(Në vend të një nderimi për emrin dhe veprën e Nasho Jorgaqit)
Enver Kushi
Ishte mesjava e dytë e janarit e vitit 2016, kur me prof. Nasho Jorgaqin po rrugëtonim për në Shkodër, për një punë të përbashkët. Dita ishte e bukur, me një diell të pazakontë, pas shirave dhe dëborës, që kishte cekur si me drojë majat e maleve. Nga dritarja e makinës vështroja grinë në të kaltër, që u jepte dielli maleve dhe hapësirat e fushave, ku dimri dukej akoma larg. Kishim kaluar Fushë Krujën dhe teksa vështroja peizazhin janarodimëror, prof. Nasho nisi të na rrëfejë përmbajtjen e novelës që po shkruante ose ndoshta e kishte përfunduar. Ka shkrimtarë që kanë dëshirë t’ua tregojnë të tjerëve brendinë e veprës që shkruajnë dhe këtë e rrëfejnë bukur, deri në detaje të imta. I tillë ishte Vath Koreshi, një nga prozatorët e veçantë dhe me kontribute në prozën shqipe. Në takimet me të, ai më ka treguar shumë subjekte të tregimeve dhe romaneve, që më vonë kanë parë dritën e botimit…
Prof. Nasho Jorgaqi fliste me zërin e tij melodioz, me fytyrën paksa të kthyer në profil. Dhe ndërsa shihja këtë profil dhe ndiqja rrëfimin e profesorit, m’u kujtua prozatori i madh turk Jashar Qemali, kur shkruan për Nazim Hiqmetin: “Në sjelljen e tij ruante bukurinë e një rinie të mrekullueshme dhe të një fëmijërie të paprekur, siç mund ta quajmë…”… Dhe kur prof. Nashua mbaroi rrëfimin e subjektit të novelës dhe u kthye në qëndrimin e mëparshëm, duke parë rrugën dhe peizazhin në dy anët e saj, thashë fjalët: “Një gjë e veçantë. E bukur dhe shumë prekëse”. Pastaj përmenda Çehovin dhe disa emra të tjerë prozatorësh botërorë. Dhe më pas i thashë se e shoh novelën edhe si film në të ardhmen, se kemi nevojë për tema të këtij lloji, për kohën tonë të vrazhdë, që gjithmonë e më shumë po i zinte frymën humanizmit, botës së madhe shpirtërore të njeriut. Profesori nuk foli më. Ai vështronte nga dritarja e makinës të njëjtin peizazh: fushat në të majtë, ku tutje në horizont ndihej prania e detit dhe malet gri në të djathtë. Qielli ishte i pastër, me shtëllunga të vogla resh të bardha e të hutuara, që nxitonin si ëndrra apo dhimbje njerëzore drejt Alpeve të Veriut, atje ku gëzimet dhe dhimbjet janë si në fillesat e njerëzimit apo siç shkruan Antonio Baldaçi në fillimshekullin e shkuar për Shqipërinë Veriore: “… këtij sfinksi evropian, i cili, i mbështjellë me mister, josh shumë studiues”.
Përmbajtja e novelës, që prof. Nasho Jorgaqi e kishte treguar aq bukur, më kishte futur në një botë tjetër, atë të letërsisë së vërtetë, ku ndjen dhe prek dramën e njeriut, rrahjet e zemrës së plagosur rëndë nga një dashuri e parealizuar, vetminë, por edhe stoicizmin dhe karakterin e pashoq të personazhit kryesor, që është rritur në gjirin e Alpeve shqiptare, Gjergj Dodës.
Dhe tani që novela është në duart e lexuesit, e them që në krye të herës që është një nga gjërat më të bukura që ka shkruar Nasho Jorgaqi dhe një arritje edhe për prozën shqipe. Nuk është vetëm subjekti i veçantë apo ngjarjet që rrjedhin dhe zhvendosen në kohë dhe hapësira të ndryshme gjeografike, që nga vitet ’30 të shekullit që lamë pas, Lufta e Dytë Botërore, vitet e pasluftës e deri në ditët tona, Shkodra më zonjëllëkun e saj, Malësia e Veriut, Tirana me rrethet akademike dhe shtëpitë e vjetra mikpritës me pus, hurma e caraca, që e rrëmbejnë lexuesin dhe e bëjnë të përjetojë që në frazat e para botën e krijuar nga pena e shkrimtarit. Për mendimin tim, është edhe karakteri i fortë, burrëror, që ka krijuar në këtë novelë Nasho Jorgaqi. Gjergj Doda është i vetëdijshëm në çdo hap të jetës së tij për vendimin marrë, ashtu siç shkruan autori: “Karakteri i tij i fortë, vetëpërmbajtja, një lloj destini që kish përcaktuar fatin e rëndë të dashurisë së tyre, e bënin të përballonte gjithë situatat që i sillte e pritmja.”
Ekzistenca dhe stoicizmi i Gjergj Dodës, nëse do të perifrazoja një emër të madh të letrave botërore, Stefan Cvajg “duket sikur vjen nga pafundësia dhe shkon në pafundësi dhe gjatë lartësimit dhe rrokullimës së shpejtë të ekzistencës, prek shkarazi botën reale.” Një botë jo e përkryer, jo ideale, me të papritura nga më të çuditshmet, me dhimbje, vetmi, ndarje, fate të përcaktuara, do të shtoja. E megjithatë, personazhi kryesor i novelës jeton me sublimen e kësaj jete, idealen, të bukurën, shpirtëroren, dashurinë dhe mosrealizimin e saj.
