“Zvicra” e Leskovikut

Vepror Hasani July 12, 2015 15:20

“Zvicra” e Leskovikut

Deri më sot askush nuk dinte të thoshte ndonjë gjë për fshatin me emrin “Zvicra” të ngritur nga britanikët pranë fshatit Radanj në thellësi të maleve të Leskovikut, këtu e 88 vjet më parë. Askush nuk dinte të thoshte kush ishin banorët e këtij fshati dhe ku gjenden ata sot. Nga informacioni që kemi, dimë diçka me saktësi: ata ishin emigrantë.

Duhet të ketë qenë vjeshtë e vitit 1927 kur një grumbull njerëzish, burra, gra, fëmijë, nëna që mbanin foshnja në krah, të moshuar, disa krejt të rraskapitur, u panë të kalonin nëpër përrenj, duke u përpjekur të ngjiteshin rrëpirave përmes rrugëve ku mund të kalonte vetëm dhia, për të mbërritur diku, ku u ishte premtuar një copë truall. Atje do të ngrinin shtëpinë e tyre, do të merrnin nga një pendë qe për të lëruar tokën e të mbillnin farën e misrit për të prodhuar bukën e tyre të përditshme. Gjithsej ishin 20 familje. Ende nuk e dinim ku kishin jetuar më parë këta njerëz, përse kishin mbetur pa shtëpi? Kush i kishte përzënë vallë nga trojet e tyre? Mos ndoshta vinin nga Greqia apo nga ndonjë vend tjetër edhe më i largët? Ishin shqiptarë apo të huaj? Një gjë dihej, që ato 20 familje i përkisnin besimit mysliman. Tashmë ata do të shndërroheshin në njerëz që shpresonin shumë ta nisnin jetën edhe një herë nga e para, duke u munduar të harronin gjithçka që u kishte ndodhur.

Në krye të vargut të këtyre fatkeqe, qëndronte një njeri, ai ishte britaniku Herbert Ëilliam Sams, përfaqësues i një shoqërie bamirëse të vendit të tij. Refugjatët e shkretë besonin te ky njeri si në perëndi. Ai i njihte mirë hallet e tyre. Bashkë kishin kapërcyer shtigje të panjohura dhe humnera të frikshme.

Ata u ndjenë të lehtësuar, kur panë se dikush kishte nisur të ngrinte disa ndërtesa që, ata t’i gjenin gati kur të mbërrinin. Qeveria shqiptare e kishte garantuar zotin Sams se do të bënte gjithçka për të ndihmuar 20 familjet, madje do t’u siguronte edhe bukën. Ja ç’thuhet në në gazetën “Zëri i Korçës” të datës 12 nëntor 1927: “Sikundër dihet në katundin Radanj të nënprefekturës Leskovik, janë instaluar prej shoqërisë mirëbërëse britanike 20 familje emigrantësh. Shoqërisë në fjalë, i qenë dorëzuar 5.180 killo misër, të cilën e përndau nëpër familjet e përmendura. Pas ftimit (ftesës) të Drejtorit të Shoqërisë Britanike, z. Herbert Ëilliam Sams, vajti para pak kohësh në katundin Radanj titullari i kësaj prefekture, Zef Kadarja, i cili konstatoi se të gjithë emigrantët janë instaluar mjaft mirë nëpër shtëpitë e ngrehura për ta. Për ngritjen e këtyre shtëpive kishte kontribuar misioni britanik.

Ka mundësi që ata të kenë qenë banorë të ndonjë fshati punëdashës, blegtorë ose bujq. Kur nuk kishin vetëm disa ditë që kishin mbërritur aty, ata i kërkuan prefektit të Korçës që të ndihmonte çdo familje me një pendë qe. Kërkesa e tyre nuk u refuzua. Kërkesa u realizua mjaft shpejt. Tashmë emigrantët kishin filluar të ndiheshin më të qetë. Me të mbërritur në Radanj, ose më saktë pranë këtij fshati, ata kërkuan që t’u vihej në dispozicion një imam që t’u drejtonte lutjet në xhami. Drejtori i shoqërisë bamirëse britanike, vazhdonte të qëndronte ashtu si edhe më parë pranë tyre. Nga gazeta “Zëri i Korçës” mësojmë se, “më 6 të këtij muaji (nëntor 1927), z. Herbert Sams me gjith personelin e tij shkoi për në Greqi. Në këtë rast, prefekti i paraqiti në emër të qeverisë falenderjet dhe mirënjohjen për veprimet e tyre mirëbërëse”.

