Zv. Sekretari zviceran i Shtetit për Punët e Jashtme nënshkruan marrëveshje për taksimin e dyfishtë pas konsultimeve dypalëshe

September 9, 2015 15:55

Zv. Sekretari zviceran i Shtetit për Punët e Jashtme nënshkruan marrëveshje për taksimin e dyfishtë pas konsultimeve dypalëshe

Marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Shqipërisë janë shumë të mira sipas zyrtarit të lartë zviceran dhe koleges së tij shqiptare, Zv. Ministres së Punëve të Jashtme, Odeta Barbullushi. Të dy qeveritë nënshkruan një amendament në marrëveshjen mbi taksimin e dyfishtë midis dy vendeve.   

Zv. Sekretari zviceran i Shtetit për Punët e Jashtme Georges Martin vizitoi Shqipërinë në datat 7–9 Shtator në atë që konsiderohet një hap tjetër konstruktiv në marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ai mbajti konsultime diplomatike dypalëshe së bashku me Zv. Ministren e Punëve të Jashtme, Odeta Barbullushi, dhe nënshkroi një kapitull shtesë në traktatin mbi taksimin e dyfishtë midis dy vendeve.

“Zvicra dhe Shqipëria gëzojnë një bashkëpunim pozitiv dhe të frytshëm. Marrëdhëniet tona politike, ekonomike dhe kulturore janë shumë të mira. Zvicra duke qenë një donator dhe partner afatgjatë bashkëpunimi për Shqipërinë është e interesuar në përparimin e sistemit të saj ekonomik dhe financiar”, tha  Zv. Sekretari zviceran i Shtetit për Punët e Jashtme Georges Martin. “Që nga 1999 Zvicra dhe Shqipëria kanë rënë dakord që të shmangin taksimin e dyfishtë në dobi të të dy vendeve. Sot ne e çojmë një hap më përpara këtë marrëveshje, duke mundësuar shkëmbimet e informacionit midis autoriteteve”, tha zyrtari i lartë zviceran.

Ai përmendi se Zvicra dhe Shqipëria gëzojnë lidhje të ngushta që përfshijnë edhe bashkëpunimin për zhvillim ekonomik dhe aftësimin e mjedisit për biznes. “Marrëveshjet mbi taksimin e dyfishtë sigurojnë që qytetarëve dhe kompanive që banojnë ose operojnë në të dy vendet tona, u faturohen taksat vetëm një herë. Kjo është mirë për individët dhe gjithashtu mirë për bizneset”, vazhdoi Z. Martin.

Zv. Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme, Odeta Barbullushi theksoi marrëdhëniet shumë të mira midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe tha se konsultimet që u zhvilluan në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë një instrument diplomatik i dobishëm për të rritur lidhjet dypalëshe. Ajo theksoi mundësinë për të rritur shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve dhe shprehu vlerësim për mbështetjen që Zvicra jep përmes Strategjisë së Bashkëpunimit 2014-2017. Ajo tha se asistenca e vazhdueshme zvicerane në disa fusha parësore për Shqipërinë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për proçeset e reformës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në marrëveshjen ekzistuese mbi taksimin e dyfishtë mungonte detyrimi për të shkëmbyer formalisht informacion mbi taksat dhe të ardhurat. Duke iu referuar amendamentit të sotëm, Zj. Barbullushi përmendi se ai i mundëson të dy qeverive që të ndajnë informacion dhe të japin asistencë adminitrative në lidhje me procedurat e taksave. Të dy zyrtarët e lartë deklaruan se kjo do të kontribuojë për lidhje më të forta dhe do të ketë dobi për komunitetet e biznesit në të dy vendet. “Një kompani zvicerane apo ndërkombëtare e cila kërkon të zgjerojë në Shqipëri veprimtarinë e saj ekonomike mund ta bëjë këtë me më shumë konfidencë duke ditur se rregullat e duhura të taksave janë në vend”, tha Zv. Sekretari zviceran i Shtetit.

Para nënshkrimit të sotëm, zyrtari zviceran u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ai gjithashtu u takua me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ku diskutoi rëndësinë dhe çështjet e energjisë dhe në veçanti Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) për të cilin Zvicra është shumë e interesuar. Ai gjithashtu u takua me përfaqësues të tjerë qeveritarë dhe kreu një vizitë në Shkodër ku pa drejtpërdrejt disa nga rezultatet e punës së bashkëpunimit zviceran në demokratizim, sisteme të furnizimit me ujë dhe menaxhim të mbetjeve.

Kjo vizitë ishte më e fundit në një seri të vizitave të rëndësishme nga zyrtarë të lartë zviceranë në  vitet e fundit. Zvicra mbështet në mënyrë active shtegun e integrimit të Shqipërisë për në BE me një gamë programesh në qeverisjen vendore, energji, zhvillim ekonomik dhe shëndetësi me një total prej 88 milion franga zvicerane për vitet 2014-2017.

 

September 9, 2015 15:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*