Gjergj Doda i nënshtrohet fatit, në kuptimin gati-gati mistik që ka kjo fjalë. Pikërisht në këtë bashkëjetesë të heshtur, pa zhurmë mes karakterit burrëror dhe fatit, mund të kuptohet jeta e prof. Gjergj Dodës. Autori me finesë zbulon para lexuesit botën e trazuar, por gjithsesi të heshtur, që përshfaq personazhi kryesor i novelës. Kjo realizohet me mjeshtëri, falë përvojës së gjatë krijuese të Nasho Jorgaqit dhe njohjes së shpirtit njerëzor dhe veçmas atij shqiptar. E nënvizoj “shpirtin njerëzor veçmas shqiptar”, sepse nuk e di si do të tingëllonte subjekti i kësaj novele, nëse do të zhvendosej në hapësira të tjera gjeografike evropiane, sepse siç shkruan Edit Durham: “Shqiptari mbetet gjithnjë shqiptar. Ai është në radhë të parë shqiptar” edhe se malësori shqiptar “duket një njeri me tipare fëminore patetike”.
E them këtë jo se në këto hapësira shpirti njerëzor është ndryshe, por për rrethana të caktuara historike, gjeografike, të një trashëgimie që vjen nga thellësitë e shekujve dhe që ka mbetur si fosile në viset shqiptare, siç janë besa, mikpritja, apo tipare të tjera të karakterit shqiptar. Prof. Gjergj Doda i Nasho Jorgaqit në thelbin e tij ruan dhe trashëgon shumë nga origjina e tij malësore. Ai lëviz në kohëra dhe mjedise të ndryshme shoqërore, veshur me çakshirin e malësorit. I heshtur, burrëror, i vetëm në vetminë e tij, tepër njerëzore dhe me zemër të madhe, i çiltër, naiv, i vetëdijshëm për vendimin e marrë, me një krenari që deri në fund të jetës përballon fatin me kokën lart, i tillë është Gjergj Doda. Qiejt e jetës së tij, të ngarkuara me re gri, janë vetëm të tij. Ai i mban ato të kyçura brenda qenies së heshtur dhe të tjerët nuk shohin asgjë prej grisë dhe trishtimit të këtyre qiejve… Nuk dua të ndalem në detaje të tjera të subjektit të novelës apo faqet e fundit të saj ose më saktë në kapitullin e tetë dhe më pas, kur në një mesditë vjeshte me shi, në shtëpinë e profesorit të sëmurë, trokasin një çift i vjetër, që trazojnë qiejt gri të jetës së profesorit Gjergj Doda, tashmë ndoshta në pragvdekje. Lexojini në qetësinë tuaj këto faqe: qetësinë tuaj dhe ndoshta në një dhomë të mbyllur, ku të mos depërtojë asnjë zë njerëzor apo diçka tjetër nga bota e rrëmujshme. Vetëm kështu do të dëgjoni Gjergj Dodën duke i rënë për herë të fundit flautit, shokut më besnik, që kurrë nuk ja ktheu shpinën. Vetëm kështu do të dëgjoni ofshamën e menjëhershme të Gjergj Dodës, që i ndaloi frymën përgjithmonë…
… Dhe kur të mbyllni faqen e fundit të kësaj novele, jam i bindur që do të ndjeni që zemra t’u rrahë më shpejt ose ndoshta një shtrëngesë në kraharor, paksa të thellë, sëmbuese, njerëzore, si shumë dhimbje të tjera, që vinë nga ca botë të çuditshme dhe nga magjia e letërsisë, ndoshta për t’u qetësuar do kërkoni të vështroni hapësirën e paanë qiellore, me re gri dhe të bardha, që nxitojnë njëra pas tjetrës, si gërmadha shpirtrash njerëzor… Ose ndoshta në ditët më pas, në Tiranën me muzgje shirash të butë, do të dilni në kërkim të zemrës së vetmuar me emrin Gjergj Doda.
Dhe kur këmbët t’u çojnë në një nga rrugicat e vjetra të Tiranës, (sa pak kanë mbetur nga ato) do të ndalni çapin dhe nën shiun e qetë që bije, do të dëgjoni melodinë e flautit… Nga vjen vallë kjo melodi e vetmuar? Pak më tutje nuk është nevoja të trokisni në portën e vjetër tiranase. Ajo është e hapur dhe ju do të shihni oborrin me pusin, caracën dhe hurmat… Tashmë ka rënë muzgu dhe ju do të shihni siluetën e një zotërie të gjatë, në moshë tepër të thyer, që, i mbështetur te pusi, i bie flautit. Dëgjojeni me vëmendje melodinë e këtij instrumenti magjik. Dhe bota do t’u duket më e bukur me bukurinë e saj dhe e trishtë me trishtimin, vetminë dhe dhimbjen e saj. Dhe do t’u duket sikur prekni shpirtin njerëzor, si atë të fillesave të njerëzimit: të brishtë, të pastër dhe fisnik.
Shënim: Novela e Nasho Jorgaqit, fillimisht u botua me titullin “Zemër” dhe më pas me titullin “Një histori dashurie”, nga botuesja Majlinda Rama.