se, isha në banjë. Por unë e kisha parë kur vepronte. Më gënjeu… E prura tek Kadriu. Kadriu bisedoi, dhe ai i premtoi se do ta dorëzonte atë bandën kriminale. Ma tha Kadriu që çoje në bazë. Unë dola jashtë dhe ja dhashë shoferit të Llambit për ta çuar. E vetë u ktheva tek Kadriu. I tregova si veproi ai në bazën tonë dhe i thash Kadriut se ai donte të ikte dhe nuk mund ta lemë pa e arrestuar. Ai, Kadriu më tha se ‘këtë punë e di unë’, se kishte biseduar me Banushin dhe ai nuk kishte për t’u arratisur. Kadriu më tha: Ai do të na sjellë një bandë shumë të rëndësishme…. Pas tre ditësh, ky person shkoi në Peshkopi dhe u arratis në Jugosllavi. Si është e mundur, kur për këtë person ne kishim të dhëna dhe e lamë (Kadriu) të arratisej!?  Një kjo. E dyta, që desha të thosha unë… Kur Liri Gega me Dali Ndreun tentuan të arratiseshin për në Jugosllavi, Kasdri Hazbiu dhe Llambi Ziçishti e kishin mësuar këtë që një natë para (se do arratiseshin nga Sllova), dhe nuk kishte marr asnjë masë…

Kryetari:- S’kishin marrë asnjë masë?

Zoi Themeli:- S’kishin marrë asnjë masë, domethënë, masa operative. Nga ora 6 e mbrëmjes, Kadri Hazbiu e Gjeli Argjiri, më thërrasin mua, që ishte dita e parë dhe e fundit që janë konsultuar me mua  për probleme të kundërzbulimit. Më thanë që ti arrestojmë menjëherë në Sllovë ku ishin. Unë kundërshtova se kishte problem, por se ishim të sigurt e kishim marr të gjitha masat dhe kufiri nuk mund të kalohej.  Unë u thashë se ‘ju nuk e njihni Cufën, vëllanë e Daliut, ai është njeri i tmerrshëm’. Ata më thanë ti arrestojmë e unë nuk kundërshtova. Ata më provokuan mua, që të jepja mendim tjetër e të më akuzonin. Kadriu më tha shko ta kryesh ti këtë veprim, arrestimin. Kur arrita unë në Peshkopi, Gjeli Argjiri kishte vajtur në Sllovë, i kishte marr Daliun e Lirinë dhe i kishte sjellë në Peshkopi…

Kryetari:– Keni ndonjë gjë ju Mihallaq Ziçishti? Jo. Kadri Hazbiu, keni ndonjë gjë lidhur me këto që shtoi ky? Jo. Mirë mund të shkosh.

(Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Çfarë bisedonte Kadriu, qoftë me Shelepinin, ashtu dhe me ministrat e vendeve të tjera, unë nuk jam në gjendje të them. Asnjëherë Kadriu nuk na tha për këto takime, qoftë dhe një fjalë.  Ndërsa të nesërmen në drekë, kur ne ishim në dhomë, ku isha dhe unë, vjen rumuni(ministri i brendshëm) dhe i revoltuar i drejtohet Kadriut: Ç’ke ti që flet për mua. Çfarë pandeh ti, se do të dorëzohet agjentura?!. Mua, që isha i pranishëm aty, më bie ndërmend fjala e rumunit, ‘neokomunist’, të cilën ai e tha në gjuhën e tij. Dhe i revoltuar iku, domethënë nuk qëndroi, por krisi e iku. Përsëri, çfarë kishte biseduar Kadriu me të tjerë, ne nuk na tha asgjë”

 

SOM 2

“Kadriu më tha se ‘këtë punë e di unë’, se kishte biseduar me Banushin dhe ai, agjenti, nuk kishte për t’u arratisur. Kadriu më tha: Ai do të na sjellë një bandë shumë të rëndësishme nga Jugosllavia…. Pas tre ditësh, ky person shkoi në Peshkopi dhe u arratis në Jugosllavi. Si është e mundur, kur për këtë person ne kishim të dhëna dhe Kadriu e la të arratisej!?  Një kjo. E dyta.. Kur Liri Gega me Dali Ndreun tentuan të arratiseshin për në Jugosllavi, Kasdri Hazbiu dhe Llambi Ziçishti e kishin mësuar këtë që një natë para (se do arratiseshin nga Sllova), dhe nuk kishte marr asnjë masë…”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Dhora Lekës: Takimet e mia me Zvetozar Kokiçin dhe interesimi i UDB-së jugosllave për Kadri Hazbiun.

-Kërcënimet e Kadri Hazbiut dhe Nevzat Haznedarit për Dhora Lekën: Nëse do të hapësh gojë për aktivitetin e grupit agjenturor, do të pritet koka!

-Dëshmia e Lekës: Si e helmoi Kadri Hazbiu Tuk Jakovën me injeksion, një ditë para se ai të dilte nga burgu. Dëshmitë e të pranishmëve dhe amaneti i Tukut para se të vdiste.

Kujtim Borici January 18, 2013 13:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*