Fshati u quajt Zvicër! Pse-në do ta mësojmë më poshtë: Disa zonja zvicerane kishin mbetur të mahnitura nga historia që kishin dëgjuar për këto familje që ishin ndihmuar nga shoqëria bamirëse britanike. Ishin drithëruar nga tregimet e tyre. Duket se ngjarja nuk ka qenë aspak e zakontë. Ndaj edhe ato kishin vendosur t’i ndihmonin emigrantët e ardhur në Radanj me gjithçka mundnin. Nuk dimë saktësisht se çfarë ndihmash dërguan, sa ishte vlera e tyre, por gjithçka është e kuptueshme. Ndihma e zonjave duhet të ketë qenë e veçantë. Vlera duhet të ketë qenë tepër e madhe. Në jetën e banorëve duhet të ketë ndryshuar diçka. Ndoshta ata e kanë ndier veten si në Zvicër. Çfarë u ishte dhuruar vallë? Pak rëndësi ka. Ato zonja kishin ofruar shpirtin e tyre të madh, ndaj banorët në nder të tyre, fshatin e quajtën Zvicër. Kërkesa e tyre u mor parasysh edhe nga qeveria. Gazeta “Zëri i Korçës”, 3 dhjetor 1927, në një artikull tjetër të saj e shpjegon kështu pagëzimin e fshatit të sapokrijuar me emrin “Zvicër”: “Sipas vendimit të Këshillës ministrial, katundi i ndërtuar prej misionit britanik në Radanj të Leskovikut dhe i përbërë prej 20 shtëpish, u pagëzua me emrin “Zvicër”. Ky emër iu dha për nder e kujtim të zonjave të Zvicrës që kanë dhuruar ndihmat e tyre për ngrehjen e këtij katundi”.

Ndoshta dhurata e zonjave zvicerani qe aq e madhe sa fshati u prish shpejt, banorët ikën që këtej në një vend më të mirë dhe lanë pak gjurmë. Është kjo arseja që brezat e tanishëm në Kolonjë dinë pak ose aspak për ta.

Pas njohjes me këtë histori, pyetëm banorë të zonës, por shumëkush nuk kishte ndonjë ide të qartë. Megjithatë pati edhe nga ata, që përmes e-mail-eve na dërguan mendimin e tyre se si mund të kishte ndodhur. Një fakt mjaft të rëndësishëm na solli Majlinda Dapshi, banore e asaj zonë, e cila iu referohej kujtimeve të babait të saj. Për Majlindën, 20 familjet kishin ardhur nga Korsacka, (fshat në Greqi), dhe të ndihmuar nga britanikët kishin ndërtuar fshatin e tyre pranë Radanjt, aty ku më përpara kishin qenë lëmenjtë, magazinat dhe zdrukthtaria, pranë së cilës ishte edhe shtëpia e Ekrem Bardhës. Madje dajua i Ekremit, Xhakua,- thotë Majlinda Dapshi,- ishte kryeplak. Çfarë ndodhi me disa nga ato familje, shpjegimin e jep përsëri Majlinda Dapshi: “Disa prej tyre u arratisën, shumë të tjerë u internuan në Lushnjë e gjetkë. Largimi i Ekrem Bardhës nga fshati tregon “fatin” e gjithë familjeve të tjera”. “E ëma e Ekremit, Buleja,- thekson Majlinda,- edhe sot e kësaj dite kujtohet në fshat si “rrobaqepëse” dhe grua zonjë. Gjithashtu edhe gazetari Pali Lena nga Erseka ofroi ndihmesën e vet, i cili saktësoi se fshati “Zvicra” u ngrit pranë fshatrave Radanj dhe Oseckë. Megjithatë ne vijuam të gjenim edhe ndonjë fakt më shumë, të cilin e paraqitëm më lartë në këtë shkrim.

Vepror Hasani July 12, 2015 15:20
Komento

2 Komente

  1. Goni me July 13, 12:08

    Kontribut i vyer jo vetem per historine e zones por edhe te vete Shqiperise.Te ofrojme te gjithe cka kemi per te rindertuar historine ne nje drite te re,pa paragjykime fetare,partiake,raciale etj.Historia eshte e tille qe brenda saj mbart gjithcka,te mire e te keqe.Ate duhet ta pranojme sic eshte e jo ta llustrojme e aq me keq,sic ka ndodhur ta deformojme e cungojme.Me pelqen ideja e shkrimit.

    Reply to this comment
  2. Edmond Zemblaku July 4, 23:58

    Për të njëjtën arsye u larguan nga greqia dhe gjyshërit e mi nga ana e babait. U larguan nga fshati i quajtur tashmë Kalohori(καλό χωριό) i Kastorias. Fshat 5 km nga Kastoria.
    Por di që qëndruan për pak kohë në fshatin Zëmblak të Bilishtit (nga ku morën dhe mbiemrin që kemi akoma dhe sot)dhe nga aty në libofshë të Lushnjës. Kjo shpërngulje u bë gjithashtu në të njëjtën kohë që thuhet më sipër. Personalisht kam shkuar në atë fshat dhe kam takuar njerzit që sot kanë në zotërim tokën dhe shtëpinë e gjyshërve të mi. Pleqtë e zonës i mbanin mend të gjithë sojin tonë të larguar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim