Zosimea, shkollë me emër, nxënës me emër…

August 16, 2015 15:21

Zosimea, shkollë me emër, nxënës me emër…

Kujt i ka rënë rruga të shkojë në Janinë nga Gjirokastra, Tirana apo Kakavia, po të ketë qenë i vëmendshëm ose edhe të ketë pyetur, me siguri do ta ketë parë godinën e vjetër të Gjimnazit Zosimea, që ekziston edhe sot e kësaj dite. Për fat të mirë të atyre që janë të interesuar, ai ndodhet në qendër të qytetit, tamam mbi rrugën e stacionit të autobusëve interurbanë të Janinës.

Gjimnazi Zosimea fillimet e veta i ka në vitin 1828, nga vëllezërit Zosimas. Ata ishin gjashtë vëllezër nga Epiri. Që të gjithë si vëllezër mërguan nëpër Evropë, punuan atje dhe vç pasurisë që vunë, morën edhe kulturë perëndimore. Siç veprojnë kurbetlinjtë e mirë, të lidhur me vendlindjen, edhe ata menduan të bëjnë një shkollë si ato që kishin parë në Perëndim në qendër të Janinës. Si mjet për investim u përdor testamenti i njërit prej vëllezërve. Gjimnazi i Zosimeajve kishte një program gjashtëvjeçar. Në këtë gjimnaz greqishtja mësohej 12 orë, latinishtja 4 orë e gjysmë, ndërsa frëngjishtja 3 orë. Gjimnazi i Zosimeajve njihej si një shkollë klasike, në të cilën i kushtohej kujdes i veçantë retorikës, letërsisë së vjetër greke dhe romake.

Zosimea ishte një shkollë tepër e veçantë në Perandorinë Osmane, ajo ishte një shkollë jashtë arealit të perandorisë Osmane që nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të asaj kohe. Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për t’u vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qenë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Madje edhe mësuesit dhe drejtuesit i tij ishin simpatizantë dhe ithtarë të Revolucionit Francez, ata përhapnin në shkollë idetë e Volterit, të Rusoit dhe të filozofëve të tjerë të epokës së re të kapitalizmit që kishte nisur.

Mësuesit e kësaj shkolle ishin figura të njohura dhe të ndriçuara të kohës. Dy nga drejtorët më të njohur të saj, ishin Anastasios Sakellarios dhe Athanasios Psallidas. Ky i fundit ka qenë këshilltar i Ali Pashës dikur në oborrin e tij.

Duhet thënë se veç ndikimit perëndimor, në ngritjen e kësaj shkolle kishte direkt dhe indirekt dorë edhe Pashai legjendar i Janinës. Në radhë për klimën dhe lirinë e krijuar në vilajetin e tij, të shkëputur nga perandoria osmane. Ky pasha me personalitet të fortë dhe dorë të hekurt, ia kishte dalë të fitonte një autonomi të madhe prej Portës së Lartë dhe Pashallëkun e vet, sidomos kryeqytetin e tij, ta kthente në një ambient urban paqësor, kusht i nevojshëm për të mbjellë fara dijesh si shkolla në fjalë.

Askush nga Shqipëria nuk është kujtuar për të dërguar në arkivat greke, por edhe në arkivat e vetë Gjimnazit Zosimea, studiues për të shfletuar dokumente, për të mësuar diçka më tepër emrat e mëdhenj shqiptarë që kanë studiuar në këtë shkollë si Ismail Qemali, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ali Asllani, Aleksandër Xhuvani, Elmaz Boçe, Anastas Byku, Abedin Dino, Hasan Dosti, Qazim Koculi, Kostandin Kristoforidhi, Sali Nivica, Hodo Sokoli e shumë e shumë të tjerë. Askush në Shqipëri nuk e ka vrarë mendjen se si ka mundësi që në territoret e dikurshme të saj të ngrihej një gjimnaz me standardet e sotme, dhe të hulumtojë se si ka mundësi që nga auditorët e saj të kenë dalë kaq njerëz të mëdhenj? Askush në Shqipëri nuk e ka çarë kokën dhe të thotë që si ka mundësi që në një shkollë greke, të ndërtuar nga grekët, të studionin shqiptarë, ndërkohë që filantropë shqiptarë, si i mirënjohuri Vangjel Zhapa dhe ndonjë tjetër shqiptar ngrinin institucione të dijes dhe të kulturës në favor të grekëve!

Veçantia e fundit e kësaj shkolle ishte se ajo ishte me nxënës të shumë kombeve, me përbërje fetare të ndryshme, me prejardhje klasore të ndryshme. Që të gjithëve iu mësua të ishin individë të lirë dhe të barabartë në të ardhmen. Shumë e shfrytëzuan lirinë e tyre, për t’u ofruar liri të tjerëve, siç është rasti i shqiptarëve që studiuan në këtë shkollë.

Shqiptarë të shquar që kanë studiuar në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës

Sami Frashëri

Naim Frashëri

Ismail Qemali

Abedin Pashë Dino

Hasan Tahsini

Kostandin Kristoforidhi

Ali Asllani

Anastas Byku

Esat Pasha

Qazim Koculi

Aleksandër Xhuvani

Sali Nivica

Hodo Sokoli

Hasan Dosti

August 16, 2015 15:21
Komento

2 Komente

  1. lato August 17, 20:00

    Esat pashe Toptani sipas kujtimeve te Eqerem Vlores ishte analfabet,nuk ka gjasa te kete kryer gjimnazin Zosimea ,vetem nqs.ka qene ndonje Esat pashe tjeter.Alexander Xhuvani studimet e mesme i ka kryer ne Shen Miter Korone,kurse studimet e larta ne Universitetin e Athines.

    Reply to this comment
  2. Gezim August 21, 20:23

    Nuk eshte fjala per Esat Pashe Toptanin por per Mehmet Esat Pashen i njohur edhe si Mehmet Esat Bülkat. Per Aleksander Xhuvanin tash se voni ka burime te cilat e nxjerrin si ish nxenes te Zosimeas edhe pse vete Xhuvani ne kujtimet e tij e thekson qarte se vitin e pare ka qene nxenes i Gjimnazit te Manastirit ku eshte regjistruar ne vitin 1898 ndersa tri vitet tjera i ka vazhduar ne Kolegjin Konvikt te Çotilit ne Maqedoni. Per ata qe kane dyshime le te shohin ne shkrimin: Aleksander Xhuvani: ” Gjuha shqipe n`Elbasan, Lufta per çlirimin kombetar ne vitet 1878 – 1912 “,( Kujtime veteranesh), USHT, Instituti i Historise e Gjuhesise, Tirane, 1962, fq. 52 – 53.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*